Zbardhet skicë-projektligji “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, ose siç do të quhet ndryshe procesi i vetingut. Ky proces do të kryhet nën mbikëqyrjen e strukturës së quajtur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, e cila do të ketë si kompetencë përzgjedhjen e listës së anëtarëve të Komisionit dhe Kolegjit të Apelit dhe vëzhgimin e procesit.
Kjo strukturë do të bashkëpunojë me institucionet e tjera vendëse, si Shërbimi Informativ Shtetëror, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave(ish-SHKB-ja), Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Çelja e procedurës për anëtarë të këtij komisioni dhe Këshillit të Apelit bëhet nga Avokati i Popullit, dhe ajo do të kontrollohet nga ILDKP-ja dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Kjo strukturë ka të drejtë të fshijë emra nga lista që do të verifikojë ILDKPja, në mënyrë që të përzgjedhë kandidatë më cilësorë. Lista përfundimtare i dërgohet për votim Parlamentit.
ZGJEDHJA
Përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit dhe Kolegjit të Apelit, që do të zgjidhen nga Parlamenti, është parashikuar të votohen me 2/3-at e deputetëve, ose 94 vota. Por, në rast se ata nuk zgjidhen në tri raunde, është parashikuar dhe një mekanizëm zhbllokues që mundëson procesin e përzgjedhjes me short. Ky short organizohet nga Presidenti i Republikës dhe do të monitorohet nga ndërkombëtarët.
“Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, sekretari i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit dhe përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ftohen për të tërhequr shortin. Kandidatët e zgjedhur me short dekretohen nga Presidenti i Republikës brenda tri ditëve”, thuhet në nenin 10 të projektligjit.
Anëtarët që do të zgjidhen në Komisionin dhe Këshillin e Apelit do të kenë si kriter të fortë gjuhën angleze, mesataren mbi 8, dhe një eksperiencë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës. Ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndërmerren tre lloj rivlerësimesh, të pasurisë, rivlerësim të figurës dhe të aftësive profesionale.
Pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të deklarohet sërish e plotë dhe do të krahasohet me ato deklarime që janë depozituar ndër vite në ILDKP. Po ashtu, verifikimi do të kërkojë dokumentacione që të justifikojnë pasurinë e tyre brenda apo jashtë vendit.
Por, më “i rrepti” do të jetë rivlerësimi i figurës, ku do të angazhohet DSIK, SHISH, SHKBÇA. Për gjyqtarët dhe prokurorët do të kontrollohen tabulatet telefonike, apo do të merren në konsideratë fotografi të tyre me persona të inkriminuar.
PROJEKTLIGJI I RIVLERESIMIT
NENI 8
Zgjedhja e kandidatëve nga Kuvendi
1. Komisioni parlamentar që mbulon çështjet ligjore shqyrton dhe vendos për rekomandimet e dhëna nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe miraton listën e konsoliduar/tërësore të aplikuesve brenda 5 ditëve nga depozitimi i saj.
2. 1/5-a e deputetëve, brenda 5 ditëve, ka të drejtë të kërkojë votimin e rrëzimin e listës së konsoliduar/ tërësore në seancë plenare. Kuvendi voton në seancën e radhës me 2/3-at e anëtarëve të tij.
3. Në rast se Kuvendi rrëzon listën e konsoliduar, sipas paragrafit të mësipërm, procesi i rivlerësimit përfundon pa sukses.
NENI 9
Votimi i kandidatëve në seancë plenare
1. Votimi i kandidatëve bëhet brenda 30 ditëve nga miratimi i listës së konsoliduar/tërësore. Për zgjedhjen e kandidatëve, Kuvendi zhvillon deri në tri votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga miratimi i listës së konsoliduar. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.
2. Anëtarët e Kuvendit përzgjedhin në listën e konsoliduar kandidatët për secilin vend vakant dhe 5 (pesë) kandidatë zëvendësues.
3. Kandidati fitues është ai që ka marrë jo më pak se dy të tretat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Në rast se edhe pas votimit të tretë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar dhe numri i vendeve vakante është i paplotësuar, zgjedhja bëhet nëpërmjet shortit manual publik, të organizuar nga Presidenti i Republikës.
NENI 10 Shorti
1. Shorti për plotësimin e vendeve vakante hidhet nga lista e konsoliduar/tërësore e parashikuar në nenin 8, paragrafi 1, i këtij ligji.
2. Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit dhe përfaqësues të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ftohen për të tërhequr shortin.
3. Të gjithë të pranishmit ftohen të nënshkruajnë procesverbalin, i cili pasqyron procedurën e shortit.
4. Kandidatët e zgjedhur me short dekretohen nga Presidenti i Republikës brenda tri ditëve.
NENI 25
Deklarimi i pasurisë
1. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, së bashku me deklaratën e pasurisë, paraqesin të gjitha dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.
2. Nëse subjekti i rivlerësimit ose personat e lidhur kanë pasuri jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ai paraqet deklarimet bankare të viteve të fundit, të dhënat e fundit mbi regjistrimin e pasurisë ose dokumente të tjera që tregojnë vlerën e pasurive që ndodhen jashtë shtetit.
3. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të, apo persona të tjerë të lidhur, të deklaruar në cilësinë e dhuruesit, huadhënësit ose huamarrësit, nëse konfirmojnë këto marrëdhënie, kanë detyrimin për të justifikuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.
4. Deklarimet e interesave private dhe pasurore të paraqitura më parë te ILDPKI mund të përdoren si provë nga Komisioni dhe Kolegji i Apelimit.
FATION BINJAKU
Komentet