Alfred Lela, zëdhënësi i grupit të Partisë Demokratike që drejtohet nga ish-Kryeministri Sali Berisha, tha për Zërin e Amerikës, se vendimi i Gjykatës së Lartë mbi çështjen e përfaqësimit zyrtar të kësaj force politike është një vendim me dy tehe.
Të mërkurën kjo gjykatë ktheu për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit konfliktin mes grupimit të zotit Berisha dhe atij të zotit Basha, çka u pa si një fitore e pjesshme për ish-Kryeministrin. Por zoti Lela thotë, se ajo çka do të ishte drejtë dhe jo vetëm për zotin Berisha, por edhe demokracinë në vend, do të ishte njohja e vullnetit të 600 mijë qytetarëve, që sipas tij, votuan më 14 maj, grupimin e ish-kryeministrit.
Zoti Lela foli dhe mbi aksionin opozitar të mosbindjes civile që duket se nuk ka gjetur shumë mbështje. Kritikët thonë se ndonëse mes popullatës në vend ka pakënaqësi, opozita nuk ka qenë në gjendje ta shfrytëzojë atë, pasi duket se po merret me problemet ligjore të zotit Berisha.
Por sipas zotit Lela, e vërteta nuk është ajo që duket. Ai shton se opozita ndodhen nën represion, si nga Edi Rama ashtu edhe nga sistemi i drejtësisë, të cilët i akuzoi për bashkëpunim mes tyre.
Një nga treguesit e kësaj lidhjeje sipas tij është kërkesa e Prokurorisë së Posaçme që arresti shtëpiak ndaj ish-kryeministrit, të shoqërohet edhe me mbikëqyrje policore.
Për zotin Lela, qëndrimet e disa kritikëve se me zotin Berisha, Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet janë pjesë e projeksionit që ka mbjellë kundërshtari politik, pasi faktet sipas tij tregojnë të kundërtën.
Ai thotë se zoti Berisha, arriti të grumbullojë 600 mijë vota, pavarësisht nga një “rrethim i gjithanshëm”, edhe nga Uashingtoni e Londra, duke iu referuar për këtë shpalljes non-grata, nën akuzat për korrupsion madhor, nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Zoti Lela thotë se rikthimi i Berishës fuqishëm në politikë, ishte i domosdoshëm, në kushtet kur në vend edhe sot e kësaj dite sipas tij, nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.