A është gjuha e ilirëve gjuha pellazge, apo është dialekt apo degëzim i pellazgjishtes? Këto janë disa pyetje të cilave nuk mund t’u jepet shpjegim me dy fjalë. Dëshmitë arkeologjike, si mbishkrimet e gjetura në stela varri na japin shumë pak mundësi interpretimi.
Kemi vetëm disa emra mbretërish ilirë të cilët kanë kuptim në gjuhën shqipe, si: Ilir, Bardhyl (bardh yll), Pirro (burrë), Dasi (dash), Longar (i ati i Batos; longar quhet vegla e lashtë frymore me dy fyej ), Glauk (gjak), Parmen (i parë), Etleva (rrënja e fj. “leva”), Brikena (rrënja e fj. “bri”), Taulant (Daulant-Daluand, Daulandis dhe që ka përfunduar në shqip dallëndyshe), Skerdilaid (sker-bari) etj.
Neritan Ceka shton edhe emrin Teuta, që i korrespondon apelativit indoeuropian “popull”, si dhe Gentios që vjen nga e njëjta rrënjë si « kënig » (mbret) e gjermanishtes”.
( N.Ceka.“Ilirët”, f.226)
Në një stelë varri të gjetur pranë Pejës (shek.II) janë shkruar emrat e familjes: “Ania“, ”Deda”, ”Dasi”. Po kështu kemi emërtime vendesh me rrënjët e fjalëve shqipe, si: Dardan, Skampin, Epir (epër), Lyhnid ( liqen), Dalmatia (delmet), Dasaret (desh),
Kroja (Krujë), Ulk, Borë etj.
Ndryshe nga as është folur dhe është shpjeguar që Ulqin *rrjedh nga rrënja ULK, unë mendoj se ky emërtim, Ulqin, rrjedh nga emërtimi i vendit « Ultsinë », pasi vetë krahina e Ulqinit është një ultësirë, rrafshirë ndanë detit. Emërtimi Ulqin ka përfunduar në kohën kur bashkëtingëlloret « ts » sipas proceseve fonetike të trajtuara dhe më parë nga Çabej, kanë përfunduar në bashkëtingëlloren « ç ».
Emrat e lumenjve dhe të qyteteve të lashta janë edhe më të shumta dhe tregojnë më së miri vazhdimësinë e kësaj gjuhe në shekuj. Një studim i mirë i toponimisë vendëse, duke marrë në shqyrtim emrat e qyteteve, maleve, lumenjve, fushave, fshatrave, pyjeve etj., do të ishte me vlerë për të ardhur te një fjalor i emrave që është përdorur qysh në lashtësi.
Luftërat e mëvonshme të ilirëve me pushtuesit e këtyre trojeve, me hunët, gotët, avarët, romakët, keltët e sllavët, e tkurrën mjaft popullsinë e kësaj treve, por nuk e asimiluan dot, nuk i hoqën as gjuhën, as “ndërgjegjen e vet etnike” . Studiuesja maqedonase Fanula Papazoglu shkruan : “Dardania paraqitet si një nga rajonet ballkanike më pak të romanizuara”.
Gjuhëtari ynë i shquar, E.Çabej, Dardaninë e ka quajtur “pjesë e trevës gjuhësore më të kryehershme të shqipes ».
Shumë prej popullisë ilire, për t’u shpëtuar fatkeqësive u hodhën në brigjet italike. Me interes është thënia e Plinit: “Nëntë të rinj dhe po aq virgjëresha, të ardhura nga Iliria, lindën 12 popuj”( III,21). Nuk bën fjalë për kombësinë e të rinjve, ndërsa për virgjëreshat thotë se janë ilire. Nga kjo e dhënë marrim vesh që 12 vajza ilire janë hedhur matanë detit dhe kanë lindur 12 popuj (fise).
Disa nga këto fise mund të jenë protoilirë: mesapet, daunët dhe peuketët.
Shumica e studiuesve mendojnë se 13 fiset e Epirit janë me përbërje ilire. Ndërsa Çabej hedh mendimin se ilirët kanë qenë elementë të një njësie të përbashkët brenda ndryshimeve territoriale.
Interesant është dhe mendimi i gjuhëtarit gjerman, J.Adlung (1732-1806), i cili ka botuar një fjalor 500-gjuhësh. Ai kundërshton mendimin se shqipja e ka prejardhjen nga ilirishtja dhe nuk ka pranuar lidhjet e shqipes me asnjë nga gjuhët e Ballkanit dhe të Europës: ”Shqiptarët, –thotë ai,- flasin një gjuhë të përzier të trungut tartar…Ata janë kushërinjtë e albanëve të Kaukazit”. Albanët ai i sjell nga Lindja. (Midis malit Kaukaz dhe lumit Kir.)
Malte- Bryn mbron tezën e lashtësisë së popullit shqiptar duke i konsideruar si të prejardhur nga pellazgët.
Jokli arrin në përfundimin se djepi i lashtë i shqiptarëve në Ballkan ka qenë Dardania. Këtë mendim kanë pasur edhe P.Skoku dhe historiania angleze E.Durham.
Emrat Nish (Naissus), Skodra (Shkodra), Shar, Shkup (Scupi), Lesh (Lissus), Drishti (Drivast), Durrës, Raguza (rrënja “rrush”), Dyrrachium, Candavia ( Kunavia), si dhe emrat e lumenjve: Drin, Mat, Babrana, Buna, Mat (Mathis) etj., sipas Çabejt, përligjen fonetikisht me shqipen.
Dijetari i njohur francez E.Pitar vë në dukje dy nga tiparet kryesore të shqiptarëve: flokët dhe irisin e syrit. Te shqiptarët ka rezultuar të mbizotërojë ngjyra kafe e flokëve, që janë dhe të drejtë (për të dyja gjinitë) dhe ngjyra kafe e irisit të syrit (në 70 për qind të rasteve), si dhe ngjyra blu, që është më pak e përhapur.
Teza e burimit të shqipes prej trakishtes, ndonëse nuk është hedhur poshtë, shpreh shumë dyshime.Gjeografikisht ata gjenden larg
Tunmani (f.250,v.252), duke iu referuar Aristofanit (“Skoliasti”), thotë që banorët e Epirit, domethënë kaonët, janë quajtur trakas të rrjedhur nga fisi i mesëve. Ndërsa Stefani i Bizantit, qytetet Nish dhe Shkup i quan qytete trake. Tribalët ai i përmend herë si ilirë e herë si trakë, ndërsa istrët dhe daorsët, në ndonjë rast i quan edhe trakë. Ajo që duhet të jetë e vërtetë është gjuha e tyre, në mos e njëjtë, e përafërt. Ndërsa gjuhëtari Vladimir Georgiev është përpjekur ta sjellë shqipen të ardhur prej dako-myzishtesh. Gjithsesi, mendimet e gjuhëtarëve sjellin argumente të pjesshme, vetëm nga sfera e gjuhësisë.
Gjuhëtari Milan Budimiri, duke mbështetur tezën e V.Brandenshtainit, te ilirët sheh indoeuropianët paragrekë.
Këta gjuhëtarë janë bazuar te “tri seritë guturale” si dhe te struktura fonetike, e cila paraqitet e afërt me trakishten dhe armenishten.
Ndërsa A.Vindekensi i cakton pellazgjishtes një vend midis gjermanishtes dhe baltosllavishtesh.
Për hir të së vërtetës, këtu duhet të paraqesim edhe mendimet e atyre shkencëtarëve që e kundërshtojnë prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve, njëri prej të cilëve, dhe më kryesori, është themeluesi i gjuhësisë rumune, Gustav Weigand. Ai e vë në dyshim prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve përmes 12 argumenteve:
- Emrat latinë të vendeve në Shqipëri paraqesin trajtën e dalmatishtesh së vjetër.
- Terminologjia e lundrimit dhe e peshkimit është e burimit të huaj.
- Nuk ka gjurmë të tjera të dalmatishtes së vjetër në gjuhën shqipe, por ka gjurmë të italishtes (të dialektit venecian).
- Në gjuhën shqipe gjenden fjalë të burimit trak.
- Në Daki (Rumani) ka emra vendesh dhe personazh që shpjegohen me anë të shqipes, si:Decebalus = Daki bal” ose Balli i dakasve,
Burebista = burrë-bisht.
Drizu-para =qytet drizash.
Buri-dava = kështjellë burrash etj.
- Nëse shqiptarët do të kishin banuar në këto troje do të kishin pësuar ndikimin fonetik të shqipes. Këtu sjell shembuj toponimesh në Tomoricë e gjetkë, të cilat më vonë kanë qenë edhe nën ndikimin e gjuhës sllave.
- Shqiptarët nuk zihen në gojë para shek XI.
- Lidhjet rumune-shqiptare dëshmojnë se shqiptarët dhe vllehtë (rumunët) kanë banuar dikur së bashku. Këtu mund të bihet dakord. Është pjekur mendimi që shqipja të jetë formuar në djepin e territorit Nish-Sofje–Shkup.
- Në gjuhën rumune ka elemente latine të cilat mund të shpjegohen se kanë hyrë përmes shqipes. Pra, në mes tyre duhet të ketë pasur bashkëjetesë mjaft të gjatë.
- Elementet latine që kanë hyrë në të dyja gjuhët, kanë mjaft ngjashmëri mes tyre. Kjo tregon se janë përftuar në kushte gjeografike, historike dhe gjuhësore të barabarta.
- Folklori i shqiptarëve dhe ai i rumunëve kanë përkime, të cilat ndryshojnë nga ato të fqinjëve të tyre bullgarë dhe serbë (këtu përmenden tatuazhet si dhe figurat e kuçedrës dhe të zanave…, veshjet popullore etj.).
- Mënyra e të kënduarit të këngëve ka shumë afri midis dy popujve.
* * *
Në mbështetje të këtyre argumenteve, Weigand nxjerr përfundimin se shqiptarët janë trakas dhe pikërisht stërnipët e besëve, të cilët gjer në shek. VI nuk qenë romanizuar. Ai shpreh bindjen se shqiptarët dhe rumunët u formuan në shek VI -IX, në trekëndëshin Nish-Sofje-Shkup.
Sipas Çabejt, kjo teori “ka meritën që vë edhe njëherë në dukje marrëdhëniet e shqiptarëve me rumunët si dhe të shqipes me rumanishten, të cilat janë me të vërtetë shumë të ngushta. Ana negative e saj është se teza e tij që populli shqiptar është formuar në periudhën nga vitet 600 gjer në 900, në qendër të Gadishullit Ballkanik, nuk ka asnjë bazë historike”. (“Studime gjuhësore” V.III. f 33.)
Gjuhëtari J.Thunman e ka vërejtur i pari këtë afrim iliro-trak, qysh në vitin 1774. Në bazë të të dhënave historike, ai arriti në përfundimin që trakasit kanë qenë një popullsi tepër e shpërndarë dhe se ata njihen si popullsi e përzier trako-ilire. Në truallin e ilirëve, sipas autorëve të vjetër , ka pasur edhe fise trake, si : daorsët (Bosnjë), kaonët (Epir) dardanët , peonët dhe tribalët, të cilët banonin në krahina të ndërmjetme.
Po ky autor nuk e vë në dyshim faktin që shqiptarët janë pasues të ilirëve. Mirëpo, duhet kuptuar se në kohët e lashta vetë mënyra e jetesës linte shteg për lëvizje më të shpeshta në drejtim të kullotave apo të vendeve të lira. Kështu, problemi i lidhjeve të kulturës prehistorike të Velçës (Vlorë) me atë të Thesalisë (Greqi) apo i mbishkrimeve prehistorike të mesapëve (Itali, Apuli) si dhe i lidhjeve të tyre gjuhësore me shqipen ende mbetet i errët.
“Në qoftë se do të arrihet në shkallë të plotë interpretimi i mbishkrimeve mesapike, –thotë dijetari norvegjez S.Bugge,- ai do të marrë rëndësi për dy arsye, se do të zëvendësojë pjesërisht shqipen e moçme që na mungon”.
Për sa i përket prejardhjes së shqiptarëve, qoftë në kohë shumë të vjetra, qoftë në kohë më të reja, kjo tezë hidhet poshtë, pasi nuk gjen asnjë dokument që të thotë se shqiptarët janë të ardhur nga një vend tjetër i Ballkanit. Interes të veçantë paraqet studimi i gjurmëve gjuhësore të një gjuhe paragreke e cila quhet pellazgjishte. Fjalën e fundit në këtë drejtim mendoj që e ka dhënë Hahni, qysh në vitin 1854, në kryeveprën e tij “Albanesicche Studien” (I. 215) ku arrin në përfundimin se epirotët dhe maqedonasit nuk ishin grekë….se epirotët, maqedonët dhe ilirët ishin farefis midis tyre dhe përbënin thelbin e fisit tireno- pellazgjik dhe se ilirishtja është gjuhë pellazgjike në kuptim më të gjerë. Gjithsesi, materiali gjuhësor me të cilin mund të operonim për të arritur në përfundime shkencore rreth gjuhës që kanë folur ilirët, është i pakët. Nga gjuha mesape( e ilirëve të Jugut) janë gjetur rreth 500 mbishkrime, ndërsa nga gjuha e japigëve( ilirëve të Veriut) janë zbuluar rreth 200 mbishkrime(me germa të etruskishtes veriore) që datojnë rreth shekujve VI-I para Krishtit, në rajonin e Padovës,Triestes, Estes e gjer në luginën e Pavias.
Ky material gjuhësor, në mos qoftë një përzierje e gjuhës etruske me atë ilire, duhet të jetë dëshmi e së folmes së dy dialekteve më të hershme ilire. Ky është edhe mendimi i disa albanologëve të njohur, si: Meje, Jokl, Bugge, Sanfeld, Pokorni, Shucshandt, Kun etj.
Bugge pohon se ka një identitet të plotë midis gjuhës mesapishte dhe asaj ilire.
Nisur nga mbishkrimet mesape të gjetura në Jug të Italisë, edhe gjuhëtarë të tjerë argumentojnë me fakte që gjuha mesape gjen kuptim vetëm me anë të shqipes së sotme dhe se ata janë një përzierje: “një e treta ilirë dhe dy të tretat trakë”. (Visoka)
N.Jokli thotë: “Trashëgimia gjuhësore që na vjen nga gjuhët e lashta të Ballkanit, si gjuha ilire apo ajo trake, janë të lidhura ngushtë me gjuhën shqipe”.
Meje nënvizon se “duhen trajtuar si zanafillë me popullsi ilire dhe filistinët, të cilët i dhanë emrin Palestinës ».
Të gjithë këta gjuhëtarë kanë nxjerrë “disa të vërteta të mbetura të izoluara” (M.Aref), pasi, të marra veç e veç, ato nuk arrijnë të paraqitin vazhdimësinë historike midis trungut të lashtë dhe degës së tij të izoluar, gjuhës së sotme shqipe.
Kur helenët mbërritën në Mesdhe, ata nuk kishin alfabet të tyre dhe huazuan alfabetin që sot quhet “fenikas”. Sipas N.Titos, ky alfabet nuk është gjë tjetër, veçse një variant i alfabeteve të popujve mesdhetarë, parahelenë.
Duke u mbështetur në disa libra të paraardhësve të mi, kam nxjerrë disa përqasje fjalësh shqip me fjalë të lashta mesape- iliro- trake, jo thjesht për ilustrim, por edhe për të vënë në veprim vëmendjen dhe kureshtjen tuaj.
Ilirisht-mes-trakisht Shqip
aker acar
amalusta amël
ania anie
ank ankth
ar ar (metali i arit)
as as
balus ballë
bardus bardhë
Bardhylli Bardhyli (emër)
barka barku
bauria burrnia
benebera bana (tbana në bjeshkë)
bigeste bigë, mal me dy maja (thr)
bistum bisht
bora Bora (emër mali në Maqedoni)
borea borea, era e veriut
brendon (mes.) dre (brirëshe)
Brindisi(il) qytet (rrënja « bri »)
bilia (mes) bijë
buni (il) tbana, kasolle bjeshkësh e barinjve
acra banus (il ) banorë të majëmaleve
darde (il) dardhë
delma (il) dele
Dzana (mes) zana
e edhe (lidhës)
eirene (il) rrënjë
fama (mes) fama
fimia fëmia
fis fis
gai gairet
Gordinium(il) gardhiqe (toponim)
gur gur, gour.
hri hiri (hiresi)
hopaie hopi
hyneron hyjnizon
ie je
ika ika (emër perëndeshe)
kaie qaje
karpoi karpë
lene lënë
liri liri
lot lot
math math
malea mal
manteia man
marakun(il) marak
maraz maraz
menzana (thr.) mëz, mëzat
miia mija (imja)
mori mori
nai tani
na ip na ep
nairon nuk rron
ni në
par par (i parë)
pellagoni pellg (rrënja)
pino piva
plak-os plak
pro (thrake) për (parafjalë)
ro rro
reze reze
rhinos retë
saih shaj
shi shi
sceli shkeli
si apk si e hapke
si ( ç ) faj ? ç’ faji ?
skiare (thrakisht) çjerr, shpatë,ferrë
te (il) te, tek (parafjalë vendi)
thana zana
Thana emër gruaje i gjendur te etruskët.
Ky emër mund të vijë prej drurit të thanës, pasi edhe emri i perëndeshës
parahelene, Athina, vjen prej drurit të thanës ,edhe emri “Athinë” këtej e ka burimin. Edhe emri Zanë mund të rrjedhë prej emrit Athina
ugur ogur
ulko ujk
Ulkinium qytet (rrënja ulk. Mund të jetë dhe ultsin)
Vanth Perëndesha e tokës te etruskët (rrënja “vend”)
uri dua urti dua, ura dua
yinoris hyjnorës
zi zi
Toponime ilire te Stefan Bizantini
Bizantini është i pari leksikograf i cili, në veprën e vet « Uribus et Populis », jo vetëm na ka lënë një sërë emrash topikë të Shqipërisë së sotme, në formën si janë folur në shekullin VI, por edhe i ka pajisur ato me shënime plotësuese.
Abantis :…Abantia, që sipas mënyrës barbare, b kthehet në m.
Kalimahu e quan Amantina.
Amantia është krahinë e ilirëve pranë Orikut (Orikumit) dhe Korkyrës, banohej nga abantët që ikën nga Troja. Emri etnik : abantieus. Një qytet me emrin Amantia gjendet edhe sot në Sicili. Mos ndoshta këtë qytet e kanë themeluar dikur amantinët e hedhur matanë detit, pas shkatërrimit të Amantias.
Ambrakia : qytet i Thesprotisë. E ka marrë emrin nga Ambarku, biri i Thesprotit të Laokonit ose prej Ambrakisë, bijës së Egjeut, për të cilën bën fjalë Filea…Emri i saj etnik është « ambrakieus »
Apolonia : qytet i Ilirisë. E banonin ilirët. Pastaj u dërguan 200 kolonistë korintas me në krye Gylakun, i cili e quajti atë Gylakea.
Arbon : qytet i Ilirisë.(Polibi). Emri i tij etnik është Arbnios dhe arbonites.
Argyrinoi : fis epirot, sipas Timeut,Teonit dhe Lykofonit.
Është fjala për fisin e argyrinëve me qendrën e vet në Gjirokastër (S.M.).
Baiake : qytet i Kaonisë. Hekateu thotë se emri i tij etnik është « Baiakaios », ndoshta edhe Baiakinos, por më mirë është i pari.
Buthrotos : gadishull afër Korkyrës. Është qytet. Disa thonë se emrin e ka marrë nga themeluesi , të tjerë thonë se emrin, sipas legjendës, ia dha Heleni kur, duke lundruar nga Troja për në Perëndim, bëri fli një ka për zbritjen e tij në Epir. Kau, kur po e thernin, i shpëtoi thikës dhe iku me të shpejtë përmes detit, hyri në gji dhe doli në breg, në një tokë të pabanuar (kishte një plagë në lëkurë.) ku ra e ngordhi. Atëherë, sipas Teukrit nga Kyziku, Heleni e mori si orakull dhe i vuri emrin Buthrotos. Emrin etnik Buthrotios, Lepidi e thotë me t, Butrotios.
Doberos : qytet i Panonisë.Qytetarët thirreshin doberas .
Mund të identifikohet me qytetin e Dibrës.
Dyrrahion : qytet ilir. U quajt Epidamn nga Epidamni, vajza e të cilit, Melisa (prej së cilës ka marrë emrin Melissonios), lindi me Poseidonin një djalë, Dyrrahion…, ku Poseidoni u bashkua me të. Aleksandri në Europë e quan Dysrahion, me s.
Dodonë : qytet i Molosisë në Epir, nga i cili ka marrë emrin dhe Zeusi i Dodonës :
Që sundon në Dodonën e ftohtë….
Të tjerë e shkruajnë emrin e saj Bodonaie, ndërsa qyteti është Bodonon, që nderohet…
Filokseni që ka komentuar « Odisenë », thotë se janë dy Dodona : ajo e Thesalisë dhe ajo e Thesprotisë ; e Thesprotisë është Dodona ku orakulli thuhet nga një lis, ndërsa tjetra është ajo e Thesalisë, nga e cila Akili thirri Zeusin e Dodonës, por duket kështu ka qenë quajtur ky orakull prej Homerit…
Enhelei : fis i Ilirisë, rrjedh prej Enheles ose prej Enheleus. I njëjtë me fisin engelanes, siç thotë Mnasea në librin III të « Periegesis ». (Përshkrimet)
Helliopia : quhet Heliopia dhe krahina rreth Dodonës, banorët e së cilës quheshin « helloi » dhe « selloi ».
Kassope : qytet në Molosi, i quajur kështu nga krahina Kassopia, nëpër të cilën rrjedh lumi i Kestrinës ; e themeloi Kestrini, i biri i Helenit të Priamit. Banorët quheshin kamanoi (është fjala për fushën e Vrinës, para Butrintit).
Lissos : qytet i Ilirisë dhe Akrolissos (bëhet fjalë për Lezhën).
Tragasai : krahinë e Epirit, nga Tragasi, në saje të së cilës Poseidoni bëri kripën. Këtej rrjedh kripa tragase, siç thotë helaniku në « Lesbiaket », libri I. Prej saj edhe fusha quhet Halsion. Banorët i quajnë tragasaios.
Kaonia: mesi i Epirit. Banorët quhen kaones.
Kaonët i dëgjonin thëniet e Zeusit (Homeri). Të poshtmit banonin në Kaoninë pellazgjike. « Duke shfrytëzuar lumenjtë e Kaonisë së lulëzuar »
Orikos: qytet në gjirin Jon. Hekateu në « Europa » e quan Orikun liman të Epirit.
Pastaj është qyteti Buthrotos, pas këtij limani Orikos.
Banorët e Orikut janë ata që gjenden të parët afër hyrjes së Adriatikut, duke lundruar nga krahu i djathtë (Polibi).
Anonimi i Ravenës, gjeograf i shekullit VII, në librin e tij « Përshkrimi i botës » ka shënuar 5300 emra qytetesh dhe lumenjsh, siç thirreshin në kohën e tij. Në këta libra përmenden edhe shumë emra qytetesh dhe lumenjsh të Ilirisë
Si quheshin atëherë : Si quhen sot :
Licinium Ohri
Ponservili Uraka
Candavia Babia
Jeraklea Bitolja, Manastriri (qytet në Maqedoni )
Skupis Shkupi (Zllokukuqeni)
Ceflon Qytet në afërsi të Velesit (Maqedoni)
Nesi Nishi
Theranda Dule (Kosovë )
Crebenis Spasi (mbi Drin)
Beciano Lipiani (Kosovë)
Bicinium Ulqini
Tragurion Qytet afër Dubrovnikut
Biston Qytet afër Pogradecit
Poliheriupolis Berati
Dyrrashium Durrësi
Apolonia Pojani
Scampa Elbasani
Glotidiana Peqini
Alona Vlora
Orik Orikumi
Troni (Kanina).
Eordai Devolli
Achilois Aspropotami
Apsis Semani
Genesis Shkumbini
Salon Jadar
Margus Morava
Drinus Drini
- Syndecdemus (shek VI), disa qytete të Ilirisë i përmend me ndryshime :
Aulindos metropolis Ohri
Pelagonia Bitolja (Manastiri)
Skodrai Shkodra
Lisos Lezha
Alvona Albona
Pistum Ishmi
Dyrratio Durrësi
Scobre Shkodra
Biston Podgorica
Licnido Ohri
Heraklea Manastiri
Nikea Velesi, afër Manastirit
Naisso Nish
Candavia Qukësi
Skampis Elbasan
Viciano Lipiani
Rutharoto Butrinti
Dodona Zarakovista
Aquas Kumanova
Civitas Cledo Ohri
Marusio Golemi i Lushnjës
Sanskritishtja e krahasuar me shqipen
Gjuha sanskrite mund të jetë e vetmja pike referimi për të gjithë gjuhëtarët që do kërkojnë të merren me rrënjët e gjuhëve të ashtuquajtura “indoeuropiane” Në paraqitjen grafike të familjes indoeuropiane në formën e drurit ( prej 12 degësh), gjuha sanskrite bën pjesë në gjuhët indiano-iraniane të cilat kanë krijuar dy degë, ndërsa iraniania është zhvilluar në katër degëzime: kurde, avestine, persiane dhe taxhikistane, dega tjetër e gjuhëve indiane, ku përfshihet dhe sanskritishtja e lashtë, bën pjesë në familjen e gjuhëve, bengale, industane (urdu dhe hindi) nepale, cigane dhe penxhabe.
Dijetari i shquar gjerman, A.Shlajher, i cili edhe e rindërtoi së pari pemën e gjuhëve, e quajti “Druri gjenealogjik” duke menduar se të gjitha këto gjuhë kanë diçka të përbashkët në vetitë e tyre dhe në prejardhjen e tyre.
Ekziston dhe një klasifikim tjetër i quajtur “klasifikimi morfologjik” i cili i jep rëndësi jo vetëm origjinës së përbashkët të gjuhëve, por edhe përbërjes morfologjike të fjalëve. Në bazë të këtij klasifikimi, gjuhët e botës janë ndarë në katër grupe: izoluese (gjuhë pa mbaresa dhe prapashtesa); flektive (kur fjalët, së bashku me parashtesat dhe passhtesat, krijojnë fjalë dhe shkrihen me to), në të cilat hyn edhe gjuha shqipe, sanskritishtja, greqishtja dhe latinishtja; agglutinative (me përngjitje, ku lidhja midis rrënjës dhe afikseve është më e dobët), në të cilat hyjnë gjuhët ungrafine, turke, kaukaziane, mongole dhe japoneze) dhe polisintetike. Në këto gjuhë fjala është e përbërë, madje shpesh është fjali, si për shembull: “ninakakwa” (fjalë meksikane), e cila ka kuptimin “unë ha mish”. Pra këtu nuk dallohet fjala nga fjalia. Edhe gjuha shqipe ka ndonjë rast të tillë, si: “sill- ma- ni”, një folje e cila ka në përbërjen e vet katër fjalë: “sill” “mua” “juve-atë”.Gjuhëtarët që janë marrë me tipologjinë e gjuhëve kanë bërë edhe klasifikime të tjera si “psikologjik”, “konceptual”,”stadial” etj.
Klasifikimi stadial lidhet me natyrën e zhvillimit të gjuhëve. Akademiku Mar i konsideronte gjuhët indoeuropiane dhe ato semite, si gjuhë të zhvilluara dhe të përsosura, gjuhë të një “stadi” të lartë.
Le të kthehemi te sanskritishtja. Në të gjithë botën numërohen rreth 3000 gjuhë, afria e të cilave me njëra-tjetrën nuk është e njëjtë ; disa rrjedhin nga një trung i përbashkët, ndërsa disa të tjera kanë lidhje filiacioni, birërie. Sidoqoftë, ende nuk është vërtetuar se cila është gjuha e parë dhe cila është gjuha foshnjore e njerëzimit…
Të gjitha thëniet dhe argumentet mbeten në stadin e hipotezave, ashtu sikurse edhe përpjekjet e mia modeste për të ndriçuar me fakte gjuhësore “mbeturinat e asaj gjuhe” e « për t’i ngritur një tempull », siç do të thoshte Çabej, gjuhës sonë të lashtë. Qysh në fillimet e para të krahasimit të gjuhëve u vërtetua se shqipja kishte afri të forta me sanskritishten, me gjuhën letrare të indianëve të vjetër. Afria dukej, si në rrënjët e fjalëve, ashtu edhe në trajtat gramatikore dhe në përkimet fonetike. Afria dukej më tepër në fjalët që tregojnë lidhje gjaku, si: at, mam,vëlla, motër etj.
Me sanskritishten dhe me afritë midis saj dhe gjuhës sonë është marrë gjerësisht dhe me një pasion të veçantë, gjuhëtari Petro Zheji. Ai u ka kushtuar dy libra këtyre afrive duke dhënë një ndihmesë të veçantë në ndriçimin e këtyre lidhjeve të lashta gjuhësore. Sipas Zhejit, krijimi i fjalës dhe motivimi i saj është mitik dhe pak mistik., “Motovimi i fjalës,- thotë ai,- përfundon gjithmonë në një simbol.”
Fjalët shprehin simbole dhe jo koncepte. Ai vë re se në shumë fjalë të lashta shfaqet prania e “mendimit mitik”. Pas shumë argumenteve, Zheji arrin në përfundimin se pa ndihmën e mendimit mitik është e pamundur të kuptosh krijimin dhe zhvillimin e këtyre dy gjuhëve të para të njerëzimit. Për ta ilustruar këtë mendim le të marrim një shembull.
Në shqip, fjala “shter- ster” do të thotë “shter, rrjedhje uji, thatësim”.
Në gjermanisht, “sterben” do të thotë “me vdekë”. Simboli i vdekjes në shqip është si shterje, pra, si fjalë e parë, vdekja lind si pasojë e shterjes së ujërave. Fjala “sterben” është rrjedhojë e fjalës së parë: “ster”. Krijimin e fjalëve Zheji e koncepton si “trajtat primitive dhe inkoshiente të mendimit të cilat ndikuan në kohët e hershme në formimin e gjuhës”
Prej këtij studimi kam nxjerrë disa fjalë të përafërta sanskritisht-shqip, të cilat më janë dukur me interes për t’ia bërë të njohura edhe lexuesit:
Sanskritisht Shqip
anith anije
ani unë
em nan
buz përbuzje
bajt shtëpi, bujtinë.
bejt-kevarot varr.
zift fatkeq
hista jem ai është
heshtakhah që vë në heshtje
jetomim jetimësi
ka varr i varrosur
banan i ndërtuar
kashit kasht (kashit,s)
tsur gur, shkëmb
khadel ka ndal
mustar mister
ba del me u nda
esh (k) zjarr
apa vara pa vrimë
Fjalën “Buda” Zheji e nxjerr nga një rrënjë më e hershme “bodhi” e cila të çon në përngjitjen e dy fjalë “bë di” që do të thëtë “ai që di”(?) e po kështu ai përpiqet të nxjerrë shqipen si parësore, meqë vetëm shqipja futet gjer në të fshehtat “inoçente” dhe “transendente” të fjalëve.
Në rastin e fjalëve Adam, Demon dhe të derivateve Daimon, Kadam, që sipas mitologjisë është i ati i Ilit (El-it), ai jep paralelizma të tillë, gati bindës, se Demon ka kuptimin “i ndarë” dhe “Kadam” duhet kuptuar si i ndari i zotit. Pra, Demoni-Dajmoni (I damuni prej zotit ose shqip “djalli”) kuptohen vetëm me anë të shqipes.
Zheji niset nga parimi strukturalist kur strukturon gjuhën duke gjetur te sanskritishtja fjalë të cilat kanë kuptim mitik dhe të koduar vetëm në gjuhën shqipe.
Edhe pelazgologu Spiro Konda shumë fjalëve të shqipes u jep ngjashmëri dhe lidhje me sanskritishten, si :
Sanskritisht Shqip
brazer (bhratar) byrazer
gnu-a grua Dorisht. “guna”, jonisht. “gune”
snus-a nuse
bham them, thom
asti asht
dyer-dvar der,-dyer
bhrag flag-a
mu-s mis, mish Ang. »mous”
gau kau
dam dem
kakërda kakërdhi
varkas ulk
marg mjel
vas vesh
ajras ara
rath-as rath
mat mat, mas
bhar barr
dati daj
dadami daj (ndaj)
kaput koka
asthan eshtër
pursas burra
nakta nata
dina dita
di drit (ndrin)
tu-am ti
ma mua,më
juvam ju angl. “ jou “
ku ku (gjendet te Rig Veda 2000 vj.p.e.re)
kas kush
apa prapa gr. “ opiso “
puras para gr. “paros”
dua dy gr. « dhyo »
tri tre,tri, gr. « tria » ang. « three »
katur katër lat. « quator »
kankan pesë
saptam shtat gr. « epta »
astan tetë
navan nantë
dakan dek (dhjet) gr. « deka, dheka »
Sapas këtyre krahasimeve del që gjuha shqipe ka të përbashkët me gjuhën sanskritishte jo vetëm shumë fjalë themelore, por dhe zanoret a,e i,o, u dhe bashkëtingëlloret b, d, g, k, m, n, p, r, s, t dhe v.
Misteri i gjuhës burushaski
Idenë e parë rreth ngjashmërisë së kësaj gjuhe me gjuhën ilire e ka hedhur arbëreshi Ernest Skura në shënimet e librit “Gli iliri nell Afganistan” (Rev. “Lidhja”, 1984.1).
“Midis Afganistanit dhe Pakistanit, -thotë ai, – gjendet Qafiristani. Popullsia e këtij vendi është racë e bardhë e mbetur atje qysh në kohën e Aleksandrit të Madh. Vetë banorët e Qafiristanit thonë se të parët e tyre janë nga Ballkani dhe se janë ngulur aty pas një grindjeje që pati një nga kryekomandantët e ushtrisë me Aleksandrin. Rreth 7000 ushtarë të Aleksandrit dezertuan dhe u fshehën në zonën e quajtur “Qafiristan”.
I ka mbetur ky emër, pasi banorët e a atij vendi ishin të pafe (ata nuk kanë besuar kurrë në fenë budiste). Interesante është të ndërmerret një ekspeditë gjuhësore në këtë krahinë, pasi e folmja e tyre nuk i ngjan as së folmes pakistaneze dhe as asaj afgane. Në këtë rajon ka shumë toponime që gjejnë kuptim vetëm në gjuhën shqipe. Ata besojnë në zotin e plotfuqishëm “Dhinë Zeus” (Dezao), pra në të njëjtin totem të fiseve epirote.
Perëndia e tyre familjare quhet “Jestak” (vatra). Për nder të saj, në ditë festash ata mbajnë gjatë gjithë kohës në shtëpitë e tyre një zjarr të pashuar. Ky rit i ngjan më së shumti ritit pagan të buzmit, të njohur vetëm te ilirët. Është fjala për kërcurin që mbahet ndezur gjatë gjithë natës së Vitit të Ri apo natës së parë të ardhjes së stinës së pranverës.
Perëndi të tjera kanë “Mahadeon” dhe “Abalomaim” (Apolonin). Një herë në vit burushasit festojnë “Chamos” në kujtim të të vjetrit “Kaomo”, duke shpresuar kthimin e shpejtë në vendet nga kanë ikur. Në këtë territor të Pakistanit Verior, në luginat e lumenjve Hunza dhe Yasin banojnë rreth 50 000 burushas që flasin gjuhën enigmatike burushaskin (burushas-ki, theksi në zanoren e dytë)
Kjo gjuhë nuk ka asnjë lidhje me gjuhët që fliten në territoret rreth e rrotull, si gjuhët indike të Pakistanit, Tibetit apo të Kashmirit Verior.
- Populli që i ngjan më shumë europianëve të periudhës paleolitike dhe mesolitike (më të hershëm se ajo neolitike) është populli bask. Disa studiues janë përpjekur ta identifikojnë gjuhën burushaski me gjuhën baske. Studimet gjenetike kanë nxjerrë të dhëna për origjinën e tyre të lashtë. Sipas këtyre studimeve, të bëra nga profesori i universitetit të Nju-Jorkut , Luixhi Luka Kavalli (“Genes, peoples and languages”, 2000), popullsia baske ngjan me popullsinë që banon në luginën e Hundëzës, në vendin ku takohet Kina, Afganistani dhe Pakistani. Kjo popullsi flet gjuhën burushaski. Me sa duket, edhe nga kjo e dhënë e nxjerrë nga gjenetika, këta banorë janë një përzierje e asaj popullsie që ka mbetur në këto troje 3300 vjet më parë, qysh në kohën e Aleksandrit të Madh, dhe i përket popullsisë së parë ballkanike.
4.Në vitin 1989, studiuesi Ruhle mendonte se prejardhja gjenetike e kësaj gjuhe ishte një mister i vërtetë. Ndërsa në vitin 1992 ai mendoi ta klasifikonte të folmen e kësaj gjuhe si degë të familjes dene-kaukaziane.
Në vitin 1995, gjuhëtarët Blëzjek dhe Bengston e afruan këtë gjuhë me gjuhën që flitet përgjatë lumit Jenisei në Siberi. Ata mendojnë që ky grup gjuhësh të ketë ekzistuar 10 000 vjet më parë dhe se është dëshmi e gjallë e gjuhës më të lashtë të Euro-Azisë. Sidoqoftë, problemi i gjuhës burushaski mbetet i hapur edhe sot e kësaj dite
Mbeturina të gjuhës ilire në Europë
Për këtë problem nuk është bërë ndonjë studim, ndonëse ka shumë gjurmë të shpërndara gjithandej të cilat paraqesin interes të veçantë jo vetëm për ne shqiptarët, por për gjithë gjuhësinë.Gjer tani janë evidentuar disa emra qytetesh si, Bukuresht, Bern, Gjenevë, Vjenë, Pest, (Buda-Pest) Marsejë, Brindisi, si dhe shumë toponime të tjera, sidomos në rrethinat e Gjenevës dhe në Jug të Francës.
Në Enciklopedinë e madhe italiane (Zvicra, faqe 54) gjen këtë shënim: ”Jugu i Zvicrës do të ketë qenë qendra e banimeve, me sa duket e një popullsie ilirike. Mendohet që njerëz ilirikë e të tjerë të përafërt me ta, si retët, ta kenë banuar vendin”.
Një tjetër popullsi ka bujtë në Zvicër në shek. VI-V pas Krishtit. Është koha e perandorëve romakë si dhe koha e krishterimit, në Bazel të Zvicrës dhe në Jug të saj gjendet vendemri “St Alban”.
M.Kruja, në librin e tij “Antologji historike” shkruan :”Mbishkrime të trevës rreth liqejve Komo, Lugano dhe Lago magiore, të quajtura mbishkrime “lepotine”, janë “liguriane”. Ligurët ishin një mbetje e popullit më të lashtë paraindogjerman, si pellazgët, e kjo s’luan”.
Edhe toponimi Gjenevë konsiderohet me prejardhje ilire. “Gnou” rrjedh nga fjala ilire “gju”.”Le nom de geneve provient sans doute de mot illyriene, peuplades balcaniques.”
Milan Shuflai ka vënë në dukje këto lidhje gjuhësore sidomos në fushën e blegtorisë: “Atje gjenden fjalë, sidomos fjalë blegtorie që nuk mund të shkoqiten me mjete ariane e të cilat shihen nëpër dialektet romake mbi liqenin e Gjenevës”.
“Mjete ariane” quan gjuhët gjermanike, për sa u përket fjalëve që shihen nëpër “dialektet romake” ai mund të thoshte fare mirë “gjuhët e fiseve ilire”
Nga fusha e arkelogjisë kemi tumulat e gjetura në këtë territor, “herë pranë e herë larg”, dëshmi e jetesës së një popullsie ilire. Tumulat dhe riti i djegies së kufomave, kanë qenë zakone të fiseve ilire. Riti i djegies i takon një periudhe prehistorike të caktuar. Po kështu, edhe kulti i Shqiponjës dhe i Diellit, si edhe shumë zakone të tjera që i gjen në trevat e zonës franceze, përkojnë me ato të ilirëve.
A janë këto toponime të një substrati ilir, apo janë rezultat i ndonjë shtegtimi nga trevat veriore të Ilirisë?
Në historikun e qytezës Rumilli (Rumij) shkruhet : Rumilli është themeluar nga emigrantë të ardhur në këto troje në fund të shek.XIV (!?).. Unë mendoj që banorët e parë të Rumijit të jenë banorë të krahinës së Rumijit, të rrethinave të Shkodrës (sot këtë krahinë e zë Mali i Zi. Për historikun e themelimit të qytezës Marcellas Albanais, në territorin francez, në jug të Gjenevës, nuk dimë gjë
Në këtë territor ka edhe dy-tri qendra të tjera të lidhura me emërtimin Albanais, si:
St.Alban Morini. St. Pjer Albni, Sent Marcell…Sent Alban des Hurtieres apo toponime të tilla qendrash më të vogla, si: Albi, Albens, Albinji… Të gjitha këto emërtime kanë një përkatësi, një prejardhje dhe një emërtim: “Albanais”. Dëshmitë rreth kësaj përkatësie duhen kërkuar te historikët e kishave të këtyre qendrave.
E.Çabej thotë:”Emrat e vendeve jo pa asnjë lidhje midis tyre ndodhen pranë e pranë, por si pjesë e një tërësie të madhe, të një sistemi”.
Toponimet “Dardangi”,”Russi”,”Colongi”, gjenden të gjitha pranë e pranë, në zonën franceze, në perëndim të Gjenevës.
Pranë toponimit “Dardangi”kemi toponimin “Peron”.
F.Nopcse thotë: “Emri i fisit ilir të pirustëve përmban përkthimin latinisht të emrit të dardanëve. lat. “pirus”,”dardhë”. Këtë mendim ka dhe G.Dunham.
Në perëndim, në jug dhe në lindje të qytetit të Gjenevës kemi qendrat e banimit: Dardangi, Colongi, Ardas dhe Marcellas Albanais, ndërsa më në veri të qytetit gjejmë toponime të tilla, si:
Genthon, Bornex, Avulli, Buchanes,
Veyriery, Pouilli, Voglan, Epersi, Epernai (pranë Marcellas Albanais), të cilat, në mos e qartësojnë plotësisht të panjohurën, e prekin atë shkaras. Këto toponime dhe shumë të tjera, të gjendura pranë e pranë, janë pjesë e një tërësie; ato qëndrojnë si ishuj linguistikë, pa gjetur dot shpjegime në gjuhën frankofone.
Sufikset topike
Një nga mënyrat për të kuptuar nëse këto fjalë janë me origjinë nga shqipja apo nga frëngjishtja janë sufikset topike. Sufikset topike të gjuhës shqipe kanë ngjashmëri me sufikset e gjuhës franceze: “an”, “inj”, ”ove” ,”es”. Këto sufikse i gjejmë në të dyja gjuhët, janë prapashtesa fjalëformimi edhe të gjuhës shqipe, sipas fjalëve: Dibër-dibran, Shkodër-shkodran. Një toponim interesant i cili e gjen shpjegimin me anë të shqipes, është “Buganes”. Në qendër të Gjenevës gjejmë toponimin: Buganes. Bung në Shqipërinë e Veriut i thonë lisit, sipas mënyrës së fjalëformimit shqip po edhe të atij francez, bugganes do të thotë lisnajë.
Satinji: Sipas Çabejt (“Studime gjuhësore”, vëll I, f. 198), toponimi Satinji rrjedh nga fjala e vjetër ilire “Sati” (fshati). Në këtë trevë gjejmë një qytet me emër të tillë “Satingi”.
Në vitin 1459 tek Gj.Muzaki (“Kronika greko-romane”, f.192) këtë fjalë e gjejmë në formën “Sati”, te ”Pian del Sati”. Satingi është krijuar me sufiksin fjalëformues “ngi”që në gjuhën shqipe ka dhënë një “inj”, sipas toponimeve: Kopshtinj, Slabinj etj.
Nënshat –Për shpjegimin e kësaj fjale albanologu Nopcsa thotë : “Thuhet nënshat për një qendër banimi të ndërtuar nën një qytet të moçëm.”
Janë dy argumente të forta që përforcojnë njëri-tjetrin.
Nga 40 toponimet të cilat mendoj se janë emërtime të burimit ilir, shumica e tyre nuk gjejnë shpjegim në fjalorin enciklopedik francez, si:
Russi. Në Enciklopedinë franceze emri “russi” ka këtë shpjegim: “i ardhur nga Rusia” ose “dinak”. Si toponim nga fusha florale, duhet kërkuar te rrënja “ragus”, e cila në gojën e shqiptarëve është bërë “rausi”, “russi” e që, më vonë, ka dhënë “rrushi”.
Shpjegimin etimologjik të kësaj fjale si dhe prejardhjen e saj ilire e ka shpjeguar Eqrem Çabej.
Shembuj të tillë toponimesh, mbeturina të gjuhës ilire, mund të gjesh në gjithë Europën, madje ato kanë lënë gjurmë edhe në qytete të mëdha, si: Berna, Lura ,Zyrihu (Cyrrik, Zvicër). Në shqip kemi toponimin ngjasues me të “Cërrik”. Mynhen (Gjermani) Mynik…Në shqip kemi toponimin ngjasues “Mënik” .
“Ujpest” .Bëhet fjalë për Pestin pararomak (Hungari.) Brindisi dhe Taranto (Itali).
Me ikjen e gjuhëtarit tonë të shquar Eqrem Çabej shqipja humbi etimologun e madh që la përgjysmë punën dhjetëvjeçare në ndriçimin shkencor të fakteve që flitnin në favor të një ilirishteje që ishte shtrirë nga Danubi në Europën Jugore e Qendrore. Sipas J.Noklit “Karpatet, në mos kanë qenë djep i ilirëve, kanë shërbyer si stacion në shtegtimin e tyre drejt Europës Qendrore”.
Me interes është të vërejmë toponimin Obla, i huaj për të folmen dhe semantikën frankofone, i cili gjendet në rrethinën e Lurës zvicerane.
Ombla është emërtim i një burimi (ujë i ëmbël), në trajtën e vjetër të tij ky toponim gjendet në malin e Tomorit, katundi Ombli.
Ambël është fjalë thjesht shqipe, ka gjuhëtarë që e sjellin nga një rrënjë “mel” dhe e lidhin me fjalën greke “melisa”(mjalti).
“Mbyllja e “a-së” në “o”, – shpjegon Çabej, – është dukuri e dialektit geg, po të kemi parasysh emrin e ujit të ëmbël ”Ombla, që rrjedh pranë Gravozës afër Raguzës e që dokumentohet qysh në mesjetë, që mban emrin “ombla” në vend të ambla”.(“St.h.”,vëll.IV,f.192).
Ja dhe disa toponime të tjera në rrethinat e Gjenevës :
“Arith”, ”Leisse”, ”Borei”, ”Malangi”, ”Burtingi”,
”Bogeve”, ”Megeve”, “Velan”, ”Bornei”, ”Epernai” (sipërnesh),
”Veyriey” (vërri) dhe të tjera, si: Fich, Zell, (zall) Drumates,
bukenbak, bukan, bish, buron, voglan sisach, baar,
kesteng, muranroll, bursinel, Choulli (shulle)
roll, (rjoll) borex, gourvikl, buren (buron-burim) kret…etj.
Të gjitha këto toponime gjejnë kuptim vetëm në gjuhën shqipe. Ato janë fjalë të fondit themelor të gjuhës shqipe, ndoshta mbeturina të një gjuhe të cilat në vend të huaj kanë mbetur si kalke pa kuptim.
Disa emra topikë të Europës, si: Bern, Bernina, Brner etj., albanologu I.Krasti i lidh me fjalën shqipe ”bri”. Me këtë kuptim toponimik ka hyrë kjo fjalë dhe në serbokroatisht: ”brina” (brinja, breg lumi); Irl.”bru”: zgrip; isl.e vj: ”brun”: zgrip; let: “briauna” shqip: ”brinjë”.
Si një relikt ilir gjejmë edhe fisin ligurian briniates. Për emra ilirë te ligurët flet edhe gjuhëtari H.Krahe. (I.f.37,v.192).
Veyriey: toponim i gjendur brenda qytetit Gjenevë. Sipas Çabejt, ka lidhje me fjalën e gjuhës shqipe “Verri”(kullotë dimri) dhe është pikërisht trajta e lashtë e kësaj fjale shqipe. Albanologu Norbert Jokli e cakton si fjalë të shqipes e cila rrjedh nga një bazë indoeuropiane.
“Vern-ija” është refleks i latinishtes: ”vernus“
keltisht: ”verno”
irlandisht: ”fern”
shqip: ”verri” (kullotë dimërore).
Ky barazim kelto-ilir-shqip gjendet tek Dieferbache, ku “verr” krahasohet me “guern”.
Cret ( frëngjisht : somet, aret, rocheuse): bëhet fjalë për majë mali apo kreshtë. Në gjuhën shqipe “kret” i korrespondon fjalës “kryet“, me theks në zanoren e parë.
Në gjinore dhe dhanore bën: “i kreit”,”e kreit”. Në rrethinat në veri të Gjenevës po dhe në jug të saj, kjo fjalë gjendet në kuptimin e majës apo të kreshtës, kreut të një mali.
“Cret De Chatillon”.”Cret chalam”,”Cret de la Neige”…etj.
Sissach (Seisel) : ka kuptim vetëm në shqip dhe do të thotë « qingj » apo « kec sisak, i gjirit ».
Arith : fjalë me kuptim të huaj për gjuhën frankofone. Prapashtesa fjalëformuese “th”apo”ith”është vetëm e shqipes, sipas fjalëve “urith”,”njerith”. Në gjuhën shqipe me këtë prapashtesë jepet më tepër lëkura e ariut. Sipas Çabejt, ”ith”është një formim i brendshëm i shqipes, një hipostazë, mbeturinë e sufiksit indoeuropian të superlativit “st”,sth”. Formon gjininë mashkullore sipas shembujve :”arith” ,” djalith”.
Leman : fjala”lam”është e fondit indoeuropian dhe ka kuptim “lama” vend, gropë, pellg, ligatë. Liqeni Leman.
Walde Hofman (I.870,Emerita.4.74) e konsideron këtë fjalë ilire. “Lama” në latinisht është fjalë ilire, ”sikundër shihet e përdorur prej trevës mesapike nga Eminius dhe Horaci. Kjo fjalë ka afri edhe me fjalën fino-ungre “lampi” (liqen i vogël) si edhe me fjalën estoneze: “loom”, pellg.
Në shqipen jugore ”lama” ka lidhje me fjalën “llomi”.
Në Greqi është një qytet buzë detit me këtë emër, Lamia.
Lama në shqipen veriore ka dhënë “lam”.
“Leman” ka në rrënjën e vet fjalën “lam”e cila ka marrë sufiksin ilir fjalëformues topik: “an”. Kuptimin ilir të kësaj fjale e ka konstatuar dhe C.H.Balmori. Në Apuli, Lam është emër trualli.
“Thërrmijat e asaj gjuhe që pranohet si gjuhë ilire..,- thotë Çabej, – .e gjejnë shpjegimin me anë të shqipes”. (vëll.IV. f.171).
Montmelian: emërtim që vë në dukje një kompozitë dygjuhëshe, franko-albanese. Mont dhe melia janë e njëjta gjë, një kalk dygjuhësh, si ai Dardangi-Peron. Përkthyer në shqip pjesa e parë do të na jepte një kompozitë të tillë: “Mal-malia”.
Toponimi tjetër Malagni, ”Moye Rumilli” (në afërsi të qytezës Rumilli), apo “Maleus” etj. kanë të njëjtën rrënjë: “mal”.
Leise: toponim në rrethinat e Lurës, në veri të Gjenevës. Çabej e sjell si trajtë të lashtë të fjalës “les”,”lesh”. Gjerm”vlies”, ind.e vjetër”lavah”, në shqip “leisse”ka dhënë “lesh”.
Trevingni: kompozitë e shqipes e ardhur nga një “treville”(fuçi e rrushit). Pjesa e parë “tri”ose”ter”është e gjuhës së lashtë shqipe. Në toponimet më në jug të Gjenevës, “epersi” “epernay”, mendoj se kemi krijimin e fjalëve përmes rrënjës ”eper”, fjalë e fondit indoeuropian. Shqip: ”epër, ind.e vj. ”upar”. Në Veri ka po këtë përdorim, si në rastin “Iballa e epërme”
Thanex: kjo fjalë nuk gjendet në fjalorin enciklopedik francez. Ta do mendja të jetë fjalë e burimit ilir, pasi rrënja “thanë” ka gjetur përdorim të gjerë në toponimet shqipe, si:”Qafa e Thanës”, ”Lugu i Thanës” etj.
“Në çështjen e origjinës së popujve, – thotë Trajmer,- vendimtare është “gjuhësia” ,më tepër sesa arkeologjia prehistorike”. Ndërsa Çabej mendon se të dyja shkencat “duhet t’i japin dorën njëra-tjetrës”.
Lidhur me vendbanimin ”Marsellas albanais” , nuk mendoj që është diçka e rastësishme, por kjo gjë kërkon një argument historik.
Toponimet që përmendëm, forcojnë tezën për një popullsi në brigjet e Lemanit e cila ka folur atë gjuhë që trashëgojmë ne sot.
Në zonën franceze të Zvicrës, në rrethinat e qytetit Martingi hasim fjalë të tjera që i ngjajnë shqipes, si lumenjtë: “Duire”,” Baltee”,”Buchi”,
Paralele të toponimit “Velan”, kemi “malin Vela” në afërsi të Shkodrës”,
Paralel me toponimin “i Cosioni”kemi Kosovën. .
Frassiney (frashëri);
Russi (rrushi);
Lulli (lule), liskam;
(YII horn në Sierre),
Nancroix (pusi,nënkroi) (afër St.Marcellas).
Nusi, Blavi etj. të kujtojnë fjalët “nuse” dhe Plava.
Po aty pranë gjejmë përsëri toponimin Nenchrai që tingëllon me shqipen, “nën krua”.
“Baltë” Çabej e shpjegon si fjalë ilire të prejardhjes indoeuropiane. “Kjo fjalë, -thotë ai,- ruan një kuptim të fjalës ilire “baltë”, që vjen nga një “pelte”. Të tilla fjalë, si: baltë, ill, veyrierei (verri) veiri, (vërriri), rouss, liskam, vachei, nankrei, nusi, peisei, frassinei etj., kanë diftongjet “ai’apo”ei”, karakteristikë dialektale e shqipes veriore, gjë që përcakton popullsinë që e ka folur dhe korrespondon me trevën ku ka pasur më shumë mundësi për një emigracion masiv. Po të vëresh me kujdes, në të gjitha toponimet e qendrave më të vogla, në Jug të Zvicrës, ka toponime të ngjashme me disa nga ato që gjenden edhe sot në Shqipërinë Veriore, si: “Leisse” (Lezhë), ”Blava” (Plavë), ”Guci” (Guci), ”Cosioni” (Kosovë), ”Dardani”(Dardani), “Ragusa” (Raguzë), ”Velan” (Velë, mali i Velës)”.
Ka qenë në traditën e emigrimeve iliro-shqiptare, të bartin me vete edhe toponimet dhe hidronimet e braktisuara.
Si të tillë mund të quajmë dhe toponimin “Bogove, ”që bart vendbanimin e fshatit dukagjinas”Bog” apo Megievë, toponim i një krahine të populluar përgjithësisht me shqiptarë.
”Kur të jetë caktuar njëherë e mirë një vend i ngulët i ilirishtes brenda europianishtes, – thotë gjuhëtari Hygo Schuchgart, – atëherë mjaft fjalë që sot i konsiderojmë me të drejtë si huazime, do të na duhet t’ia kthejmë prapë, si pjesë e pronës së saj të trashëguar”.
Shënim:
– “… Ka prova ( Muzeu i kështjellës së Sen Zhermenit) që provojnë se Jugu i Francës, para dialekteve romane që ende nuk ekzistonin, fliste gjuhën shqipe. Vetë popullsia quhej Averne ose më mirë „Arbën“ dhe „Albanais“ , emër i stërgjyshërve të avernjatëve të sotëm „.
(R.d’Angeli.”Enigmat”.
– Gjuhëtari francez J.G.Falo, mendon që shqipja ka afri me gjuhën provansale.
“Kur përkah një fjale frënge moderne, italiane apo spanjolle, -thotë ai,- këtë e bëj që të zëvendësoj një fjalë romane që është fjala e vërtetë primitive, e cila korrespondon me shqipen.“
– Okra është vendi më i ulët i Alpeve, që shtrihen prej krahinës së retëve deri në atë të japodëve; prej këtej malet prapë fillojnë të ngrihen nga ana e japodëve dhe kjo krahinë quhet Albia (Straboni).
– …. Prej Akuilesë deri në Nauport, duke kaluar mbi Okrën, krahinë e tauriskëve, në të cilën karrot e armatosura detyrohen të marrin tatëpjetën, janë 350 stade; disa thonë 500 stade (Straboni.).
Fjala “ujë“ në 15 gjuhë
“Shqipja, me tiparet e saja tipologjike, është gjuha vendimtare e arealit ballkanik, domethënë e përfaqëson më qartë se gjuhët fqinje “tipin ballkanik”.
Ernest Lev
Albanologu Mayer mendon se është e rrezikshme të nxirret në përgjithësi një mendim apo ndonjë përfundim i përcaktuar. Hirti, nuk e përmend fare gjuhën shqipe në familjen e gjuhëve të lashta arkaike, si shoqe apo farefisni e trungut që lidh sanskritishten, greqishten, latinishten e ndonjë tjetër edhe pse kjo gjuhë qëndron, së paku gjeografikisht, midis dy gjuhëve më të vjetra, siç janë greqishtja dhe latinishtja.
Noli, kur merr në shqyrtim gjuhën indoeuropiane, me gjithë deviacionet dhe zhvillimet e veta, pohon:”Të gjithë këta fëmijë kanë lindur nga po e njëjta gjuhë”.
Për të vërtetuar këtë tezë do të krahasojmë fjalën “ujë” në 15 gjuhë, sipas varianteve të veta më të hershme.
Unda latinisht
Undor (undëp) greqisht
Undan sanskritishtisht
Watan hetitisht
Usoe irlandisht e vjetër
Oa (u) irl. e mesme
Vat (u) gotisht
Vatn norvegjisht
V unda prusisht
V(u)andu lituanisht
Udeus letonisht
Voda sllavisht e vjetër
Uja shqip
O(u)set armenisht
Utur umbrisht
Siç shihet, në 15 gjuhët kemi të njëjtën zanore nismëtare, zanoren “u”.
Kjo tregon se dikur të gjithë këta popuj që më vonë u shumuan dhe u larguan nga njëri-tjetri, paskan folur të njëjtën gjuhë. Proceset fonetike që kanë ndodhur në popuj të ndryshëm në hapësirën tre-katërmijëvjeçare, janë normale.
Po të bënim një klasifikim të tingujve do të rezultonte:
U gjendet si tingull në 15 gjuhë
N “ “ “ në 4 “
D “ “ “ në 7 “
A “ “ “ në 4 “
S “ “ “ në 10 “
U “ “ “ në 1 “
R “ “ “ në 1 “
Këtu do të vëmë re disa tinguj të tjerë të përafërt:
“v”-është variant i “u”-së, tingull grykor. Po kështu gjysmëvokalja “v” është ekuivalente me tingullin vokal “u”. Ky tingull grykor “v” gjendet në gjuhët sllave, norvegjeze lituaneze, pra në të njëjtën hapësirë veriore të Europës.
Nga sa vihet re, fjala shqipe “Uja” paraqitet më e thjeshtë e me më pak tinguj.
Meqë tingujt “ui” dhe “a” janë më të përdorurit (përkatësisht 15 herë dhe 10 herë), përfundimi që mund të nxjerrim prej saj, është i thjeshtë dhe fare i qartë, gjuha shqipe përmban më shumë tinguj të përbashkët.
Gjuha shqipe paraqitet më e thjeshtë dhe më konservatore se gjuhët e tjera. Për më tepër, këtë fjalë e gjejmë edhe si toponim të qendrës termike “Pest”, sot kryeqytet i Hungarisë (Budapest).
Në kohën romake Pestin e kanë quajtur “AKUA….”
Ndërsa emërtimi i tij më i vjetër, pararomak, siç e gjejmë në Enciklopedinë italiane, është “Uipest”.( ujërat e nxehta termike që gjenden në pjesën tjetër të Danubit. Në lashtësi është quajtur Ujpesti. Edhe kompozita e dytë fjalëformuese “pest” mund të ketë të bëjë me fjalën shqipe, pist: ujëra që nuk mund të pihen, pasi janë ujëra kurative. Po këtë fjalë mund ta ndanim në tri pjesë fjalëformuese: “Ui””pi’ dhe “est” (ast- asht- është).
Morëm vetëm një fjalë për të mbërritur te përfundimi i Nolit në vitet e fundit të jetës së tij, me njohuritë e mëdha gjuhësore që kishte (zotëronte rreth 14 gjuhë të gjalla e të vdekura):
“Të gjithë këta fëmijë kanë lindur nga po e njëjta nënë”.
“Një fjalë që gjendet në dy tri grupe të largëta nga njëri-tjetri, mund të quhet se është e përbashkët për gjithë familjen indoeuropiane”. F.S.Noli (vëll.V, f. 309). Këtu autori përmend thënien e H.A.Hirtit, prof. i univ. Geisen Gjermani (“Indogermanische gramatik”,1927).
Noli, duke përforcuar mendimin e Hirtit, thotë: “Greqishtja dhe sanskritishtja kanë evoluar aq shumë sa nuk mund të quhen më gjuhë arkaike, ndërsa latinishtja është gjuhë e përzier dhe ka pësuar ndikim të madh nga dialektet italike” (Noli. f.301,vëll.V).
Unë kam mendimin që edhe toponimi “Oites” që përmend Homeri ,”pllaja Oites”, ka në rrënjën e vet fjalën shqipe “ui”, domethënë pllaja ujore. Dryopët, thotë ai, ishin një popull që banonte në dy pllajat e Oit-es dhe më në jug, në Parnas (barn-as). Por, më vonë, prej maliasve dhe dorianëve u detyruan të shkojnë në Peloponez. Flitet për një periudhë mbi 1500 vjet para Krishtit. Edhe vetë fjala “Dryop”, sipas studiuesit të pellazgjishtes, S. Konda, ka prejardhje nga shqipja. Ai e lidh këtë fjalë me emrin e drurit.
Komentet