KUVENDI I BURRAVE N’ IBALLE
U humbë kohë e çmueshme.
U humbë ajo kohë që ndoshta, e fortë kishte gjasë, se do të kishte mujtë me ndrrue rrymën e historisë së Kombit tanë fatzi!.. Vendosa ta baj mbledhjen n’ Iballe! Caktova datën 12 tetor 1944, pse nuk mund të arrihej maparë nga largësia e vendeve dhe mungesa e komunikacionit. E dijshe, se ishte tepër vonë, por nuk kishte tjetër rrugë, veçse: O me hjekë dorë krejtsisht, ose me provue fatin e pasigurtë. Zgjanova thirrjën në krejtë Malet e Veriut. Me Halil Alinë dhe të tjerë krenë të Dibrës u takova në Shkodër, ku edhe më dhanë letërpërfaqsimin e vet, me folë n’emën të tyne e me dhanë aderimin për bashkim e veprim, nëse ata nuk mund të vijshin përsonalisht (Dibra ishte pushtue nga komunistët prej disa kohe). Ata kishin disa qinda vetë me vedi e ishin të bindun me ngritë edhe Dibrën e pushtueme, porsa të nisej marrshimi n’ atë drejtim.
***
Mbledhja u ba në një livadh pranë shtëpisë sime n’ Iballe, në atë mëngjes të ditës së caktueme. Përfaqsoheshin mase katërdhjetë bajrakë, nga katërqindë Burra dhe letërpërfaqsime, që më kishin ngarkue mue e të tjerëve. Kapidani i Mirditës Gjon Markagjoni, i penguem në luftë me brigadat komuniste që kishin sulmue e zbërthye në Mirditë, më dërgoi letërpërfaqsim për vete e Krentë e Mirditës, si dhe n’emën të Muharrem Bajraktarit, tue më autorizue me marrë detyrimet e rastit n’ emën të tyne, për çdo vendim që do të merrej për luftën kundër komunizmit.
Hapa mbledhjen me një fjalim i prekun thellë, tue vue në dukje rrezikun, dhe përfundova me këto fjalë: “Burrat e Maleve! Ju e dini pa ua përsëritë unë sot, se jeta ka vlerë, derisa ajo të jetohet me nder dhe me zakonet e shenjta të të Parëve tanë. Kush nuk din ti japin këte kuptim jetës, nuk mund të quhet Burrë e nuk meriton të jetojë. Kemi në rrezik gjithshkafën: Besë e Burrni, Ndér’ e Fé, familje e Zot, dhe vetë jetën e ajkës së kombit bashkë me vetë jetën e kombit!
Dy forca janë në ndeshje. Njena asht forca e Atdheut dhe e Zotit, e tjetra asht forca e kundra Atdheut e kundra Zotit.
Forca e fundit të Ferrit!..
Nuk kam çka u thom ma, e po përfundoj, tue i drejtue lutjën Zotit të Plotfuqishëm, të ketë zgjedhë Bijtë e këtyne Malëve Kreshnike, ushtarë të Vetët e t’ Atdheut.
Vendoni me këte besim, e Zoti ka me na ndihmue!”
Folën edhe disa Krenë, fjalë fort të thjeshta plot kuptim e Burrni Malësore, të gjithë ishin në favor. U morën vendimet me shkrim, dhe u nënshkrue me gishta, myhyrë (vula) e penë.
V E N D I M E T E M B L E D H J E S
“Krenë e Bajraktarë të Malësive të Veriut,
që përsonalisht e me letërpërfaqësime, gjenden sot me dymbdhjetë tetor njëmijenanqindekatërdhjetekatër, të mbledhun n’ Iballe nën kryesinë e z. Kolë Bib Mirakës, tue përfaqsue katërdhjetekatër Bajrakë, të krahinave Mirditë, Malësi e Lezhës, Dukagjin, Malësi e Madhe, Pukë, Malësi e Gjakovës (Gashë, Krasniqe, Bytyç), Has, Lumë e Dibër, janë dhe dëshmohën gati t’ U përgjegjë kushtrimit t’ Atdheut në luftën kundra komunizmit, e për mbrojtjën e integritetit toksor t’ Atdheut, bashkë me Tokët e Lirueme, prandej edhe,
V E N D O J N Ë :
I ) Kjo mbledhje, merr emnin “KUVENDI I BURRAVE TË MALËVE”!
- II) Të gjithë Burrat e Malëve prej 18 deri 55 vjeç, të zotët e kambës, dorës e pushkës, mobilizohen e do të dalin në luftë kurdo që të thirrën, kundër komunizmit e për mbrojtjen e kufinjëve t’ Atdheut.
III) Zotni Kolë Bib Mirakaj, ka me dhanë kushtrimin, me caktue vendet ku do të mblidhën luftarët dhe me dhanë drejtimet. Lëvizja e “Kuvendit të Burrave të Malëve” do të ketë një Komandë të Përgjithshme, vendimëve e urdhnave të së cilës, do t’ u bindën të gjithë.
- IV) Mobilizimi mbetet i detyrueshëm, dhe njerëzit mbetën nën armë, edhe mbasi të jenë krye operacjonet e spastrimit kundër rrezikut bolshevik, për të ruejtë kufinjtë etnikë t’ Atdheut, derisa ndonjë faktor i ri, ose Konferenca e Paqës, të mos ketë dhanë sigurimin e paprekshmënisë s’ Atdheut nga anmiqtë.
- V) Mbrenda dhjetë ditësh që prej sot, të gjithë Burrat e Malësive që përfaqsohën në këte “K U V E N D “, do të jenë gati me dalë n’ ushtri, porsa t’ jepet kushtrimi.
- VI) Kush dezerton o tradhëton dënohet me vdekje, dhe familja e tij, përzehet përgjithmonë prej rrethit të bashkjetesës së këtyne Malëve.
Kush i mungon kushtrimit, leçitet (i pritën marrëdhaniet) përgjithmonë nga bashkësija e Malëve, i digjet shtëpia dhe i merret pasunia e cila, shkon në dobi të lëvizjes.
VII) Një Këshill i ngushtë përba nga përfaqsues të Krahinave të ndryshme, nën kryesinë e z. Kolë Bib Mirakaj, qyshë sot do të përcaktojë planin e mobilizmit, Komandën e Përgjithshme dhe të tjera hollsina të nevojshme.
MBLEDHJA E KËSHILLIT TË NGUSHTË:
Caktoi delegatët e çdo krahine.
Kjo mbledhje u ba në darkë në shtëpinë time.
Sikurse, edhe maparë, në mbledhjen e përgjithshme prap u kërkue njëzani që unë, të merrshe Komandën e Përgjithshme t’operacjonit.
M’ asht dashtë mundim e shumë argumenta për t’ iu shmangë kësaj kërkesë. Kërkova ti ngarkohej Gani Kryeziut, nëse ai do ti përgjegjet apelit që do ti bajshim dhe nëse jo, do ti ngarkohej Gjon Markagjonit, tue i vue pranë një Shtab të zgjedhun.
Gani Kryeziu ndodhej në Bytyç me rreth dyqindë vetë. Besojshe, se nuk ishte komunist, megjithqë deri në një ngjarje tepër dhunuese për té, kishte bashkpunue me të kuqtë. Ngjarja në fjalë pat kenë kjo:
“Ditën e Bajramit të verës 1944, Ganiu, shumicën e njerzëve të tij i kishte lëshue të shkojnë ndër shtëpijat e tyne. Komunistët kishin qendrën në Krumë të Hasit, dhe duket se ishin informue me kohë e parapa atë gja. Një grup prej afer tridhjetë vetë kësish (të kuq), kishin shkue gjoja me i ba urime “shokut” Gani begu. Porsa arrijtën në qendër të Kryeziut, i çarmatosën të gjithë ata që u ndodhën sëbashku me Ganiun, dhe morën rob Sahit Kryeziun, Lazër Fundon dhe oficerin anglez që ishte me misjon pranë Ganiut. Qellimi i tyne ishte me ekzekutue Lazër Fundon, i dënuem nga partia komuniste. Të shkuemën në Krumë, Fundon e pushkatuen. Sahitin dhe oficerin anglez i liruen.”
I drejtova Gani Kryeziut një letër me të cilën, i bajshe apel n’emën të KUVENDIT që të bashkohej me forcat tona, tue i ofrue Komandën e Përgjithshme, me një Shtab kompetentësh e një Këshill të përbamë nga Gjon Markagjoni, Muharrem Bajraktari, Kolë Mirakaj dhe një përson të zgjedhun nga Krenët e Dibrës. Letra iu dorzue Man Arif Lamës, nga Mejdani i Gashit, i cili mori përsipër t’ ia dorzonte Gani beut mbrënda dy ditësh.
KËSHILLI VENDOSI:
1) Derisa Gani Kryeziu, të mos ketë dhanë përgjegjën pohuese, ose të mos kemi arrijtë me u bashkue me fuqitë e Kapidanit të Mirditës, Komanda e Përgjithshme dhe dhanja e kushtrimit i ngarkohën z. Kolë Mirakaj.
2) Veprimet do të fillojnë në dy drejtime njëheri:
- Njëmbëdhjetë Bajrakët e Dukagjinit dhe Gashë e Krasniqe do të marrshojnë nga Hasi drejtë Lumës me objektiv Peshkopinë. Marrshimi do të bahet në faza të urdhnueme nga Komanda e Pergjithshme. Komanda e këtyne forcave i ngarkohet përkohësisht kapiten Tahir Hoxhës nga Gashi, dhe mbasi të jenë bashkue të gjithë me forcat e Lumës, komanden e merr definitivisht kolonel Muharrem Bajraktari.
b.Shtatë Bajrakët e Pukës dhe Fushat, do të hyjnë në Mirditë, dhe të gjitha bashkë me fuqitë e Mirditës, Malësisë së Lezhës dhe Thkellës do të marrshojnë per Burrel dhe Krujë njëherit. Komanda e këtyne forcave i ngarkohet z. Gjon Markagjoni me zëvëndës z. Kolë Bib Mirakaj.
- Bashkue me fuqitë e Matit, e nëse paraqitet nevoja, një pjesë e këtyne fuqive do ti dërgohet në ndihmë nga Qafë-Murra, Muharrem Bajraktarit për pushtimin e Peshkopisë dhe spastrimin e krejtë Dibrës. Pjesa tjetër do të marrshojë drejtë Shen-Gjergjit.
- Fuqitë e grumbullueme në Peshkopi: Një kolonë marrshon drejtë Qafë-Thanës, e një tjetër drejt Elbasanit. Ky marrshim do të bahet në koordinim me fuqitë e grumbullueme në Shën-Gjergj.
- Kolë Bib Mirakaj ngarkohet me kordinue veprimin e forcave të ndryshme (derisa nuk i asht dorzue komanda Gani Kryeziut dhe Gjon Markagjonit) dhe, kryesisht, me fuqitë e Lidhjes së Prizrenit.
- Në Tiranë ka për tu ba riorganizimi në baza të gjana kombtare.
- Kolë Bib Mirakaj qyshë tashti, dhe mandej komandanti i Përgjithshëm, kanë të drejtë e autoritetin me emnue oficierët, deri në gradën nënkolonel. Nënoficierët i emnojnë komandantët e reparteve.
- Në kushtrimin e parë, detyrohën me dalë n’ushtri me armët e veta e me bukë për tri ditë, një për shtëpi ku ka dy Burra, dy për shtëpi ku ka tre dhe katër Burra, tre për shtëpi ku ka pesë Burra e naltë, mbrënda moshës së caktueme si të detyrueshme.
Në rasë nevoje të kushtrimit të dytë do të dalin të gjithë Burrat prej moshës 18-55 vjeç, pa asnjë mungesë.
- Për të mos i lanë shteg anmikut që të shfrytëzojë propagandën “muslimanë e të krishterë”, forcat e Dukagjinit, që prej Qafës së Kolçit, do të prihën nga Parësia e Krasniqes dhe e Gashit.
- Nga forcat e mobilizueme në Malësi të Madhe e Rranxa, do të kërkohet vetëm një numër simbolik prej 200-250 vetësh, dhe të tjerat do të lehën në vend për ruejtjën e kufinit me Mal’ të Zi (vazhdojnë firmat).
Bërthama e parë e këtyne forcave (Pukë, Dukagjin e Malësi e Gjakovës), u llogarit rreth gjashtmijë vetë, e që deri në Tiranë, do të shkapërcente numrin tridhjetmijë Burra.
Mendojshe se, me që “jurishi s ll a v” nuk kishte fillue endè kundra Kosovës, Lidhja e Dytë e Prizrenit kishte forca të mjaftueshme, për të mujtë me dërgue një pjesë që të bashkoheshin me forcat e Malëve në Kukës. Kishim ndigjue se edhe rreth njëmijë ballista nën Komandën e Xhelal Straveckës e Musa Kranjës, kishin arrijtë në Prizren nga Greqia, e kjo, kje shumë e vërtetë.
Përgatita një letër në tri kopje, me vendimet e KUVENDIT e ua dërgova: Një z. Xhafer Deva, Kryetar i Lidhjes së II të Prizrenit, nji Musa Kranjës e Xhelal Straveckës, tue u kërkue bashkimin e fuqive të tyne me tonat dhe datën kur mund t’arrinin në Kukës, që të dijshe me caktue ditën e kushtrimit në lidhje me përgjegjën e tyne.
Një kopje ia dërgova edhe Gjon Markagjonit.
***
Natyrisht, komunistëve nuk mund t’ iu shpëtonte pa u marrë vesh një mbledhje e tillë, dhe rrezikun që kjo përbantë për ata. Me të gjitha forcat që disponojshin në Dibër, Mat e Lurë, shpërthyen Mirditën tue lanë të rrethuem Sh’Palin, ku po qëndronte një fuqi me Mirditas e Dibranë nën komandë të Ndue Gjomarkaj e Halil Alisë, dhe mësyjnë për Iballe. Natën e 16-17 tetorit, m’ arrijti lajmi dhe i dhashë kushtrimin Pukës, Dukagjinit, Gashit e Krasniqes, megjithse, Krenët që kishin marrë pjesë në Kuvend nuk kishin arrijtë endè në shtëpijat e tyne. Dukagjini me Nikaj Mertur (njimijë e pesqindë vetë) arrijtën në Qafë-Kolçit mbrënda dy ditësh. Paria e Gashit dhe Krasniqes nuk doli me u prij për në vend të tyne, siç ishte vendosë, dhe kështu Nikaj-Merturit e Dukagjinit iu desht me pritë aty në mbrojtje. Unë me pesqindë vetë por që shpejtë u shtuen e u banë njimijë e
pesqindë, u nisa për ndeshje me ta. Ndeshja me brigatat komuniste filloi në mëngjesin e ditës 18 tetor 1944 në malet e Lumit t’ Bardhë afër Fushë Arrësit. I thyem e i përzumë prej andej deri në Mushtë e në Gojan.
Na mungonte municjoni për të mundë me shfrytëzue suksesin. Disa ndër njerëzit e mijë nuk kishin as armë.
Në mbështetje të premtimëve të Komandës Gjermane për disa armë e mjaft municion, caktova sulmin e përgjithshëm për datën 25 tetor në të gdhime.
Më kishin premtue 200 armë, pesdhjetë arka municion dhe një sasi mitroloza e bombahjedhëse (mortaja) të lehta, për të mi dergue mbrënda datës 24 tetor. Nga të gjitha këta, më erdhen dy arka municion pushkësh, një arkë bomba doret e dy bombahjedhëse 45, me dy arka municion.
Nuk kishe mjete për mundësi sulmi, prandej u deshtë me e anullue vendimin për ndonjë ditë mavonë kur të më arrinte materjali i nevojshëm.
Nisijativa i mbet anmikut.
Pozicionet e mija shtriheshin nga Livadhi i Hamzit (Terbun), Gojan, Kimës e Qafë-Bari (afër Munellës). Anmiku sulmoi po me datën 25 pak kohë paradreke. Më shterri municioni, u shtërngova me tërhjekë pozicionet nga Gojani, Kimza e Qafë-Bari, per në Fushë-Arrësit, Bardhet e Qafë-Malit. Mbas dy ditësh edhe nga Livadhi i Hamzit, per në Rrapë e rreth Pukës. Ndër këto pozicione qendruem deri me 20 Nandor, tue u furrnizue me nga dy-tri arka municion çdo ditë. Dukagjini (duhet shtue Malësia e Gjakovës, që ishte pa pushkë), qendroj në Qafë Kolçit deri në fund të Nandorit, pa ua lëshue një pëllamë tokë brigatave bolshevike, të formueme nga kosovarë malazezë të Gashit e Krasniqes.
***
Një pjesë të forcave të Pukës i kishëm përvete e me moral të naltë, dhe ma në fund edhe gjermanët na dhanë tridhjetë arka municoni e dy topa të vegjël me 85 predha (gjyle). N’ anëntjetër, kishe organizue një plan veprimi shumë sekret, për me zanë në befasi brigatat komuniste që t’ udhëhequna natën nga komunisti Kadri Çoba i Qarretit me disa shokë të tij, na kishin dalë mbas shpine për të mësye Iballen. Ballistat kishin fillue të arrinin turra-turra nga Prizreni, të cilët i përbujta dhe i ushqeva, po nuk kje e mundun ti bindi të qëndrojnë me né, pa arrijtë në Shkodër për të marrë udhëzime e urdhën prej kryetarëve të tyne. Dojshin fjalën e Mit’hat Frashërit, që gjendej në Shkodër.
Kishe nevojë të domosdoshme për një ndihmë prej rreth njimijë vetësh nga fuqitë e grumbullueme në Shkodër, që atë kohë nuk kishin asnjë veprim, veçse, me hangër bukë e me marrë rrogat, flas per forcat balliste. Kjo ndihmë ishte e nevojshme jo vetëm, si forcë, po edhe për të naltue moralin e krahinës që tashma e shihte se kishte ngelë vetëm në këte ndeshje. Vendosa të nisëm vetë për Shkodër, tue i lanë perkohsisht tim vlla, Pashukut, komandën.
Komandanti i Përgjithshëm, i ndjeri Mark Gjomarkagjoni, nuk mungoi ta kuptojë rendsinë e planit tim e të përpiqet me ba dishka, por nuk u ba gja. Ballistët e inkuadruem nën Komandën e Shkodrës, prej së cilës ushqeheshin e paguheshin, mbasi e dhanë fjalën me më ndjekë planin, u shmangën. U mbajta edhe një fjalim të shkurtë në korridorin e madh të prefekturës e kjenë mjaft entuzjastë, por mbas tri orësh, e mbasi morën kontakt me Mit’hat Frashërin e krenë tjerë, më njoftuen se nuk mund të vinin me mue.
Edhe Hasan Isufi me një bataljon më tha se do të vinte me mue, e së fundit më mjaftonte, po edhe ai fatzi u gënjye nga Rasim Gjyrezi me disa parsi të Shkodrës, që kishin kujtue se e rregulluen punën e tyne me komunistët, e kështu, edhe Hasani nuk u bind, edhe pse më pat dhanë fjalën. Atëherë, u shtërngova të lajmëroj Pashukun që të shpërndajë fuqitë në grupe të vogla, tue evitue sa të jetë e mundun ndeshje me komunistët, për të pritë përfundimet e bisedimeve me përfaqësuesit e Malit të Zi.
***
Prej Xhafer Devës nuk mora asnjë përgjegje.
Pashuku, kur erdhi nga Prizreni, më kishte thanë se Xhaferi me dhjetmijë deri dymbdhjetmijë kosovarë do të tërhiqeshin dhe të vinin në Pukë, e mandej, o me shkue për Shkodër, o me u tërhjekë me ushtrinë gjermane, ose me u shpërnda ndër male në grupet e rrezistencës. Kështu i kishte thanë Xhafer Deva, tue e porositë që të më njoftonte mue, për të mbajtë unë të sigurueme rrugën Kukës – Pukë.
Pak ditë mbas arritjes së Pashukut, mora vesh se Xhafer Deva, ishte nisë për Vjenë me aeroplan për të mos u kthye ma për qendresë, ndërsa, kosovarët po vazhdonin të luftonin.
Komentet