ÇKA ASHT POLITIKA ?
Kësaj pyetje duhet ti jap përgjegjën, per me provue se a ishim né në rrugën e vertetë t’ interesave t’Atdheut (nder ata rrethana historike të kohës), a po të tjerët, né fashistët (!), apo ata antifashistët (!) e mbaskohës.
Politika asht cilësue filozofikisht si “ARTI I MUNDËSISË”, per me arrijtë qellimet e një kombi. Mjetet janë diplomacia e armët qi vihen në sherbim të politikës. Por nuk mjafton vetëm arti në politikë, aty hyn në veprim edhe shkenca që të ndihmon me njohë se çfarë objektivash duhen arrijtë, si mund t’ arrihen, dhe si duhet renditë veprimi diplomatik ose ushtarak per arrijtjën e qellimit, që asht detyrë me i sjellë kombit dobi ma të mëdha dhe të mundëshme. Asgja që nuk mbështetet në logjikë të shëndoshë, fakte o forcë të mjaftueshme nuk asht politikë, po utopi!
Nuk janë politikë as dëshirat sado të mira e të çmueshme të jenë, e as gënjeshtrat; të parat mbeten andrrime të thata e të dytat, gënjeshtra të perbuzëshme e të damëshme.
Kush del jashta kësajë vije, mund të jetë atdhedashës idealist, nacionalist i mirë me zemër sa të duesh, por nuk duhet kurrë të perzihet në politikë; politika per ata lloj patriotësh asht gur mullini në stomak, dhe ua pelset zorrtë e tyne tue damtue çashtjen e përgjithshme.
Shkenca politike, nuk fitohet tue u gërvallë rrugëve si derri: “Uu…Uu…Uu..!”, po me mësim e pervojë të gjatë, me prirje natyre e deri diku edhe me trashigim. Pse kasapi pret mish, nuk don të thotë se asht edhe kirurg. Siç, asht e vështirë të bahet njeriu artist, po nuk pat prirjen e natyrës. Ashtu asht vështirë me u ba politikan pa pasë prirjen e cilsitë që përmenda, e këtyne, duhet tu shtohet disinteresimi vehtjak që asht zeniti i patriotizmit. Zhvillimi historik i ngjarjeve të kohës, ka provue lakuriq se kundërshtarëve tanë politik, u kanë mungue këto cilësi, po u ka mungue edhe vetëdija (bonsenso) per të ndjekë shembulla nga historia.
Pa shkue tek një Petain, te një Horty etj., ka kenë mjaft shembull i kjartë qindrimi i Mbretit Zog në mërgim, per të dijtë me rregullue qendrimin e vet çdo Shqiptar me mend.
Pse Mbreti Zog gjatë luftës nuk i drejtoi njëherë popullit një mesazh për të rrokun armët kundra okupatorit?
Kush nder Shqiptarë kishte ma interesë se ai, të fitonte titull meritash ndaj Aleatëve, si e vetmja mënyrë që mund të shpresonte të merrte fronin pa shumë telashe mbas luftës së fitueme nga Aleatët?
Unë logjikisht e pata mendue se ai nuk lëvizi n’ atë drejtim, sëpse nuk pat konstatue konditat e nevojshme per sigurimin e t’ ardhmes së Atdheut. Nuk do të kishte pasë mundësi me bindë Aleatët, që të njohin një qeveri Shqiptare në mërgim dhe me të cilën me nenshkrue protokolet e nevojshme per t’ardhmen e Shqipnisë. Këte ma vertetoi edhe vetë ai, kur pata rasën ta takoj në Cannes në 1959. Qeveria angleze e kishte ftue të drejtojë Popullit Shqiptar, me mesazh ribelimi, por ai, meqë nuk i ishin dhanë kushtet e nevojshme per t’ardhmen e Shqipnisë, e kishte refuzue, e ky refuzim pat shkaktue pezmatim në Londër kundër Tij.
Mbas mendimit tim, ai pat veprue si Mbret e si shqiptar i mirë e me mend. Nuk e pat lejue zëmra t’ japin mish per topa pa sigurime të caktueme me protokol në dobi t’Atdheut, e la m’anesh interesat imediate të Tija. Shembulli i Tij, duhej të kishte kenë mësim i mjaftueshëm per të gjithë Shqiptarët.
E dijnë të gjithë ata që më njohin se, që prej vjetit 1923, e deri në këte mërgim, kam kenë kundershtar i Zogut, jo si monark, po si sistem qeverimit, e jo vetëm, kundërshtar llafesh e kafesh, po edhe me pushkë e penë, prandej askush nuk mundet të thotë se po bijë shembull patriotizmi e mendshunije qendrimin e Mbretit gjatë luftës, i shtymë nga ndiesina partizanije. Baj vetëm konstatimin e ndergjegjshëm si Shqiptar e njeri objektiv, që nuk ngurron të çmojë e të njohë meritat e mikut, por edhe të kundershtarit.
Po të gjeheshin merita të veprimtarisë së tyne (kundërshtarëve tanë politikë) që do ti kishin sjellë dobi çeshtjes kombtare, me kënaqësi do t’ ua kishe njohtë e vue në dukje nder këta tregime (megjithse, kundershtar në mendime e veprime); por tue hulumtue ndergjegjësisht, per çka dihet deri më sot, nuk po i gjejmë ato merita, po të kundertën. E qé, pse:
Ata, e kanë dijtë planin e Mihajloviqit (dhe nuk mund ta mohojnë, sëpse e kishin botue në gazetë). Kanë dijtë detyrimet e marruna nga Anglia në favor të Greqisë dhe në dam të Shqipnisë, pohue me deklaraten e Ministrit të P. të Jashtme, Mr. Eden në Dhomë të Komuneve.
Ata nuk paten asnjë marrëveshje diplomatike të karakterit protokolar të së Drejtës Ndërkombtare, per sigurimin e s’ ardhmës së Shqipnisë mbas Luftet me ata Aleatë, me agjentët e të cilëve ata kanë bashkëpunue e që per atë bashkëpunim, akoma sot, mbas njëzet vitesh tragjedi të Popullit Shqiptar (rrjedhim i fitores së Aleatëve), vazhdojnë e thonë me mburrje: “Né e kishim lidhë fatin me fitoren e Aleatëve”1).
(1) Shih “Zëri i Ballit Kombëtar” – Buletin Special – faqe 17, Pranverë 1966.
Lindë pyetja: A nuk do të ishte fituese edhe Rusija bolshevike me atë fitore? Çka mund të pritshin né nga fitorja e Aleatëve?
Ishte e kjartë se prej asaj fitore, e keqja ma e vogel që mund ti vinte Shqipnisë, do t’ishte: Me na i shkëputë edhe njëherë persëri TOKAT E LIRUEME, e po, të fitonte Mihajloviqi në Jugosllavi, na priste zhdukja e elementit Shqiptar nga të gjitha ata vende, siç e zhduku Greqia, Shqiptarin nga Çamëria.
A mund të quhet meritë kombtare bashkëpunimi i vullnetshëm me “ata”, që kishin deklarue haptë dhe zyrtarisht ricoptimin e Atdheut tonë? Kësaj pyetje, lè ti japin përgjegje lexuesi dhe historia!
***
Të gjithë Shqiptarët që janë marrë me politikë gjatë luftës, por edhe të shkolluem që nuk janë marrë me politikë, kanë kenë në dijeni të këtyne faktevet historike:
a)Se Shqipnisë, që në vjetin 1912 i ka pasë kenë grabitë mashumë se gjysa e tokës kombtare nga fqinjtë serbo-malazez e grek, të mbështetun nga ata Aleatë, me të cilët edhe gjatë luftës së fundit ishin prap aleatë.
b)Se populli Shqiptar, vetëm me fuqitë e tija, nuk do të kishte kenë kurrë në gjendje me arrijtë të shtijë në gjiun e Shtetit Shqiptar këto pjesë t’Atdheut, si ishte aspirata dhe e drejta e Shejtë e të gjithë Shqiptarëve.
c)Se kjo “MREKULLI”, erdh nga fitorja e armëve të Boshtit, në virtyt të “Bashkimit Personal” të Shqipnisë me Italinë.
d)Se Jugosllavia (Mihajloviq e Tito) dhe Greqia, ishin aleatë me armiqtë e Boshtit, dhe që nuk pengoheshin me rimarrë Kosovën e të tjera vise të lirueme. Po Jugosllavët (Mihajloviqët) donin edhe Shkodren me hinterland (Tito) Krejt Shqipninë vasale, e Grekët Korçën e Gjinokastrën.
e)Se qeverija e M.T.Britanike përmes deklaratës së Ministrit të P. Jashtme, kishte thanë botnisht: “Shqipnisë do ti njihet indipendenca e integriteti nder kufijt e 1913-ës, me një rektifikim ndër kufinjtë e Jugut”.
f)Se kjo deklaratë, kishte kuptimin e kjartë që Kosova me të tjera Tokë të Lirueme, në Prill të vitit 1941, do ti ktheheshin Jugosllavisë, dhe Çamëria, Korça e Gjinokastra, Greqisë.
Simbas mendimit tim, bashkëpunimi me të tillë “aleatë” që kishin paracaktue kështu fatin tragjik të Shqipnisë, ma lehtë se gjithshka mund të quhet gabim i randë.
Padyshim që disa ndër përgjegjësat e një bashkëpunimi të tillë, ma teper se nga naiviteti, u shtynë nga italofobia.
Italia e kishte pushtue Shqipninë ushtarakisht në Prill të 1939, dhe per rrjedhim, Shqipnisë i kje imponue “Bashkimi Personal” me Italinë, gja që nuk e dëshronte asnjë Shqiptar, por që e imponuen rrethanat e çastit historik. Kjo shihet kjartë sidomos nga qëndrimi që pat marrë Përfaqësia e Shkodrës (të deleguem At Anton Harapi e Gjon Markagjoni) në bisedimet me Ministrin e Punëve të Jashtme t’ Italisë, Kontin Galeazzo Ciano, dhe me deklaraten e tyne n’ Asamble.
Kështu mund të thohet edhe per delegacjonet e krahinave tjera, megjithqë, nuk e patën ndijë vetën me ba qëndresë sa Shkodra.
Megjithkëte, nuk duhej harrue se në virtyt t’atij “Bashkimi” dhe t’Italisë, ishte arrijtë smadhimi i Shqipnisë, tue u realizue aspirata ma e madhe dhe e drejta ma e shenjtë e Popullit Shqiptar.
As politika që bahet me mllef mënijet (fobie), as ajo e shtyme nga simpatia e pakontrollueme, nuk mund të quhen politikë e vertetë.
Politikë asht ajo që vihet në peshen e interesave që përfaqëson e don të perfaqësojë, dhe mandej, politikani zgjedh rrugen e anës që peshon ma shumë në dobi të Popullit vet, të pakten që e mendon, e ia provojnë rrethanat si ma të dobishme.
Në ketë rasë që po analizojmë, ishte e kjartë se pesha ma e dobishme per Shqipninë, anonte per fitoren e Boshtit.
Ishte e kjartë se fitorja e Boshtit (në Bashkim, dhe jo me Italinë), do ta siguronte Shqipninë per disa breza e përgjithmonë nder kufinjtë etnikë, siç asht shpjegue në një tjeter pjesë të këtyne ngjarjeve.
Ishte edhe aq e kjartë (siç u tha maparë), se prej fitores s’Aleatëve, Shqipnia nuk mund të priste veçse çka i ngjau, në mos edhe ma zi (po të kishte fitue Mihajloviçi në Jugosllavi).
***
Me studjue psikologjikisht vrullin e simpative dhe t’ antipative të né Shqiptarëve, më duket se del në shesh një e mbetë e papjekuni politike që na shtynë nder gabimet ma trashanike e rrënuese:
Shumica e Shqiptarëve që merren me politikë, nuk dijnë ose nuk duen ti udhëzojnë simpatitë e antipatitë (e per rrjedhim, veprimin), tue u nisë pikësëpari nga pikpamja e interesit të Vendit, po, lëshohen mbas pasjonit të simpatisë ose antipatisë.
Logjika e shëndoshë politike, në rrjedhim të së cilës njeriu duhet të rregullojë veprimin e tij asht ndryshej:
Për shembull, unë jam italofil e gjermanofil, antiserb e antigrek. Kjo nuk rrjedh nga fakti që unë kam simpati të veçantë per Italinë e Gjermaninë, por pse këta dy popujt tanë fqinjë (serb e grek), na kanë pushtue gjysmën e Atdheut, dhe nuk kanë dishmue kurrë se duen një rregullim të drejtë me Popullin Shqiptar, siç do t’ ishte n’ interesin e përbashkët edhe t’ atyne vetë, që ballkanasit të munden me jetue në harmoni dhe paqë.
Kjo gja do t’ ishte e mirë per të gjithë, po janë tregue perherë të pangishem në dam të Shqipnisë. Nga kjo, simpatia per Italinë e Gjermaninë, pse në daç edhe vetë historia né na e ka provue, po në daç gjeopolitika e forcon bindjen, që këta dy popuj janë të parët që kanë interesat e tyne, me pasë një Shqipni të Pavarun dhe sa ma të madhe në breg t’ Adriatikut, në gjiun e Ballkanit; sëpakut, kështu, derisa mos të munden me e përpijë për vete.
Që n’ atë ditë që Serbët e Grekët, do ta kuptojshin se asht edhe në interesin e tyne të bien në godi me Shqiptarë, tue ua njohë të drejtat legjitime, të drejten me u bashkue të gjithë Shqiptarët në Shtetin Shqiptar, e të japin siguri per Pavarsinë e Shqipnisë, unë do tu bajshe ndër ma të ngrohtit serbofilë e grekofilë.
Nga perfundimi logjik i këtij arsyetimi del: Nuk ka as simpati, as antipati, as ideologji, që mundet me perligjë veprimin e politikanit, kur ai veprim të jetë në dam t’ Atdheut.
Patriotizmi i vertetë shuen të gjitha arsyet individuale edhe po të jenë të drejta, kur këto bijen në kundërshtim me interesat e Kombit.
Gjatë Luftës së Dytë Botnore, ushtria italiane e mandej ushtrija gjermane, sëbashku me kauzen e tyne (dashtë e padashtë), mbrojshin edhe kauzën e Shqipnisë. Shqipninë etnike. Mbas logjikës sime, thom se, me i vue pushkën atij ushtari që ishte tuej mbrojtë edhe Tokën, dhe të Drejtat Shqiptare, ka kenë (me vetëdije o naivitet), si me i vu thiken Nanës.
TEHERANI DHE JALTA
Po këthej tek Vendimet e Teheranit dhe të Jaltës, pse disa nga Shqiptarët thonë se, Shqipninë ua kishin lanë Rusisë, anglo-amerikanët qyshë atëherë. Po t’ ishte se vertetë ata e kishin ketë bindje, atëherë, gabimi i tyne randohet edhe ma shumë, se tue e pasë dijtë që Aleatët e kishin lëshue Shqipninë në doren e Rusisë, rruga e këshillueme nga logjika dhe rrethanat historike të çastit, që duhej ndjekë nga ata ishte: “O me né pa asnjë rrezervë (pra me kauzën e Boshtit) ose lealisht, dhe krah per krah me komunistët deri në fund”. Duhej kuptue si njerzë me përgjegjësi se në mes të dy palëve, pa një mbështetje, nuk mund të nxirrej asgja në dobi të çeshtjes kombtare n’ até perleshje Botnore.
Por, nga dokumentat zyrtarë, ditarë e kujtime të botueme deri sot, nuk vertetohet askund që Shqipnia, të ketë kenë objekt bisedimesh e traktativash nder ato mbledhje, pra në ndamjen e influencave.
Rezulton perkundrazi, të ketë kenë injorue, sëpakut, nga anglo-amerikanët, që nuk dijtën të çmojnë vleren gjeopolitike-strategjike të Shqipnisë n’ Adriatik, e per rrjedhim në Mesdhe.
Aq e vertetë asht kjo, sa dihet që Greqia kje lanë nen influencën e Anglisë, Bullgaria nen Rusinë e Jugosllavia nen influencën dypalshe ruso-angleze. Pra, gjithshka asht bisedue n’ ato mbledhje, por çeshtja e Shqipnisë nuk asht permëndë. Natyrisht, Stalini nuk e ka injorue por i ka levertisë ta lanë në heshtje per planet e Tija mirë të paracaktueme.
Tue mos pasë kenë vue Shqipnia shprehimisht nder çeshtjet e ndamjes së influencave del në shesh vetvetiu se: Shqipnia do të kishte pasë até fat që do ti përgatiste vetës në mbarimin e Luftës.
Po ta kishte gjetë mbarimi i luftës pushtetin në dorë të forcave kombtare antikomuniste, sigurisht, që Vendi ynë do të kishte ba pjesë me Perëndimin në rregjimin demokratik.
Na thohet tani nga disa, se edhe po t’ishim bashkue të gjitha forcat nacionaliste, çeshtja do të kishte përfundue gjithnjë ashtu si përfundoi, pse komunistëve do tu kishin ardhë në ndimë divizjonet Jugosllave e Ruse. Kjo hipotezë, nuk mund të perjashtohej krejtësisht, porse, i duheshin vue këtij mendimi përballë konsideratat që vijojnë:
1) Po ti kishin dhanë Balli Kombëtar e Legaliteti (aso kohe ky i fundit me anë t’Abaz Kupit bante pjesë zyrtarisht në Lëvizjen Nacjonal -Çlirimtare – pra komuniste – e Balli, me bashkëpunim jashta L.N.Ç.), përkrahjen – të pakten terthorazi – qeverisë, domethanë tue mos sabotue e tue mos bashkpunue me komunistët, e mos të kishin shtue rreshtat e tyne me të rijtë idealista, që i shtyjshin të dalin në mal, pa pasë një organizatë të veten çetash t’armatosuna, e kështu, mbarojshin nder çetat komuniste e përpiheshin nga ato dhe ideologjia bolshevike, lëvizja komuniste do të kishte pasë mujtë të shuhet pa vonesë, kështu, që mbarimi i luftës, do të na gjente pa ketë gjarpën në gji. Në ketë mënyrë, do tu mungonte si rusëve ashtu jugosllavëve justifikimi me marrshue drejt Shqipnisë, meqë, rregjimi do t’ ishte (simbas planit të qeverisë) në dorë të nacionalistëve të deklaruem kundershtarë të Boshtit dhe miqë t’ Aleatëve. Aq mateper, kur në ketë rasë, nuk do të kishte pasë ushtri të Boshtit në Shqipni, pse do të ishin të terhjekuna siç u terhoqën.
2) Mbas kapitullimit t’ Italisë, erdhi pushtimi ushtarak gjerman. Ishte e lehtë me parapa, se ushtritë gjermane (në rasë terhjekje) do të terhiqeshin nepër Jugosllavi, meqë nuk kishin tjeter rrugë shpëtimi, ashtu siç edhe ngjau, prandej, per një kohë jo të shkurtë fuqitë partizane të Jugosllavisë, do të kishin kenë të zanuna me ushtritë gjermane në tokën e tyne pa pasë mundësi të kthehen nga Shqipnia.
3) Fuqitë Shqiptare, që u parapa simbas planit të vendosun me Musolinin, e që asht tregue ma parë, arrijshin në rreth dyqindmijë luftarë. Me këto forca, né mund të qendrojshim në mbrojtje (difensivë) pa lëshue një pllambë tokë të kufinjve t’ atëhershëm (tue perfshi tokët e Lirueme që nga Prilli 1941) per gjithë kohën, që fuqitë jugosllave do të kishin kenë të zanuna me fuqitë gjermane në terhjekje.
4) Do të kishte kenë koha e mjaftueshme me bindë ose shkaktue, edhe pushtimin ushtarak të anglo-amerikanve në krejt tokën Shqiptare.
5) A do të kishin mundë Shqiptarët t’ organizuem e t’ armatosun si mbas planit të paracaktuem (siç asht thanë), me i mbrojtë kufinjtë deri n’arrijtjen e ushtrive anglo-amerikane?
Këtu kemi dy faktor tashma, të rregjistruem në histori që këte e pohojnë pozitivisht:
a) Në terhjekje të ushtrisë gjermane, dy divizjone bullgare sulmuen t’ okupojnë Kosovën. Përballë tyne ishte një rregjiment jo i plotë i ushtrisë Shqiptare i komanduem nga heroi kolonel Fuad Dibra, dhe vullnetarë kosovarë të dalun në luftë me kushtrim, pa ndonjë tjetër përgatitje teknike, përveç vullnetit të ngultë që ka Shqiptari me mbrojtë vendin e vet, me armë e municjon mjaftë të paktë. Ky grusht burrash zmbrapi sulmet e ushtrisë së rregullt bullgare, tue ua marrë edhe shumë materjale lufte e gjashtë topa. Asht e lehtë të merret me mend që, sikur të kishim pasë 10-15 divizjone të stervituna e t’ armatosuna simbas planit të qeverisë, nder kufinjtë me Jugosllavinë, sigurisht, një kambë sllave nuk do të kishte shkelë në tokën Shqiptare, të pakten per tre-kater muej, aqsa zgjati tërhjekja e ushtrisë gjermane neper Jugosllavi. Nderkohë, do të kishim mujtë t’arrijmë nderlidhjen edhe me ushtritë kroate në Sanxhak, per një mbrojtje të përbashkët. Një organizim e qendresë e tillë, do ta kishte çue Kosoven me të madh e të vogël, si një trup të vetëm në kambë, dhe do tu shkruente një faqe lavdije e pashoqe në historinë e re të Shqipnisë.
b) Nuk ishin ushtritë partizane jugosllave ato që erdhen në ndimë të komunizmit në Shqipni me marrë pushtetin e per të dëbue okupatorin, po ishin partizanët Shqiptarë (komunistët) që shkuen në Jugosllavi, me i ndihmue ata kundër gjermanëve, e kje Mehmet Shehu me divizjonet e tij, që pushtuen Kosovën tradhëtisht e ua dorzuen Jugosllavisë së Titos.
Nga sa asht thanë e që nuk mund të ketë kontestim përveç asaj të nderhymjes s’ushtrive anglo-amerikane, asht e padyshim, se po të kishin kenë të bashkueme forcat kombtare antikomuniste, gja që na e kemi kerkue si në kohën qi kishim pushtetin në dorë, si ma vonë, (dhe siç, po e kerkojmë edhe në mërgim), thomi e dëshmojmë per historinë, se kurrë e askurrë komunizmi nuk do të kishte mundë të marrë pushtetin në dorë në Shqipni, përveç me e pasë prue forcat ushtarake jugosllave ose sovjetike, në rasë se, nuk do të vijshin me pushtue vendin anglo-amerikanët, dhe do të lejoheshin fuqitë sllavo-bolshevike per një abuzim të tillë.
Sikur ta perjashtojmë krejtësisht nderhymjen anglo-amerikane, megjithse, kushdo që t’ishte në krye të qeverisë, tue dijtë rrezikun që mund ti kërcnohej Atdheut nga fqinjtë, do ti ftonte Aleatët. A nuk do të kishte kenë shumë ma e lavdishme per historinë, e ma e dobishme politikisht me e Shejtnue me gjak të drejtën e bashkimit të Shqiptarëve, në një shtet Shqiptar nder kufinjtë Etnikë, siç ishin realizue në Prill të 1941?
A nuk do të kishte kenë historikisht (në rasën ma të keqe) ma me vlerë që nacjonalizmi Shqiptar, kombi Shqiptar, të mundej nga divizjonet e kolosit bolshevik, mbasi të kishte zbrue në gjak kufinjtë e Atdheut të zmadhuem, sesa të shpartallojë vetveten, tue i ra njani thumbit e tjetri patkonit, me grindje e ndasina që ishin fryt i bindjes verbsisht të urdhnave të disa agjentave të huej?
A nuk ishte shumë ma nder’ e ma e dobishme – po themi – që qendresa Shqiptare, të dërmohej nga divizjonet e hueja anmike sesa me “varazhvara” ta linte veten (siç e la) të shpartallohej, nga një grusht aventurjerësh komunistë të pa plang e, të pa shtëpi, dhe t’ urryem nga shumica e Popullit tanë?
Përgjegjën e këtyne pyetjeve, le t’ ua japin lexuesi e historija, e maparë, t’ ia japin ndërgjegjës së vet ata Shqiptarë, që kanë kenë shkaktarë të mosbashkimit, pra të disfatës së nacionalizmit.
Edhe një gja më duhet t’ ia shtoj këtij kapitulli të trishtueshëm:
Më duket, (e kujtoj, jo vetëm mue , po kujtdo që ka trunin në vend e zemrën e pastër), një parodi tallse ndaj gjanave të Shenjta, kur bash ata që sabotuen organizimin e mbrojtjes s’ Atdheut, e kryesisht, të mbrojtjes së Tokave të Lirueme, sot duen të paraqiten me propaganden e tyne shterpë e damtuese, si të vetmit që interesohen per Kosovën.
Duen të përvehtësojnë qendresën heroike të Burrave të Gillanit, të Llapit, Drenicës e tjerë, pse një djalosh i partisë së tyne ra në luftë andej kah Çakorri, i cili bante pjesë në një grup 100 djelmoçash vullnetarë, të partive të ndryshme që kishin shkue si ndihmë simbolike në Kosovë, e të cilët, mbas vrasjes së djaloshit Besnik Qani, u kthyen nga kishin shkue.
Para kujtimit të gjakut të pastër të këtij Dëshmori të ri, unë gjunjzohem në nderim. Por, më duket e pavend, e madje, amorale që ata, që në aso rase rrinin tue ça pollavra e tue imagjinue poltronat ministrore, e që perpiqen me shfrytzue atë gjak të Shenjtë per qellime të tyne t’errta partizanije, asht një dhunë qi i bahet gjakut të Dëshmorëve, sidomos, kur synohet me e shfrytzue per qellime partizanije e demagogjie.
Edhe né kemi pasë njerëzit tanë të gjakut që i kanë shkue Kosovës në ndimë me nga 500 e 1000 vullnetarë, sa herë që asht tentue invadimi nga serbo-malazezët: Kol Ndou e Lulash Gjeloshi, dy bajraktarët e Shalës e të Shoshit, Pal Nik Musa i Currajve – ish oficer i Milicisë – e Kryefisi, Pashuk Bib Mirakaj, bajraktari i Junikut, Dem Ali Pozhari, etj., por këta, nuk e kanë ndij veten se luftojnë per parti, si n’ atë kohë nuk e ndijente as Mark Sadiku i Shalës (ballist), po që luftojshin si Shqiptarë, tue mbrojtë kufinjtë e Atdheut nder bjeshkët e Plavës e të Gucisë. Edhe njerëzit që ishin me né, ishin tanët, kanë derdh gjak e lanë dëshmorë që prej Gucije n’ Andrijevicë e Kolashin, po kurrë, nuk na ka shkue mendja as ra inati që gjakun e tyne ta kujtojmë të derdhun per partizani, as nuk na shkon kurrë mendja që ta shfrytzojmë, pse até veprim né e quejmë “sakrilegj”.
Ata luftuen e ranë per Shqipninë Etnike, per të mbrojtë ata kufinjë që na i patëm zgjanue Atdheut tonë.
OFERTA THERORIJE E TOLERIME
Per të mujtë me arrijtë bashkimin e Trojeve tona, e per të mujtë me realizue planin e mbrojtjes së Tyne, né jemi shtye deri tue ofrue me vetëdije edhe vetflijimin suprem, jeten tonë në dispozicjon.
Per të bindë anën tjeter nacionaliste, ndaj veprimtarisë e qellimeve tona që ishin vetem per të mbrojtë Atdheun, pa asnjë lakmi personale a bisht mbrapaqellimesh, jemi ofrue ta mbajmë né përgjegjësinë e mbrojtjes kundër sulmeve serbe e, eventualisht, edhe greke, derisa të provokojmë nderhymjen e ushtrivet anglo-amerikane.
U kemi premtue që n’atë rasë tu lëshojmë pushtetin në dorë, dhe se nuk do të ikshim as në male, as jashta Atdheut, po do tu viheshim në dispozicjon pakushte, edhe po kje se do ta lypte oportuniteti i asaj kohë çmendije t’ anglo-amerikanëve, dhe të na dënojshin edhe me vdekje, si fajtorë per bashkëpunim me Boshtin, si kuislingë(!) E na, në një rasë të tillë, do ta quejshim të kryem lumnisht misjonin tonë në sherbim t’Atdheut, Dëshmorë të Tij, mjaft që të kishim mujtë të shkaktojmë okupimin e ushtrive të fuqivet demokrate deri nder kufinjtë etnikë t’ asajë kohe. Flijimi ynë në Tempullin e Atdheut per ketë ideal, do të na ishte dukë shelbim.
Kemi tolerue edhe ndihmue, mbajtjen në kambë të një opozicjoni nacionalist simpatizues per demokracitë, me qellim me e pasë Atdheu rezervë, që të mund tu paraqitej Aleatëve si kundershtare e Boshtit, në rasë që ata (Aleatët) do të fitojshin luftën. Krenëve ma me rendësi që ishin t’arratisun, si p.sh Abaz Kupit, u kemi sigurue zona me qendrue qetsisht (të fshehun formalisht), tue ndalue hymjen e patrullave tona n’ata vende, me kusht, vetëm, që mos të dalin sheshit dhe të mos rrinë së bashku me komunistë, meqë këta të fundit i ndiqshim pandërpremje. Ketë trajtim, ua kemi ba të dijtun deri në fund, derisa ditën mbas ramjes së Musolinit, dolën nga strofulli e “filluen luftën” kundra okupatorit të plagosun per vdekje nder frontet e luftës, e madje, edhe në frontin e mbrendshëm nga ndryshimi i papritun që ngjau n’ Itali me 25 korrik 1943. Shembulli ma tipik i asaj dalje nga strofulli kje Abaz Kupi, i cili sulmoi Burrelin me Mat e me komunistë së bashkut, e me kolpiçitetin e rrethkomandantit kapiten Kurtin (i biri i Syl Kurtit), pushtoj qendren e Burrelit, por nuk mundi të bajë të dorzohet një kompani ushtarësh italianë, dhe per rrjedhim, u kthye Abaz Aga me mashumse dymijë vetë në Burrel mbas tri ditësh, shkaktoi djegien e krejt Matit deri në Macukull. E pra, me Abaz Kupin né kishim një marrëveshje të lidhun me “besë burrash” me anë të kolonel Tahsim Bishqemit (nënkomandant i përgjithshëm i gjendarmërisë), që né me e lanë të qetë në zonën mes Krujës e Burrelit, e ai mos me ba asnjë aksion, pa e paralajmrue shoqi-shoqin dy javë ma përpara. Ky paralajmërim i Abaz Kupit, mue m’ erdhi “me ushtimen e pushkëve” në Burrel…
Toleranca e Mustafa Krujës ndaj Ballit Kombëtar, dhe ndihmat edhe në të holla të Maliq Bushatit në favor të Ballit, dihen, e besoj, të jenë të dokumentueme nga Mustafa Kruja.
Kur u kap Ali Klisura nga komunistët, unë (aso kohe minister i P. Mbrendëshme), mbas një bisedimi që pata me prefektin e Korçës, zotni Rasim Babameton, i dërgova menjëherë 160.000 fr. që mi kerkoi, per t’organizue forcat e Ballit në Gjinokastër që të lirojshin Ali Klisurën, dhe i vuna në dispozicion forcat e qeverisë prej çastit që i dëshronte me shpetue Atë veteran. Shumën ia dergova qarkkomandantit të Gjinokastrës Xhafer Shkëmbit. Rasim Babameto aso kohe ishte prefekt i qeverisë në fuqi, dhe një nder kryetarët e Ballit Kombëtar, gja që edhe Ai vetë nuk ma pat fshehë, e megjithkëte, unë e pata mbajtë gjithnjë prefekt n’atë vend aq me rendësi siç ishte Gjinokastra.
Per mue edhe pse Ai ishte një nder kryetarët me rendësi të Ballit Kombtar, kjo ishte e mjaftueshme që e dijshe, mbasi Ai ishte një patriot i mirë, një veteran.
***
U kemi folë kundershtarëve tanë nacionalista nder bisedime konfidencjale si edhe miqëve, haptas, me z e m ë r në d o r ë, pa rezerva, me ndjenjën dridhëse të prindit që sheh fëmijën e vet, thalbin e zemrës tue iu afrue vdekja. U kemi tregue n’ imtimitet qellimet tona e programin, tue ua shpjegue sesi mund të arrihen ata. U kemi ba apel n’emen t’Atdheut të ndaheshin nga komunistët, se kështu mund ti dallojshim ma mirë, meqë na dojshim të ndjekum dhe të asgjasojmë vetem komunizmin, që na e konsiderojshim kolonë të pestë në sherbim të sllavizmit, shkatrrues e rrënimçarë si sistem, ashtusi e vertetoi koha ma vonë. U kemi vue në dukje, se veprimet (aksjonet) sporadike të tyne që të shumten u bajshin në bashkpunim me komunistët, nuk i siellshin asnjë dobi çeshtjes kombtare, por vetëm, pengojshin realizimin e programit që qeveria po perpiqej të vinte në veprim per mbrojtjen e Atdheut.
Të tilla bisedime, kam pasë unë vetë sa herë kur ishe minister i P. Mbrendëshme edhe parandej, me shumë përsonalitete që aktivisht ose platonikisht, ishin kundershtarë, nder të cilët: Fuad Dibra, Bahri Omari, Kolë Tromara, Koço Muka, Rexhep Mitrovica, Sejfi Vllamasi, Rasim Babameto etj. Nuk pata gjetë rasën të shprehesha me Ali Klisurën, pse kurrë nuk pat dashtë të më afrohej. Njëditë që ishin në zyrën time Rasim Babameto e Koço Muka, prefekt e kuestor të Gjinokastrës, z. Ali Beu, erdhi, nuk u ul aspak, vetem në kambë thirri këta dy shokët e vet të dilnin bashkë nga Ministria. Megjithse, ishe në bisedime me dy funksionarët (ballista), e ftova z. Klisura t’ ulej e të bisedojshim. Nuk u ndalue, tue qitë shkak një pikpjekje të ngutëshme, e me mbrapaqellim, më lëshoi ketë frazë: “Juve z. Minister, u kemi një shok të vjeter të luftës”. Fraza nuk më ngrohu as nuk më ftohu, por m’ erdhi keq që konstatova se Ali Klisura, padyshim patriot i mirë nder ndiesitë e tija, nuk po ndjente nevojën me hy në bisedime per t’analizue situaten e ankëthshme të kohës dhe t’ avenirit.
A N A T J E T Ë R
Asnjëherë nuk vé në dyshim Atdhedashuninë e as qellimet e mira t’ udhëheqësëve të Ballit Kombtar e të Legalitetit, por nuk mund të heshti pa permendë veprimtarinë e tyne, që të mundet lexuesi t’ japin gjykimin e vet ndaj dy palëve, ndaj nésh dhe atyne.
Duhet, që e verteta të jetë e dokumentueme!
Disa ballista, thonë tani se Mit’hat Frashëri e themeloi Ballin Kombtar që në prill të 1939, menjëherë mbas pushtimit ushtarak nga Italia. Ketë tezë mbajnë agraristët, por kjo nuk i përgjegjet së vertetës .
Ketë e verteton një broshurë e Halim Begesë. Por nuk ka rendësi nëse Balli Kombtar kjé formue në prill të 1939, apo shumë mavonë. Rendësi ka per historinë, që a pat qellim per fatin e Kombit veprimtaria e Ballit e frutet e asaj veprimtari? Gjithashtu, nuk do ti zbritej aspak vlera Legalitetit pse u shtye pa u riformue deri në 1944 (në Zall të Herrit), po t’ ishte që bashkëpunimi i Abaz Kupit me komunistët si antar i komitetit të Nacjonal-Çlirimtarës, sikur do të kishte dhanë frute të mira per çeshtjen kombtare dhe per lëvizjen që ai përfaqësonte, per kthimin e monarkisë, ndonse, frutet si të njenës palë si të tjetrës kjenë ato që dihen, që sollën komunizmin në fitore. Lè ta shohim tani veprimtarinë e tyne në dritë të fakteve të pamohueshme.
Ajo që mund të quhet veprimtari sabotuese o kryengritëse, ka fillue mbasi filloi ti zbehet fati Boshtit nder frontet e luftës, si edhe ajo e komunistëve që ka fillue mbasi Gjermania sulmoi Rusinë. Deri atëherë si nacionalistët, ashtu dhe komunistët, janë kufizue me ndonjë “fletushkë” të hjedhun natën e nja dy demonstrata të rinisë shkollore.
Si datë e fillimit të veprimtarisë revolucionare të tri partive të bame në bashkpunim: Balli, Legaliteti dhe Partija Komuniste, historikisht mund të caktohet mbledhja e Pezës me 15 shtatuer 1942. Ajo mbledhje pat per qellim krijimin e një komiteti drejtues e komandues të luftës kundra okupatorit e bashkpuntorëve të tij.
Në té morën pjesë delegatët e të tri rrymave:
Per komunistët: Enver Hoxha, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Koço Tashko, Kristo Themelko, Nako Spiru, Kadri Hoxha e Gjin Marku, dhe përkrahësit Myslim Peza, Baba Faja Martaneshi e Harito Harito.
Per Nacionalistët, të perziem Ballista e Zogista: Skënder Muço, Azis Çami, Smajl Petrela, Kamber Qafmolla, Ndoc Çoba, Ramazan Jarani e Halim Begeja.
Bashkpunuen pra, nacionalistët (Balli e Zogistë) me komunistë që prej mbledhjes së Pezës, e deri në mbledhjen e Mukjës (1 e 2 gusht 1943) pra, deri mbas ramjes së Musolinit, dhe Abaz Kupi me cilësi “antar i Komitetit Nacional-Çlirimtar”, nuk u shkëput nga komunistët deri në Konferencën e Labinotit (tetor 1943).
Megjithketë bashkpunim, Balli u përpoq ti bajë konkurencë partisë komuniste në zgjanim t’ influencës partijake, po nuk ia doli se propaganda e Radio-Londrës, të gjithë përkrahjen ua jepte Nacjonal – Çlirimtarëve, në të cilen konkretizohej partia komuniste. Gjithashtu, edhe mbasi arrijtën në malet e Shqipnisë misionet ushtarake angleze, shumicen e ndihmës n’ armatim e të holla ua dhanë partisë komuniste, e kjo influencoi shumë masat popullore në favor të lëvizjes komuniste, meqë u formue bindja që mandej u ba psikozë e ma vonë realitet, se Aleatët do të binin në fuqi partinë komuniste. Ketë gjendje psikologjike, dijtën mirë ta shfrytzojnë komunistët, t’ ushtruem në propagandë nga dy përfaqësuesit e partisë komuniste jugosllave Miladin Popoviq e Dushan Mugosha, që ishin organizatorë e kryetarët e vertetë të partisë komuniste të Shqipnisë, të cilëve, herë mbas here, u shtoheshin Svetozar Vukmanoviq-Tempo, kolonel Veljo Stojniq, Blazha Jovanoviq etj., emisarë të Titos.
N’ anën tjeter, Balli Kombtar pat ba gabimin trashanik tue shtye rininë t’ arratisen ndër male, pa pasë qendra të tyne t’ organizueme që me i permbledhë ata djelmoça të paster nder ndijesitë e tyne patriotike, por naivë në politikë, dhe kështu, ata rregullisht shkriheshin nder çetat e vogla komuniste t’ organizueme me mjeshtri jugosllave.
Ma vonë, kur edhe Balli filloi veprime çetash, edhe këto i bani perherë në bashkpunim me komunistët. Kjo veprimtari bani të pamundun realizimin e planit tonë që kam permendë disa herë, sëpse:
Né tue dashtë të mos damtojmë nacionalistët, nuk mujshim me dallue mirë komunistët, kështu shumë komunistë kanë mujtë të shpëtojnë mbasi janë kapë, të mbrojtun nga Balli si “nacionalistë”. Nder këta “shpëtime” kemi shembull edhe rasën e Mehmet Shehut, që kje arrestue në kohën e qeverisë së Mustafa Krujës, e krentë e Ballit e binden Krujen se Mehmet Shehu “nuk ishte ma komunist, po nacionalist” dhe kështu, kje lirue e menjëherë kje arratisë e filloi të formojë çetat e para komuniste.
Çdo veprimtari e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit, në bashkpunim me partinë komuniste, do të kishte kenë e kuptueshme e ndoshta, historikisht e perligjëshme, sikur këto rryma nacionaliste të deklarueme kundra “okupatorit”, të kishin pasë marrëveshje protokolare me Aleatët per sigurimin e mavonshëm të Shqipnisë, edhe në rastin sikur Aleatët, të mos i kishin ndejë besnikë protokolit. Po, tashma, asht e provueme se as Balli as Legaliteti, nuk kanë pasë asnjë marrëveshje me Aleatët per t’ ardhmen e Atdheut e interesat e Kombit, por janë kufizue në nxitjet e Radio-Londrës, në luftën kundër “okupatorit”. Madje, as me anë të propagandës së radios nuk patën kenë dhanë skjarime as sigurime per Shqipninë. Këta sigurime nuk u bane as në bisedimet e shkëmbyeme me oficerët anglezë të hjedhun në Shqipni, të cilët nuk kishin asnjë mandat politik, por vetem, misjon sabotimi kundra forcave të Boshtit.
Bashkpunimi i këtyne dy organizatave nacjonaliste me komunistët, u sherbej vetem “kuqaloshëve” të Stalinit, tue i perligjë para Popullit si forca kombëtare kundër okupatorit e per rrjedhim, tue e shty Popullin drejtë partisë komuniste në pjesë të ndieshme, meqë ajo parti ishte ma mirë e organizueme, disiplinueme e dinamike. Kjo veprimtari e favorshme per komunizmin nga Balli e Legaliteti, vazhdoi derisa komunistët thyen marrëveshjen e bame në “Mbledhjen e Mukjes”, me 1 e 2 gusht 1943, (pra, një javë mbas ramjes së Musolinit).
Mbledhja e Mukjes kje kerkue nga Balli Kombëtar. Mendimi i krenëve të Ballit ishte se me ramjen e Musolinit, tashma, Italia po i lëshonte armët (sikurse edhe ngjau me 8 shtatuer 1943), e se do t’ ishte rasa me shtue veprimin luftarak per të marrë pushtetin dhe per të fitue simpatinë e Aleatëve. Qellimi i mbledhjes ishte me ndryshue disa vendime të “Mbledhjes së Pezës”, per të vue organizmen e re kryengritëse-politike nën influencën e Ballit. Akoma ballistët nuk kishin kuptue se partija komuniste nuk kishte as ma të voglen pavarsi politike, per të mundë me marrë pjesë në një program kombëtar që mund të binte në kundershtim me synimet jugosllave. U dinte prej gjithkujtë se lëvizja komuniste, nuk drejtohej ma prej Mustafa Gjinishit, Lazer Fundos e ndonjë komunisti tjeter intelektual Shqiptar, që megjithse ishin komunistë të bindun n’idenë e tyne, nuk mund tu mohohej atdhedashunia as serioziteti i tyne, po ishte gjithshka krejtësisht në dorë t’agjentëve jugosllavë, që kishin vue në krye të lëvizjes njerzë krejtësisht të shtruem vullnetit e planeve të Jugosllavisë në kryengritje, pra, ishin kolonë e pestë e sllavizmit. Ketë gja mësa duket, vetëm krenët e Ballit Kombtar e të Legalitetit nuk e kishin kuptue as heret dhe as vonë, qyshse të dy palët, ishin takue disa herë në bashkëfjalime të “përzemerta” me Miladinin e Dushanin, dhe i kishin edhe fshehë (“disa”) deri edhe ndër shtëpijat e veta, kur ata ndiqeshin nga forcat qeveritare.
Nuk ka asnjë dyshim që qellimi i “Mbledhjes së Mukjes” nga ana nacionaliste ka kenë krejt i mirë kombtarisht, por krejt naiv politikisht:
a) Pse duhej dijtë që komunistët ishin krejt në dorë të jugosllavëve, e prandej, nuk mund të konkretizohej me ta një program politik i ruejtjes së të drejtave kombtare të fitueme përpara.
b) Pse pa asnjë marrveshje protokolare me Aleatët (që nuk ekzistonte) çdo lëvizje nacionaliste jashta programit të qeverisë, do të pengonte realizimin e planit të mbrojtjes që asht permendë, meqë Italia nuk do të kishte besim që të na armatoste né.
Qellimin e mirë e vertetojnë vendimet e marruna n’atë mbledhje. Ata ma me rendësi e ma të dobishmet, po t’ ishin vue në veprim, ishin:
Të formohej një Komitet i përbashkët per çlirimin e Shqipnisë; të luftohej per Shqipni indipendente, tue arrijtë me mbajtë edhe Kosoven, ose tue e rifitue até me plebishit (!).
Por a lejoshin ALIA (Miladin Popoviqi), SALI MURATI (Dushan Mugosha) e TEMPO (Zvetozar Vukmanoviq) që komunistët të thitheshin nga Balli Kombtar e Legaliteti, mbrenda një programi të tillë, që binte krejt në kundershtim me qellimet jugosllave? A kishte Enver Hoxha pulsin e ndjenjat aq të forta sa me i qendrue imponimit t’agjentëve të Titos? Këtë gja duhej ta dinin mirë krentë nacionalistë, e në logjiken e këtij faktori, me rregullue mandej veprimin e tyne. Nga një “fejesë” aq e shemtueme nuk mund të dilte martesë as pjellë lumtunije, pse ishte lidhë e “barsue” me dreqën, e dreq do të dilte edhe pjella. Në fakt, porsa u kthye në Komitetin Qendror të Partisë, dërgata komuniste e perbame nga Mustafa Gjinishi, Ymer Dishnica, Myslim Peza, Koço Tashko, Vasil Nathanaili, Medar Shtylla, Sulo Bogdo e Shefqet Beja, dhe dorzuen kopjen e marrëveshjes, kjen sulmue me epitete e fyemjet jo vetëm personale, po edhe kombtare, nga agjentët jugosllavë, dhe në mbledhje të Komitetit Qendror të partisë që u ba pavonesë në Labinot, kje vëndosë mosnjohja e marrëveshjes.
Per kronikë historike, duhen shkrue dhe emnat e eksponentëve nacionalistë që moren pjesë në mbledhjen e Mukjes, e ata që akoma dij edhe sot, janë: Abaz Kupi, Thoma Orollogaj, Hasan Dosti, Vasil Antoni, Skënder Muço, Faik Quku, Hysni Lepenica, Ramazan Jarani dhe Isa Manastiri.
Prishja e marrëveshjes nga ana komuniste, e manifestët si nga Balli ashtu nga komunistët krejt anmiqësorë kundër njenitjetrit, kjé fillimi i vllavrasjes, që zgjati mandej, derisa e lamë Shqipninë.
Edhe Mustafa Gjinishi, komunisti ma i ndershmi i Shqipnisë, e pagoi “tradhëtinë” (!) e tij, kunder planeve jugosllave, tuej u vra tradhëtisht nga “partia e tij” (komuniste).
Mbledhja e K.Q. të P.K.SH., që rrëzoi marrëveshjen e Mukjes, kje ba me 1 shtatuer 1943, nen kryesinë e Enver Hoxhës, po praktikisht, e drejtueme dhe e dominueme nga Miladin Popoviqi e Dushan Mugosha. Vendimi i K.Q., rrëzoi marrëveshjen e Mukjes me formulën: “Se ishte në kundërshtim me marrëveshjen e Pezës dhe parimet komuniste!”
E thashë ma përpara se, ishte naivitet politikisht me mendue se komunistët n’atë kohë mund të kanalizoheshin në një program Kombtar të dobishem per çeshtjen Shqiptare, mbasi n’atë kohë, nuk kishte ma mundësi per Ballin as per Legalitetin, me e dominue ose frenue veprimin e agjentëve jugosllavë. Per t’ ia dalë këtij qellimi, e vetmja mundësi ishte të bashkoheshin të gjitha forcat me frymë nacionaliste (të pakten terthorazi) me qeverinë, per të shtypë pikësëparit lëvizjen komuniste, që të mos e kishim thikë në shpatulla, në ditët që do të terhiqeshin ushtritë e Boshtit nga Shqipnia, e do të na duhej me mbajtë kufinjtë e Atdheut.
E po të kishte bashkpunue Balli e Legaliteti, edhe terthorazi, me qeverinë per këte qellim, ose së pakut, t’ ishin shkëputë me kohë nga komunistët, kjo mundësi ka kenë perpara, atëherë e mavonë.
E mbasi këte rol të çastit historik nuk kanë dashtë t’a kuptojnë dy organizatat nacionaliste, atëherë, per ato nuk kishte tjetër rrugë veçse me vazhdue bashkpunimin siç e kanë mbajtë deri atëherë me komunistët, pa u kompromentue në bashkpunim me okupatorin e dytë “gjermanin”, siç bani Balli Kombtar, e aq ma keq, në bashkpunim jo leal as me gjermanët, të cilëve, ditët e fundit tek Ura e Zezë, apo edhe në ndonjë vend tjetër, ua vunë edhe pushkën tinzisht, kur ushtritë gjermane po terhiqeshin nga Tirana, tue ua veshë komunistëve (para gjermanëve) aksionin.
Gjithashtu, Legaliteti, mbasi u ba prishja me komunistët e filloi vllavrasja, duhej të bante kauzë të perbashkët me Ballin Kombtar kunder komunizmit, gja që nuk e bani, po edhe kur komunistët i sulmuen, Legaliteti iu shmang ndeshjes me ta, tue ua këthye shpinën, se ashtu ishte urdhni i misionit ushtarak anglez që ishte pranë Abaz Kupit, nga i cili, drejtonte në vendqendrimin e tij. Këte bashkpunim (sado i vështirë që paraqitej) me komunistët, duhej ta mbanin se kështu, ata kishin të drejtë me kerkue perkrahjen e Aleatëve, që mbas largimit t’ushtrisë gjermane do të formonin një qeveri “koalicioni”, me të tri partitë së bashku per të mujtë në ketë mënyrë deri njëfarë mase me frenue komunizmin.
Mund të thohet se, mbas prishjes së marrëveshjes së Mukjes nga komunistët, nuk kishte ma mundësi kompromisi e bashkpunimi me ta.
Atëherë del në shesh nevoja që paraqitej edhe ma urgjente që Balli Kombtar, të merrte nisjativën me ftue në luften antikomuniste të gjitha forcat kombtare antikomuniste në një front të përbashkët, mbasi edhe mbas arritjes së gjermanëve në Shqipni, kishte edhe qeverinë krejtësisht nën influencën e vet, e jo me u verbue, siç kje verbue nga demagogjia “nuk bashkpunojmë me kolaboracionistë” , si na quejshin né, e që né, siç shifet e provohet në keté material dokumentar, ishim ofrue vazhdimisht e pa kushte partjake as personale, po perherë, kjem rrefuzue si nga Mit’hat Frashëri, ashtu edhe nga Abaz Kupi.
Tashti, thonë disa se, “nuk na ndihmoi Veriu”!..
Kjo hipotezë nuk asht aspak e vertetë, pse né “Veriu”, u kemi ofrue vazhdimisht per bashkpunim në luften kundra komunizmit e në vendet tona, né e kemi paralizue komunizmin deri në ditët e fundit, por pa një marrëveshje leale me Ballin e me Legalitetin, mbasi né nuk mund të dyndshim forcat tona me u vra me komunistë, ballistë e legalistë njëherit, gja që, do të ngjiste, se kur né ua kerkojshim bashkpunimin, Ballit i ishte mbushë mendja se kishim qellim të merrshim në dorë pushtetin ose një pjesë të pushtetit. Kjo ka kenë arsyeja kryesore e foshnjerake që Balli pat refuzue vazhdimisht bashkpunimin me né, edhe mbas kapitullimit t’Italisë.
Né as ndërmend nuk na shkonte “lakmija per pushtet” pse, e kishim provue sa barrë e randë ishte, dhe as, nuk kishim nevojë të njihemi me anë të pushtetit, por ishim n’ankth per rreziqet që po i kercnoheshin Kombit, e jo vetem nga lëvizja komuniste, si kolonë e pestë e komunizmit sllav, po një tjeter rrezik edhe ma i madh se komunizmi kercnohej mbi koken e Shqiptarëve, e ky rrezik ishte po të fitonte në Jugosllavi lëvizja “çetnike” e Mihajloviqit, që edhe këte e dijshin kundershtarët tanë, por fatkeqsisht, dojshin ta “injorojnë”!..
Komentet