KOMUNIZMI NË SHQIPNI,
DHE NË PANORAMEN E PËRGJITHËSHME
Me marrjen e pushtetit tansisht në dorë nga komunistët, në fund të Nandorit 1944, per Atdheun tonë shumë të dashtun dhe të pa fat, filloi martirizimi ma tragjik që njeh historia e Popullit tonë.
Nuk dihet të ketë kenë kurrë aq i pangishem me gjak e mizori as edhe ndonjë pushtet i huej që dominoi vendin tonë, sa ishin e vazhdojnë të jenë ata bijë të vërtetë bastardhë të mallkuem, që të ndihmuem nga të huejtë moralisht e materjalisht dhe nga pandërgjegjëshmënia e një pjese të papërgjegjëshme të nacionalizmit Shqiptarë, që moren fatet e Atdheut në dorë mbas Luftës së Dytë Botnore.
Thohet e duket të jetë e vërtetë, se tridhjetëmijë burra e djelmoça ndër ma të zgjedhunit janë vra ose kanë vdekë ndër tortura e ndër burgje. Ma shumë se aq janë të pranguem ndër burgje dhe në kampe përqendrimi e pune të detyrueshme, tue u shkrimë përsëgjalli si qiri nën flakë, të cilët, t’ japin pamjen e njerzëve që mund të quhen “të vdekun përsëgjalli”.
Por nuk mbyllet me kaq pesha e tragjedisë.
Dy gjenerata janë zhdukë nga palca e kombit, elementët ma të shëndoshtë e të përparuem, e si thashë, nuk qëndron krejt dami e rreziku në këte fakt të dhimshëm. Kombi nuk shuhet, e kur cungut ti mbeten rranjtë e shëndoshta, dalin prap filiza të rijë edhe ma të fuqishem prej tij. Lindin breza të rijë që njëditë ngrisin kokën, ribelohen kundra së keqes dhe e dermojnë. Këte e di mirë bolshevizmi!
Bolshevizmi e di mirë, se nuk mund të ketë jetë, po nuk e zhduku personalitetin e njeriut si kenje e lirë.
Masakrimet nuk mjaftojnë per ketë qellim sado të shumta të jenë. Vrasjet e burgosjet në grupe, janë vetëm piknisja e programit shnjerzor, si bazë, prej nga me anë të frikës, e tue pasë zhdukë palcen e qedresës (me zhdukjen e elementëve ma të zgjedhun), me vue bazen per zhvillimin e dy faktorëve tjerë vendimtarë per arritje qellimi djallëzor.
Dy faktorët kryesorë me të cilët bolshevizmi synon të zhdukë personalitetin e njeriut, janë që ta bajnë njeriun makinë të pavullnet, të manovrueshëm si të dishrojnë kasta e vogël që mban pushtetin nder kthetra, ata faktor janë: a) faktori ekonomik, dhe b) faktori moral.
Kur njeriut ti mungojnë këto dy baza, qendra t’ autonomisë shpirtnore e materiale, atëherë, ai bahet skllav i nevojës dhe si njeri atij i mbetët vetëm pjesa fizike, figura.
BOLSHEVIZMI E PARIMET SHOQNORE
Doktrina komuniste veçmas, e marksistja në përgjithësi, njeh vetem Shtetin zot kapitali e pronet, pra, per rrjedhim: Punëdhanës, kështu, përveç që i mohon njeriut lirinë politike deri até artistike, i kufizon edhe lirinë e zgjedhjes së punës, tue e detyrue me punue n’atë punë dhe vend që parashohin planet e shtetit, e që shteti asht ajo klikë e ngushtë ka në dorë frêjtë e partisë. Në konceptin marksit-leninist, shteti asht kapitalist, zot i plotfuqishëm, që disponon pa asnjë konkurrencë mjetet e prodhimit, prodhimin dhe puntorin, të krahut dhe të mendjes.
Kështu, puntori nuk ka mundësi të mbeshtetët në konkurrencë, dhe tue kenë pa të drejtë greve, bahet mjet, sherbëtor, skllav, në mëshiren e punëdhanësit ma shkatrrimtar e tiran që mund të mendohet, e që ky asht burokracija e shtetit bolshevik, qi hanë shumë e prodhon pak.
E këto punë të këtij lloji shkojnë mbrapshtë, jo vetëm, për individin por për krejt kolektivin, meqë shteti kapitalist absolut ashtusi e mendon bolshevizmi, të shumten e herës asht pushtet anonim; i personifikuem nga njerëz që nuk kanë tjetër zotësi e përgatitje, veçse me mbjellë mjerim e terror nder të gjithë të sunduemit e të shtypunit e vet.
Kolkozet, fermat e fabrikat e çfardotjetër kompleks prodhimi që demagogjia komuniste me propagandë të paturpëshme, kerkon ti japin iluzionin masave të puntorëve, se gjoja janë pronë e tyne, per dobinë e përbashkët të puntorit e të punëdhanësit (shtetit), pra të shoqnuem (socializëm); asht gënjeshtër e pathëmel pa as farë skuqje. Gënjeshtër e paturp, meqë puntori asht i detyruem me punue pertej çdo kufini të ligjëve fizike, me pagesë urije, pa të drejtë me kontrollue punëdhanësin, dhe as me protestue per të mujtë me përmirësue gjendjen ekonomike të tij.
E, as që bahet fjalë per të sigurue diçka per të ardhmën apo si trashigim per fmijët e tij, jo vetem per pasuni të paluejtëshme, po as per të holla. Prova e kësaj gjendje asht shvleftësimi i monedhës nder shtetet komuniste ose shndrrimi i saj (në damin e turmave puntore), sa herë që fillojnë të grumbullohen kursime me njëfarë vlere nder banka.
Kështu, gjithë kursimi i mundit të disa vitëve zhduket në një çast me “dekretin e shvleftësimit ase ndrrimit të monedhës”.
***
Asht provue se, me anë të kolektivizimit dhe të tjera reformave ekonomike t’ashtuquejtuna “ndertim i socializmit”, shteti komunist nuk ka asgja tjetër per qellim, veçse, të çveshin njeriun nga mundësia e pavarësisë ekonomike, ta bajnë skllav të nevojës, në mënyrë që edhe nevoja vegjetale e individid, të varet nga vullneti sundimtarëve, nga jerarku i partisë. E sa ma i lidhun të jetë një popull për tradicjonin e jetës së pavarun e pasuninë private, aq ma rrajsisht, komunizmi e çveshë nga ato deri n’asgjesimin e krejtë pronës, derisa vërtetë t’ arrijë e ta bajnë skllav të vullnetit të vet.
Ketë veprim shnjerzor po ban regjimi i Enver Hoxhes me shokë, vazhdimisht kundra Popullit Shqiptar.
I hoq pasuninë vehtjake të madhe e të vogël, dhe mundësinë e zgjedhjes së punës, tue ua mohue edhe të drejten e punës së çfardolloji atyne që partia komuniste i cilëson reaksionarë. Mbas masakrimesh e mbushjes së burgjeve me njerëz që përbajshin shtyllen dhe shpresen e qendresës, filloi zbatimin e programit djallzor, program që deri tani po gjenë mjaft qendresë (rezistencë) në Popull, e kjo, matepër nga fakti që Populli Shqiptar në shumicen e tij asht bujk, katundarë e malësor, i lidhun për zakonet e vjetra dhe token që i kanë lanë të parët.
Ky element qi përban pjesen e shëndoshtë e ma të qindrueshme të Kombit, po përpiqet me të tana mundësitë ta ruejnë akoma përsonalitetin e tij. Përsonalitet i brumosun me ndikimin e virtyteve të bukura e fisnike të Fisit; besë, burrni, mikpritje, kryenaltësi fisnike e trimni; por, nuk ka me muejtë me qindrue përgjithmonë.
Tiranët e kuq kanë vendosë t’ ia arrijnë qellimit me çdo kusht; ta shterngojnë bujkun të hjekin dorë nga toka e tij si pasuni private, per ta kthye në kolektivizim të kontrollueshëm lehtësisht nga shteti. Ketë masë po e zbatojnë jo, tue shterngue bujkun ti shtrohet me forcë direkte, po terthorazi; tue e randue me taksa e rekuizim të prodhimëve, aqsa mos me i lanë mundësi jetese të pavarun n’ asnjë mënyrë. Bujku shterngohet ti dorzojë shtetit frytin e djersës së vet tansisht, per me pasë trisken e ushqimit si puntor i inkuadruem, pra, krejtësisht i varun per kafshaten e bukës nga vullneti i shtetit, që asht ekzekutivi i partisë komuniste.
Në fakt, ai nuk ka me mujtë me qendrue per shumë kohë pa iu nenshtrue kolektivizimit. Nga faktori ekonomik mvaret në pjesë të ndieshme edhe faktori moral, i cili edhe ky asht armë kundër komunizmit. E per të mujtë me shrranjosë edhe ketë virtyt të paçmueshëm, nuk mbetë mjet pa u përdorë per ta shkëputë Popullin nga traditat e veta.
Në rasen e Kombit tonë, në rend të parë dishrojnë t’a shkëpusin Popullin nga feja, mikpritja e besa. Mikpritja, asht mjeti i nderlidhjes në mes njerëzish e krahinash; besa asht virtyti ma i fortë mbi të cilin mbështeten nderi dhe bashkpunimi i njeriut.
E, meqë nuk mjafton vetem elementi ekonomik per të mundë me zhdukë besen, regjimi bolshevik ven në veprim agjenturen e detyrueshme me ligjë dhe terrorin e policisë së fshehtë (sigurimin e shtetit).
Si perfundim, në këte sistem, ka ngja jo rrallë të spijunojë miku mikun, vllau vllanë e deri fëmija prinden!
Tradhëtija, pabesia e imoraliteti, ekzaltohen si virtyte kur të jenë në dobi të rregjimit dhe jepen landë mësimi nder shkolla per brezin e rij.
Komunizmi ndjen të rrezikshme per kenjen e tij edhe ndjenjen familjare në kuptimin patriarkal Shqiptar, si bazë morale, prandej, edhe familjes përpiqet ti venë kazmen me “divorcin e papërligjshëm” e me dashuninë e lirë, që po pjell një ushtri doçash, jeniçertë e ardhshëm të bolshevizmit.
***
Si në çdo periudhë robnije, edhe në këte të tiranisë bolshevike, patriotët Shqiptarë janë rrekë t’ organizohen kospirativisht per ti shpetue nga thonjtë gjaksorë, por fatkeqësisht, të gjitha tentativat e derisotme kanë deshtue tue i pague me jetë ata që patën guximin ti ndermarrin. Faktori kryesor i këtyne deshtimëve ka kenë agjentura e detyrueshme.
Si shpjegohet kjo? Sigurisht, që Populli Shqiptar nuk ka arrijtë endè n’atë shkallë bastardhimi sa me i ndijë pabesinë e tradhëtinë si virtyt; por janë frika e nevoja e bukës, faktor që i shtyjnë njerëzit drejtë këtij shemtimi. Kush ndigjon “diçka” kundra pushtetit… dhe nuk ia njofton menjëherë autoritetit të sigurimit të shtetit, quhet “armik i popullit” dhe si i tillë, dënohet. Kështu, thotë, po edhe vepron ligji komunist.
Agjenta provokues u afrohen njerzëve të ndershëm, patriotëve e të rijve që policia i ka në sy si të dyshimtë, apo si antikomunistë.
U bisedojnë kundër rregjimit, kundër komunizmit; dhe në rast se i provokuemi nuk shkon menjëherë me ba denoncimin e bisedës, ai arrestohet e vehet nën tortura.
Nëse e ban denoncimin, detyrohet të shkojë tek një mik i tij që i cakton policia, dhe atij do ti thotë po të njajtat gjana qi atij i kishte thanë agjenti provokues, e kështu, vazhdon vargu i rekrutimit spijunazhit të deturueshëm, per të mujtë sigurimi i shtetit me zbulue të gjithë kundërshtarët.
Nga ky sistem djallzor frikësimi, si rrjellojë, ngjasin zbulimet, që nga frika shkojnë varg. Njeriu të cilit mund ti bisedohet në besim, ka frikë se mos bashkëbiseduesi mund të jetë një nga vargu i të terrorizuemëve aqsa, nuk ka as guximin me i tregue çka i ka ndollë, e atëherë, vajhalli per té, nëse nuk shkon me denoncue bashkbiseduesin.
Ky sistem terrori i spijunazhit ushtrohet vazhdimisht në Popull, në rradhët e nëpunësave, oficerëve t’ ushtrisë e edhe të policisë e, të vetë jerarkëve deri nder familjet e tyne, po, si në çdo familje.
Një nder detyrat e mësuesëve asht me pyetë fëmijtë sapo t’arrijnë në klasë, se çka kanë bisedue prindët dhe familjarët apo miqë që u kanë ardhë në shtëpi… Kalamajtë pa dijtë se çka bajnë, shumëherë, bahen shkak që prindët e tyne të shkojnë në burg nen torturat e policisë, e nuk kanë mungue edhe rasa që kanë shkue në pushkatim.
As nder kohnat ma të errta të njerzimit, historia nuk ka rregjistrue sistem kaq djallëzor.
***
Kur bisedojmë me njerëz të Botës së Lirë dhe u themi se 90% të Popullit Shqiptar, janë kundër komunizmit, dhe se shumica e asaj rinije që e pat besue verbsisht Moskën si ide “drejtësije” shoqnore, sot e ka kuptue kurthen në të cilen ka ra naivisht dhe se, tash asht kundërshtare deri ne thalb të shpirtit, ata çuditen!
Nuk ua pret mendja sesi mund të qendrojë në fuqi një i urrejtun kësisoj. Në të vertetë, çuditemi edhe né me këta njerëz, e asht per tu vajtue injoranca e tyne, në njohjen e bolshevizmit.
A nuk kanë kenë të mjaftushme masakrimet e parreshtuna e vuejtjet e njerzëve nëpër shkretinat e Siberisë tash dhjetra vjetësh në Rusinë Sovjetike: Urija e shkaktueme me art në Ukrainë, per të shue rrezistencen e bujqëve, e që kositi mashumëse dhjetë miljon viktima?
A nuk ka kenë i mjaftushem eksperimenti i Bela Kun-it në Hungari, “revolucioni i kuq” në Spanjë, e çka po ngjet tash nëpër sa popuj të ramë nder kthetrat e bolshevizmit, për t’ ua hapë njerzëve perden e trunit e me e kuptue se çka asht bolshevizmi dhe sistemi i tij per tu mbajtë në fuqi?
Vajhalli per këte botë utopije që akoma andrron..!
Vajhalli, se tue mos kuptue dhe tue nençmue rrezikun, po shkon drejtë humnerës, drejtë vetvrasjes.
QENDRIM UGURZI
Qendrimi i intelektualëve, i borgjezisë e sidomos i përgjegjësave politik të Botës së Lirë në atë mënyrë indiferente e gadi apatije (e frike të pavend) ndaj popujve që kanë ra në kthetrat moskovite staliniste, per faj të botës Perëndimore, ashte delikt ndaj njerzimit, po edhe ndaj vetvetes.
Nuk mund të ketë të falun as lehtësina per këto kategori veprash dhe kryesisht, bota Perëndimore, para verdiktit të historisë; pse kanë detyrë me njohë gabimet e tyne, të keqen që i kanë ba popujve të robnuem nga bolshevizmi, dhe rrezikun që u kercënohet popujve të Botës së Lirë, si rrjedhim per me i ba ballë sa kanë endè kohe.
Pergjegjësinë kryesore per të shpetue sot njerëzimin e Botës së Lirë nga helmatisja e propagandës komuniste e kanë intelektualët e borgjezia kapitaliste.
Asht e kuptueshme lehtësia me të cilen mund të bien në kurthë të demagogjisë komuniste turmat e jo të pasunëve, e sidomos, të puntorëve të krahut, kur gjithshka u premtohet për përmirsimin e nivelit të jetesës, e që natyrisht mandej u jepet mizerja, sa mëmzi arrijnë me ngopë fëmijët me bukë thatë; një aspiratë e natyrshme dhe e perligjëshme.
Ata nuk janë në gjendje ta kuptojnë gënjeshtren e hollë dhe të djallzueme të komunistëve, që deklarohen paladina të “mbrojtjes së të drejtave” të proletariatit. Nuk arrijnë me kuptue kurrë se atëditë që komunistët të venë kamben në dyst, të kenë marrë në dorë dhe të kenë forcue pushtetin, atëditë, fillon skllavnimi e mjerimi me ma të zezat pasoja që mund të mendohen edhe per vetë klasen punëtore-proletare.
Asht detyrë e intelektualëve, dhe njerzëve me përvojë politike me ua shndritë mendjen turmave, tue ua paraqitë lakuriq ta shohin se çka asht përbindshi bolshevik. E nuk mjafton as kaq. Asht detyrë e njerzëve të ligjit dhe të ekzekutivit me shkue ata vetë drejt turmave nevojtare me ligj të reja shoqnore, deri ku lejojnë mundësitë ekonomike e dobija e përgjithshme e vendit. Nuk u duhet lanë kurrë nisjativa demagogjisë komuniste.
Kjo nuk do të thotë me kopjue sistemet komuniste në dam të nisjativës private, që asht ma i forti shkak përparimi e mirëkenje, por me përpunue interesat e të tre elementëve të prodhimit; punë, kapital, e teknikë (mendje); në mënyrë që të tre këta faktor, të gëzojnë pjesërisht frytin që u përket, pa i lanë shteg abuzimit e shfrytëzimit të njenit kundër tjetrit.
Borgjezia kapitaliste – punëdhanëse, duhet ta kuptojë se nuk mundet ma të kufizohet tue llogaritë vetëm interesat e saja egoiste; duhet ta kuptojë se përveç interesave të sajë, duhet me grumbullue përherë e ma tepër kapital. Evolucioni i kerkon dhe i detyron edhe misionin shoqnor të përpjestimit, per me naltësue nivelin e jetesës së atyne që kontribuojnë dhe janë faktori i prodhimit, pra i shtimit të pasunisë së saj. Këta janë puntorë të krahut dhe të mendjes dhe duhet ta kuptojnë se po, të mos ishin këta dy elementë, kapitali do të mbetej mumje e vdekun. Gjithashtu, edhe puntori duhet ta kuptojë se po të mos ishte kapitali dhe nisjativa guximtare e atij që i zotnon ata, ai do mbetej me duer kryq; prandej, sot del nevoja me rregullue me ligj bashkëpunimin dhe perfitimin e këtyne tre elementëve, që nuk mund të japin asnjë dobi njeni pa tjetrin. Fatkeqësisht, shumë të paktë janë kapitalistët që e kuptojnë këte misjon të tyne; shumë të paktë janë ata që kuptojnë evolucionin e kohës, e shumica mendon se mund të qendrojë e mbyllun në fortesen e kalbët të egoizmit, vetem të interesit të vet.
Tue mendue kështu, ka shumë prej atyne që nuk kursehën tue i dhanë ndihma të konsiderueshme anmikut ma të madh të tyne, partive komuniste, tue mendue se në këte mënyrë fitojnë dashamirsinë e tyne dhe sigurojnë të ardhmen e vet. Kësaj i thonë: “Pylli i jep bishtin spatës”!
Kjo mënyrë veprimi dhe ky qendrim asht ogurzi, piksëpari per vetë atë borgjezi që mendon kështu.
Njëlloj mund të mendohet dhe thohet edhe per intelektualët indiferenta e kompromisaxhijë…
Kompromisaxhijtë kujtojnë se i kanë ba mirë llogaritë e tyne, por kanë me e pague me kokë ligështinë e vet.
Ata mendojnë kështu: “Në rregjimet demokratike na sigurojnë ligjët me mbajtë qendrim politik si të na vijë ma përshtat, pa vue në rrezik as poziten e as karrjerën, por po fituen komunistët, e po nuk patëm ba lojen e tyne para se ata të kenë marrë pushtetin, ata kanë me na likujdue. Me pak servilizem, na po rrimë si sorra në dy hunjë; kështu, kushdo që të fitojë, né, “davanë tonë” e kemi prapseprap të fitume”.
E njejta gja, si prej intelektualëve, si prej atyne që mund të quhen borgjezi, u pat ndollë edhe në Shqipni, shumica e tyne ishin ata të parët që e paguen me kokë dhe pasuni qendrimin ogurzi kundër ndërgjegjës së vet, mbështetë në një llogari utopije shumë të gabueme. Një llogari çilimijshë, pse, nëse komunizmi themi se “ka diçka të mirë” në vetvete, asht ajo që servilët, dyftyrshit, mbasi i shfrytzon i urren dhe i shuen edhe fizikisht.
Tashti, vijmë tek klasa “intelektuale” komuniste, e cila shumë shpejtë, del në shesh dhe tregon se çfarë asht dhe çfarë kerkon.
Kjo klasë asht e përbame nga tri kategori intelektualësh; a) nga servilët per të cilët fola ma siper; b) nga ata, që në mirëbesim, mendojnë se marksizmi dhe komunizmi asht drejtësia shoqnore e perkryeme dhe që e dominojnë partinë. Këta i sherbejnë klasës dominuese per gënjeshtra derisa të kenë marrë pushtetin e që mandej hidhen në rradhët e fundit, ose po reaguen, shuhen edhe fizikisht; c) klasa dominuese e partisë e cila asht pergatitë me marrë pushtetin në doren e tyne. Derisa janë jashta qeverisë ose pjestarë të një kualicioni, premtojnë gjithshka, të mundun e të pamundun, liri e begati pertej çdo caku që lejojnë mundsitë njerzore dhe ligjët e ekonomisë; u premtojnë tue e dijtë mirë se premtimin as nuk munden dhe as nuk duen ta mbajnë, gënjejnë pa pikë turpi, tue e dijtë mirë se po gënjejnë! Ky asht opiumi per turmat, kësi opiumi ata hjedhin pakursim, pa pikë turpi dhe ngurrim. Janë të lirë me gënjye masat, me denigrue kundërshtarët me shpifje e me luejtë lojen e tyne, si t’ iu pelqejë ma mirë. Qeveritë “demokratike” i lejojnë ta lozin këte komedi, që njëherit asht krim, pa u kujtue sësa përgjegjësi marrin ata para popullit dhe para historisë, tue mos pasë guximin me i vue thiken e kirurgut kangrenës.
E komedia vazhdon derisa klika bolshevike të arrijë me marrë pushtetin në dorë. Prej atij çasti fillon tragji-komedia. Maska bie dhe del në shesh klasa e ré dhe e privilegjueme. Kjo asht ajo klikë që shtjen në dorë jerarkinë e naltë të partisë, të ushtrisë dhe të burokracisë.
Ajo mandej, ushtron pushtetin diktatorialo-tiranik edhe kundër turmave që prëtendonin se kjo klasë luftonte në emen të tyne e për të drejtat e tyne. Shembujt janë të kjartë e të dokumentuem nder popujt që sot kanë ra në kthetrat e bolshevizmit. Ndërsa, jerarkëve të partisë, të organeve të agjenturës dhe spijunazhit apo të tjera jerarkive, nuk u mungon asgja, prej automjeteve të luksit ma të madh e deri tek vargu i shoqeve per defrim; ndërsa, turmat puntore, janë të shterngueme me punue si shtazët edhe me orë të zgjatuna po, dhe me një pagesë urije…
Kjo po ngjet kudo nder shtetet bolshevike komuniste, e mjerisht, ma keq se askund në Atdheun tonë fatmjerë.
Indiferentët e kompromisagjijtë për në daçin mos me shkatrrue vetveten e njerzimin, duhet ta shohin kjartë rrezikun e të kenë guximin me u rreshtue në llogoren antikomuniste, njerëz shteti, intelektualë o borgjezi çkado që të jenë, duhet ta kuptojnë se, nuk ka rrugë të mesme as kompromise të qendrueshme me komunizmin.
Pra, o në luften antikomuniste me të gjitha forcat e mjetet në zotnim, o vendimtarisht në rreshtat bolshevike. Pergjegjësat e politikës duhet ta kuptojnë tashma se me komunizem nuk ka mundësi per kompromis të qendrueshëm, pse komunizmi nuk ka moral as besë politike dhe se, kompromiset janë një nder armët e tija per me shkatrrue fortesen antikomuniste nga mbrendë, kur nuk munden nga jashtë. Lè ta kuptojnë se e drejta natyrore e ligjore e vetmbrojtjes i lejon mos me i lanë mundësinë anmikut të demokracisë me vra demokracinë, anmikut të Popullit me e skllavnue Popullin. Pra, o në luftë me të gjitha mjetet ligjore (ligjë që duhet ti pershtaten nevojës së vetmbrojtjes), ose po kjene të ligësht me pranue kompromise, asht ma mirë per ta, të hyjnë në rreshtin e komunizmit me të gjithë fanatizmin, egersinë e barbarizmin që imponon disiplina e doktrinës ose, perndryshej, po e morën komunistët pushtetin, kanë me e pague me koken e tyne të gjithë kompromisaxhijë, politikanë, intelektualë, kapitalistë e të çdo kategorije që të jenë. Në mos besojnë, lè të informohen se çka ka ngja nder vendet e rame nder kthetrat e komunizmit që prej Rusisë, të gjitha shteteve të Europës Lindore e deri në Ballkan, ase prej Kinës e deri në Kubë. Këte, né Shqiptarët e dijmë ndoshta, ma mirë se askush per atë provani të tmershme që ka pësue Vendi ynë, sadoqë, po përpiqet e po lufton me trimni e vetflijim.
***
As nuk dyshohet sot se Populli Shqiptar asht kundër komunizmit 90%, e kështu, janë edhe popujt tjerë përtej “gardhit të hekurt” të komunizmit, të gatshëm porsa të gjejnë rasen me rrezikue edhe jeten per tu çlirue nga robnia. Kjo u provue nga kryengritja fshatare hungareze, ku spontanisht morën pjesë krahperkrah, studenti, profesori, ushtari e puntori, Populli mbarë pa dallim klase ase partije, gja që ka ngja rrallherë në histori. Mungoi vetem mundësia e organizimit me plan veprimi të perpiktë. Këte mundësi nuk ua lejoi spiunazhi i organizuem në mënyren që ua kam përshkrue e që vepron në shtetet komuniste (si asht provue edhe në tentativat e Shqiptarëve).
Per Popullin Shqiptar ka edhe një element psikologjik e ndjenjash shpirtnore që ndikojnë negativisht në opinionin e tij; që nuk e lejojnë me lëvizë me të gjitha forcat, ndoshta, edhe po të ketë mundësinë.
Janë pretëndimet grabitqare-imperialiste që Greqia reklamon në dam të Shqipnisë. Pretëndime të paasnjë bazë drejtësije, realiteti, as historie, meqë demokracitë e mëdha (Amerika dhe Anglia) nuk i kanë dhanë asnjë siguri Popullit Shqiptar, për ta mbështetë rreth kësaj çeshtje, që u vue në rrezik me një marrveshje të mësheftë anglo – greke gjatë luftës e deklarueme terthorazi nga Ministri Eden në Dhomen e Komuneve; kështu, ua lanë mundësinë satrapëve të Tiranës, që të paraqiten si mbrojtësat e integritetit toksor të Atdheut; mbrojtje që vjen nga mbështetja e Bashkimit Sovjetik përsa i perket kufinjëve të Jugut, kjo asht e vërtetë. Kjo asht e justifikueshme pse ashtu e kerkojnë edhe interesat e komunizmit që nëpërmjet të një sateliti, të kenë në dorë bregdetin tonë nga gryka e Otrantos. Po, a nuk janë po ata satrapë kukulla loje të Kremlinit, që ua dorzuen Jugosllavisë tokët e Shqipnisë së lirueme në pranveren e 1941, pa asnjë hezitim? E, a thue, nuk do të kishin ba njëlloj edhe me Korçën e Gjinokastrën po të fitonte edhe në Greqi komunizmi, dhe po ta lypnin interesat e “Perandorisë” së Kremlinit?
– Nuk ka dyshim që po! E pra, sot e vetmja forcë morale mbi të cilën mbështetët komunizmi në Shqipni asht dhe mbetë, ruejtja e integritetit toksor kercënue nga Greqia, dhe që me té rregjimi shfrytzon ndjenjen patriotike të Shqiptarëve mbrenda e jashtë Atdheut.
Gabim i randë e padrejtësi flagrante e demokracive asht që me ia lanë këte në dorë bolshevizmit.
Greqia nuk ka asnjë të drejtë të ligjëshme që të prëtendojë kjoftë as edhe vetëm një pëllambë të tokës Shqiptare. E them pa ngurrim sesa me vue në rrezik edhe vetem një pëllambë Tokë Shqiptare, kemi zgjedhë me vdekë rrugëve të Botës (ku jemi tue u konsiderue vetem numur), e kështu sigurisht, asht edhe ndjenja shpirtnore dhe vendimi i të gjithë Atdhetarëve Shqiptar të merguem; kjo ndjenjë asht edhe në Atdhe nder antikomunistët, që të gjithë janë gati me sakrifikue vetveten po, jo, Token Shqiptare.
Pakica grekofon rreth tridhjetmijë frymësh që gjendet në krahinat e Korçës dhe Gjinokastrës, në shumicen e vet nuk asht gja tjetër veçse bujqë të sjellun prej bejlerëve Shqiptarë nga Greqia, në shekullin e kaluem, për të punue token si qiraxhi. Shumë ma të drejtë të përligjshme ka Shqipnia, me ua kerkue atyne këthimin e Çamërisë në gjiun e Atdheut, e cila deri në fund të Luftës së Dytë Botnore ishte krejtësisht Shqiptare, e truell i Shqiptarëve prej sa shekujsh. Shumë ma të drejtë kishte dhe ka prap sot Shqipnia, ti kerkojë llogari Greqisë per rreth treqindmijë Shqiptarë, të zhdukun nga vilajeti i Janinës mbas luftës ballkanike. Permatepër, asht e nevojshme që populli grek në përgjithësi, dhe udhëheqësit e tij në veçansi, të kuptojnë nevojen e marrdhanjeve të fqinjësisë së mirë dhe leale me Popullin Shqiptar, ashtusi e kuptojnë Shqiptarët ndaj grekëve, nevojë kjo, që rrjedh nga fakti që këta dy popuj të vegjël, janë të vetmit të origjinës josllave në Ballkan, prandaj, asht nevojë e përbashkët me u mbrojtë nga pansllavizmi që po perhapet nën masken e komunizmit.
Ortodoksët e jugut që janë të gjakut e gjuhës Shqiptarë, të perzimë me një pakicë Vllah të shqiptarizuem me ndjenja dhe veprime, me arrijtë me pretendue se janë grekë vetem pse mbajnë besimin ortodoks, asht një gja krejt qesharake në Shekullin e XX. Besimi fetar nuk ndrron gjakun; po t’ ishte kështu, atëherë edhe rusët dhe të tjerët sllav ortodoksë, do të ishin thirrë Grekë, ose Grekët sllav!
Derisa Greqia mos të heqin dorë nga pretendimet absurde permbi Korçë e Gjinokaster, pa të cilat nuk ka kuptim as jetë një Shtet Shqiptar, dhe derisa Anglia, mos të deklarojë që me deklaraten e Edenit në Dhomen e Komuneve( ) dhe Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, të mos asgjesojnë rezoluten e senatorit Paper( ) të aprovueme nga Senati, Atdhetarët tanë Shqiptar n’ Atdhe as jashtë nuk mund të lëvizin me armë kunder komunizmit, e kështu Enver Hoxhës me shokë, u mbetet në dorë arma e çmueshme psikologjike e mbrojtjes së integritetit toksor. Ata i kanë dhanë shtytjen Greqisë, në të tilla ambicje absurde, ata duhet ta kuptojnë padrejtësinë që i kanë ba Popullit Shqiptar, e duhet të ndreqin gabimin, tue i sigurue me çdo kusht integritetin toksor dhe indipendencën Shqipnisë. Kështu, riparojnë një gabim e padrejtësi të shemtueme që kishin ba në euforinë rusveltjane-çërçilljane, dhe komunizmit i heqin doret të vetmën armë morale në Shqipni. Derisa kjo garanci të vazhdojë të mos i jepet Popullit Shqiptar, do të vazhdojnë ata prëtendime Greke që synojnë të na grabisin Korçën e Themistokli Gërmenit dhe Gjinokastrën e Çerçiz Topullit, dy emna të lidhun ngusht me historinë e Rilindjes dhe zemren e çdo Shqiptari; mjaftojnë këto fakte, që ta pengojë Popullin Shqiptar me lëvizë, edhe sikur të shohin gjasën me e përmbysë rregjimin komunist.
ATDHEU ASHT I PËRJETSHËM
Ne e mendojmë (ashtu si asht) se Atdheu asht i përjetshem dhe ruejtja e tansisë së Tij, asht detyrë e shenjtë tue pranue çdo vetflijim. Rregjimet nuk janë të përjetshme. Koha i konsumon ata, pra edhe rregjimi bolshevik njëditë ka me gjetë fundin tragjik, që historia ua ka rrezervue vazhdimisht të gjitha sistemeve tiranike; edhe ai ka per tu fundosë në pellgun e gjakut të të këqijave të tij. Prandej, duhet durim per të mos vue në rrezik tanësinë e Atdheut.
Ky asht arsyetimi që bajnë sot Shqiptarët në Atdhé dhe jashtë.
Bota Perëndimore, jo vetem, ka per detyrë ta qetësojë sot Popullin Shqiptar rreth kësaj çeshtje ankëthi, që do të ishte hapi i parë per çlirimin e Shqipnisë nga kthetrat e përgjakuna bolshevike, po ka edhe interesë jetësore ta ndihmojë me të gjithë forcen morale që ti shpetojë robnisë bolshevike, e që duhet të dalin nga kthetrat e Kremlinit.
Rusija sovjetike tue pasë brigjet e Adriatikut të Shqipnisë nën sundim, u ka futë thiken në zemer tek rreshtimi Aleat. Jo vetem, një rrezik i kufizuem per Italinë, po një rrezik per krejtë Mesdheun, në rast të një konflikti. E mandej, sikur të ngjasë kjo në një rast të këtillë, a asht e drejtë me akuzue Shqipninë se ka kenë aleate e Rusisë, dhe se prej bazave të saj janë ba sulme ushtarake? Kur e verteta asht se Aleatët dhe kryesisht Anglia, me propaganden e B.B.C., e veprimtarinë e misjoneve të saja ushtarake në Shqipni, i kanë imponue Popullit tonë Shqiptar komunizmin e per rrjedhim pushtimin stalinist rus? Aqsa nuk ishte e drejtë me e akuzue Shqipninë per sulmin italjan kundra Greqisë, mbasi Shqipnia pat kenë e okupueme ushtarakisht nga Italia, dhe kur pat ngja ai okupim, bota mbarë e me ta edhe vetë Greqia, e patën braktisë Shqipninë në fatin e saj, kur edhe greket i pritshin ushtarët e Duçes me lule në kufi.
Sa çmendi ka kenë me lanë Shqipninë nën sundimin e Rusisë, me siguri, do të jetë kujtue tashma Anglia dhe Amerika, nëse u ka dalë kllapia dhe euforija rusveltjane-çërçilljane.
Akuza të tilla i shembëllejnë anekdotës së ujkut dhe qingjit, që don të thotë: “bjeri o i fuqishëm të pafuqishmit!”, “Ligji i Pyellit”…
KOMUNIZËM DHE PANSLLAVIZËM
Historia e lëvizjes komuniste bolshevike dhe vetë veprimtaria e sunduesëve të Kremlinit, sot dëshmojnë fare kjartë se Rusia Sovjetike, revolucionin botnor nuk e ka synim për emancipimin e proletariatit, siç e reklamojnë me propagandë, por vetem, si armën ma të fuqishme dhe të pazëvendsueshme për të arrijtë qellimin e vërtetë që asnjëherë nuk e reklamon, e që mëshefet nën masken e socializmit.
Qellimi i vërtetë i drejtuesëve të Kremlinit asht: Imperializmi pansllav, i trashiguem nga Carët e mëdhej, me ndryshimin që, ndërsa carët synonin me shtrijë përandorinë e tyne përtej Dardanelëve, deri në grykë të Otrantos, carët e kuq synojnë të dominojnë gjithë lamshin e Botës. Per me realizue këte ambicje të pakufi, sigurisht, nuk mund të gjenin armë ma të përshtatshme e të fuqishme se instalimin e rregjimëve komuniste nder vendet e ndryshme të Botës, rregjime të mvaruna tanësisht nën urdhnat e Kremlinit, dhe në anen tjetër, kishin qellim përforcimin e partive komuniste nder ato vende ku Rusia, kurrë nuk ka mundë me i pushtue ushtarakisht ose të sjellin në fuqi komunizmin, per të ligshtue strukturen shtetnore të atyne vendëve me sabotime. Ndërsa, ekonominë me greva të vazhdueshme, per të pasë mandej gati kolonat e pesta luftimi e sabotimi, mu në zemer të botës së lirë, në rast të një konflikti të armatosun. Kjo gja asht e provueme dhe e njohun nga kushdo që ka njëfarë logjike.
Megjithkëte, shumica e shteteve demokratike, i lanë të lira partitë komuniste me veprue si tu pelqejë. Me i brejtë përmbrenda si krymbi bimen, derisa ta rrëzojë përdhé. E aq ma zi, ka akoma shumë përgjegjësa të shteteve demokratike që mendojnë se mund të arrihet në bashkëjetesë paqësore me bolshevizmin! Kjo utopi asht e njejtë si me dashtë me shtij në një vâthë ujkun me delen. Asht përgatitja symbylltas e vetvrasjes.
Rusija sovjetike nuk toleron as konkurencë as ortaki. Pra, as bashkekzistencë, por vetëm nënshtrim ndaj saj. Nëse bota e lirë nuk zgjohet me kohë nga letargjija e iluzjoneve e me i ba ballë rrezikut në kohë dhe në mënyrë vendimtare, vajhalli per té! Oligarkija e Kremlinit endè nuk e ndjen veten në gjendje dhe as nuk ndjen nevojen të bajë hapin fatal, të “plasin Luftën e Tretë Botnore”, por as nuk rri me duer kryq. Me politiken dhelpnake që Çërçilli e pat quejtë “shkopi dhe karrota” dhe me agresjone të terthorta dhe të kufizume, me veprimtari agjenturore spijunazhi të organizume nga partitë komuniste të vendeve të lira, dhe me sabotimet shkatrrimtare, sovjetët përgatisin fushen tue hecë gjithmonë drejt objektivit, dhe kur ta lypë nevoja e taktikës, mbasi të kenë ba disa hapa para, bajnë edhe njëgjysë hapi mbrapa, ose i japin iluzionin frikacakëve se po e bajnë atë. Këta të fundit per me evitue ndeshjen me kundërshtarin, derisa të mos e shohin kohen të volitshme, derisa kolonat e pesta të sajat të mos e kenë dobsue në mënyrë të pandreqëshme fortesen armike përmbrenda, do të vazhdojnë kështu, edhe derisa të mos zotnojnë armet atomike në të njejten masë me Ameriken.
Në këte mënyrë, nën masken e komunizmit, pansllavizmi ecen gjithnjë perpara pa i hy ferrë në kambë e bota e lirë zmbrapset, jo pse asht e pafuqishme me i ba ballë, jo se nuk e di se në rast të një ndeshje, ajo ka përkrah të gjithë popujt që vuejnë nën robninë bolshevike, një element vendimtar per fitoren e Botës së Lirë, por kjo ngjet, pse asaj i mungon peshimi i vertetë i rrezikut dhe solidariteti i ndërsjelltë njeni me tjetrin.
KOMUNIZËM E IMPERIALIZËM
Perfundimi i Luftës së Dytë Botnore solli dy ngjarje kryesore në skenë të historisë: Forcimin e bolshevizmit tue ba Rusinë Sovjetike fuqinë e dytë botnore dhe perhapjen e komunizmit në Botë, porsi të një lumi që del nga ama (shtrati) i vet e merr fushat; dhe permbysjen e imperializmit klasik, me zhdukjen e kolonjalizmit që u imponue kryesisht nga Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, tue i lëshue rendin imperializmit komunist.
Historia e lëvizjes bolsheviko – komuniste dhe veprimtaria e perhershme e Kremlinit (e tani edhe e Kinës), dishmojnë kjartë se as Rusia Sovjetike (derisa kishte pakonkurencë lidership-in) dhe as Kina sot, nuk e kishin as nuk e kanë revolucionin botnor synim të vetin per emancipim të proletariatit dhe popujve të pazhvilluem siç e reklamojnë me propagandë, po vetem, si armën ma të fuqishme që e mësheh nen masken e socializmit dhe që nuk e reklamojnë.
Qellimi i vertetë i drejtuesëve të Kremlinit ishte dhe mbetët:
IMPERIALIZMI PANSLLAV, i trashiguem nga Carët, me ndryshim se Carët synonin me mujtë me shtrijë Perandorinë, deri pertej Dardaneleve e deri në grykë t’ Otrantos. Carët e kuq synojnë të dominojnë drejtazi apo terthorazi gjithë lamshin e Botës. Per me mërrijtë ketë qellim të pakufi, sigurisht, nuk mund të gjejshin armë ma të mirë, ma të fuqishme, se sa instaurimin e rregjimeve komuniste (kukulla të Moskës) nder vendet e ndryshme që iu dha mundësia, dhe n’ anën tjeter tue perforcue partitë komuniste nder ata vende që Rusia endè nuk ka mundë ti shtijnë nder kthetrat e saj. Me këto parti, imperializmi komunist me sabotime, me gënjeshtra e greva, vepron panderpremje per me denigrue e dobsue edhe autoritetin nder shtetet demokratike, per me ua shkatrrue ekonominë tue e dijtë se komunizmi vetem në ligështi shtetnore dhe vobegsi ekonomike, ai gjenë ndershim (si fara e grunit), tue pergatitë kështu edhe kolanat e pesta per rasen e ndeshjes me armë me Boten e Lirë.
Konkurente e Rusisë Sovjetike n’ atë sistem, tashti ka dalë Kina e Mao ce Dunit. Disa përgjegjësa të shteteve të Botës së Lirë mendojnë se kjo konkurencë, dishka e dobson llogarinë komuniste dhe largon rrezikun. Asht utopi e rrezikëshme me mendue kështu! Kina e rusia i ngerdhucën njanatjetrës per me marrë drejtimin (lidership-in) derisa Bota e Lirë, të vazhdojë e perçame e të mos vendosin si duhet me frenue e me zmbrapë komunizmin. Po, në rasë të një ndeshjes vendimtare komunizëm dhe demokraci, Rusi dhe Kinë kanë me u gjetë në një llogore.
Kudo kolonat e pesta po deshët nën urdhna të Kremlinit apo të Pekinit, kanë me ba të njajtin veprim per fitoren e komunizmit.
Megjithate, shtetet demokratike, po i lanë të lira partitë komuniste per me veprue si t’ iu pelqejnë; me gënjye popujt, me sabotue , me i brejtë permbrenda si krymi i bimës, derisa ti rrëzojë perdhe. E aq ma zi, ka prap përgjegjësa në shtetet demokratike që mendojnë se mund t’ arrihet në një bashkëjetesë (koezistencë) paqsore me komunizëm. Kjo utopi asht e njajtë si me dashtë me shtij në një vathë ujkun e delen!
Kështu, përgatitet me sy mbyllë vetvrasja! Komunizmi nuk lejon as ortaki, as konkurencë, por nënshtrim!
Po kje se Bota e Lirë nuk zgjohet me kohë, pra, gjithë Bota e Lirë, ashtusi asht zgjue tashti Amerika (tepër vonë), po të lëkundët në hamendje bashkëjetesa me komunizëm e vazhdon e perçame tue i shtij nçnkamsen njanitjetrit, atëherë, vajhalli per té!
Motodat komuniste tashma janë të njohuna per sejcilin që ka një mendje të ndritun e guxim me shikue realitetin: Tue kercnue , me ecë ma perpara në pushtime derisa mos ti hasin sharra në gozhdë, si u pat hasë në Koré, në Berlin, etj., vende dhe njëheri me impenjue fuqinë amerikane, per me mujtë me e dobsue ekonomikisht dhe ushtarakisht, me që sot ajo asht e vetmja forcë në Botë, që komunizmi nuk e ndjen veten të matet me té tansisht me ndeshje armësh. Po, deri kur mund ta shpetojnë njerzimin syprania e fuqisë amerikane nga gëlltitja e përbindshit bolshevik, ose nga rrenimi i luftës berthamore? Askush nuk mundet me e parashikue sakt!
Shtetet e Bashkueme t’ Amerikës, kur ishin të pakjartë per qellimin e Stalinit e derisa kishin monopolin e armëve atomike, kanë pasë mundësi me e detyrue Rusinë Sovjetike, të shtrohet në bisedime me arsye dhe pa asnjë rrezik lufte; kanë pasë mundësi ta shterngojnë Rusinë të hjekun dorë nga synimi i dominimit botnor, të kthehet në caqet e veta të natyrshme e të sigurohet paqa me drejtësi per gjithë njerzimin. Kanë pasë mundësi me i dhanë mësimin e nevojshem Mao Ce Dunit në luften e Koresë, kur ushtia amerikane arrijti në Yalu, dhe Mc Arthur kerkonte autorizimin me qirue hesapet me Kinen. Pergjegjësat e Shteteve të Bashkueme , tue dishrue me vendosë paqen, u ndaluen në kufinjtë e pasigurisë, madje të rrezikut per të ardhmen, si e provoi konflikti i Vietnamit, i cili, po deshte në Kinë apo në Rusi, u kushton thërmija në krahasim me até që i kushtoi Amerikës me hemoragjinë e gjakut e atë financiare; e, ka të gjitha gjasat se po të mbyllet tragjedia e Vietnamit me një “kompromis”, komunizmi ka me krijue prap tjeterkund zjarr per me angazhue Shtetet e Bashkueme vazhdimisht me gjakderdhje. Kjo gjendje, i jep kohë Kinës me arrijtë me ba armët atomike (ashtusi ua pat dhanë Rusisë) që ajo i quen të nevojshme me zberthye sulmin e shtatëqindë miljonëve, per me dominue Boten. A duhet me pritë atë ditë?! Kësaj pyetje duhet ti përgjegjen burrat e Shtetit të Botës së Lirë!
Pergjegja ndoshta do t’ ishte: LUFTË?
– Them se akoma jo, medoemos! Kina endè nuk asht në gjendje me u ndeshë drejtazi me kolosin amerikan, nuk asht në gjendje derisa mos të ketë grumbullue sasinë e armëve berthamore që i quen të nevojshme me sulmue ajo e para dhe befasisht, por duket e e padyshim se po ti jepet kohë dhe me rrugen ekstremiste që asht tue ndjekë, kjo ka me ngja! Duhet pra, mos me lejue t’ arrihet ajo ditë!
Nuk do të ketë njeri në Botë me mende shëndoshë e ndergjegje njerzore, që dishron Luftën e Tretë Botnore, luften berthamore, që mund të jetë rrenimi i njerzimit (ashtusi as unë). Perpiqen me çdo vetflijim me e evitue amerikanët, e sigurisht, nuk e dishrojnë as rusët, të cilët tashti mund të knaqen me konsolidue çka kanë pushtue, por nuk janë me atë mendim kinezët që mbrenda një shekulli mund të dyfishohen si numur popullsie me u ushqye. Këtu qendron rreziku kryesor i luftës berthamore, që vetem forca dhe jo arsyeja, mund ta shterngojë Kinen me iu shtrue arsyes.
Arsyeja asht paqa me drejtësi per të gjithë Botën dhe çarmatimi i kontrolluem anasjelltas. Populli i madh kinez, ka të drejtë me jetue, po jo, me dominue e zhdukë popujt tjerë. Mundet me jetue e sigurue avenirin tue bashkpunue në marrëdhanje miqësore me popujt tjerë të Botës, e jo me luftë që sigurisht asht rrenimi i tij dhe i një pjese të madhe të njerzimit.
***
Në pranverë të vitit 1947, me titullin “QUO VADIS AMERICA ?”, në pranverë të vitit 1947, pata shkrue një artikull analize të situatës botnore, tue vue në dukje rrezikun e madh që Botës i vinte(simbas mendimit tim) nga bolshevizmi. Lëshojshe kushtrimin Shtetëve të Bashkume të Amerikës, tue i ftue që në rrjedhen e përgjegjësisë që i kanë ngarkue vetes para historisë, para gjithë njerzimit e para Vetë Zotit, me shembjen e baluardit antibolshevik, Gjermani, Itali dhe Japoni, e per në dishronin me i shpetue rrezikut të robnisë edhe për veten e tyne, duhet të kenë guximin përderisa kanë monopolin e bombes atomike, me e ftue Rusinë në formë ultimatumi, që të kthehet në kufinjtë e natyrshëm të vetët, të bajnë çarmatimin siç e kishte ba Amerika dhe Anglia, dhe të shtrohet në tryezen e bisedimëve të arsyeshme, në mënyrë që ti sigurohet njerëzimit Paqa me Drejtësi.
Duhej, tu sigurohej pra, popujve e drejta e vetvendosjës per tu qeverisë ashtusi natyra dhe nevojat praktike i këshillojnë, per të miren e përparimin e sejcilit shtet, përfshi nder tá dhe popujt e Rusisë Sovjetike.
Ishe i bindun atëherë, e jam i bindun edhe sot (mbas katër vitësh) se vetëm një qendrim i tillë me drejtësi e forcë e “bindë” Stalinin, dhe e shtërngon dashtë e padashtë, ti shtrohet arësyes me hjekë dorë njëherepërgjithmonë nga synimi per të dominue Boten. Jam akoma sot i bindun se vetëm, në ketë mënyrë mund të evitohet Lufta e Tretë Botnore ose “kapitullimi tanësorë i Botës së Lirë”. Të gjitha këta vlerësime dhe të tjera, janë shkrue që para vitit 1947 dhe 1951.
Ishe në strehimin I.R.O. në Barleta (Bari, Itali), dhe ia dergova artikullin dr. Eduard Licos, per të mundë me korrigjue gjuhën (Italisht) dhe me e botue në ndonjë revistë o fletore atje. Nuk kje e mundun me u botue, se në atëkohë doktori, nuk donte të komprometohej e të quhej nga opinjoni si “luftëdashës” e aq ma pak, me ngarkue Anglo-Amerikanët, per tragjedinë që kishte pësue Bota prej tyne.
As unë nuk jam luftëdashës, e nuk mund të jetë askush me mendje të ekujlibrueme e me zemer njeriu, tue dijtë shkatrrimin që do të sillte një tjetër “Luftë Botnore” me mjetet e sotme, por edhe me mbyllë sytë para një rrezikut të sigurtë (siç ban gomari kur e sulmon ujku), asht krimi ma i madh kundra vetvetës e kundra njerzimit.
Bajnë krim ata që kanë mundësinë me i dalë përpara rrezikut e me e përballue até pa arrijtë tek katastrofa e luftës, e që i kanë ngarkue vetes përgjegjësinë me e frenue dhe me përballue përbindshin bolshevik.
Këte përgjegjësi e kanë marrë Shtetet e Bashkume të Amerikës dhe Anglia në mënyrë të posaçme, tue pasë dashtë me perfundue Luftën e Dytë Botnore ashtusi e “përfunduen”, tue i hapë bolshevizmit dyertë e Europës dhe të Azisë, dhe tue i hapë pansllavizmit rrugen per dominimin e Botes në të ardhmen.
Ruzvelti e Çërçilli paten iluzionin se fituen luften kunder Hitlerit dhe Musolinit, a thue se ndeshja ishte personale ndërmjet katër personash që urreheshin mes tyne, pa u kujtue se, njëherit po i humbëshin paqën vetes, kombëve të tyne e krejte njerzimit, tue e përfundue Luften në atë mënyrë që e përfunduen. Faj ky, i papërligjshëm dhe i pafalshëm, pse kryesisht, mbas përvojës se takimeve të Teheranit dhe të Jaltës, si njeni si tjetri, duhej ta kishin kuptue qellimin e keq të tiranit të Kremlinit.
Ata duhej të kishin pasë largëpamësinë e përgjegjësisë së veprimit dhe guximin me e frenue tiranin Stalin, meqë të dy kishin mjetet dhe rastin, kishin gurin dhe arren në dorë.
Ma vonë, ka dalë haptas se Çërçilli, e kishte kuptue me kohë até, po aso kohe, kjé pengue nga Ruzvelti, ta perballojë nder bisedime.
***
Nuk i ka sjellë historia kujt ndonjëherë rasë ma të volitëshme se anglo-amerikanëve nga fundi i Luftës së Dytë Botnore, me vra dy zogjë me një gur. Me fitue luftën, e me i sigurue paqen vetës e njerëzimit, edhe ndoshta, perdisa shekuj, e po të kishin dashtë edhe me dominue Boten.
Kur Gjermania e ndrydhun në të dy anët e që nuk mund t’ ishte ma e rrezikshme per interesat anglo-amerikane, kishte ra gati nder gjunjë e kerkonte këte, e vetem me këta, pse ishte e vendosun me u perleshë deri në frymen e fundit me Rusinë Sovjetike, u donte me ua lanë atë mundësi, meqë qellimet e Stalinit kishin dalë perfushë. Nuk ka dyshim që po të veprohej n’atë mënyrë, përleshja në mes të Gjermanisë hitlerjane e bolshevizmit do t’ishte aq e rrebtë, sa me i dermue krejtësisht njanen e tjetren palë, meqë Gjermania e çlirueme nder fronte tjera, ishte akoma aq e fortë, sa do t’ishin dermue brinjësh të dyja palët.
Atëherë, anglo-amerikanët mund të arrinin në Berlin e Moskë, tue i ra surlave. Kjo ishte rasa që ata me vra dy zogjë me një gur!
Tashti që zogu u ka dalë doret, që Europa, asht as e perçame, as e bashkume si dëshrohet, dhe që nuk asht ma ajo forcë kolosi si ishte deri në perfundim të Luftës së Dytë Botnore, mbasi barren e përgjegjësisë me përballue kolosin bolshevik ia kanë ngarkue vetes popujt anglosakson, e per rrjedhim, ua ngarkon edhe historia.
Popujt’ e Europës (sëbashku me Anglinë), duhet të kenë vetëdije per ligështinë e tyne. Duhet ta dijnë se po mos ti kishte pengue frika e fuqisë së pakrahasueshme që përbahet nga industria e aparati ushtarak i SH.B.A., Rusija sovjetike do ti kishte kapërdi para sotit popujt’ e Europës Perëndimore e edhe vetë Anglinë, siç ka përpij ata t’ Europës Lindore, me pelqimin e Rusveltit e të Çërçillit. Prandej, asht detyrë e popujve t’ Europës e në interesin e ruejtjes së kenjes së tyne, në rend të parë detyrë e Anglisë dhe e Francës, që kanë përfundue, po jo, fitue Luftën përkrah Amerikës, mos me i shtij shkopin nder rrota ndermarrjeve Amerikane që synojnë ti venë frenin ekspansionit bolshevik.
Ata kanë detyrë e interes me u mbajtë solidarë me té dhe me e ndihmue me eksperiencen qindvjeçare që kanë në politikë, kryesisht, nëse ndodhë RREZIKU I NJË LUFTËS, ME E NDIHMUE ME TË GJITHA FORCAT E MJETET QË MUND TË KENË.
***
Atij që nuk ngranë arësye, i duhet tregue dajaku. Ultimatum duhet me u dhanë tiranëve të Kremlinit parase të jetë tepër vonë, që të vihen në hulli t’ arësyes. Këte Bota e lirë mund ta bajnë me efekte të dishrueme, vetem tue pasë në krye SH.B.A., dhe Amerika, duhet ta kuptojë rolin e përgjegjësinë e vet historike, përderisa, “derri nuk njeh tjetër arësye përveç, sëpatës në ballë?”
Po të merret qendrim i tillë me kohë, mund të shpëtohet njerzimi nga shkatrrimi i një Luftës së Tretë Botnore, përndryshej, nuk ka asnjë gjasë per mirë. Ky asht realiteti tragjik qi rrjedhë nga hapja e dyerëve t’ Europës dhe t’ Azisë… imperializmit pansllav.
***
E mbas kësaj analizë në panoramen e përgjithëshme, ose ma mirë të them, shfrimi të mullanit të zemrës, po këthej prap tek çeshtja Shqipnisë. E vogël per botën e madhe, që nuk kupton as nuk dijti, e ndoshta, akoma nuk di të peshojë rendësinë strategjike mesdhetare që ka vendi ynë në rreshtimin e sotëm t’ antagonistëve; po e madhe, sa gjithë Bota per zemrat tona të coptume, mbasi tashma edhe fati i Shqipnisë asht i lidhun me çeshtjet e pergjithëshme, sidomos qëse vendin tanë e shtine në dorë komunistët nder suazat e Jugosllavisë, Rusisë e Kinës. Po këthej tek çeshtja e Kombit tanë fatkeq që, per faj të Aleatëve demokratë dhe të mendjelehtësisë e ambicjeve të verbëta të disa shqiptarëve, u rrokullisë dhe po shkrumbohet në furren e zjarrit bolshevik, nen shtypjen e imperjalizmit pansllav.
KUSHTRIMI
Të gjitha lajmet që vijnë nga Shqipnia, si dhe letrat nga të ikunit nga burgu i pergjithshëm që asht sot Atdheu ynë, që arrijnë të kalojnë kufinin, përmblidhen në një të njajtë ushtimë tragjike:
KUSHTRIM ! MBAROI SHQIPNIA!
Mjerisht, per disa refugjatë Shqiptar ky kushtrim kalon nga njani vesh në tjetrin, pa kalue edhe nepër zemër e nder tru; pa u ba objekt dhimbje e lotësh në ndërgjegje, pa lanë zhigun e gjakut të Martirëve tanë nder zemra! E nuk ka tjetër shpjegim zemërngurtësia e një klike të vogel ekstremistësh, që vazhimisht po bajnë të kundertën e asaj çka kerkon Populli prej nesh. Po bajnë çmos per të pengue rreshtimin e forcave antibolshevike në një front të vetem e të përbashket kombtar, per çlirimin e Atdheut. Po u sherbejnë Enver Hoxhës me shokë, ma shumë se xhelatët e tyne të policisë së fshehtë. Nuk ka jo, asnjëtjetër shpjegim ky qendrim ogurzi i tyne, veçse, ua ka verbue dritën e gjykimit e thartue pejzat e zemrave lakmija e pushtetit të imagjinuem. Lakmi që kurrë nuk do t’arrijë të përmbushin qellimin, pse nuk janë njerëz në naltësinë e çastit historik, pse janë brum i zanun keq. Këte e dëshmojnë ata vetë me veprimtarinë e tyne dampruese per çeshtjen kombtare të kohës.
Njerëz të vegjel, njerëz të panjohun, njerëz pa të kalueme kombtare, porsi Enver Hoxha me shokë, që kujtojnë se mbasi ia doli Enveri e me mënyrat e Enverit, mund t’arrijnë edhe këta njëditë, të marrin pushtetin si e mori Enveri, per të shfrye epshet e tyne. Harrojnë se Enver Hoxhen me shokë, i solli në fuqi sllavizmi me amerikanë dhe jo aftësia e tyne. Pse duhet që tragjedia te vazhdojë, pse duhet të zgjatet tue shfarosë Popullin Shqiptar në rrjedhim të gabimit të tyne, pse ata nuk çajnë koken? – Aq u banë!
Kjo dëshmon se janë shkëputë krejtësisht nga Populli, gja që na verteton vogelsinë shpirtnore dhe injorancën e tyne.
Po të kishin veprue pavetëdije, duhej ta kuptojshin se sido që të sillet rrota e historisë per vendin tonë, kohët kanë ndryshue. Nuk do të jenë ma Dushana e Miladina dhe as Stalina, që ti venë në kolltuqet e Tiranës, siç vune Enverin me shokë. Sado vonë duhej ta kuptonin mbasi kaluen Adriatikun e që kujtojshin se, sidomos, anglezët do ti pritshin me krahë haptë per ti këthye sëshpejti në Tiranë si “triumfuesa”! Ndersa, në vend të kësaj, ata gjetën kampet e një pllambë balte dhe arrestime, duhej ta kuptojshin se kanë gabue mjaft e mos të shtyheshin ma përtej!
E megjithkëte të mbetë fatzezë, nuk due ti dhunoj dhe as t’ ua mohoj instinktin e atdhedashunisë, pse po tu mungojë edhe kjo, atëherë, janë përbindsha e do ta quejshe të kotë që të perpiqemi tu zgjoj ndjenjën e përgjegjësisë, siç asht vetë qellimi i këtij materiali.
***
Atdhedashunia asht ndjenjë që lind e bahet e ndergjegjëshme me pjekuninë e njeriut, perderisa nuk asht skuqë hekuri në farkë me zjarrin e vetflijimit (therorisë), ajo mbetet instinktive, e papercaktueme, per me u ba vulë e ngjitun në zemer, udhëheqëse vetmohimi. Edhe bagëtija ka prirje dashunije per vendin ku jeton.Kjo u mungon atyne!
Kjo klikë e vetquejtun politikanë, ultrapatriotë e që veprimtaria e tyne dëshmon se janë vetem demagogë të shterpët, duhet ta kuptojnë se barra e përgjegjësisë që kemi mbi shpatulla të gjithë, asht kolosale; dhe se, luftën do të na duhet ta përballojmë jo vetem, kundër E. Hoxhës me shokë, por edhe nder të tjera shtigje të rrezistencës, e në rasë nevoje edhe me luftë armësh kundër një sulmit të Greqisë, që synon të pushtojë tokë Shqiptare. Duhet ndertimi moral e materjal i Kombit të shkatrruem; paqësimin e shpirtënve të dhunuem e të egërsuem nga rregjimi komunist, per me muejtë me arrijtë në bashkimin shpirtnor e vllaznimin e Popullit.
Ne që Atdheun nuk e kemi mjet propagande, dhe as politiken demagogji, na që atdhedashuninë e kemi të vulosun me gjakun tonë, të bijëve, të vllazenëve, kushrinjëve e dashamirëve tanë, na që me Atdheun na lidhin këto flijime eprore e që familjet po na fyshken nder fushat e përqendrimit, në punë të randa e barkthatë, sot e ndjejmë problemin e Atdheut kështu si e pershkrova.
E, per të mundë me perballue ketë problem të madh, ndjejmë nevojen tanësore, detyren urdhnuese: Ti shtrijmë doren vllaznisht kujtdo që fati ose gjykimi i shëndoshë e ka shtye të perqafojë kauzen antibolshevike. Ndiejmë nevojen e bashkëpunimit e të bashkimit të të gjitha forcave kombtare antibolshevike. Vogëlsinat e partizanive dhe thashethemët, kush i dishron le ti ruejë per ma vonë, vetem per atëherë:
KUR ATDHEU, TË KETË FITUE LIRINË DHE SIGURINË!
Komentet