MARRVESHJA SHQIPTARO – MALAZEZE
Rreth dy muej a tre maparë (kujtoj kah fundi i gushtit), ish ministri Mark Gjomarkagjoni, kishte fillue kontaktet e bisedimet me Komandën e Çetnikëve të Malit të Zi (niciativa kishte ardhë nga malazezët), për të mujtë me arrijtë në marrëveshje për një front të përbashkët antikomunist.
Në vazhdim të këtyne bisedimeve, Marku kishte shkue në Mal të Zi me bisedue me Vojvodën Pavle Djurishiq, e tue u kthye për Shkodër i përcjellun prej Djurishiqit me dy kamjone ushtarë malazezë, për ta përcjellë kapidanin shëndoshë për në kufi, si asht zakoni i malësorëve e malazezëve, pak metra pa arrijtë kufinin Shqiptar t’ atëhershëm, në fushë të Tuzit u shprazën pushkë prej një pritet katërdhjetë vetësh, ku plagoset Pavle Djurishiqi, që ishte n’ automobil të Kapidanit, përkrah Tij. Çetnikët kishin zbritë për të vendosë mitrolozat e mortajat, por Marku, i lutet Djurishiqit t’ japë urdhën që të mos shtijë kush me pushkë e të kthehën mbrapa malazezët, mbasi plaga ishte e lehtë e tjetër dam nuk kishin.
“Nuk duhet të futet pushka në mes Shqiptarëve e malazezëve në këte kohë, se ky atentat duhet të jetë manovër e komunistëve, për të na ba të pamundun qendresën e të dy palëve, tue u vra né në mesin tonë” – i kishte thanë Kapidani. Djurishiqi, u bind e ndaloi zjarrin dhe u këthye mbrapa. Arrijti Kapidani në Tuz me tre-katër vetë të vetët, mori vesh se mbas pritës së parë kishin kenë edhe rreth gjashtqindë vetë Hot e Grudë, të ndërsyem nga një përsonalitet i naltë i shtetit, se gjoja, Kapidani, asht tue ba përpjekje me i lëshue ata krahina në dorë të Malit të Zi. Ky atentat u ba shkak e shtyni përfundimin e marrëveshjes.
Ma në fund, me 21 nandor, arrijti në Shkodër dërgata e Malit të Zi, e kryesueme nga Dr. Av. Luba Vuksanoviç, Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Malit të Zi (me cilësi kryeministri); ngarkue me Punët e Mbrëndshme, me Punët e Drejtsisë, me Punët e Financave dhe Komandanti i Gjendarmërisë, adjudanti i parë i Komandantit të Çetnikëve të Malit të Zi (vojvodës Pavle Djurishiq), që përfaqësonte Djurishiq-in përsonalisht.
Prej anës Shqiptare, Komanda e Përgjithshme ngarkoi: Xhelal Bushatin e Kolë Mirakaj, n/komandant të përgjithshëm të forcave t’ armatosuna kombtare të Shkodrës, e Tahir Kolgjinin, Prefekt i Shkodrës. Bisedimet u zhvilluen në salonin e Këshillit të Prefekturës, dhe mbrënda ditës përfunduen të përmbledhuna dhe të shkrueme në gjuhët shqip e serbisht në protokolin si vijon, e që asht nënshkrue nga të dy delegacjonet në dy kopje origjinale:
PROTOKOL:
Përfaqsuesit e Malit të Zi dhe të Shqipnisë, të deleguem rregullisht nga autoritetet në fuqi të të dy vendëve, arrijnë në akord të pranuem nga të dy palët, përfundimisht përsa vijon:
- I) Kufinjtë e tanishëm në mes të dy vendëve dhe zonat neutrale, do të respektohën deri në Konferencën e Paqës. Në Konferencën e Paqës, të dy palët janë të lira me paraqitë rivendikimet e tyne nëse ky problem, nuk do të jetë zgjidhë me marrëveshje miqësore e direkte nga qeveritë Jugosllave dhe Shqiptare.
- II) Vendimit të Konferencës së Paqës do t’u rrijnë të dy palët.
Të dy popujt fqinjë marrin angazhim mos me tentue dhunimin e gjendjes së tanishme toksore me forcë.
III) Fuqitë nacionaliste Shqiptare dhe fuqitë çetnike-nacionaliste Malazeze bajnë kauzë të përbashkët luftën antikomuniste, dhe detyrohën tu shkojnë në ndihmë njena palë tjetrës, kurdo që të ftohën.
- IV) Nëse forcat Shqiptare do të kalojnë në Mal të Zi, ata vehen automatikisht nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të Çetnikëve të Malit të Zi, z. Pavle Djurishiq.
Nëse forcat çetnike kalojnë në Shqipni, vehen nën komandën e Komandantit të Përgjithshëm të fuqive nacjonaliste Shqiptare, z. Mark Gjomarkagjoni. Ushqimi i ushtrisë mike, i ngarkohet komandës së vendit ku veprohet.
- V) Ushtritë që lanë vendin e vet për të ndihmue vendin tjetër mik, kanë fakultetin të tërhjekin me vete familjet e veta dhe të tjera, që nuk dishrojnë të bijën në dorë të komunistëve. Edhe për ushqim e banim të familjeve, njëkohësisht merr barrën komanda e vendit mikpritës.
- VI) Po u konstatue se nuk jep fryte strategjike për tani sulmi nga Mali i Zi, fuqitë çetnike të Malit të Zi të komandueme nga vojvoda Pavle Djurishiq, do të kalojnë menjëherë në Shqipni për tu vue në dispozicjon të Komandantit të Përgjithshëm të forcave nacionaliste Shqiptare, princit Mark Gjomarkagjoni.
VII) Fuqive të Malit të Zi që prej kufinit Shqiptar e deri në Shkodër, do tu prijë një përfaqësi Shqiptare e ngarkueme zyrtarisht nga Komanda e përgjithshme (vazhdojnë nënshkrimet e dy delegacjoneve).
Origjinali shqip i kësaj marrëveshtje, i kje lanë në ruejtje një instituti fetar në Shkodër, bashkë me letrat e majorit Neell, që janë përmendë maparë.
Ndoshta malazezët i shtynte nëvoja me pranue e firmue një akord të këtillë, sidomos, të pakandshëm për ata, përsa i përkiste çeshtjes së kufinjëve, meqë kjo përfshinte edhe Tokët e Lirueme të vitit 1941, deri në kufi me Serbinë, por nga ana tjetër kishte nder ta edhe njerzë me vullnet e kuptim të mirë që me të vërtetë dëshironin me i vue kapak së kaluemes me Shqiptarët, e me fillue një jetë paqësore të një fqinjësije miqësore.
Këtë ndjenjë e kam konstatue me kohë tek Dr. Luba Vuksanoviç, qyshë se kam kenë rrefugjat në Jugosllavi (1926-32). Ai kishte marrë titullin “Avokat i arnautëve” (arnautski advokat), e në rasën e këtij protokoli, atë ndjenjë kam pasë rasen ta konstatoj edhe tek ndonjë tjetër prej shokëve të Tij, sidomos, tek Dr. Vujoviçi (Komisar i Financave).
Ishin dymbdhjetmijë çetnikë nën komandën e Djurishiq-it, t’armatosun fort mirë e me municion të konsiderueshëm.
Gjon Markagjoni, Mato Murati dhe unë, u ngarkuem me mision për zbatimin e marrëveshjes, për të sjellë çetnikët në Shkodër.
Me 22 Nandor arrijtëm në Tuz. Komanda gjermane na ndaloi aty, e për dy ditë nuk na lejoi të takohemi me Djurishiq. Me 24 në mbramje të përcjellun nga dy oficera S.S., që morën pjesë në bashkfjalim, arritëm në qendrën e kuartierit të vojvodës Djurishiq.
Djurishiq na deklaroi se kishte marrë urdhën nga Ministri i Luftës gjenerali Mihajloviq, për tu tërhjekë së bashkut me gjermanët deri në Sanxhak, dhe prej andej së bashku me Mihajloviq-in, do të niseshin kah Dalmacia, për tu bashkue me fuqitë angleze që do të zbarkonin nga deti e ajri. Na deklaroi se i rrinte besnik protokolit, por në rrjedhim t’ urdhnit epror, nuk mund ta aplikonte tashpërtash. Na propozoi për të tërhjekë fuqitë Shqiptare e së bashku me té, të bashkohemi me Mihajloviq-in tue na premtue gjithë ndihmat e nevojshme nga Jugosllavia çetnike, për të lirue Shqipninë, në rradhë mbas Jugosllavisë.
Nuk mund të dij nëse vërtetë e kishte atë urdhën prej Mihajloviq-it a po kje i shtërnguem prej gjermanëve, pse ndoshta, dyshojshin se mos po u vëmë pushkën mbas shpine Shqiptarë e Malazez së bashku, për të fitue simpatinë e Aleatëve, a po e bani ai në kokë të vet këte mungesë ndaj protokolit, nga shkaku i klauzolave që i përkitshin kufinit. Dij vetëm, se nga përsonalitete politike malazeze që kishin nënshkrue protokolin, e edhe të tjerë si Djurishiq, kje mallkue atëherë e mbasandej.
Që prej atij çasti, vendosëm të presim marrëdhaniet me Mal të Zi. Do të shihni pak ma vonë sesi né disa Shqiptarëve, kjo marrëveshje për pak na kushtoi me jetën në Zagreb. Edhe Djurishiqi e pagoi me jetë këtë gjest të gabuem, tue tërhjekë në rrjedhen katastrofike të gabimit të tij, mija luftarë malazezë me pleqë e gra.
Në Vishegrad u nda me gjermanët dhe nuk mujti të takohet as me Mihajloviq-in. Zbarkimi anglez që duket vërtetë u ishte premtue, (ketë kam pasë rasë ta ndigjoj edhe në mërgim) nuk u ba fare.
Ma së fundit u shtërngue të kthehet tek gjermanët, për të hy nën mbrojtje të tyne me 150 oficiera, dhe la në fatin e zi të tyne rreth 15.000 çetnikë, me pleqë, gra e fëmijë. Kjo ngjau në javën e fundit të Janarit 1945.
Gjermanët e përcollën Djurishiq-in me 150 oficierat në Vjenë, nën kujdesin e pak ushtarëve. Në një stacion të trenit, pa mrrijtë në Zagreb, i kishte pritë koloneli kroat Max Ljuburiç, Komandant i Divizjonit të Këmishave të Zeza Ustashe.
Ua mori me përdhuni gjermanëve dhe i pushkatoi të gjithë aty. Kështu i erdhi fundi vojvodës Pavle Djurishiq me armatën e tij çetnike.
Mund të thohet tani: Si keni pranue Ju, me bashkpunue me Djurishiq-in e çetnikët e tij, tue pasë dijtë planin e Mihajloviqit dhe masakrimet në Bihor? E kam thanë “politika asht arti i mundësive”: Me përfitue çka të jetë e mundun. Nuk i kishim harrue ato për të cilat vuna pikpyetjën. Jo! Por tue përfitue nga nevoja që kishin çetnikët e Malit të Zi të tërhiqeshin për ti përcjellë për Greqi né me forcat tona, tue i shtue edhe 12000 malazezë t’ armatosun fortmirë, viheshim në gjendje me sulmue drejtëperdrejtë Tiranën, dhe njëherit me shpartallue brigatat komuniste ndër krahinat e Veriut. N’ anën tjetër, shtijshim në dorë një dokument protokolar me vlerë të naltë të së Drejtës Ndërkombëtare, për kufinjtë e arrijtun në Prill të 1941. Atë dokument që përmenda maparë.
LËSHOHET SHKODRA
Në kohë të bisedimëve që u përmendën me malazezët, kryetarët e Ballit Kombtar e të Legalitetit me pak njerzë të vetë, ishin nisë për Tivar e Ulqin, nga do të niseshin për në Itali me një barkë që kishin ble nga gjermanët. Njerzit e tyne që i kishin lanë mbas, e në fat të vetë, i kishin ndalue te Ura e Buenës, e vetëm, ndërhymja e shpejtë e komandantit Mark Gjomarkagjoni, që porsa u lajmërue se disa djelmoça ishin nisë për tek Ura e Bunë dhe ishin ndalue per me i vra ata krenë n’ udhëtim, dërgoi me ngut kryetarin e policisë kolonel Mato Muratin, me kamjona forcash të armatosuna, e mundi me ndalue një tragjedi të përgjakshme e të shëmtuet.
Mavonë, këtu në mërgim nuk munguen akuzat kunder Mark Gjomarkagjonit dhe né të tjerëve, për atë komplot…(!) kundër krenëve të Ballit Kombëtar. Një zonjë fisnike, madje pat guximin, jo vetëm me më akuzue mue e shokët ndër sy, po arrijti edhe me namë shpirtin e Mark Gjomarkagjonit, mbasi ky Hero, kishte ra Deshmor me Flamurin e Lirisë në gji, në fushën e Nderit në vitin 1946.
Zonja nuk kishte faj pse ashtu ua kishin mbushë koken asajë e shumë të tjerëve… propaganda amorale dhe antikombtare e ekstremistëve të Ballit Kombëtar.
***
Me 25 nanduer 1944 Mark Gjomarkaj ishte lajmrue nga burime serioze, se komanda gjermane kishte arrijtë në marrëveshje me komunistët me çarmatosë Markun me forcat e Tij, me ua dorzue komunistëve, e ata mos me shprazë pushkë kundër ushtrisë gjermane në tërhjekje.
Nuk dihet në se ky akord kje a po jo, në të vërtetë, por Marku e kishte quejt të nevojshme me e lanë Shkodrën përkohsisht, dhe ishte nisë me të gjitha forcat për Kastrat, për të pritë fuqitë çetnike që kujtonte se atëditë, ose të nesërmën do t’ arrinin të drejtueme prej nesh që ishim ngarkue me ketë punë. Kështu Ai, pa vue në dijeni Komandën gjermane, me 25 nandor në mbramje ishte nisë për Koplik. Fuqitë e komandës së Shkodrës përbaheshin nga njerzë prej të gjitha viseve të Shqipnisë.
Dështoi plani i veprimit në bashkëpunim me malazezët, dhe u lëshue Shkodra për arsyet që u thanë, atëherë Kapidan Gjoni e unë, i kërkuem komandës gjermane në Podgoricë, nëse lejonte që edhe fuqitë tona të ndjekin fatin e tyne deri në Sarajevë, e mandej, me na nisë për Vjenë si refugjat. Gjenerali komandant e pranoi kërkesën tonë, dhe na premtoi të njajtin trajtim për atë pakicë ushqimi që do të kishte ushtria gjermane, si dhe vumjën e pleqëve ndër kamjona ushtarakë.
Lajmëruem Markun e i kërkuem me ardhë për Tuz me të gjithë ata njerzë që të donin të ndjekin këte fat vullnetarisht. Na dërgoi Nduen (vllanë e tij) që ti gjendet pranë babës plak. U kish deklarue oficerëve e ushtarëve se janë të lirë të zgjedhin rrugën e mërgimit, ose rrugën e maleve, e që në këte të dytën i priste vdekja me nder.
U kishte thanë – një pjesës – “Kush të dojë vullnetarisht me ardhë me mue, per Veté kam zgjedhë RRUGEN E VDEKJES ME NDER E ME FLAMURIN E LIRISË NË DORË!..”
Shumica zgjodhi rrugën e vdekjes mbas “KAPIDANIT TË RI”!..
***
Kapitulli i parë mori fund, për me i lëshue vendin kapitullit tragjik por lavdiplotë të Rrezistencës ndër Malet e Shqipnisë, që vazhdon me i lagë prap me gjakun e pastër të Herojëve të Malëve: Një kundër njëmijëve!
***
Mos u çuditni o bashkatdhetarë, nëse kur u ndigjue vdekja e Këtij Heroi, që për dy vjetë e mbuloi me lavdi e së fundit me Gjakun e Tij të pastër Flamurin e Shenjtë të Lirisë, ndër Malet kreshnike të Atdheut, mos u çuditni, jo, nëse në kamp të refugjatëve n’ Itali, u “pij raki për shyqyr”! U pij prej asish…që né dhe Mark Gjomarkagjonin na quejnë “nënshqiptarë”, ndërsa, vetën e tyne “flamurtarë të patriotizmës”.
E pritën “disa” lajmin e kësajë humbje kombtare – kujtoj – ma me gëzim se të kishin ndigjue atë ditë që: “Enver Hoxha e Mehmet Shehu, i shpërthyen plancat shoqi-shoqit”!..
DREJTË FATIT TË ERRTË
Me 28 nanduer 1944 në mbramje, lamë kandin e fundit të Atdheut për me marrë rrugën e mërgimit të zi; u nisëm nga Tuzi disa qinda Shqiptarë, dhe mbas gjashtë javësh nën bombardime e mitralime të përditshme të aviacionit anglo-amerikan, arrijtëm në Sarajevë. Prej andej grupe grupe në Zagreb, ku qendruen disa… e të tjerët arrijtëm në Vjenë.
Me daten 1 shkurt 1945, disa prej nesh kishin zanë vend në hotel “Esplanade” të Zagrebit, ku kishim në mend të pushonim nja dhjetë ditë. Me 6 t’atij muej në mëngjes, më thirri drejtori i hotelit në zyrë të tij, e aty mu paraqit një komisar i policisë me një listë dhjetë emnash të cilët duhej të largoheshin nga Zagrebi, si të “padëshruem” nga qeverija kroate.
“Sot n’ ora 16.00 duhet të gjendeni në stacionin ku niset treni për Maribor e Vjenë. Policia ynë do t’ iu përcjellë deri në kufi” – tha komisari. Përsonat ishim: Gjon Markagjoni, Kolë Bib Mirakaj, Irfan Ohri, Tahir Kolgjini, Pandeli Papalilo, Ndue Gjomarkaj, Xhelal Bushati, më duket se ka kenë edhe Mato Murati e dy të bijt e Irfan beut. E kuptova se çfarë na priste, fati i Djurishiq-it. Ishte mësim i mjaftë por nuk e humba fillin.
U përpoqa ti mbushi mendjen komisarit se mos do t’ishte ndonjë intrigë anmiqësh, e iu luta të shkonim bashkë tek Drejtori i Policisë për me u shpjegue, meqë na e kujtojshim vetën miqë të popullit kroat, e se kishim kujtue se në Kroaci do tu gjejshim gati si n’ Atdheun tonë, përsa i përket lirisë. Mu përgjegj: “Ky asht urdhni që jam ngarkue t’ iu njoftoj e që duhet ti bindeni, përndryshej merren masat këtu në hotel, unë nuk mund të ndërhyj me interpretue urdhnat e eprorëve të mij, as t’ iu paraqes kund për këte çeshtje!”
I kërkova: “Kumtoji Drejtorit të Policisë, o kujtdo tjetër që të ka ngarkue me këte urdhën, fjalët që të thashë dhe njoftoje, se na nuk e lamë Zagrebin pa u shpjegue e pa pasë knaqësi, për këte dhunë që na bahet. Nuk ka rendsi çeshtja si përson për né, por meqë né jemi autoriteti i fundit që përfaqëson Shqipninë, e këte autoritet nuk kemi kujt ia dorzojmë pa arrijtë në Vjenë, ku do të mblidhet Parija Shqiptare, gjestin e policisë kroate e quejmë dhunë kundër Shqipnisë, prandej, nëse policia o ai organ -kushdo që të jetë -, nuk interesohet të skjarojë këte gabim e me na dhanë sodisfaksionin e rastit si përfaqësi e një Kombi mik, né do t’ ia njoftojmë çeshtjën Poglavnik-ut. Të lus ti referojsh gjithshka iu thashë. Ti detyrën tande e kreve!”
Vuna shokët në dijeni, e vëndosëm të mos dalim nga hoteli, dhe me u ndejë gati armëve që i kishim akoma me vete. Unë dola me gjetë mënyrën sesi me vue në dijeni Poglavnik, me një profesor t’ Universitetit të Zagrebit e shqiptarofil, që e kisha njohë ato ditë.
Të nesërmën në mengjes erdhi dr. Nuri Dino bashkë me një zotni tjetër kroat me automobil luksit, e më thotë: “Zotni kolonel Ljuburiç, dëshron ti bani një vizitë e më ka dërgue me të marrë”. Më tha se, ky kolonel ishte njeriu ma i besueshëm i Paveliç-it, dhe qellimi i vizitës ishte krejt miqësore për t’ u njohtë me ju.
Ljuburiç më priti me shumë njerzi e më shfaqi menjëherë keqardhjën e tij për incidentin e ditës së djeshme me policinë. M’ ofroj hospitalitetin e qeverisë kroate, si mue, si dhe kolegëve të Komitetit Shqiptar, dhe për të gjithë Shqiptarët që duen të ndalohën në Kroaci, përsa kohë të dëshrojnë. M’ ofroi audiencë te Poglavnik, së bashkut me Kapidanin e Mirditës brënda 3-4 ditësh. E falenderova për vete e n’emën të kolegëve, tue i njoftue se kishim ngutë për tashti, e nevojë të domosdoshme për t’ arrijtë në Vjenë, meqë atje gjendeshin shumica e krenëve të Shqipnisë, e se ishte nevoja të takohemi për të mujtë me formue një Komitet Kombtar të ri, meqë misioni ynë mbaronte mbas këtij udhëtimi. Në rrjedhim të këmbënguljes miqësore të tij, i premtova që porsa të kryejmë punë në Vjenë, unë do të ktheheshe prap në Zagreb për t’ u takue, nëse kanë me më lejue rrethanat.
Na bani disa dhurata të çmueshme, mue e Nuri Dinos, e na përcolli me përzëmërsi. (Z. Ljuburiç gjendet tani në Spanjë).
Si ishte zhvillue ky proces? Edhe ketë përveç hamendjes sonë të pagabueme, e mësova me disa hollsina në 1949 në Romë, e rasësisht nga Jakë Luka. Ky gjendej në Zagreb prej shumë kohe si nëpunës i konsullatës Shqiptare, e rasa i kishte sjellë të fitojë simpatinë e besimin e Ljubiriç-it, si edhe të shumë qarqeve të tjera të nalta të Zagrebit.
Komisari që na pat kumtue urdhnin e përzanjes (extradimit) kishte kenë një nga njerzit e Ljuburiç-it. Kur kishte këthye tek komandanti, i kishte referue përgjegjën e fjalët e mija. Toga e pushkatimit kishte kenë përgatitë për t’ardhë me na arrestue në hotel. Ljuburiç kishte thirrë me të shpejtë Jakë Lukën, të cilit i kishte tregue listën dhe qellimin. Jaku i kishte thanë: “Kapidanin e Mirditës që asht në krye të listës e njoh dhe e kam kumbar’ të shtëpisë, unë vé kryet peng për té, nëse asht e vërtetë akuza që i kenka ba. Të tjerët nuk i njoh, por meqë janë futë në të njajtin kallep e për të njajtën akuzë me këtë, nuk ka dyshim që kjo asht intrigë e ndonjë anmikut të tyne që don të përfitojë me i zhdukë tue iu gënjye ju. E di edhe se Kol Bib Mirakaj, ka kenë Ministër-Sekretar i Partisë Fashiste Shqiptare, e mandej, Ministër i P. Mbrëndshme, një ndër ma të vëndosunit kundër komunistëve, dhe irredentist i apasjonuem.”
Kjo kjé Dorë e Zotit, që ndërhyni e na shpetoi!
Zbulimi i Jak Lukës ngjau pa qellim nga unë si dhe nga ai; as që më binte ma ndërmend ajo punë.
Ndejun së bashku në një kafe në via Alessandria nr. 30, në Romë, në bisedë e sipër, më thotë Jaku: “Allahile, a keni pas ba marrëveshtje me Mihajloviq-in, Gjon Markagjoni e ti, për ti ndihmue me mësye Kroacinë?” – Mo’ Zot! Kurrë – i thashë -. E pyeta, sesi e kishte ndigjue këte llafe. Nuk deshti të shtyhej, mandej, tue u shti se nuk e dinte si i kishte ra në vesh. Atëherë, për të mundë me i zhbërthye fshehtësinë, i thashë: “Çudi, si të ka ra në vesh, se né vërtetë kemi pas ba një marrëveshje, jo drejtpërdrejtë me Mihajloviq-in, po me Djurishiq-in, por krejtë në tjetër kuptim. I tregova marrëveshjen për të cilën kam folë maparë dhe ju lexues e kujtoni! Atëherë, i shpjegova se marrëveshja kishte vlera për shpetimin e Kosovës. Ky skjarim e bani Jakun të më hapet. Më tregoi se nga kjo marrëveshje, paska kenë trillue shpifja që u tha e që ai (Jaku) ma bani të njohun në detaje, si mënyrën sesi ishte trillue shpifja, si edhe vendimin e Ljuburiq-it për të na vra të gjithëve. Më tregoi edhe emnin e përsonit që kishte ba akuzën. Ky përson, porsa u zbulue e vërteta nga Ljuburiq-i, kje përzanë prej Zagrebit, tue iu mohue përgjithnjë hospitaliteti i jashtzakonshëm që gëzonte n’atë kryeqytet. Më tregoi edhe se një i madh … i kishte thanë njëherë në Reggio Emilia se: “Je djalë i mirë, por ke ba një krim të madh, që shpëtove disa tradhëtarë në Zagreb!”.
Nuk po i përmendi emnat e këtyne dy njerzëve mbasi nuk kam ndërmend me hapë gjyq kundër tyne, dhe per vete, unë ua kam falë. Ndiej vetëm mëshirë e përbuzje njëherit për mjerimin shpirtnor të tyne!
Ai ka vdekë në New York.
KOMITETI KOMBTAR NË VJENË
Grupi i Kapidanit arrijti në Vjenë me 10 Shkurt 1945. Pa e shtye gjatë, filluen përpjekjet private për të mundë me formue një komitet kombtar, që të kujdesej kryesisht për fatin e t’ ikunve. Askush nuk donte të merrte nisiativën për të ftue mbledhjen e nevojshme. Së fundi, i autorizuem verbalisht nga Ministri Neubacher, i bana ftesat dhe u ba mbledhja në salonin e madh të hotelit “Belvue”, nën kryesinë e shkëlqesës Shefqet Vërlaci. Unë mbajta fjalen e rastit tue paraqitë edhe skemën-propozim të programit eventual. Iu kërkue fjala shkëlqesës Mustafa Kruja. Kruja me pak fjalë pohoi nevojën e një komiteti që kryesisht të merrej me fatin e refugjatëve dhe përfundoi tue thanë se, fjalimit tim dhe programit që kishe parashtrue për studim, nuk gjente as edhe një presje me i shtue apo me i hjekë. Propozoi që nëse mbledhja ishte dakord mesa kishe thanë unë, të ngarkohej një komisjon prej pak vetësh për të zgjedhë komitetin.
U zgjodh komiteti prej tetë vetësh. Nën kryesinë e Shefqet Verlacit dhe me antarë: Mustafa Kruja, Gjon Markagjoni, Xhafer Deva, Kolë Mirakaj e tre të tjerë.
Të nesërmën në hotelin ku banonte Xhafer Deva, komisjoni vendosi të formohej komiteti prej pesë vetësh, e meqë besohej se Xhafer Deva mund t’ishte përsoni ma i përshtatshëm i kohës e rrethanave, u lut të marrë kryesinë tue i lanë edhe lirinë të zgjedhë vetë bashkpuntorët.
Detyrë e parë e Komitetit u caktue kujdesi i rregullimit të refugjatëve me banim e ushqim dhe dokumenta udhtimi, për të lanë Gjermaninë samaparë t’ ishte e mundun. Synimi i shumicës ishte Italia.
Fronti i Hungarisë u zbërthye papritmas nga ushtritë ruse, që po i afroheshin Vjenës, (u tha, se dy divizjone hungareze që luftonin përkrah gjermanëve, u bashkuen me ushtritë ruse, tue ua hapë shtegun për Vjenë). Kjo gjendje e papritun aq shpejtë, shtërngoi komitetin të lejë Vjenën me ngut, me 3 ose 4 prill. Asgja nuk ishte ba endè për të furnizue refugjatët me dokumente, përposë dy përsonaliteteve të nalta. Komiteti më kishte rrezervue edhe mue një vend n’automjetin e vet, ku më ftoi (Xhaferi) të largohëm me ta, meqë ishe në gjendje fort të keqe me kambën e plagosun prej kohe, e ishte shumë vështirë me gjetë mjete udhtimi n’atë turbullinë. Edhe vizën për udhtim e kishe. N’atë kohë kur Papalilo më pruni lajmin e Xhafer Devës, me u nisë menjëherë, m’ ishte mbushë shtëpija me bashkatdhetarë që ishin alarmue tue pasë ndigjue se komiteti po nisej, e ata mbeteshin në fatin e tyne pa dokumenta, e askush që të kujdesej ma për ata. Ishin ma se njëqindetetdhjetë Shqiptarë që kishin mbetë në këte gjendje. Vendosa ta ndajë fatin me ta. Disa ndër ju, o lexues të dashtun, që në virtyt të vendimit tim shpëtuet pa ra në dorë t’ hordhive bolshevike, e dini këte gja në hollsina, e prandej, nuk asht nevoja të zgjatëm.
Fakti asht se tue vue veten në rrezik shpëtova të gjithë Shqiptarët që kishin mbetë në Vjenë, po, edhe vetën me ta!
NGATRRESA N’ INSBRUCK
Mbasi u rregullova lejet ndër grupe prej dhjetë vetësh, dhe n’ato leje ishte edhe urdhën i haptë i Governatorit të Vjenës, për t’ u dhanë asistencë ushqimi e me i marrë ndër trena e automjete ushtarake e civile të gjithë këta vëllazën, i nisa për Insbruck, me 5 mars 1945. Vetë me Isuf Luzaj e të vllanë, u nisëm n’atë mbramje mbasi i pata përcjellë të gjithë. Lejet kishin vleftë për të arrijtë vetëm deri në Insbruck, se për të kalue kufinin ishte kompetente vetëm komanda ushtarake e Insbruck-ut.
Si mujtëm me i ba lejet n’ aq pak kohë krejt anormale?
Kur Pandeli Papalilo dhe dy vetë të dërguem prej Xhafer Devës, erdhën për të më marrë mue, më lajmëruen vendimin e Komitetit që po largohej nga Vjena me aq ngutësi (mbrënda një ore), i porosita të shkojnë e ti thonë zotit Deva, se detyra e Komitetit ishte të mos largohej derisa të përcillte të gjithë Shqiptarët për Insbruck. “I thoni edhe se unë, nuk iki kalli i vetëm me Komitetin për të shpëtue lëkurën time. Kolë Biba nuk i ka lanë kurrë shokët mbrapa dhe nuk i lën as këte herë, megjithse, asht sakat me një kambë por shpëton, ose mbaron së bashkut me ta!”
Bombardimet e ditës së maparshme, kishin shkatrrue vijat e tramvajeve. Kamba e plagosun m’ ishte ajë për ibret. Dërgova menjëherë prefektin Mahmud Çela tek Ministri Neubacher, me një kartvizitë timën për ti shpjegue gjendjen e me kërkue ndihmën. Z. Çela e kishte gjetë tue dalë prej zyres për të lanë Vjenën, simbas urdhnit që kishte.
Megjithatë ngutësi, Neubacher-i, kishte marrë Mahmud Çelën n’ automobil të vet e kishte shkue menjëherë tek Governatori i Vjenës, tue e porositë të bante çka t’ ishte e mundun me na nisë. Edhe Governatori kishte urdhën me e lanë Vjenën të nesërmën mbasdreke. Ishte tregue i gatshëm me çka t’ ishte e mundun. Kur Mahmud Çela u kthye tek banesa ime dhe më referoi, ishin shumë Shqiptarë pranë (ndër ta disa të terrorizuem) tue pritë lajmet që do të na binte Çela.
Bana me ta llogarinë se do të ishin rreth dyqindë vetë që kishin mbetë në Vjenë pa dokumenta. Ishte e kjartë se të nesërmën për aq pak kohë e me punën e jashtzakonshme që kishin zyrët e governatorit, nuk mund të baheshin dokumentët e udhtimit për të gjithë ata njerzë. Porosita të pranishmit të shpërndahën e menjëherë të lajmojnë të gjithë Shqiptarët të gjindën të nesërmën në ora shtatë të mëngjesit para pallatit të governatoriatit. Kishin akoma frikë se po i lë. U dhashë besën se nuk nisëm pa ta, atëherë, u qetsuen. U vuna në makinë të shkrimit. Rradhova 25 leje – kalimi (PASIERSCHEIN) grupesh, tue lanë çelë vendin për emnin e kryetarit të grupit; grupet ishin njëmbëdhjetë vetësh.
Të nesërmën, n’ orën e caktueme ishin të gjithë para pallatit të governatorit. I ndava në grupe, ua shkrova emnat e kryetarëve të grupeve simbas dëshirës së tyne. N’ ora 9 u paraqita tek Governatori, që më priti porsa mori kartvizitën time. Më deklaroi se dëshronte me ba çka t’ishte e mundun për né, por koha nuk lejonte me ba dokumenta udhtimi për dyqindë vetë. I tregova se e kishe parapa ketë e se si rrjedhim, i kishe përgatitë lejet po kje se i pranon ashtu me grupe. Shikoi një, dhe tha: “Ganz Gut!” Thirri në telefon shefin e gabinetit e i tha: “Vjen tani tek ti ministri Shqiptar, shkëlqesa Mirakaj. Ka përgatitë lejekalimet për Shqiptarët që kanë mbetë në Vjenë, për t’ arrijtë n’ Insbruck. Të protokolohën pa asnjë korrigjim, të vulosën e m’ i sillni për nënshkrim!”
Në ma pak se njëgjysë ore u krye krejt puna. Të gjithë mërrijtën shëndosh’ e mirë n’ Insbruck, shumë prej tyne pa pague asgja për udhtim ndër ferrovi e automjete…
Gjermania n’ agoni, edhe njëherë i ndihmonte Shqiptarët!
D Y S H I M E
Që në fletët e para të këtij dokumentacioni, kam përmendë mjaft me hollësi përpjekjet që kemi ba për bashkimin e kordinimin e të gjitha forcave nacionaliste në mërgim, në rreshtimin kombtar antibolshevik, dhe sesi këto përherë u sabotuen, e kujtoj, nuk asht nevoja të shtyhëm matepër në hollsina. Due vetëm, të gjurmohën mbrapaskenat që pjellin dyshime, e për të mundë me pa dishka mbas perdes në këte kuptim, asht nevoja me vue në shqyrtim dy episode:
1) Si përgjegjësa kolaboracionistë kjenë arrestue Mit’hat Frashëri e Ali Klisura, e jo né! Nuk ngurroj të them se edhe arrestimi i këtyne dy patriotëve kje i padrejtë, po aso kohe kumbarija e madhe që vazhdonte në mes demokracive të Mëdha e bolshevizmit, kërkonte që edhe Enver Hoxhës t’ i bahej pak qejfi.
2) Unë kam kenë për disa kohë Ministër-sekretar shteti i Partisë Fashiste Shqiptare. Nën këte pretekst e akuzë, kjesh arrestue me 18 maj 1945 nga Kuestura e Brescia-s. Dihet frenetizma e asajë kohe kundra fashistëve e të supozuemëve të tillë. Ata që i shpetuen masakrimit pa procese, u ndrynë ndër burgje, përkundrazi, unë u lirova mbrenda ditës, e jo, për mirkuptim o mëshirë t’autoriteteve të Kuesturës së Brescia-s, po krejt përkundrazi. Oficeri ndërlidhës i Komandës Ushtarake Amerikane i ngarkuem pranë Kuesturës, në kontrollin që bani më gjet edhe mue ndër të tjerë t’ arrestuem. Më kërkoi edhe mue si të tjerëve nëse kishe dokumenta identiteti. I tregova pasaportën që kishe si titullar i Ministrisë së Punve të Mbrëndshme të Shqipnisë, me vizat e rregullta. Më pyeti arsyen e arrestimit dhe nëse ishte e vërtetë që kam kenë Ministër-sekretar i P.F.Sh. dhe arsyet pse, e kishëm pranue atë barrë përgjegjësie.
Pohova, tue tregue shkaqet e bindjen se vetëm ashtu, mund tu shërbejshe interesave t’Atdheut tim ndër rrethanat e kohës.
Oficeri në fjalë u kthye mbas dy orësh e iu drejtue komisarit, që po më merrte në pyetje me shkrim (procesverbal): “Ky zotni të lihet i lirë menjëherë, meqë nuk asht nënshtetas italian, as nuk ka zhvillue ndonjë aktivitet n’ Itali, dhe as nuk asht i denoncuem për të tillë gja. Kuestura nuk duhet të merret ma me çeshtjën e tij!” Mue më tha: “Ju, që prej tani jeni nën mbrojtjën e ushtrisë amerikane si refugjat politik, e për çdo nevojë eventuale, drejtohuni në këte adresë!” Ishte kartvizita e tij.
Nga këto dy episode që kanë domethanjën e kjartë, si edhe shumë të tjera, duhet besue se nuk patën Aleatët gisht në ndërsyemjën e përçamjes sonë e të ndamjes në kolaboracionistë e antikolaboracionistë, fashistë e antifashistë, siç pretendojshin kundërshtarët tanë. Duhet me shpresue edhe se, burra të shquem si i ndjeri Mit’hat Frashëri e Hasan Dosti – që këtij të fundit, nuk mund ti mohohet edhe cilësia e njeriut moderat -, nuk kjenë verbue vetëm nga egoizma personale që të mbajnë në veprim të vazhdueshëm si në Shqipni, si jashtë, sabotimin e bashkimit të forcave të kombit, siç veproi vazhdimisht partia e kryesueme prej tyne. Nuk mund ti akuzojmë thjeshtësisht për lakmi e egoizëm, as këta, as edhe shumë të tjerë elementë të rrethit të tyne, djelmë entuzjastë e sigurisht, patriotë të mirë, por të pa eksperiencë e pjekuni politike, e fatkeqsisht fort lehtësisht të manovrueshëm nga mbrapaskenat e errta.
Tue u nisë nga ky gjykim, logjikisht jepet me besue se manovrimi i errtë e shkatrrimtar asht drejtue nga kush ka interesë të madhe për të pushtue fortesën e anmikut përmbrënda. Asht drejtue e drejtohet nga agjentë të ngarkuem me atë qellim nga Kominformi. Këta agjentë tue u shitë “nacionalistë”, tue njohtë sensibilitetin e djelmoçave të papjekun e njëherit edhe lakmues pushteti, kanë dijtë ti manovrojnë në dëshirën e planin e tyne, po bash ata që kryetarët e tyne jo vetëm, i influencojnë, po i kanë gati si rob të vullnetit të tyne tepër egoist.
E për të vue në dukje edhe ma kjartë, madje për të zhdavaritë çdo dyshim mbi manovrimin e agjentëve që thashë, mjafton të këthehemi tek akordet e arrijtuna rradhë mbas rradhet në mes tonë e të tjerëve, të cilat i kam rreshtue përpikmënisht në këte dokumentar; akorde t’ arrijtuna me protokole, si ai i Beslidhjes së Shkodrës dhe Aleksandrisë, e të tjera verbale si ato të kapidanit të Mirditës me Mit’hat Frashërin e tjerë, të Dr. Ernest Koliqit me Mit’hatin në shtëpi të Rrok Stanit, të bisedimeve të mija në Tiranë me Mit’hat e Mehdi beun. Po kështu, bisedimi e akordi në mes Mit’hat Frashërit e Ismajl Verlacit (me inicjativën e këtij të fundit), pa hy me përmendë ato të arrijtuna verbalisht e fshehtas me qeveritë e kohës së Unionit.
Pse këto akorde, t’ arrijtuna me bindjen e plotë të interesit kombëtar, përherë mbas pak kohe u lanë në njëanë, sikur të mos ishte bisedue aspak per ato? Përgjegja duhet të jetë krejt e thjeshtë, logjikisht e praktikisht: Sëpse, përgjegjësat që njëherë i pranojshin me vullnet të lirë e me bindje se kryejshin një vepër patriotike e të dobishme kombtare, në momentin që e gjejshin të dobishëm e të nevojshëm bashkimin, të domosdoshëm për shpëtimin e Kombit, vepronin me mendët e ndërgjegjen e tyne të lirë, por mbasi ma vonë hynin në “danat e manovrës së anmikut”, bijshin rob të vullnetit të tjetërkujtë.
Sabotuesit e bashkimit në një llogore antikomuniste e të gjithë të mërguemëve, dihet se janë grumbullue tek e quejtuna “Partia Agrare e Ballit Kombtar”. I njohim né, dhe i njohin ata, që janë gënjye e i ndjekin.
Për hetim logjik të lexuesit do të përmendi vetëm një emën të njohun: Dr. Ali Koprencka.
Si i dha leje qeveria e Enver Hoxhës këtij njeriu të vinte n’ Itali e të bashkohej me refugjatët ekstremistë, n’ atë kohë që mundsisht as shpendët e malit nuk i lejonte të kalonin kufinjtë e Shqipnisë? A nuk asht Ali Koprencka, ai që menjëherë i ndikuem nga vllai i kunatit Qazim Prodani, filloi helmin e ndasisë e t’ anmiqësisë në mes mërgatës antikomuniste?
A nuk janë këta të dy “supërpatriotë” që me anë të fletores “Besa”, po vjellin helm dasije e anmiqësije vazhdimisht në mes të të mërguemëve nga Stambolli i sulltanëve?
Komentet