Ashtu siç edhe pritej, ditën e premte më 3 mars 2017, OMN-ja paraqiti listat e atyre kandidatëve që i plotësojnë kriteret formale për në organet e vetting-ut. Por, çuditërisht, media dhe politika shqiptare e kaloi pothuaj pa vëmendjen e duhur skandalin që u shfaq nga ajo çfarë ndërkombëtarët thanë. Nga lista me 164 emra, që Avokati i Popullit i konsideroi si të skualifikuar për shkak se nuk përmbushnin kriteret formale, në fakt, ekspertët ndërkombëtarë vërejtën se pothuaj gjysma e “të skualifikuarve” (plot 79 aplikantë!) i plotësojnë kriteret që kërkon Kushtetuta.
Avokati i Popullit, dy javë më parë konsideroi si të kualifikuar vetëm 29 aplikantë, duke lënë pothuaj krejtësisht jashtë listës aplikantët që vinin me eksperiencë të shkëlqyer ndërkombëtare. Problemi i listave të Avokatit të Popullit ishte edhe më i thellë se kaq. Ekspertët ndërkombëtarë të OMN-së i hoqën pothuaj një të katërtën edhe vetë listës 29 emërore të atyre që kualifikoheshin sipas Avokatit të Popullit, duke dhënë ndaj 8 emrave një rekomandim negativ.
Kështu, ndërkombëtarët e lanë listën e Avokatit të Popullit me vetëm 21 individë, fiks aq sa është edhe numri i atyre që do të emërohen në organet e vetting-ut; e duke e lënë praktikisht Parlamentin shqiptar pa mundësi reale zgjedhjeje, nëse nuk përfshin edhe listën shtesë të 79 kandidatëve, që ndërkombëtarët rifutën në lojë. Por skandali është edhe më i thellë nëse do të shkojmë më tej. Çuditërisht, Avokati i Popullit, ndryshe nga ajo që bëri 2 javë më parë, ku në emër të parimit kushtetutës të transparencës publikoi dy listat:
a) listën e atyre që sipas tij kualifikoheshin dhe
b) listën e të skualifikuarve, në fakt, nuk bëri të njëjtën gjë me listat që i çuan ndërkombëtarët. Edhe sot që po flasim, në faqen zyrtare të uebsajtit të Avokatit të Popullit, që është ngarkuar nga Kushtetuta me këtë fazë të procesit, ende nuk është publikuar lista me 79 emrat që ndërkombëtarët këshilluan që të rifuten në lojë, si dhe lista e 8 emrave që ndërkombëtarët i skualifikuan nga lista e tij 29 emërore.
Madje, edhe pse së shpejti Kuvendi, sipas ligjit, duhet të vazhdojë me fazën e mëtejshme të votimit të emrave, çuditërisht, asnjë institucion ende nuk i ka publikuar këto lista, duke e lënë në terr të plotë publikun shqiptar. Çuditërisht, madje asnjë nga mediat shqiptare nuk i ka publikuar këto lista, ndoshta sepse askush nuk ka arritur t’i aksesojë dot ende. Por a ka pasoja të rënda kjo mospërputhje midis listës së Avokatit të Popullit dhe listës së ndërkombëtarëve? Problemi i parë është se tashmë nuk janë më 3 lista:
1) lista e atyre që i plotësojnë kriteret formale,
2) lista e atyre që nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe
3) lista e rekomandimeve të ndërkombëtarëve, siç e kërkon Kushtetuta, por në fakt janë 4 lista.
Lista e katërt është lista me emrat e atyre, që sipas ndërkombëtarëve i plotësojnë kushtet formale, edhe pse janë skualifikuar nga Avokati i Popullit. Shkaqet për këtë mospërputhje të hapur midis Avokatit të Popullit dhe ndërkombëtarëve mund të jenë nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe interpretimet e ndryshme që mund t’i bëhen nenit C, pika 5, të Kushtetutës, që lidhen me eksperiencën 15-vjeçare kalendarike apo paralele, apo me listën e hapur apo shteruese të profesioneve që konsiderohen si legjitime për të aplikuar në këto pozicione.
Siç kemi thënë edhe në një artikull të mëparshëm, nëse konflikti i interpretimit do të shfaqet edhe në Kuvend, e vetmja zgjidhje mbetet që subjektet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për një interpretim shterues. Duke prezumuar se opozita do të marrë pjesë në Kuvend për të ngritur komisionet e vetting-ut, çfarë mund të bëjë Kuvendi i Shqipërisë për të shpëtuar procesin e vetting-ut, i cili është vërtet në buzë të greminës, tani që lista është katandisur vetëm me 21 emra?
Ajo që mund të bëjë Kuvendi është që të abandonojë menjëherë listën 29 emërore të Avokatit të Popullit (që tani është lënë me vetëm 21 emra nga ndërkombëtarët), duke përfshirë edhe 79 emrat e tjerë, që sipas ekspertëve ndërkombëtarë të OMN-së i plotësojnë kushtet formale (por që mund të kenë mungesa në dosjet e tyre për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion të aplikimit, sidomos për kandidatët që jetojnë jashtë Shqipërisë). Kjo është e vetmja mënyrë për të kthyer sërish në shina procesin dhe për t’i dhënë Kuvendit rolin që i takon, duke e përfshirë thelbësisht në këtë proces kaq të rëndësishëm. Nëse nuk e bën këtë, Kuvendit i mbetet që vetëm të miratojë formalisht 21 emrat e propozuar nga Avokati i Popullit, gjë që do të binte ndesh me frymën dhe “germën” e Kushtetutës, të cilat kërkojnë që roli i Kuvendit të jetë thelbësor, dhe jo thjesht formal.
Me përfshirjen e 79 emrave të tjerë në proces, lista prej nga mund të përzgjidhen anëtarët e organeve të shumëpritura të vetting-ut arrin në 100 kandidatë, duke risjellë të paktën përzgjedhjen në një raport 1 me 5, dhe duke e bërë këtë proces më konkurrues dhe të vërtetë. Nëse kjo gjë nuk do të bëhet, dështimi me organet e vetting-ut do të jetë edhe më i madh sesa me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, e cila u konsiderua nga ndërkombëtarët si proces antikushtetues, për faktin se përzgjedhja u bë pa një mundësi përzgjedhjeje dhe garë efektive.
Në këtë kontekst, edhe zgjedhja për organet e vetting-ut duhet të mbështetet në të njëjtin parim sipas frymës së Kushtetutës, pra konkurrimin e kandidatëve, dhe i ngelet Kuvendit që seleksionimin ta mbështesë në listën e 21+ 79 (100) emrave. Në të kundërt, mbështetja vetëm në listën 21 emërore do të ishte antikushtetuese dhe procesi i vetting-ut i dështuar. Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, rasti i përzgjedhjes së listave tregoi edhe një herë se sa i rëndësishëm është monitorimi i procesit të vetting-ut nga ndërkombëtarët, në çdo fazë të tij, për shkak se ai rrezikon të minohet nga drejtues institucionesh apo zyrtarë të lartë në konflikt interesi me qëllimin dhe kauzën e tij
Komentet