Duke rinovuar respektin tim për Visar Zhitin se një Visar Kombi kemi dhe padyshim kushdo tenton të na e marrë por ai o miq nuk jepet.
Visari është i Zotit së pari, i vetes së dyti, i të dashurve të tij së treti dhe i shtresës së katërti.
Por duke qenë se është dhe Visar Kombi, është dhe i gjithë shqiptarëve dhe i atyre që si ne nuk janë por me ne shkëlqejnë.
Ka shumë të vërteta të hidhura çështja jonë.
Dhe gishti së pari duhet drejtuar tek vetja.
Sa kemi bërë NE që mos bijmë në dorën skërmitëse të bijve të etërve?
Autori nuk thekson pothuajse asgjë mbi faljen e xhelatëve që kurrë nuk kërkuan falje. Por pranon kokulur, besëprerë dhe me kandil shprese, se në kushtet ku gjendemi nuk bëjmë dot pa paratë e tyre.
Ata kanë zaptuar çdo skaj çdo fushë çdo hapësirë dhe pa bijtë e xhelatëve sot nuk bëhet dot asgjë.
E vërteta e hidhur është se bijtë e xhelatëve janë edhe sot dhe do jenë edhe nesër.
Ata nuk mbajnë aspak as hiç asfare peshën e turpit të etërve por me kryet lartë ama mbajnë gradat si flamurtarë të së drejtës, të së vërtetës e të lirisë sikur të ishin zotërit e tyre.
Fatkeqësisht janë zotërit dhe zotëruesit.
Për sa ndodh sot për ne si shtresë sa shembuj kemi patur, vazhdojmë ende kokulur sepse jemi të ndarë.
Bijtë e etërve mbajnë shishoqin në emër të partisë dhe kur i thonë do të dënoj dhe fët bëjnë zëvendësime si dhe hedhin firma dhe vendosin padyshim edhe për viktimat edhe për pasardhësit e tyre.
Vendosin për ne. Për fatet tona. Pa dalë te prona.
Vendosin të hedhin lekun gjënë më të shtrenjtë për ta, për ca kocka memorje të hedhura për vepra arti apo kujtesë.
Kocka nga pushteti i bijve të etërve.
Çfarë i kanë disa milionë qeveritë e bijve të etërve?
Është lek publik por mbi të gjitha është lek gjaku.
Gjaku i punës së të burgosurve që ende presin këstet.
Gjaku i martirëve të vdekur që dëmshpërblehen me barazvlerën e 8 viteve burg pasi ora e të burgosurve na qenkërka më e larta në Shqipërinë tonë me antikomuniste nga vendet e tjera të lindjes.
Kudo ne jemi më katolikë se Papa.
Përveç se me veten.
Këto ligje bëri transicioni.
Dhe këto bëjnë bijtë e etërve.
Një grusht horra në krye të një populli.
Ku ishim ne? Ne i besuam x apo y dëgjoj shpesh. Beso një herë ja dy e tre.
Por kur është boll është boll.
Ne ishim një ushtri me nipa e mbesa.
Me llogari të thjeshtë matematikore nëse 6mijë ishin martirët pasardhës të tyre ishim të pakten 30mijë.
Ushtri. Ku jemi?
Kokrra rëre me vepra në harresë.
Ato që duhet të bëjshim ne do i bëjnë bijtë e etërve.
Nuk më lumturon aspak që dhe gjakun e pasardhësve tanë e përvetësojnë bijtë e etërve.
Vetmia ku e kemi lënë veprën e Visarit dhe vetë atë më trishton pamasë.
Por ky ishte fati jonë.
Se dhe kur patëm mundësi të ishim të djathtë, na pëlqeu të ishim popullorë.
Dhe kur patëm mundësi të ishim të pasur na pëlqeu të shihnim punën tonë.
Dhe kur patëm mundësi të flisnim me njtj preferuam aleatin se mos humbnim karrigen.
Kur patëm mundësi të ishim të bashkuar u ndamë në dhjetëra grupe me të njëjtën kauzë.
Por kur kauza është një, ajo duhet të ishte mbi të gjitha.
A kishim ne të gjithë të njëjtën kauzë?
Me sa duket jo.
Kauza e madhe nuk ishte e njëjtë për të gjithë.
Sa për sy e faqe.
Si jeta jonë në diktaturë dhe demokraturë.
Kjo çështje do hajë shumë debat sikurse shumë herë ka ndodhur dhe më pas ka rënë në harresë.
Kjo do (dis)kujtohet gjatë.
Ne nuk deshëm të kishim asgjë në dorë.
Paçim hijen tonë!