“Për të njohur prejardhjen e popujve
dhe lidhjet e tyre me lashtësinë e hershme,
ku i la historia, asnjë mjet tjetër nuk është
aq i rëndësishëm sa gjuha.“
Rask. Danez,1787-1832)
Ç’gjuhë kanë folur ilirët? Ky problem mbetet i hapur dhe lë shteg për shumë hamendje. E sigurt është që ilirishtja dikur flitej në një territor shumë të madh dhe se kjo gjuhë, e thënë në mënyrë të përgjithshme, i përkiste indoeuropianishtes. Po çfarë është indoeuropianishtja? Gjuhëtarët nuk shkojnë më tej. Në të vërtetë të gjithë mendojnë që ka pasur një gjuhë nënë… dhe ajo mund të përmblidhet në një emër „indoeuropianishtja.“
Ilirët ishin një popullsi e shpërndarë dikur në të gjithë Europën. “Kufiri verior i tyre, -thotë arkeologu M.Korkuti,- shkonte deri në degët e lumit Danub (Sava dhe Drava), kurse në Jug, duke përfshirë edhe territorin e Epirit prehistorik, ky kufi shkonte deri në gjirin e Ambrakisë (Prevezës) “. Termin “ilir” (illyris ) e ka përmendur për herë të parë Herodoti, në shekullin IV para Krishtit
Që shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, kjo tashmë është vërtetuar mirë nga ana historike dhe gjuhësore. Shqipja flitet sot në një pjesë ku në periudhën antike flitej ilirishtja. Po kështu, edhe format e toponimeve të lashta antike gjejnë shpjegim me anë të shqipes.
Shumë mund është bërë për të identifikuar mesapishten ilire me gjuhën shqipe, përmes rreth 300 mbishkrimeve të gjetura që i përkasin mijëvjeçarit të fundit para Krishtit.
Emri ilir fillimisht përmendet si përgjithësim i një fisi, diku afër Durrësit. Për gjuhën e ilirëve ka të dhëna “të thërrmuara”: emra vendesh, njerëzish, fisesh, banorësh, perëndish. Shumë gjuhëtarë janë të mendimit se zbërthimi i 300 mbishkrimeve të mesapishtes do të hidhte dritë mbi gjuhën e ilirëve. K.Trajmer ka dhënë mendimin se shqipja është mbeturinë e fundit e botës ilire dhe se ilirët janë substrat indoeuropian. Një mendim tjetër për vendin e shqiptarëve ka bullgari V.Georgiev. Ai mendon se djepi i vjetër i shqiptarëve ka qenë në fqinjësi me rumanishten.. Brankus thotë: “Lënda gjuhësore e lashtësisë ballkanike (iliro-trake) është aq e varfër, sa na lejon të parashtrojmë çdo hipotezë”.
Ndërsa A. Roseti, gjuhëtar i njohur rumun, argumenton se shqipja ka një varg fjalësh të cilat i trashëgon nga ilirishtja, si: bar, i bardhë, dele, tre, ujk, dash… si dhe disa fjalë të trashëguara nga rumanishtja si: burrë, man, i ëmbël”.
Ilirët janë hallka më e dobët për të lidhur gjuhën pellazge me gjuhën që flasim ne sot, ndonëse ata kanë lënë shumë gjurmë arkeologjike në këto treva.
Në gjuhën rumune ka 160 fjalë që nuk janë as slave, as gjermane, as hungareze, as turke, por mendohet se i përkasin substratit dako-trak. 70 prej tyre i ka edhe shqipja, por me një veshje të ndryshme fonetike gjë që të bën të mendosh se këtë fjalë nuk janë marrë prej njera tjetrës. Ja disa prej tyre :
Rumanisht shqip
Viezure vjeshullë
bascka (shtëllungë leshi ) bashkë leshi
buza (buzë) buzë, buzët.
copil (djalë) kopil, djalë i ri.
gu a (gjuha ) gusha
mo… (i vjetër) moshë
mugur (gërmadhë) mugull
galbeaza gëlbazë, këlbazë.
ghiuj (gjysh) gjysh
gog gogë (spettro)
Strunga shtrungë (vend ku mblidhen bagëtitë)
zara dhallë
Të gjitha këto fjalë kanë qenë në përdorim të përditshëm , karakteristikë e gjuhës së Ilirëve dhe Thrakëve dhe i përkasin fondit leksikor që kishin shpëtuar romanizimit.
Duke u nisur nga fenomeni i rotacizmit i cili ka ndodhur herët, në të dy gjuhët, (shek.II-të i erës së re), G.Bonifante mendon se shqiptarët do të kenë banuar herët në Daki. (Rumani) një hipotezë e hedhur në erë të cilën e ka kundërshtuar Çabej. Ai i merr në analizë të gjitha fjaët e përmendura më lart dhe konstaton se fjala « bashkë » është fjalë e fondit themelor të gjuhës shqipe, ndërsa « gëlbazë » vjen nga rrënja e fjalës shqipe « kalb » kalbëzë me një « z’ dimminuitive si në rastet « dredhëz », « bukurëz » etj.
Përsa i përket fjalës « moshë » Çabej diferencon fjalën « moshë », në rumanisht. « plakë » dhe moshë në shqip « mot »« i motshëm »
Fjalën « shtrungë » Çabej e sheh të prejardhur nga « shtresë », (shtroje) prapashtesa « ungë » është në përdorim të shqipes si në rastin : « shtëllungë ».
Shënime historike
– Arkeologë të shumtë që janë marrë me problemin ilir, konstastojnë enë balte të periudhës së neolitit apo të eneolitit dhe i trajtojnë këto objekte të lashta si ndikim të kulturës mikene. Në librin më të fundit të arkeologut të njohur Neritan Ceka, “Ilirët”, jepet një informacion i bollshëm i gjurmimeve, dëshmive, fakteve dhe dokumenteve që flasin për jetesën e lashtë të ilirëve në këtë troje :
– ”Në shpatin e malit të Saraqinit , në një shpellë rreth 2 km. në verilindje të qytetit të Konispolit, është konstatuar se materialet organike të gjetura aty datohen si të 26700 vjetëve më parë”.
Periudha e dytë e gjurmëve arkeologjike, gjithmonë sipas arkeologëve, i takon 12000 vjetëve më parë. Ajo përfaqësohet me vegla të imëta prej stralli të kuq, që përdoreshin për gjueti kafshësh dhe punim lëkure, si dhe për punimin e enëve të trasha prej balte.
Gjetja e vendbanimeve të shumta neolitike në vendin tonë, në Veri dhe në Jug, tregon qartë se, në kohët e lashta, vendi ynë ka qenë një territor me klimë dhe kushte të përshtatshme për banim.
– Në vitin 1998 një ekspeditë shqiptare me në krye arkeologët M.Korkuti dhe J.Davis ( amerikan) kryen vrojtime në luginën e Kryegjatës, në lindje të Apolonisë, dhe zbuluan një vendbanim të rëndësishëm të paleolitit të vonë, datuar rreth 40 000 vjet më parë. Dëshmitë arkeologjike tregojnë qartë se në vendin tonë ka banuar një popullsi ilire dhe se shqiptarët , në Veri dhe në Jug, si dhe në luginën e Pologut, janë vazhduesit e kësaj race.
– Ja disa të dhëna dhe dëshmi:
*…Fillimi i neolitit përfaqësohet me vendbanimin e Vlushës (Skrapar) (N.Ceka,Ilirët,f.29).
Po e njëjta kulturë e kësaj periudhe, enë me qeramikë trashanike, gjendet edhe në fshatin Vashtimi të Korçës, në Burim të Peshkopisë, në Kolsh të Kukësit, në Blaz të Matit dhe në Katundas të Beratit.
– …I kësaj periudhe është vendbanimi i Maliqit , karakteristikë e të cilit janë enët dyngjyrëshe, kuq e zi. Rreth viteve 2600, jeta e banorëve të Maliqit pësoi ndryshime të ndjeshme. Kasollet e tyre të drunjta vendosen tashmë mbi një palafit të ndërtuar mbi liqen dhe mbrohen nga një palisadë me hunj të ngulur në fundin e tij. Në veglat e punës shtohen edhe ato prej bakri. Kallëpet për derdhjen e metalit dëshmojnë që përgatitja e tyre është bërë në vend. (N.Ceka, “Ilirët”, f.32.)
– …Grekët e vjetër këtë popullsi e quajtën pellazge, sipas emrave të enklavave që ekzistonin ende në Thesali e rreth Athinës, në shekullin X-VIII para Krishtit. Me këtë emër grekët cilësuan të gjitha mbeturinat e kësaj popullsie, që kishte diçka të veçantë në pamjen fizike, në mënyrën e të folurit me “s” të zgjatur (Lissos, Issa, Larissa etj.) apo në numërimin me dyzina (dodekapolis) dhe gjendeshin në Epir , Itali e deri në Spanjë.…Pellazgët ishin popullsi neolitike para dyndjes së madhe indoeuropiane.
(N.Ceka, “Ilirët”, f.33.)
– …Në Pazhok të Elbasanit, në varrin qendror të tumës, ishte vendosur një çift. Skeletet tregonin për vendosje në shpinë me gjunjë të mbledhur lart, mënyrë tipike kjo për kulturat stepike (të ardhura nga Rusia). Sipas Cekës, valët e popullsisë stepike që kishin mbuluar popullsitë e vjetra ballkanike, vetëm sa e kishin prekur pjesën perëndimore të gadishullit, pasi këtu popullsia e vjetër, jo vetëm u ruajt, por edhe i asimiloi të ardhurit. Kjo popullsi parailire mënyrën e varrimit e bënte me tuma të cilat i gjen shpesh majë kullotave në Barç (Korçë) dhe në Baikaj (Sarandë).
Herodoti, shek.V para Krishtit (IV,48):
“Nga tokat e ilirëve, duke rrjedhur në drejtim të Veriut, lumi Angri, mbasi futet në tokat e tribalëve, derdhet në lumin Brong, kurse Brongu në Istër.”
Sipas kësaj dëshmie, Herodoti i vendos ilirët në pjesën verilindore të Kosovës. Lugina e lumit Angri (Morava Jugore) ishte pjesë e Dardanisë antike.
– Plini (III. 21): « Nëntë të rinj dhe po aq virgjëresha të ardhura nga Iliria bënë të lindin 12 popuj ».
– Straboni (shek I para Krishtit) « …nga ana tjetër e Adriatikut janë fise ilire, ndërsa nga ana e Pontit, fiset trake; në kufi me Thesalinë është Rodopi, mal shumë më i lartë pas Hemit dhe, nga ana tjetër, në Veri , fiset ilire, domethënë vendi i autariatëve dhe i dardanëve”.
– Straboni (VII 326) « Pas Epidamnit dhe Apolonisë, gjer në malet Keraune (të Himarës), banojnë bylinët, taulantët, partinët e brygët; aty afër janë minierat e Damastionit, rreth të cilave drystët vendosën sundimin e tyre.
Në Jug të Istrit deri në Heladë banojnë fiset ilire dhe trake dhe të gjithë ata prej këtyre, që janë përzier me fise kelte ose me disa fise të tjera.
– Po nga Straboni kemi edhe këtë dëshmi për ilirët:
« Japodët janë vendosur në malin Albi. Ata janë një popull trim e luftëtar…Qytete të tyre janë Metuli, Arupini. Toka nuk është pjellore, prandaj ushqehen me elb dhe thekër ; armatimin e kanë si të keltëve; janë tamam si ilirët e të tjerë si trakët…Pas bregdetit të japodëve vjen ai i liburnëve.
…Pastaj vjen bregdeti i dalmatëve dhe skela e tyre Salona…..Është Andetri, vend i fortifikuar dhe Dalmi, qytet i madh, emrin e të cilit e mori dhe popullsia. Por këtë qytet e zvogëloi Nasika dhe fushën e ktheu në kullotë delesh, për shkak të lakmisë së njerëzve. Dalmatët kanë një gjë të veçantë, e ndajnë tokën çdo tetë vjet.
Pas bregdetit të adrianëve dhe të plerejve vjen gjiri i Rizonit edhe qyteti Rizon, si dhe qytete të tjera të vogla. Vjen edhe lumi Dril, i cili më thellë, nga Lindja, arrin gjer në Dardani ».
– Apiani (“Historia Romana” Illyr1) “Këtë emër (Ilir) ky vend e mori, siç thonë, nga Iliri, i biri i Polifemit. Bijtë e tij kanë qenë : Enheleu, Autari, Dardani, Medi, Taulanti dhe Perrebi, ndërsa vajzat e tij ishin: Parta, Daorta, Dasara dhe të tjera…”.
… Helenët quanin ilirë ata që banonin nën Trakinë dhe Maqedoninë, që nga kaonët e thesprotët e deri në lumin Istër…. Sipas matjes që bënë romakët, gjatësia i kalon të gjashtëdhjetë mijë stadet, kurse gjerësia rreth një mijë stade”(gjatësia rreth 1100 kilometra dhe shtrirja e gjithë rreth 240 mijë kilometra).
– Efori “Fillimi i Heladës është Akarnania nga ana e perëndimit, sepse kjo takon e para me fiset epirote.”
Nëna e Filipit të Maqedonisë, gjyshja e Aleksandrit të Madh, quhej Euridika dhe ishte mbesa e mbretit të Lynkestidës, Arrabeut. Filipi martohej gjithmonë në kohë lufte…Së pari u martua me Audatën, ilire…Kur u martua me Olimpinë, e cila i lindi Aleksandrin, Filipi mori si prikë edhe mbretërinë e mollosëve. Pasi largoi nga froni mbretin Arryba , xhaxhanë e Olimpisë, pushtoi Ambrakinë dhe kolonitë e elejve (lelejve) në Epir, të cilat ia dorëzoi kunatit, Aleksandër Mollosit, në vitin 342 para Krishtit.
Straboni i quan ilirët e Dardanisë “dardanë të ilirëve”.
Janë po këta ilirë që te Homeri i gjejmë në Dardanele, në vargun : “ Kthehuni në trojet e stërgjyshërve tuaj…” Virgjili na lë të kuptojmë se, si ata të Azisë së Vogël, si ata që gjendeshin në Dardaninë e lashtë, ishin po ata dardanë të shtrirë në gjithë Mesdheun.
Gjurmë të jetesës në Dardani gjenden në shpellën e Gadimjes (pranë Prishtinës), në Vlashje (pranë Prizrenit), në Hisar ( Suharekë), në Krushevicë (pranë Vranjës) duke zbritur më në jug, në Cinamak (pranë Kukësit), ku janë gjetur varreza në formën e tumave.
A është gjuha homerike gjuha e ilirëve?
A është gjuha e ilirëve gjuha pellazge, apo është dialekt apo degëzim i pellazgjishtes? Këto janë disa pyetje të cilave nuk mund t’u jepet shpjegim me dy fjalë. Dëshmitë arkeologjike, si mbishkrimet e gjetura në stela varri na japin shumë pak mundësi interpretimi.
Kemi vetëm disa emra mbretërish ilirë të cilët kanë kuptim në gjuhën shqipe, si: Ilir, Bardhyl (bardh yll), Pirro (burrë), Dasi (dash), Longar (i ati i Batos; longar quhet vegla e lashtë frymore me dy fyej ), Glauk (gjak), Parmen (i parë), Etleva (rrënja e fj. “leva”), Brikena (rrënja e fj. “bri”), Taulant (Daulant-Daluand, Daulandis dhe që ka përfunduar në shqip dallëndyshe), Skerdilaid (sker-bari) etj.
Neritan Ceka shton edhe emrin Teuta, që i korrespondon apelativit indoeuropian “popull”, si dhe Gentios që vjen nga e njëjta rrënjë si « kënig » (mbret) e gjermanishtes”.
( N.Ceka.“Ilirët”, f.226)
Në një stelë varri të gjetur pranë Pejës (shek.II) janë shkruar emrat e familjes: “Ania“, ”Deda”, ”Dasi”. Po kështu kemi emërtime vendesh me rrënjët e fjalëve shqipe, si: Dardan, Skampin, Epir (epër), Lyhnid ( liqen), Dalmatia (delmet), Dasaret (desh),
Kroja (Krujë), Ulk, Borë etj.
Ndryshe nga as është folur dhe është shpjeguar që Ulqin *rrjedh nga rrënja ULK, unë mendoj se ky emërtim, Ulqin, rrjedh nga emërtimi i vendit « Ultsinë », pasi vetë krahina e Ulqinit është një ultësirë, rrafshirë ndanë detit. Emërtimi Ulqin ka përfunduar në kohën kur bashkëtingëlloret « ts » sipas proceseve fonetike të trajtuara dhe më parë nga Çabej, kanë përfunduar në bashkëtingëlloren « ç ».
Emrat e lumenjve dhe të qyteteve të lashta janë edhe më të shumta dhe tregojnë më së miri vazhdimësinë e kësaj gjuhe në shekuj. Një studim i mirë i toponimisë vendëse, duke marrë në shqyrtim emrat e qyteteve, maleve, lumenjve, fushave, fshatrave, pyjeve etj., do të ishte me vlerë për të ardhur te një fjalor i emrave që është përdorur qysh në lashtësi.
Luftërat e mëvonshme të ilirëve me pushtuesit e këtyre trojeve, me hunët, gotët, avarët, romakët, keltët e sllavët, e tkurrën mjaft popullsinë e kësaj treve, por nuk e asimiluan dot, nuk i hoqën as gjuhën, as “ndërgjegjen e vet etnike” . Studiuesja maqedonase Fanula Papazoglu shkruan : “Dardania paraqitet si një nga rajonet ballkanike më pak të romanizuara”.
Gjuhëtari ynë i shquar, E.Çabej, Dardaninë e ka quajtur “pjesë e trevës gjuhësore më të kryehershme të shqipes ».
Shumë prej popullisë ilire, për t’u shpëtuar fatkeqësive u hodhën në brigjet italike. Me interes është thënia e Plinit: “Nëntë të rinj dhe po aq virgjëresha, të ardhura nga Iliria, lindën 12 popuj”( III,21). Nuk bën fjalë për kombësinë e të rinjve, ndërsa për virgjëreshat thotë se janë ilire. Nga kjo e dhënë marrim vesh që 12 vajza ilire janë hedhur matanë detit dhe kanë lindur 12 popuj (fise).
Disa nga këto fise mund të jenë protoilirë: mesapet, daunët dhe peuketët.
Shumica e studiuesve mendojnë se 13 fiset e Epirit janë me përbërje ilire. Ndërsa Çabej hedh mendimin se ilirët kanë qenë elementë të një njësie të përbashkët brenda ndryshimeve territoriale.
Interesant është dhe mendimi i gjuhëtarit gjerman, J.Adlung (1732-1806), i cili ka botuar një fjalor 500-gjuhësh. Ai kundërshton mendimin se shqipja e ka prejardhjen nga ilirishtja dhe nuk ka pranuar lidhjet e shqipes me asnjë nga gjuhët e Ballkanit dhe të Europës: ”Shqiptarët, –thotë ai,- flasin një gjuhë të përzier të trungut tartar…Ata janë kushërinjtë e albanëve të Kaukazit”. Albanët ai i sjell nga Lindja. (Midis malit Kaukaz dhe lumit Kir.)
Malte- Bryn mbron tezën e lashtësisë së popullit shqiptar duke i konsideruar si të prejardhur nga pellazgët.
Jokli arrin në përfundimin se djepi i lashtë i shqiptarëve në Ballkan ka qenë Dardania. Këtë mendim kanë pasur edhe P.Skoku dhe historiania angleze E.Durham.
Emrat Nish (Naissus), Skodra (Shkodra), Shar, Shkup (Scupi), Lesh (Lissus), Drishti (Drivast), Durrës, Raguza (rrënja “rrush”), Dyrrachium, Candavia ( Kunavia), si dhe emrat e lumenjve: Drin, Mat, Babrana, Buna, Mat (Mathis) etj., sipas Çabejt, përligjen fonetikisht me shqipen.
Dijetari i njohur francez E.Pitar vë në dukje dy nga tiparet kryesore të shqiptarëve: flokët dhe irisin e syrit. Te shqiptarët ka rezultuar të mbizotërojë ngjyra kafe e flokëve, që janë dhe të drejtë (për të dyja gjinitë) dhe ngjyra kafe e irisit të syrit (në 70 për qind të rasteve), si dhe ngjyra blu, që është më pak e përhapur.
Teza e burimit të shqipes prej trakishtes, ndonëse nuk është hedhur poshtë, shpreh shumë dyshime.Gjeografikisht ata gjenden larg
Tunmani (f.250,v.252), duke iu referuar Aristofanit (“Skoliasti”), thotë që banorët e Epirit, domethënë kaonët, janë quajtur trakas të rrjedhur nga fisi i mesëve. Ndërsa Stefani i Bizantit, qytetet Nish dhe Shkup i quan qytete trake. Tribalët ai i përmend herë si ilirë e herë si trakë, ndërsa istrët dhe daorsët, në ndonjë rast i quan edhe trakë. Ajo që duhet të jetë e vërtetë është gjuha e tyre, në mos e njëjtë, e përafërt. Ndërsa gjuhëtari Vladimir Georgiev është përpjekur ta sjellë shqipen të ardhur prej dako-myzishtesh. Gjithsesi, mendimet e gjuhëtarëve sjellin argumente të pjesshme, vetëm nga sfera e gjuhësisë.
Gjuhëtari Milan Budimiri, duke mbështetur tezën e V.Brandenshtainit, te ilirët sheh indoeuropianët paragrekë.
Këta gjuhëtarë janë bazuar te “tri seritë guturale” si dhe te struktura fonetike, e cila paraqitet e afërt me trakishten dhe armenishten.
Ndërsa A.Vindekensi i cakton pellazgjishtes një vend midis gjermanishtes dhe baltosllavishtesh.
Për hir të së vërtetës, këtu duhet të paraqesim edhe mendimet e atyre shkencëtarëve që e kundërshtojnë prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve, njëri prej të cilëve, dhe më kryesori, është themeluesi i gjuhësisë rumune, Gustav Weigand. Ai e vë në dyshim prejardhjen e shqiptarëve prej ilirëve përmes 12 argumenteve:
- Emrat latinë të vendeve në Shqipëri paraqesin trajtën e dalmatishtesh së vjetër.
- Terminologjia e lundrimit dhe e peshkimit është e burimit të huaj.
- Nuk ka gjurmë të tjera të dalmatishtes së vjetër në gjuhën shqipe, por ka gjurmë të italishtes (të dialektit venecian).
- Në gjuhën shqipe gjenden fjalë të burimit trak.
- Në Daki (Rumani) ka emra vendesh dhe personazh që shpjegohen me anë të shqipes, si:Decebalus = Daki bal” ose Balli i dakasve,
Burebista = burrë-bisht.
Drizu-para =qytet drizash.
Buri-dava = kështjellë burrash etj.
- Nëse shqiptarët do të kishin banuar në këto troje do të kishin pësuar ndikimin fonetik të shqipes. Këtu sjell shembuj toponimesh në Tomoricë e gjetkë, të cilat më vonë kanë qenë edhe nën ndikimin e gjuhës sllave.
- Shqiptarët nuk zihen në gojë para shek XI.
- Lidhjet rumune-shqiptare dëshmojnë se shqiptarët dhe vllehtë (rumunët) kanë banuar dikur së bashku. Këtu mund të bihet dakord. Është pjekur mendimi që shqipja të jetë formuar në djepin e territorit Nish-Sofje–Shkup.
- Në gjuhën rumune ka elemente latine të cilat mund të shpjegohen se kanë hyrë përmes shqipes. Pra, në mes tyre duhet të ketë pasur bashkëjetesë mjaft të gjatë.
- Elementet latine që kanë hyrë në të dyja gjuhët, kanë mjaft ngjashmëri mes tyre. Kjo tregon se janë përftuar në kushte gjeografike, historike dhe gjuhësore të barabarta.
- Folklori i shqiptarëve dhe ai i rumunëve kanë përkime, të cilat ndryshojnë nga ato të fqinjëve të tyre bullgarë dhe serbë (këtu përmenden tatuazhet si dhe figurat e kuçedrës dhe të zanave…, veshjet popullore etj.).
- Mënyra e të kënduarit të këngëve ka shumë afri midis dy popujve.
* * *
Në mbështetje të këtyre argumenteve, Weigand nxjerr përfundimin se shqiptarët janë trakas dhe pikërisht stërnipët e besëve, të cilët gjer në shek. VI nuk qenë romanizuar. Ai shpreh bindjen se shqiptarët dhe rumunët u formuan në shek VI -IX, në trekëndëshin Nish-Sofje-Shkup.
Sipas Çabejt, kjo teori “ka meritën që vë edhe njëherë në dukje marrëdhëniet e shqiptarëve me rumunët si dhe të shqipes me rumanishten, të cilat janë me të vërtetë shumë të ngushta. Ana negative e saj është se teza e tij që populli shqiptar është formuar në periudhën nga vitet 600 gjer në 900, në qendër të Gadishullit Ballkanik, nuk ka asnjë bazë historike”. (“Studime gjuhësore” V.III. f 33.)
Gjuhëtari J.Thunman e ka vërejtur i pari këtë afrim iliro-trak, qysh në vitin 1774. Në bazë të të dhënave historike, ai arriti në përfundimin që trakasit kanë qenë një popullsi tepër e shpërndarë dhe se ata njihen si popullsi e përzier trako-ilire. Në truallin e ilirëve, sipas autorëve të vjetër , ka pasur edhe fise trake, si : daorsët (Bosnjë), kaonët (Epir) dardanët , peonët dhe tribalët, të cilët banonin në krahina të ndërmjetme.
Po ky autor nuk e vë në dyshim faktin që shqiptarët janë pasues të ilirëve. Mirëpo, duhet kuptuar se në kohët e lashta vetë mënyra e jetesës linte shteg për lëvizje më të shpeshta në drejtim të kullotave apo të vendeve të lira. Kështu, problemi i lidhjeve të kulturës prehistorike të Velçës (Vlorë) me atë të Thesalisë (Greqi) apo i mbishkrimeve prehistorike të mesapëve (Itali, Apuli) si dhe i lidhjeve të tyre gjuhësore me shqipen ende mbetet i errët.
“Në qoftë se do të arrihet në shkallë të plotë interpretimi i mbishkrimeve mesapike, –thotë dijetari norvegjez S.Bugge,- ai do të marrë rëndësi për dy arsye, se do të zëvendësojë pjesërisht shqipen e moçme që na mungon”.
Për sa i përket prejardhjes së shqiptarëve, qoftë në kohë shumë të vjetra, qoftë në kohë më të reja, kjo tezë hidhet poshtë, pasi nuk gjen asnjë dokument që të thotë se shqiptarët janë të ardhur nga një vend tjetër i Ballkanit. Interes të veçantë paraqet studimi i gjurmëve gjuhësore të një gjuhe paragreke e cila quhet pellazgjishte. Fjalën e fundit në këtë drejtim mendoj që e ka dhënë Hahni, qysh në vitin 1854, në kryeveprën e tij “Albanesicche Studien” (I. 215) ku arrin në përfundimin se epirotët dhe maqedonasit nuk ishin grekë….se epirotët, maqedonët dhe ilirët ishin farefis midis tyre dhe përbënin thelbin e fisit tireno- pellazgjik dhe se ilirishtja është gjuhë pellazgjike në kuptim më të gjerë. Gjithsesi, materiali gjuhësor me të cilin mund të operonim për të arritur në përfundime shkencore rreth gjuhës që kanë folur ilirët, është i pakët. Nga gjuha mesape( e ilirëve të Jugut) janë gjetur rreth 500 mbishkrime, ndërsa nga gjuha e japigëve( ilirëve të Veriut) janë zbuluar rreth 200 mbishkrime(me germa të etruskishtes veriore) që datojnë rreth shekujve VI-I para Krishtit, në rajonin e Padovës,Triestes, Estes e gjer në luginën e Pavias.
Ky material gjuhësor, në mos qoftë një përzierje e gjuhës etruske me atë ilire, duhet të jetë dëshmi e së folmes së dy dialekteve më të hershme ilire. Ky është edhe mendimi i disa albanologëve të njohur, si: Meje, Jokl, Bugge, Sanfeld, Pokorni, Shucshandt, Kun etj.
Bugge pohon se ka një identitet të plotë midis gjuhës mesapishte dhe asaj ilire.
Nisur nga mbishkrimet mesape të gjetura në Jug të Italisë, edhe gjuhëtarë të tjerë argumentojnë me fakte që gjuha mesape gjen kuptim vetëm me anë të shqipes së sotme dhe se ata janë një përzierje: “një e treta ilirë dhe dy të tretat trakë”. (Visoka)
N.Jokli thotë: “Trashëgimia gjuhësore që na vjen nga gjuhët e lashta të Ballkanit, si gjuha ilire apo ajo trake, janë të lidhura ngushtë me gjuhën shqipe”.
Meje nënvizon se “duhen trajtuar si zanafillë me popullsi ilire dhe filistinët, të cilët i dhanë emrin Palestinës ».
Të gjithë këta gjuhëtarë kanë nxjerrë “disa të vërteta të mbetura të izoluara” (M.Aref), pasi, të marra veç e veç, ato nuk arrijnë të paraqitin vazhdimësinë historike midis trungut të lashtë dhe degës së tij të izoluar, gjuhës së sotme shqipe.
Kur helenët mbërritën në Mesdhe, ata nuk kishin alfabet të tyre dhe huazuan alfabetin që sot quhet “fenikas”. Sipas N.Titos, ky alfabet nuk është gjë tjetër, veçse një variant i alfabeteve të popujve mesdhetarë, parahelenë.
Duke u mbështetur në disa libra të paraardhësve të mi, kam nxjerrë disa përqasje fjalësh shqip me fjalë të lashta mesape- iliro- trake, jo thjesht për ilustrim, por edhe për të vënë në veprim vëmendjen dhe kureshtjen tuaj.
Ilirisht-mes-trakisht Shqip
aker acar
amalusta amël
ania anie
ank ankth
ar ar (metali i arit)
as as
balus ballë
bardus bardhë
Bardhylli Bardhyli (emër)
barka barku
bauria burrnia
benebera bana (tbana në bjeshkë)
bigeste bigë, mal me dy maja (thr)
bistum bisht
bora Bora (emër mali në Maqedoni)
borea borea, era e veriut
brendon (mes.) dre (brirëshe)
Brindisi(il) qytet (rrënja « bri »)
bilia (mes) bijë
buni (il) tbana, kasolle bjeshkësh e barinjve
acra banus (il ) banorë të majëmaleve
darde (il) dardhë
delma (il) dele
Dzana (mes) zana
e edhe (lidhës)
eirene (il) rrënjë
fama (mes) fama
fimia fëmia
fis fis
gai gairet
Gordinium(il) gardhiqe (toponim)
gur gur, gour.
hri hiri (hiresi)
hopaie hopi
hyneron hyjnizon
ie je
ika ika (emër perëndeshe)
kaie qaje
karpoi karpë
lene lënë
liri liri
lot lot
math math
malea mal
manteia man
marakun(il) marak
maraz maraz
menzana (thr.) mëz, mëzat
miia mija (imja)
mori mori
nai tani
na ip na ep
nairon nuk rron
ni në
par par (i parë)
pellagoni pellg (rrënja)
pino piva
plak-os plak
pro (thrake) për (parafjalë)
ro rro
reze reze
rhinos retë
saih shaj
shi shi
sceli shkeli
si apk si e hapke
si ( ç ) faj ? ç’ faji ?
skiare (thrakisht) çjerr, shpatë,ferrë
te (il) te, tek (parafjalë vendi)
thana zana
Thana emër gruaje i gjendur te etruskët.
Ky emër mund të vijë prej drurit të thanës, pasi edhe emri i perëndeshës
parahelene, Athina, vjen prej drurit të thanës ,edhe emri “Athinë” këtej e ka burimin. Edhe emri Zanë mund të rrjedhë prej emrit Athina
ugur ogur
ulko ujk
Ulkinium qytet (rrënja ulk. Mund të jetë dhe ultsin)
Vanth Perëndesha e tokës te etruskët (rrënja “vend”)
uri dua urti dua, ura dua
yinoris hyjnorës
zi zi
Toponime ilire te Stefan Bizantini
Bizantini është i pari leksikograf i cili, në veprën e vet « Uribus et Populis », jo vetëm na ka lënë një sërë emrash topikë të Shqipërisë së sotme, në formën si janë folur në shekullin VI, por edhe i ka pajisur ato me shënime plotësuese.
Abantis :…Abantia, që sipas mënyrës barbare, b kthehet në m.
Kalimahu e quan Amantina.
Amantia është krahinë e ilirëve pranë Orikut (Orikumit) dhe Korkyrës, banohej nga abantët që ikën nga Troja. Emri etnik : abantieus. Një qytet me emrin Amantia gjendet edhe sot në Sicili. Mos ndoshta këtë qytet e kanë themeluar dikur amantinët e hedhur matanë detit, pas shkatërrimit të Amantias.
Ambrakia : qytet i Thesprotisë. E ka marrë emrin nga Ambarku, biri i Thesprotit të Laokonit ose prej Ambrakisë, bijës së Egjeut, për të cilën bën fjalë Filea…Emri i saj etnik është « ambrakieus »
Apolonia : qytet i Ilirisë. E banonin ilirët. Pastaj u dërguan 200 kolonistë korintas me në krye Gylakun, i cili e quajti atë Gylakea.
Arbon : qytet i Ilirisë.(Polibi). Emri i tij etnik është Arbnios dhe arbonites.
Argyrinoi : fis epirot, sipas Timeut,Teonit dhe Lykofonit.
Është fjala për fisin e argyrinëve me qendrën e vet në Gjirokastër (S.M.).
Baiake : qytet i Kaonisë. Hekateu thotë se emri i tij etnik është « Baiakaios », ndoshta edhe Baiakinos, por më mirë është i pari.
Buthrotos : gadishull afër Korkyrës. Është qytet. Disa thonë se emrin e ka marrë nga themeluesi , të tjerë thonë se emrin, sipas legjendës, ia dha Heleni kur, duke lundruar nga Troja për në Perëndim, bëri fli një ka për zbritjen e tij në Epir. Kau, kur po e thernin, i shpëtoi thikës dhe iku me të shpejtë përmes detit, hyri në gji dhe doli në breg, në një tokë të pabanuar (kishte një plagë në lëkurë.) ku ra e ngordhi. Atëherë, sipas Teukrit nga Kyziku, Heleni e mori si orakull dhe i vuri emrin Buthrotos. Emrin etnik Buthrotios, Lepidi e thotë me t, Butrotios.
Doberos : qytet i Panonisë.Qytetarët thirreshin doberas .
Mund të identifikohet me qytetin e Dibrës.
Dyrrahion : qytet ilir. U quajt Epidamn nga Epidamni, vajza e të cilit, Melisa (prej së cilës ka marrë emrin Melissonios), lindi me Poseidonin një djalë, Dyrrahion…, ku Poseidoni u bashkua me të. Aleksandri në Europë e quan Dysrahion, me s.
Dodonë : qytet i Molosisë në Epir, nga i cili ka marrë emrin dhe Zeusi i Dodonës :
Që sundon në Dodonën e ftohtë….
Të tjerë e shkruajnë emrin e saj Bodonaie, ndërsa qyteti është Bodonon, që nderohet…
Filokseni që ka komentuar « Odisenë », thotë se janë dy Dodona : ajo e Thesalisë dhe ajo e Thesprotisë ; e Thesprotisë është Dodona ku orakulli thuhet nga një lis, ndërsa tjetra është ajo e Thesalisë, nga e cila Akili thirri Zeusin e Dodonës, por duket kështu ka qenë quajtur ky orakull prej Homerit…
Enhelei : fis i Ilirisë, rrjedh prej Enheles ose prej Enheleus. I njëjtë me fisin engelanes, siç thotë Mnasea në librin III të « Periegesis ». (Përshkrimet)
Helliopia : quhet Heliopia dhe krahina rreth Dodonës, banorët e së cilës quheshin « helloi » dhe « selloi ».
Kassope : qytet në Molosi, i quajur kështu nga krahina Kassopia, nëpër të cilën rrjedh lumi i Kestrinës ; e themeloi Kestrini, i biri i Helenit të Priamit. Banorët quheshin kamanoi (është fjala për fushën e Vrinës, para Butrintit).
Lissos : qytet i Ilirisë dhe Akrolissos (bëhet fjalë për Lezhën).
Tragasai : krahinë e Epirit, nga Tragasi, në saje të së cilës Poseidoni bëri kripën. Këtej rrjedh kripa tragase, siç thotë helaniku në « Lesbiaket », libri I. Prej saj edhe fusha quhet Halsion. Banorët i quajnë tragasaios.
Kaonia: mesi i Epirit. Banorët quhen kaones.
Kaonët i dëgjonin thëniet e Zeusit (Homeri). Të poshtmit banonin në Kaoninë pellazgjike. « Duke shfrytëzuar lumenjtë e Kaonisë së lulëzuar »
Orikos: qytet në gjirin Jon. Hekateu në « Europa » e quan Orikun liman të Epirit.
Pastaj është qyteti Buthrotos, pas këtij limani Orikos.
Banorët e Orikut janë ata që gjenden të parët afër hyrjes së Adriatikut, duke lundruar nga krahu i djathtë (Polibi).
Anonimi i Ravenës, gjeograf i shekullit VII, në librin e tij « Përshkrimi i botës » ka shënuar 5300 emra qytetesh dhe lumenjsh, siç thirreshin në kohën e tij. Në këta libra përmenden edhe shumë emra qytetesh dhe lumenjsh të Ilirisë
Si quheshin atëherë : Si quhen sot :
Licinium Ohri
Ponservili Uraka
Candavia Babia
Jeraklea Bitolja, Manastriri (qytet në Maqedoni )
Skupis Shkupi (Zllokukuqeni)
Ceflon Qytet në afërsi të Velesit (Maqedoni)
Nesi Nishi
Theranda Dule (Kosovë )
Crebenis Spasi (mbi Drin)
Beciano Lipiani (Kosovë)
Bicinium Ulqini
Tragurion Qytet afër Dubrovnikut
Biston Qytet afër Pogradecit
Poliheriupolis Berati
Dyrrashium Durrësi
Apolonia Pojani
Scampa Elbasani
Glotidiana Peqini
Alona Vlora
Orik Orikumi
Troni (Kanina).
Eordai Devolli
Achilois Aspropotami
Apsis Semani
Genesis Shkumbini
Salon Jadar
Margus Morava
Drinus Drini
- Syndecdemus (shek VI), disa qytete të Ilirisë i përmend me ndryshime :
Aulindos metropolis Ohri
Pelagonia Bitolja (Manastiri)
Skodrai Shkodra
Lisos Lezha
Alvona Albona
Pistum Ishmi
Dyrratio Durrësi
Scobre Shkodra
Biston Podgorica
Licnido Ohri
Heraklea Manastiri
Nikea Velesi, afër Manastirit
Naisso Nish
Candavia Qukësi
Skampis Elbasan
Viciano Lipiani
Rutharoto Butrinti
Dodona Zarakovista
Aquas Kumanova
Civitas Cledo Ohri
Marusio Golemi i Lushnjës
Komentet