FAKTI HISTORIK
Po e shkapërcej vazhdimin e paraqitjes së veprimit tyne, mbasi do të rikëthehem prap, per tu ndalue njëherë tek fakti historik, në rrjedhim të të cilit né kemi veprue.
Historia asht ajo që asht, dhe kurrë nuk mund t’ ambelsohet as egërsohet për hirin e thashëthanjeve të njenit apo të tjetrit. Ajo lè gjurmët e veta, të cilat nuk mund të shtremnohen.
Fakti historik asht ky:
“Italia e madhe sulmoi Shqipninë e vogël, befasisht me 7 Prill 1939. Në mes të këtyne dy shteteve, plasi lufta e padeklarueme. Shqipnia i bani apel Botes qytetnueme që të nderhynte me ndalue sulmuesin. Askush nuk iu përgjegjë atij apeli, askush nuk i erdhi në ndihmë Shqipnisë as ushtarakisht as diplomatikisht. Mbas një qendrese simbolike nder limanet bregdetëse, Shqipnia doli menjëherë e mundun nga kjo ndeshje e pakrahasueshme forcash dhe mjetesh. Pushtuesin nuk e pengonte ma as fuqia ynë, as rrethanat ndërkombtare të kohes per me diktue vullnetin e vet si ta gjykonte ma mirë, madje, mund të dekretonte edhe aneksimin.”
Përballë këtij fakti të kryem, para këtij realiteti të kobshëm, né e kemi quejtë të detyrueshme, se detyra e burrave të Shqipnisë, ishte mos me ndejë me duerë kryq, tue ba sehirë ngjarjet, e tue vrejtë persëlargu shtëpinë në zjarr dhe familjen tue u percëllue mbrendë, vetem per të mos perzhitë duertë, per të mos cenue interesin vetjak. E, meqë ndeshja në mes të dy popujve, porsa të jetë perfundue me armë, të shumtën e herës vazhdohet tue kalue në lamen politiko-diplomatike. Ne e kemi quejtë detyrë imperative me e vazhdue luften edhe në ketë lamen e dytë.
Me hjedhë edhe kartën e fundit t’ asaj kohë, tue impenjue vetvetën tonë. E kemi quejtë, se duhej guxim me hy në zjarr, per të mundë me shpëtue çka t’ishte e mundun dhe jo, me u tehjekë e fshehë nder skutuliqe, ashtusi bane ata që tash mbas ciklit historik që i ka shndrrue fatet e popujve, ku per mirë e ku per ma keq, dhe zi e si asht ma zi per vendin tonë, po gërvallën, tue shitë patriotizëm e trimni kulimash.
Vetëm dashunia e pazhigla ndaj Atdheut e ndjenja e përgjegjësisë së çastit historik, i shtyni me hy në valle dhe të pranojnë me vetdije edhe komprometimin eventual, ata burra që hyne në valle me atë rasë per të mujtë me shpetue çka t’ ishte e mundun, të bindun, se ishin tue krye detyrën, dhe tue ba sherbimin që n’ ato rrethana këshillonte logjika e shëndoshtë, dhe e kerkonte Atdheu. Dhe po, me ketë ndjenjë, vazhduen bashkëpunimin me Italinë, deri në fund të tragjedisë së përbashkët.
Një misjon kaq delikat e vendimtarë per t’ardhmen e Kombit, me vazhdue jetën si Komb dhe si Shtet, sëpakut, shpirtnisht e fizikisht, në pritje të të papritunave të mëdha që kishin fillue të dendsohen me retë e zeza në horizontin Botnor, dhe që zberthyen me furinë që tashma dihet me 1 Shtatuer 1939. Këte nuk mund ta kryente kushdo, e nuk i bahej asnjë sherbim Atdheut, as tue u strukë, as tue vajtue e as tue ba politikë kafesh, po duheshin burra me vullnet, me mend e guxim që me personalitetin, prestigjin moral e tradicional të tyne, tu kishte peshë fjala para pushtuesit, si shprehje e ndjesive të Popullit. Kjo ka kenë logjika që na ka shtye me përballue ngjarjet n’ atë mënyrë, ashtusi mund tu përballojshin.
Kemi ba çka ka kenë e mundun, e nder ato rrethana që gjendej Shqipnia e Bota, kemi ba shumë në dobi të Kombit, ndoshta, aqsa askush tjetër nuk do të kishte kenë në gjendje me ba.
E këte do ta shihni të dokumentueme në vazhdim se Populli Shqiptar, e di mirfilli dhe nuk e harron, ndërsa, shumica e tij sot, sigurisht e kujton me mallëngjim.
12 PRILL 1939
Mbas zbarkimit e asaj ndehje nder limane, ushtria italjane kishte depertue e qetë anë kand Shqipnisë, deri nder kufinjtë e shteteve Greqi e Jugosllavi. Ushtarët italian ishin pritë me lule nga rojet greke të kufinit e mirseadhje nga grabitçarët e Jugosllavisë. Ministri i Punëve të Jashtme t’ Italisë konti Galeazzo Ciano, kishte ardhë në Tiranë me qellim me arrijtë me ra dakord me krentë e Shqipnisë, me ba një kompromis mundsisht të pranushem per të dy palët në rrjedhim të faktit të kryem, ose së fundit, per të njoftue diktatin.
Nga të gjitha anët e Shqipnisë ishin ftue e kishin ardhë në Tiranë përfaqësitë e të gjitha krahinave per ketë qellim, mungonte vetem përfaqësija e Shkodres, po edhe kjo mbas dy ditë bisedimesh e ngurimesh që ishin ba në shtëpin e Kapidanit të Mirditës në Shkoder, arrijti në Tiranë edhe kjo nën kryesi të Gjon Markagjonit e At Anton Harapit, me një program të përfunduem në Shkoder, që asht thanë.
Kur né arrijtëm në pallatin e Legatës Italjane pak para dreket, përfaqësuesit e krahinave të tjera ishin mbledhë në Parlament, kishin pranue formulen e bashkimit me Itali, kështu, si rrjedhim né të Shkodres kishim mbetë një pakicë parase të filloheshin bisedimet, megjithate, nuk hoqëm dorë nga programi. U ngarkue Kapidani i Mirditës nga përfaqësia e Shkodres që ti paraqesin kontit Ciano tezen tonë, ndersa si perkthyes e këshillues u ngarkue At Anton Harapi.
Bashkbisedimi zgjati rreth një ore, e kjo zgjatje ishte rrjedhim i vendimit të dergatës shkodrane, “mos me pranue bashkimin e kunorave.” Bisedimi u këput paperfundim e me një ndrrim fjalësh mjaft t’egra në mes të At Anton Harapit e komendator Giovani Giro, kryesisht, per faj të Giro’s i cili kishte kujtue se At Anton Harapi, nuk ishte tuj perkthye besnikisht fjalët e Kapidanit. Nga kjo mosmarrveshje konti Ciano, Jakomoni, Kapidani e At Anton Harapi (i cili kerkonte që Giro ti lypin ndjesë), dolen në dhomen ku ishin edhe delegatët tjerë, tue na njoftue mosperfundimin dhe incidentin nder bisedime. Konti Ciano na deklaroi se të gjitha Përfaqësitë tjera të Shqipnisë, e kishin pranue me entusjazëm bashkimin e kunorave dhe shfaqi dëshiren të perfundonte në marrveshje miqësore edhe Perfaqësia ynë. Per të rifillue bisedimi, u vertetue se At Harapi, kishte perkthye besnikisht fjalët e Gjon Markagjonit, atë vendim që ishte vendimi i krejtë Perfaqësisë së Shkodres, dhe kerkuem që Giro, ti lypin të falun fratit tanë dhe, njëkohsisht, të perjashtohej nga bisedimi, dhe ashtu u ba. Ma në fund edhe né pranuem faktin e kryem në rrjedhim të dy elementëve që nuk paraqitshin mundësi zgjidhjet ma të mirë, pushtimi i vendit ushtarakisht e pranimi i të gjitha Perfaqësive të tjera të krahinave të Shqipnisë, tue i shtue formës së ”UNIONIT” edhe fjalen “PERSONAL”.
Ketë shtesë nuk e vume në deklaraten tonë dhe as si konditë të formulës per retorikë, po per domethanjen që ka fjala juridikisht në të Drejtën Ndërkombtare .
Komisjoni kje formue në gjiun e delegacjonit të Shkodres, dhe pat perpilue deklaraten që u lexue nga Ndoc Pistulli n’ Asamble. Ai kje përba nga: At Gjergj Fishta, Ndoc Pistulli, At Anton Harapi, Zenel Broja, Mark Gjonmarkaj dhe Kolë Mirakaj. Deklarata u nënshkrue nga të gjithë delegatët. Mbas leximit, ajo deklaratë iu dorzue sekretarisë s’Asamblesë per tu vue në aktet zyrtare të ditës. N’atë dokument, Përfaqësia e Shkodres thonte nder të tjera tekstualisht edhe këto rreshta:
“Të shtymë nga nevoja e faktit të kryem të pushtimit t’Atdheut ushtarakisht nga Italia Fashiste, Përfaqsia e Shkodres aderon në Bashkim Personal me Italinë, me kusht që Shqipnisë ti respektohet dhe sigurohet integriteti toksor, Gjuha zyrtare Shqipe, shkolla Shqipe dhe gjithshka i përket sovranitetit të një kombi indipendent, në kuadrin e Bashkimit Personal të popujve, me bashkimin e kunorave qi i mban një Mbret i përbashkët”
Kuvendi që u quejt Asamblea Kombtare, perbahej nga shumica e deputetëve të seksionit në vazhdim të zgjedhun qyshë në vitin 1937, dhe nga krenë prej të gjitha krahinave të Shqipnisë. (1- kopjue nga libri, “Kush janë armiqtë e Shqipnisë”) Shefqet Verlaci u ngarkue nga Asamblea të formojë qeverinë e re, i cili po n’atë mbledhje njoftoi pranimin e atij posti dhe paraqiti listen e Ministrave, që zgjidhte me ba pjesë në qeverinë e kryesume prej Tij. Po n’atë mbledhje u zgjodh edhe përfaqesia prej ma se katerdhjetë vetash që nen kryesi të Shefqet Verlacit, do të shkonte në Romë per të krye formalitetin e ofrimit të Kunorës së Viktor Emanuelit të III, si Mbret i Shqipnisë. Asamblenë e kryesonte Xhafer Ypi që pat kenë kryeinspektor i Oborrit Mbretnor deri me 7 Prill 1939, patriot i njohun e që prej 1912 disa herë deputet, minister dhe kryeminister i Shqipnisë. Me ketë rasë Xhafer Ypi u emnue minister i Drejtësisë së kabinetit Verlaci.
Ne delegacion bajshin pjesë edhe të tjerë burra me përgjegjësi si E. Koliqi, At Fishta, Terenc Toçi, T.Mborja, K.Mirakaj etj.
FLAMURI I SHQIPNISË MBI PIRGUN E QUIRINALE-S
Viktor Emanueli III, Mbret i Italisë dhe i Shqipnisë (në formulen e re) e Perandor i Etiopisë, aprovoi vendimin e Asamblesë së mandatit që i kishte dorzue Shefqet Verlacit.
Tue hy dergata Shqiptare në Pallatin mbretnor, mbi pyrgun e QUIRINALES ngrihej flamuri i Shqipnisë, pranë flamurit t’ Italisë në shenj Bashkimi Personal të dy popujve, me një Mbret të përbashkët.
Ma vonë u aprovue Statuti i Ri thëmeltar, i dhanun nga Mbreti si mbas traditës së Shtëpisë Savoja, që Mbreti, në ceremoninë e dorzimit dergatës Shqiptare e percolli me këte deklaratë: “Tue marrë parasyshë se per me arrijtë perparim asht e domosdoshme me caktue strukturen e shtetit në përshtatje me interesat ma të nalta kombtare, kemi vendosë me i dhurue popullit Tonë të dashtun Shqiptar një Statut Thëmeltar, si pêng të dashnisë s’Onë, si dhe të kujdesit t’Onë Atnor!”
Një gja ishte e papritun e kryesisht e papelqyeshme, që nuk i sillte asnjë dobi Italisë e as né, madje na gandonte zemren; kjo ishte vuemja e fashos në Flamurin tonë, në dy anët e Shqipes.
Këte paknaqësi me mjeshtri e kambengulje të Mustafa Krujës, e të tjerë burra të kohës si Ernest Koliqi, Terenc Toçi, At Gjergj Fishta, T. Mborja, K. Mirakaj etj., e hoqëm në kohën e qeverisë së kryesueme prej Tij. Në paragrafet tjera Statuti siguronte kuptimin e një Shteti sovran ma autonom sësa Statuti, që rregullonte dikur bashkimin e Hungarisë me Austrinë nën dinastinë e Habsburgëve.
Meqë ka shumë Shqiptarë që nuk e dijnë përmbajtjen e atij Statuti, karakterin kombtar e juridik të tij, po perkëthej tekstualisht nga origjinali italisht disa artikuj e pjesë të tija ma me rendësi:
Neni i Parë: Shteti Shqiptar drejtohet prej një qeverije -monarkike
Neni i Dytë: Flamuri Shqiptar asht i kuq me shqiponjen dykrenare në mes, dhe shenjën e Liktorit.
Neni i Tretë: Të gjitha besimet janë të lejueme.
Ushtrimi i lirë i kultit dhe i praktikimit të jashtëm, asht i siguruem në përshtatje me ligjët.
Një tjetër nèn thotë: Të gjitha pronat pa asnjë perjashtim janë të padhunueshme. Megjithkëte, kur e kerkon interesi botuer, i vërtetuem ligjisht, mundë të cenohën pjesërisht ose tansisht, me një shperblim të drejtë në pajtim me ligjët.
***
Me 16 Prill 1939, ambasadori i Anglisë, i njoftonte Ministrit të Punëve të Jashtme t’Italisë, vendimin e qeverisë së NM së Tij Britanike, që i njihte Italisë “statuo-quon” e ré, të faktit të kryem në Shqipni. Kjo ngjau pak orë mbas ofrimit formal të Kunorës, dhe per rrjedhim tërhiqte Legaten e akreditueme në Tiranë, tue e zevendsue me Konsullatë.
Ashtu vepruen me rradhë e shpejtë edhe shtetet tjera që kishin marrdhanje diplomatike me Shqipninë. Kjo ishte dëshmija e lanjes së Shqipnisë në “fatin e vet dhe mëshiren e pushtuesit”. Kjo asht pasqyra e ngjarjëve dhe e faktëve në sintezë përmbledhëse, para së cilës u ndodh Atdheu ynë n’atë kohë. Në rrjedhim e nder kondita të këtyne faktorëve fillonte veprimi i ynë, në rregjimin e Bashkimit.
Kemi hy me bindje se me veprimtarinë e vetmohimin tonë, po i kursejshim Atdheut një “katastrofë” ma të madhe, e kështu, kemi bindjen edhe sot e kësaj ditë. Kemi pasë vetëdijen se Shqipnia n’atë gjendje të krijueme nga forca madhore, kishte humbë nji pjesë t’ indipendencës së sajë, po që askush nuk mund t’ ia evitonte ose kufizonte ma tepër se né atë humbje nder ato rrethana, prandej, kemi ndijë per detyrë imperative ndaj Atdheut, mos me dezertue n’atë kohë aq të vështirë dhe mos me lanë barken pa zot në fatin tragjik të tallazëve.
U përkulëm né, per të mos e lanë të thehët e të dërmohet Kombi. Shqiptarët me ndërgjegje e sigurisht, edhe historia, kanë me dijtë me i çmue theroritë individuale që dijtën të bajnë njerëzit e qeverimit katërvjeçarë t’asaj kohë (e sidomos, ata ma të parët) në dobi të Atdheut.
Né tue i ngarkue vetës barren delikate dhe të padëshrueme të përgjegjësisë, mujtem në ketë mënyrë me shpëtue gjithshka asht thëmelore per jeten e një Populli per tu ringjallë, per të arrijtë me sigurue dhe me ndertue avenirin e tij. Né shpetuem gjuhën e administraten Shqiptare, shpetuem e zgjanuem arsimin shqip, e në mënyrë të pakrahasueshme i sollem vendit zhvillim e perfitim ekonomik të vrullshëm.
Por ajo që nuk ka me u harrue kurrë brez mbas brezi, ka kenë këthimi i Tokave iredente në gjiun e Atdheut, realizimi i andrrës ma të madhe e së Drejtës së shenjtë të Popullit Shqiptar. Shkollat u dyfishuen, u botuen të gjitha tekstet per shkolla fillore e të mesme dhe siç dihet, per shkollat e mesme ishte e para herë që botoheshin tekste Shqip në plotsim. Punime madhështore u bane e ishin projekte nder punimet botore per hapje rrugësh, kanalesh e ujësjellës të tjerë dhe permirësim i të vjetërve, ngritje urash e ndertesash moderne të rendit parë, që njëherit me treven e përparimit, përmirësojshin në masë të ndjeshme nivelin ekonomik të Popullit, dhe i ndrrojshin fëtyren Shqipnisë në një vend modern. Pa zanë me gojë këtu, projektet kolosale per kanalizimin e lumejëve të mëdhej si Drini, gryka e Shkumbinit, Devolli, Vjosa e të tjerë. Thamja e kënetave të Myzeqesë, Maliqit e të Balldrenit, dhe ujësjellësit e rijë, parashikonin edhe shfrytzimin e fuqisë hidraulike. Tregtia që kishte arrijtë në faliment të përgjithshëm (70% të tregtarëve ishin zhytë në kambiale afër falimentimit), mori hov të jashtëzakonshëm nga ndihmat dhe nga bashkimi doganor me Italinë. Bashkimi doganor perveçse i hapte Shqipnisë tregun e madh të Italisë, per eksport të prodhimëve të saja, i sillte arkës së shtetit edhe pesëmbëdhjetë miljon fr. ari kontribut nga Italia. Ky kontribut caktue n’akordin përkatës, ishte dy deri katër herë ma i madh se t’ ardhunat doganore të maparshme, e me ketë kontribut bilancohej buxhet i shtetit.
***
Nuk ka kenë prodhues as formimi i Partisë Fashiste Shqiptare (PFSH), se nuk ishte fenomen spontan i kerkuem nga opinioni publik. Ajo u shpall në Maj të 1939, me një dekret të Mëkambësit të Mbretit, pa asnjë përgatitje propagandistike dhe në disa aspekte, edhe e papërshtatshme me psikologjinë e Popullit tonë individualist. Por meqë, atë kohë e gjendje, ishte e pamundun të bahej organizim politik pa atë etiketë, dhe pa një organizim politik si per kohën si per të përgatitë rininë per të ardhmën me frymë nacionaliste, ishte nevojë e domosdoshme. Unë që kam kenë që në ditët e para në trupin drejtues të asaj parti, mund të dëshmoj, se drejtuesit Shqiptar të saj janë përpjekë vazhdimisht me i dhanë përherë e mashumë frymë kombtare dhe veprim në dobi të çeshtjes kombtare, tue inkuadrue në té elementë të zgjedhun si nacionalistë dhe të kulturës.
Veprimtaria e asistencës së sajë, ka kenë aq e gjanë per né dhe e dobishme sa nuk mund të mohohet nga askush, e sigurisht, në Shqipni edhe sot kujtohet me mallëngjim.
Organet drejtuese të P.F.SH., ishin drejtorati, federatat dhe sekretariatët politike. Drejtorati me qender në kryeqytet, federatat për çdo prefekturë dhe sekretariati politik per çdo komunë. Nga partia vareshin edhe organizatat e rinisë, korporatat (akoma të paorganizueme në domethanjen e atij instituti), ashtusi mbaspuna dhe asistenca.
Ministri-Sekretar ishte jerarku suprem, anëtar i Këshillit ministror, që në mungesë zëvendsonte edhe Kryeministrin.
E para jerarki qendrore e federate kje përba nga këta persona: Tefik Mborja Minister Sekretar; Vangjel Koça dhe Kol Bib Mirakaj Nënsekretar; Qazim Nekiu, Myftar Vrioni, Dr. Nush Bushati, Dr Jup Kazazi, Kostandin Kote, Namik Ressuli dhe ndonjëtjetër që nuk kujtoj, ishin anëtarë të Drejtoratit. Në Federale ishte Dr Namik Ressuli, Dr. Jup Kazazi, Dr. Guljelm Deda, Dr. Nuri Dino, Hysni Jenisheri, Dr Sabri Quku, Lluka Bibi, Vasil Alarupi, Hyshref Frashëri, Tahir Zajmi e Profesor Alush Leshanaku. Të gjithë këta dhe të tjerë ma vonë, kanë pranue emnimin me vullnet të lirë e me vetdijen e përgjegjësisë, të bindun plotsisht se n’atë mënyrë mund ti sherbejshin çeshtjes kombtare në ato rrethana që u krijuen. Askush i ndershëm e pa mbrapaqellime që ka jetue n’atë kohë në rrethanat e jetes politike e administrative të Shqipnisë, nuk mund të mohojnë përpjekjet e pandërpreme të shumicës së këtyne jerarkëve Shqiptarë n’ato situata të vështira që gjindeshin, kryesisht, në kontakt me një mentalitet që nuk njihte Popullin Shqiptar dhe as psikologjinë e tij. Askush nuk mund të mohojë përpjekjen e zellshme e guximtare të tyne të vazhdueshme, pa u lodhë e ligështue, per me i dhanë veprës së partisë karakter e funksjon kombtar, deri aty, sa n’audiencën që pata tek Musolini me 23 Prill 1943, nxora pelqimin e Tij, per me suprimue P.F.SH., tue e zëvendsue ate, me një Organizatë krejtësisht me frymë Shqiptare, qi e pagëzuem me emnin: “LËVIZJA E BIJVE TË SHQIPES”. Këte ngjarje do ta shpjegoj mavonë.
NJË MARRVESHJE E PAPELQYESHME…
Në marrdhanje në mes të popujve, politika asht “më jep e të jap” e prandej, shumë herë, edhe po të mos ishin faktorë të tjerë imponues, kjo nevojë shtërngon me dhanë diçka per me marre diçka! Në rasën tonë dominonte edhe vullneti i gabuem i palës ma të fuqishme, i Italisë.
Konvencjoni bante unifikimin e politikës së jashtme, tue suprimue Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipnisë e tue ua besue ketë sherbim Ministrisë së Jashtme të Italisë. Xhemil Dino, Ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë Verlaci, emnohej ambasador, ndersa diplomatët e përsoneli tjetër i atij dikasteri, kalonin në varësinë e Palazzo Chigi me gradat që kishin. Kështu, bahej edhe funksionimi i Forcave të Armatosuna përveç policisë e Milicisë Fashiste Shqiptare, që u krijue ma vonë.
Siç dihet, edhe në periudhën para 7 Prillit, politika e Shqipnisë në vijat thëmelore ndiqte vijën e politikës italjane, nga nevoja e ndihmës financiare që duhej të merrte nga Italia. Gjithashtu, edhe ushtria mbahej gadi tansisht nga ndihmat dhe organizatorët e Italisë. Shqipnia as para 7 Prillit 1939, as mbas pushtimit, nuk kishte mundsinë me mbajtë një ushtri moderne me buxhetin e saj. Ndoshta, një nder arësyet kryesore që nuk e lejoi qeverinë e atëhershme me ngulë kambë aqsa i premtonte Statuti, me ruejtë pavarësinë e Forcave të Armatosuna, pat kenë çeshtja financjare e papërballueshme.
NË PESHËN E FAKTEVE TË REJA NDËRKOMBTARE
Në rrjedhim të mosfrenimit hitlerjan që nuk dijti të ndalohet mbas konferencës së Munihut e të dobsisë së demokracive që nuk e frenuen ate në kohë, tue i njohë njëheri të drejtën dhe të drejtat që i përkisnin popullit ma të madh të Europës, gjendja ndërkombtare shkonte me vrull drejtë katastrofës qi shpërthej me 1 Shtatuer 1939. Kapitullimi i demokracive në Munhen, nuk shpetoi Çekosllovakinë as me lëshimin e Sudeteve (që ishin gjermanë me gjak e ndjenja, që per ligjë natyre duhej të këthenin në gjiun e atdheut të vet). Kjo solli rrjedhim ndrydhjen morale të popujve të vegjel, të lanun në fatin e tyne. Mavonë rrjedhimet i pagoj edhe Shqipnia.
Një shtet katërmbëdhjetë miljonësh (Çekosllovakia), me industri lufte ndër ma të përkryemet e Europës, me një ushtri moderne disa divizjonesh dhe përmatepër Anëtare e Antantës së vogel, aleate e demokracive të mëdha, mbaroi per një çast pa shprazë një pushkë.
Porsa plasi Lufta e Dytë Botnore, ushtria gjermane pat suksese të rrufeshme, të pashembullta në histori per shpejtësi e manovrim, deri atëherë të panjohuna. Si rrjedhim, Italia hynte në luftë përkrah Gjermanisë tue vue në veprim paktin e qujtun “I çeliktë”, që përbante Boshtin Romë – Berlin. Kjo ngjau me 10 Korrik 1940.
***
Ditën e 10 Korrikut 1940, fillonte një fazë e re prospektivash per Shqipninë. Ishte siguria me përmbushë deshiren ma të madhe, të shenjtë e të drejtë që kishte Kombi Shqiptar, mbrenda e jashta kufinjëve politikë: LIRIMI I TOKËVE IREDENTE. KËTHIMI I KOSOVËS, ÇAMËRISË me të tjera krahina, në gjiun e NANËS SHQIPNI.
Përveç kësaj, na jepej automatikisht edhe një kartë sigurie rezervë per mbrojtjen e të Drejtave të Shqipnisë, në marrdhanjet e mbasluftës me Italinë, e sigurtë kjo, po të fitonte Boshti luftën.
Që prej ditës së hymjes s’ Italisë në Luftë e deri në kapitullimin e saj, baza thëmelore e veprimtarisë së përgjegjësave të politikës Shqiptare ka kenë mbështetë në logjiken e asaj rrezervë.
Cila ishte ajo rrezervë e çfarë konsideratash baheshin mbi té?
E them edhe sot që Italia ka humbë luftën, dhe nuk ka të bajë ma me atë gjendje të Shqipnisë, dhe as nuk asht ma në rend të parë si fuqi, se nuk kishim aspak në mend me i ngulë thiken në shpinë ashtusi bane disa, në rasë po ti rrëshqiste kamba, por vetëm kerkonim me rregullue poziten e vendit tonë si Komb sovran i konfederuem në marrdhanjet ma të mira t’interresave të anasjellta të dy popujve. Do të shtyheshim ma përtej në rasë se Italia nuk do ti vinte arësyes në këte kuptim.
Karta e vlerës së dyfishtë rrezervë, ishte Gjermania në përfundim të luftës. Një njeri i madh, e ka pasë krahasue ndeshjen e kundërshtarëve në luftë, me “cokrimen” e vezëve të Pashkëve nga fëmijtë. Çdonjeni ia cakron vezën shoqit me shpresë se e tija asht ma e fortë!..Kësaj thanje i ngjet edhe ndeshja në luftë. Nuk dihet se “kujt i thehet veza në dorë!”
***
Gjigandët kishin hy në ndeshje. Njena palë do të thyhesh, por besoj, asnjeri nuk mund ta dinte me siguri matematike se cila, Boshti apo Aleatët. Edhe fati i Shqipnisë sikur i gjithë Europës, e ndoshta, i Botës, mendojshim se varej nga perfundimi i asaj ndeshje të tmerrshme, ashtu, sikurse edhe ngjau. Si shpjegohet ajo rrezervë që né e quejshim të sigurtë? Qé edhe llogaritë tona!
a).Mendojshim se po ta fitonte luftën Boshti, tue kenë Gjermania rruli i Boshtit, do të kerkonte të dali në Adriatik, pra, do të kerkonte sëpakut një liman të lirë nga né per të depertue në Mesdhe, si rruga ma e shkurtë dhe ekonomike per penetrim tregtar drejt Afrikës Juglindore.
Tue kenë se kalimi nga Adriatiku per Mesdhe përshkohët nëpër ngushticen e Otrantos, nevoja per të sigurue ketë rrugë, sikurse asnjë arësye tjeter mos të kishte, do të shtynte Gjermaninë të konkuronte në politiken drejtë Shqipnisë, t’interesohej që të mos baheshin “italjane” të dy brigjet e asaj ngushticë, në rrjedhim të eventualitetit të kolonizimit të Shqipnisë nga Italija. Ketë evidencë një burrë shteti si Musolini, nuk mund të mos e kuptonte, prandej per të mos humbë çdo interes në Shqipni, nuk duhej ta bante kurrë armik Popullin Shqiptar.
Si Italia ashtu edhe Gjermania, kishin të njajtin interes per me e zgjanue Shqipninë ndër kufinjtë Etnike, per me balancue edhe kercënimet eventuale sllave në ketë sektor ballkanik. E sa per marrdhanjet e ardhëshme me Italinë, e sidomos, per të evitue kolonializimin eventual, mjaftonte që Gjermania t’ishte e interesueme per Adtriatik, një element ky, që do të këshillonte harmonizimin e interesave të dy popujve adriatikas në dobi të respektit reciprok.
b).Nëse luftën e fitojshin Aleatët, si ngjau, zhdukej vetvetiu rreziku i supozuem italjan, por hapej një problem tjetër shumë ma i ankthëshëm aqsa i rrezikshëm, lufta e vërtetë kundër Shqipnisë nga fqinjtë, që po e kercënojshin jo vetëm per coptimin e saj, po edhe per zhdukjen fizike si Popull nga faqja e dheut, tashti, i shtohej edhe prania e rreziku i tiranisë së bolshevizmit barbar, me rrjedhimet tragjike që pësoi Populli Shqiptar.
Këto dy hipoteza të përfundimit të Luftës, me rrjedhimet e kundërta per fatin e Atdheut tanë, ishin ankthi i përhershëm i ndiesive tona, dhe si rrjedhim, drejtuen të gjithë veprimtarinë tonë
.
PROGRAMI YNË
Të shtymë nga këta gjykime e preokupime per fatin e Atdheut, na kishim caktue një program si vijon:
a)Me u përpjekë me të gjitha mundësitë me ruejtë të padamtueme forcat kombtare e pasunitë e vendit.
b)Me u përgatitë me përballue sulmin e fqinjëve, që mendohej i paevitushëm në rasën e tërheqjes së Fuqive të Boshtit nga Ballkani, para përfundimit të Luftës, dhe moszëvendsimit të tyne nga Aleatët.
c)Me shue lëvizjen komuniste, jo vetem per doktrinën subversive, po aq mashumë, pse u vërtetue me prova, se verbnisht ishte në shërbim t’anmiqëve të Shqipnisë. Rrezikun e asaj lëvizje nën masken “nacjonal-çlirimtare” e kishim parapa kjartë e me kohë, si edhe vërtetohet nga fjalimet e Mustafa Krujës, e fashikulli nr.5, Disptapur i konferencës sime në Tiranë, në Prill 1942, me titull “Shqipnia e ka zgjedhë rrugen e sajë!”
Rreth këtij problemi jetik kje përqendrue kujdesi e veprimtaria ynë, të shtymë vetem nga logjika e shëndoshë e dashunia per kombin.
Ky ishte programi që unë e quej largpamës, e që vetem me të cilin mund të shpëtohej Atdheu nga tragjedia që pësojë. Fatkeqësisht, jo vetem, që nuk na kuptuen, po bane çmos me na pengue në realizimin e programit kundërshtarët e atëhershëm e të sotem, tue ndihmue haptas e tërthorazi falimentimin e tij, dhe fitoren e komunizmit.
Mund të drejtojnë tani pyetje: Po nga Italia okupuse, nuk shihshi asnjë rrezik? Çka pritshi ju, nga okupatori?
– Na kemi pa përditë realizime të dobishme, që Bashkimi Personal me Italinë po i sillte Shqipnisë, por edhe nuk “skartojshim rrezikun” që ai bashkim mund të sillte në të ardhmën.
***
Në gjykimin tonë përbluheshin jo vetëm dobitë që mund t’ishin të përkohëshme apo të vazhdueshme, po edhe rreziku kryesor që mund ti kërcënohej Shqipnisë, kolonizimi, që kohë mbas kohe mund të na thithte, dhe asimilonte Popullin tanë të vogël. Njerëzit pergjegjësa të qeverimit t’asaje kohë, e kanë pasë përherë kujdes e ankth ketë çeshtje jetike.
Po t’ ishte Shqipnia hapsinë toke e mjaftueshme per me i zgjidhë Italisë problemin demografik, rreziku ishte i dukshëm, por na e ndjejshim kombin të siguruem nga ky rrezik tue u mbeshtetë në dy elementa:
1)Shqipnia ishte tepër e vogël si hapsinë toksore e lirë, dhe nuk mund ti zgjidhte Italisë fare ketë problem të madh, dhe as në pjesë të vogël sadopak të konsiderueshme, në krahasim me interesat ma të mëdha që kishte Italia per me pasë marrdhanje të mira e të pranushme me Popullin Shqiptar. Ketë problem Italia mund ta zgjidhte në hapsinën e pafund të Etiopisë, dhe nder kolonitë tjera që ishin pushtue per atë qellim.
Ky kolonializim ishte i nevojshëm dhe i ngutshëm jo vetëm, si problem demografik e ekonomik, poaq i nevojshëm edhe per sigurim të perandorisë së porsa pushtueme. Çdo tentativë kolonizimi i Italisë në Shqipni, do ti përftonte anmiqësinë e të gjithë Popullit Shqiptar pa përjashtim, tue fillue nga njerëzit ma përgjegjësa të bashkëpunimit me té.
Kjo gjendje, do ta shtëngonte Italinë që të mbante edhe në kohë paqe disa divizjone në Shqipni, per të mujtë me sigurue jeten e pasuninë e kolonive si dhe tjera interesa të sajë. Ketë problem, nuk kemi mungue t’ ua vemë në dukje publikut Shqiptar si dhe njerzëve përgjegjësa të politikës italjane, në të gjitha aspektet negative e pozitive. Për hirë të së vërtetës duhet kujtue se Musolini, perveç premtimeve solemne, ka dhanë edhe prova konkrete se një gja e tillë nuk do të ngjante kurrë nga ana e Italisë.
2)Shqipnia do të gjente mbështetje të nevojshme tek Gjermania, në rasën e fitores së Boshtit, dhe nëse marrdhanjet në mes Shqipnisë dhe Italisë, mund të prisheshin per fajin e Italisë.
Ishin këto arësyetime e llogari logjike që na këshillojshin me ardhë në perfundim se: Interesi kombtar i kohës lypte mos me shkaktue as me lejue veprime që do të provokojshin masa rrepresive, pabesim dhe armiqësi të pushtuesit, e që si rrjedhim do të dobsojshin forcat e kombit, që duhej të ishin shumë të organizueme tansisht per çastin vendimtar të fatit të Atdheut.
Nuk kemi mungue t’ ua vemë në dukje kryesisht Popullit Shqiptar, e njerzëve ma përgjegjësa moralisht këto rrethana, tue u kërkue e shpjegue nevojen “e pritjes”, per të mos hy nder shqelmat e atllarëve, per të mos dhanë mish per topa. I kemi sigurue me premtime solemne e deklarata publike, që nuk do t pranojshim kurrë një politikë shkombtarizimi nga Italia, dhe se, në një rasë të tillë, do t’ ishim të parët që do të qitshim kushtrimin e do të rrokshim armët, por edhe n’asnjë mënyrë nuk do të tradhëtojshim Italinë gjatë Luftës. Na kemi mendue se Shqipnia mund të forcohej me lealitet e jo me akrobaci, per të cilat nuk kishte as takat.
Kryeministri Mustafa Kruja, në fjalimin e Tij mbajtë në Theatrin Skenderbeu, në Tiranë, në prani të publikut dhe të autoriteteve civile e ushtarake italjane e shqiptare, deklaroi në formë të preme se, “po kje që, Italia do të na tradhëtojë, né miqtë e saj do ti vemë pushkën ma të parët!”
Po në një konferencë, me 16 Prilli 1942, mbajtë po në Theatrin Skenderbeu, nga ana ime, me praninë e Mëkambësit të Mbretit, e të tjera autoritete civile e ushtarake shqiptare e italjane t’ elitës së Tiranës, dhe që njëherit trasmetohej me radio në gjithë Shqipninë e jashtë Saj, nder të tjera çeshtje, deklarova edhe sa vijon: “Italia na ka premtue botnisht e solemnisht nepër gojë të Mbretit dhe të Duçes, tue sanksjonue me Statut sigurimin e indipëndencës, sovranitetit shtetnor, e mandej, edhe Shqipninë e Madhe… Lidhja ynë juridike me Italinë, në rrethana që gjendemi si komb e si shtet, nuk na lanë me dëshrue deri tashti…
Në kjoftë se per faj të Italisë, ka per tu shkelë ky Pakt… Atëherë, do të vijë koha e veprimit. Atëherë kanë per tu njohë burrat e patriotët…” …dhe, përfundojshe me bashkëfjalimin hypotetik të një kosovari, me një të Shqipnisë së Vjetër, që kosovari i tha: “Zotni, në koshim vllazën, të bijtë e njajë nane qi i thonë Shkipni, mos harroni, qi na tash njizetepesë vjetë ishim të rrxuem përdhe, me shkelm në fyt. Ju ishit në kambë, por vallahi veçsa me ba hije në tokë, e jo, me na lirue né prej kjahmetit e prej shkaut! Paj sod, barè nëmos ma mirë, jemi të dy në guj ngryka-ngrykas, e dikur, sëbashkut mund të çohena edhe mëkambë, na ia dijmë shyqyrin kësaj, e edhe ju, nëse na thoni vllazën, nuk duhet ta harroni gazepin qi kena hjekë, se vallahi, as ju pa né, e as né pa ju, të gjallë nuk kemi!”
Demagogji? Jo, po ankth, ankth që rridhte nga realiteti i idhtë i së kaluemes, e preokupimi per të ardhmen që demagogjitë qi porsa kishin fillue të lëshshojnë “slloganet” e tyne, kontribojshin me i shtij zjarriin Shqipnisë e me humbë Kosovën e të tjera tokë të lirueme, siç ngjau.
***
Domethanja e deklaratave tona që përmenda, si dhe të tjera, banin të kjartë dhe: Afirmojshim vullnetin e ngultë të Popullit Shqiptar, me ruejtë pavarsinë në kufinjtë e individualitetit si shtet e komb dhe tansinë toksore nder kufinjtë e arritjun si dhe, t’ ardhëshmit etnikë; afirmojshim edhe vëndosmëninë mos me i lëshue këto të drejta, përfshi këtu edhe çeshtja e kolonizimit, pa u la në gjak. Këta afirmime i bajshim sy per sy me miqë e anmiqë, n’ atë kohë kur Italia ishte akoma fuqi botnore e me bajonetat e sajë në Shqipni, e jo, nder skutuliqe kafehanesh e nënza si disa, që tash që ka mbarue gjithçka si asht zi ma zi per Shqipninë, gërvallen nepër botën e lirë si supërpatriotë (!)
Na i deklarojshim Italisë ballafaqe se jemi perkulë per të mos u thye, porse edhe nuk durojmë të shkelemi, të bahem skllav, pa vdekë. E dinim se ishim në gjunjë e jo në kambë, por në gjunjë doradoras e ngryka ngrykas me vllaznit e Tokave iredente, porsa të lirueme nga robnia e me prospektiva per tu ngritë në kambë si komb i bashkuem e indipëndent.
Na pranojshim relata pariteti me Italinë siç i sanksjononte Statuti, në kuadër të një politike bashkëpunimi, perforcimi e sigurimi në dobi të dy palëve. Bashkpunim në një perandori moderne të konfederueme, që sot aq me ankth po perpiqen popujt e Europës ta arrijnë, per të mundë me përballue rreziqet që u kërcnohën.
Prandej nëse Italia, do të mbante atë qendrim politik largpamës që duhej ti këshillonte gjeopolitika (gjeografi-sigurim-ekonomi), tue i dhanë Shqipnisë, sodisfaksjonin e nevojshëm si shtet sovran, do të kishte në bregun kundruell Adriatikut një popull mik, të vogël po, por të fortë e leal, një fortesë pararojë dhe rrugën ma të natyrshme të sigurueme per shfrimin tregtar-ekonomik e kulturor drejt gadishullit Ballkanik, deri në Bosfor. Shqipnia e mbështetun me Italinë, siguronte bashkimin e kombit nder kufinjtë etnikë e zhdukte përgjithmonë rrezikun e coptimit që i kërcënonin fqinjtë ballkanas. Njëherit gjente mjetet e mundësinë per zhvillim të gjanë e të shpejtë ekonomik, kulturor e kombtar, siç pat fillue.
Deri ku, këto parapamje ishin hipoteza logjike per të mundë të realizoheshin, apo vetëm dëshira, përveç vertetimit persa asht thanë, del në dritë edhe nga sa po rradhoj maposhtë:
1 . Mussolini u kishte deklarue disaherë pergjegjësave të shtetit Shqiptar, se Italia, nuk do të kishte kurrë qellime shkombtarizimi dhe kolonizimi drejtë Shqipnisë; per këte Italia, na kishte dhanë prova të pakontestueshme në dy raste në 1941 – 42 , tue mos lejue instalimin e disa familjeve bujqësore italiane ndër disa çiflliqe private në Shqipni , si bujqë gjyhnaqarë.
2. Kryeministri Mustafa Kruja, porsa mori kryesinë e qeverisë, filloi veprimin e skjarimit të pozitës së Shqipnisë në suazë të Unionit, veprim të cilin, e vazhduen edhe qeveritë e mavonshme Libohova-Bushati si dhe Kryetari Parlamentit të kohës Terenc Toçi, Koliqi dhe tjerë që janë përmendë aso kohe.
U hoqën fashjot e Flamurit të Shtetit. Gjendarmërija u shkëput nga varësia e Karabinjerisë. U terhoq nga funksioni edhe Roja e Kufinit (financës). Milicia Fashiste Shqiptare kaloi në varësi të qeverisë Shqiptare. Bataljonet e pakta t’ ushtrisë u përmblodhën në katër rregjimente të paperziem, tue i dallue me helmeten e Skenderbeut në qafore të xhaketës. U hoqën nga Dhoma Legjislative të gjithë italianët që ishin me funksjon këshilltarësh e organizatorësh. U shkëmbyen perfaqësina diplomatike me rang ministrash fuqiplotë. U vendos që diplomatët Shqiptarë të ngarkohen pranë konsullatave italiane kudo që Shqipnija të kishte interesa.
Dr. Prof. Ernest Koliqi u emnue Minister Fuqiplotë i Shqipnisë pranë Qeverisë Italiane, e Dr. Silenzi Minister Fuqiplotë i Italisë pranë Qeverisë Shqiptare.
3. N’ audjencën qi pata tek Duçe, me 23 Prill 1943 i percjellun nga Hilmi Leka, Vasil Alarupi, Hysref Frashëri dhe të percjellun nga Shefi i Kabinetit të Ministrisë së P. të Jashtme Babuscio Rizzo, i bana Duçe-s një raportë të gjendjes e të preokupimit tonë në të gjitha aspektet, tue i vue në dukje shqetsimin shpirtnuer të Popullit Shqiptar, si rrjedhim i disa gabimeve të politikës italiane drejt Shqipnisë, dhe i provova se në rrjedhim të sjelljeve të disa jerarkëve italianë, krejt të pavend (incosulte), fashizmi në mënyrën që ishte impostue e perfaqësue nga ata jerarkë, kishte falimentue në Shqipni.
I kërkova suprimimin e P.F.Sh. e zëvëndësimin e sajë me një organizatë thjeshtë Shqiptare, që kishe projektue e që do të pagzohej: “LËVIZJA E BIRVE TË SHQIPES”.
Per të vue në dukje edhe ankthin ma të madh qi kishim, até të kolonizimit, unë perfundova me ketë bisedë:
– Duçe! U flas per vete, U flas n’emën të kameratëve këtu prezent dhe t’atyne në Shqipni, e U flas, i bindun se me çka U kam thanë e po U them, jam shprehës i ndjenjave e i preokupimëve të Popullit Shqiptar.
Fakti i kryem në Prill të 1939-ës, na këshilloi të marrim pjesë e përgjegjësi në qeverimin e Vendit, të bashkpunimit me Italinë. Ju Duçe, si patriot i shquem që jeni, e kuptoni pozitën e vështirë para së cilës jemi gjetë, dhe therorinë (vetflijimin) tonë.
Demagogët na kanë quejtë të shitun e tradhëtarë, e na pa u vue vesh këtyne epiteteve banale, vazhduem lealisht veprën tonë, të bindun ndërgjegjshmënisht se kryejshim e po kryejmë, vepër patriotike në dobi t’Atdheut tonë e të kauzës së perbashkët të dy popujve tanë.
– Disa veprime e gabime qi U përmenda, e kanë ndrrue kuptimin juridik të Bashkimit Personal në mes të dy popujve, në pushtim, gja që cenon thellë ndërgjegjën e kryenaltësinë e Shqiptarëve dhe vetë Statutin e dhanun nga Mbreti, e aprovue nga Duçe i Fashizmit. Kjo gjëndje e ven në dyshim e pasiguri Popullin Shqiptar per t’ardhmen e tij. Asht ba gozhdë e ngulun e shqetsim i përgjithshëm në mendje të Shqiptarëve: F r i k a e k o l o n i a l i z i m i t, që si rrjedhim, do të sillte shkombtarizimin e ngadalshëm tek né.
Italija gjendët tani në një fazë të vështirë të luftës, të cilën uroj me zemër ta kalojë lumnisht, e parashtruemja e këtij problemi në këte çast e mënyrë nga ana e jonë, mund të duket si perfitim nga ky rast i vështirë. Nuk asht ashtu! Ju e dini Duçe, se unë tani nuk kam asnjë ngarkim zyrtar e as nuk jam antarë i qeverisë së tanishme, që të mund të flas me cilësi zyrtare . Kam vetëm titullin Minister Shteti, e prandej, flas si privat; U flas si miku mikut, si patrioti patriotit i preokupuem e n’ interesë të dy popujve qi po i ndjek i njajti fat.
E parashohim kjartë unë edhe të gjithë Shqiptarët me vetëdije (bonsenso), se ç’fat e pret Popullin Shqiptar po ta humbin luften Boshti: Sulmi i fqinjëve ballkanas, jo vetëm per të na pushtue e coptue edhe ma zi, po, edhe me qellim me na shfarosë fizikisht si komb. E dini planin e Mihajloviç-it. Një të tillë plan sigurisht, do ta ketë edhe ndonjë gjeneral grek në trunin e tij. Kemi frikë se humbja e Boshtit i sjell Shqipnisë o shuemjen, o kaosin bolshevik në shërbim të sllavizmit e me rrjedhime tragjike. Ja arsyeja e thjeshtë që Shqiptarët, nuk mund ta dishrojnë humbjen e luftës nga ana e Boshtit.
Gjermania e Italia si popuj të mëdhej që janë, edhe po ta humbin luftën, patjetër ringjallën prap, po Shqipnia, me rastin e kësajë humbje ka vue në rrezik vazhdimin e jetës, jo vetëm si shtet sovran, po, edhe fizikisht si komb.
– Këta supozime të mija Duçe, ndoshta janë teper të vrashta, por mue ma imponon ndërgjegja e ime dhe e shokëve që kemi dhanë bashkpunimin tonë leal per kauzën e përbashkët, t’ U shprehi sinqerisht çka ndiejmë, e njëherit t’ U kerkojmë të fillohet pavonesë organizimi i nevojshëm që Shqipnia, të mundet me përballue rreziqet që i kërcnohen në rasën fatkeqe të humbjes së luftës.
– Na kemi besue dhe besojmë në fjalën t’ Uej, shumë herë dhanë solemnisht në favor të Popullit Shqiptar, e me këte besim duem të vazhdojmë me i shërbye Atdheut tonë e çeshtjes së përbashkët. Nuk e kemi mendjen të dezertojmë në këte moment kritik, po me të tanë çka na premton fuqija e jonë e vogël, jemi të vendosun me dhanë kontributin tonë per kauzen e perbashkët e me konsolidue marrëdhanjet ma të mirat në mes së dy popujve, me lealitet e mirëkuptim anasjelltas. Sidoqë të perfundojë kjo ndeshje gjigantësh, asht dobi per të dy palët që të mbeten kujtime të mira e lidhje shpirtnore, e jo, n’ asnjë mënyrë anmiqësi.
Popullin Shqiptar e ndanë një lum gjaku nga fqinjtë ballkanas, per faje të këtyne të dytëve e jo, të Shqiptarëve, pse na mbetën vazhdimisht në qafë, na grabitën tokët e na masakruen. Nuk duem n’asnjë mënyre të hapet një plagë e tillë edhe me Italinë; këte e keni në dorë Ju Duçe, që të mos ngjasin kurrma.
– Populli Shqiptar duhet të sigurohet per tash e per t’ardhmen nga synimi i kolonializimit, ti hiqet ky preokupim. Per ti sjellë këte besim, u perket përgjegjësave Shqiptarë në mbështetje të sigurimeve që t’epni Ju, por fjalët nuk janë ma të mjaftueshme sado të sinqerta të jenë.
– Kam per t’u parashtrue edhe një problem tjetër me rendsi jetsore. Duket se jemi afër zhvillimit vendimtar të luftës. Boshti ka korrë fitore të shkëlqyeshme deri tani e tash gjendet në një fazë të vështirë. Kjo nuk don të thotë se fati i armëve nuk do të këthehet prap përsëmbari, e né e urojmë me zemer; por duhet me pasë guximin me ba edhe konsideratën e së papritmës. Në rasë se, Boshti e humbë luftën ose Italia nuk mund ta vazhdojë deri në fund, atëherë Shqipnisë i kercnohet rreziku ma i madhi. Do ti turren fqinjtë per ta shfarosë. Nuk kemi ushtri të tonën, nuk kemi armë per të mundë me ba mobilizimin e pergjithshëm me mbrojtë kufinjtë derisa t’ arrijnë forcat anglo-amerikane. Po të vehemi né në gjendje me qendrue nder kufinjtë e sotëm, e me zmbrapë sulmet eventuale serbe e greke, patjetër do të provokojmë nderhymjen e ushtrive anglo-amerikane e pushtimin e Shqipnisë nga ata.
Kjo do t’ ishte e keqja ma e lehta.
– Asht nevojë imperative dhe e ngutshme me rikrijue ushtrinë Shqiptare ashtusi e keni premtue Ju, me komandë të veten, me flamurin e vet kombtar dhe me divizjone të veta, dhe njëherit me përgatitë planin e mobilizimit të përgjithshëm, qi të mund të perballojmë per kohën e nëvojshme rrezikun që U tregova.
– Shqipnia e sotme, në një mobilizim të pergjithshëm, mund të nxjerrin dyqindmijë luftarë të zgjedhun, e po të ketë armatimin e përgatitjen, sigurisht mund të mbrohet pa lëshue një pëllambë tokë derisa të mërrijnë fuqitë anglo-amerikane. Kujtoj, se kjo mbrojtje nuk asht vetëm n’interesë të Shqipnisë, po të dy palëve, e permatepër, Italia, ka detyrë ta venë në gjendje Popullin Shqiptar të mbrohet nga rreziku i shuemjes nga faqja e Dheut. Ma interes ka Italia të jetë Populli Shqiptar mik në bregun kundruell Adriatikut, sesa i shuem e i zëvëndsuem nga anmiqë të fortë e të papajtueshem t’ Italisë.
Per të përgatitë mbrojtjen me sukses, asht e nevojshme të sigurohen qetësia e rregulli mbrenda vendit. Asht në lëvizje sot, jo të gjanë, një anmik që nesër mund të bahet i rrezikshëm e që i rri Atdheut tonë me thikë mbas shpine per t’ia ngulë në momentin ma të vështirë, në momentin që ka me na u dashtë me dalë nder kufinjë.
Ky a n m i k asht k o m u n i z m i.
Asht nevojë e domosdoshme që kjo kolonë e pestë e sllavizmit të zhduket rrajsisht, parase të mundet me krye krimin qi synon dhe që i asht ngarkue nga Kremlini.
– Ky operacjon nuk duhet ba nga ushtria italiane per shumë arësye. Ushtria italiane nuk di të dallojë të pafajshmin nga fajtori, e në vend që të shuejnë lëvizjen komuniste, i shton rradhët atyne tue mos kuptue taktikën e anmikut. Komunistët synojnë kryesisht që me aksjonet e vogla të tyne, të shkaktojnë raprezalje në Popull, e kështu, me e shtërngue Popullin të arratiset që t’u shpëtojë reprezaljeve; si rrjedhim me shtue rradhët e tyne. Prandej, duhet dijtë me dallue mirë e me qillue vetëm fajtorin, anmikun, e anmiqë në Shqipni deri më sot, janë vetëm komunistët, si per çeshtjen Shqiptare, si per çeshtjen e perbashkët. Përveç kësajë, kujtoj, se asht e dobishme e politikë largpamëse me evitue që shqiptarë e italianë të përgjaken në mes tyne. Çeshtjen e mbrendshme duhet ta rregullojmë vetë né Shqiptarët.
– Gjendarmërija Shqiptare në gjendjen që asht sot, nuk mund ta kryej këte misjon, sëpse kuadrot e tanishme me vështirësi do t’ishin të mjaftueshëm per shërbim në kohë normale. Per këta operacjone duhet unitet luftimi, bataljone shetitës e në numër të mjaftë që të mund të bahet spastrimi në gjithë Shqipninë njëherit. Me njëzet bataljone (1) qeveria Shqiptare do t’ishte në gjendje të sigurojë qetsinë per çdo kohë. E nuk mjafton që Ju, t’ autorizoni ketë rekrutim e veprim.
– Duçe ! Po ta veni Popullin Shqiptar në gjendje me mbrojtë ekzistencën e tij, do ti jepni edhe provën konkrete se vertetë e doni me zemër ashtu siç e keni deklarue. Kësisoj, do ti zhdukni çdo dyshim që ka sot ndaj Italisë. Emni i Juej do të mbetet i skalitun me mirënjohje nder zemrat e të gjithë Shqiptarëve brez mbas brezi, si shpëtimtar .
– Në ketë raport, U kam ba edhe një propozim që mund të prekë sensibilitetin: Pushimin e funksjonit të P.F.SH., dhe zëvëndësimin e sajë me Lëvizjen e Birëve të Shqipës . Besoj se shkaqet i gjeni të mjaftueshme e se, nuk mund të dyshohet në mue ish Minister-Sekretar i P.F.SH., per besim ndaj doktrinës s’Uej; por Ju, e dini se një Lëvizje kombtare per të kenë i sigurtë suksesi i saj, duhet të ketë zanë fillë nga ndijesitë e tradicjoni i Popullit. Ju vetë e keni thanë se fashizmi nuk asht per eksportim, pra nuk mund të kopjohet integralisht, siç ban komunizmi. Tentativa e disa jerarkëve me e kopjue në Shqipni, e ka sjellë në negativitet.
Në Lëvizjen Birtë e Shqipës do të marrim nga doktrina e Juej, gjithshka asht e përkueshme me shpirtin e Popullit Shqiptarë, kuptimin socjal ashtu edhe politik si Lëvizje nacjonale. Ju keni vue per moto në doktrinën t’ Uej “ATDHEU MBI TË GJITHA”. Kjo kryefjalë nuk asht thanë vetëm per Italianët. Me këte i flet Geni njerzimit, BURRI Popujve liridashës. Birtë e Shqipës e bajnë të veten këte kryefjalë e përmes saj, do t’u njohin si Kryetar moral (Paternita morale).
Duçe! Kam krye çka kishe per t’ U thanë e u kam folë me zemër të haptë, si një babës, si burri burrit, patrioti patriotit.
——
(1) N’atë kohë mjaftojshin edhe pesë bataljone të pajisuna mirë, per të shue levizjen komuniste në pak kohë. Arsyeja qi kerkojshe njizetë bataljone, kuptohet kur të flas per ta. Po, duhet të na jepni edhe mjete, armatimin e nevojshëm, veshmbathjen dhe të hollat, me që në buxhetin tonë nuk asht parapa një shpenzim i tillë, as nuk mund ta perballojmë, kështu, që derisa të bahej ligja perkatëse e të mblidhen të hollat, kishte me kalue shumë kohë e çmueshme.
Komentet