Sokol Haliti, i dyshuar për vrasjen e ish gruas së tij shtatzënë të mërkurën në oborrin e spitaleve në Prishtinë, është vetëvrarë të premten.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, tha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se policia e gjeti vendndodhjen e tij por me gjithë përpjekjet për të negociuar dorëzimin, ai vrau veten.
Njoftimi u bë i ditur pothuajse në të njëjtën kohë kur në fshatin Llugaxhi, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit, po mbahej ceremonia e varrimit të gruas së vrarë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po vazhdojnë hetimet për të ndriçuar rrethanat dhe motivet e mundshme të vrasjes, ndërsa theksoi se i gjithë zinxhiri përgjegjës institucional duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet.
“Nuk mund të merremi me vendimet të cilat i merr gjyqësori, mirëpo më duhet të them me keqardhje që kur vie puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur nëpër sirtarët e Pallatit të Drejtësisë e të cilat lëngojnë aty dhe nuk trajtohen as me kohë e as si duhet”, tha ai.
Vrasja e gruas shtatzënë ndodhi pak ditë pasi një burrë dyshohet se vrau gruan e tij me sëpatë në orët e hershme të 25 nëntorit në Prishtinë.
Të dy vrasjet ndodhën në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”. Si pjesë e veprimtarive të kësaj fushate, të premten ministria e Drejtësisë njoftoi se është hartuar kurrikula e parë në vend për trajnimin e profesionistëve në ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje.
Veprimtaret që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen për mungesën e programeve rehabilituese për kryesit e dhunës me bazë gjinore, që vazhdon të jetë dukuri mjaft e përhapur në Kosovë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se trajnimi i profesionistëve të parë do të nisë këtë muaj, ndërsa nënvizoi se përgjigja ndaj shifrave alarmante të rasteve të dhunës ndaj gruas duhet të jetë shumë sektoriale.
“Përgjatë vuajtjes së dënimeve të tyre, flas për ata të cilët shpallen fajtor për këto vepra penale, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social përmes ofrimit të programeve adekuate ku edukohen dhe ndryshohen për mirë sjelljet e tyre të papërgjegjshme e të dënueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë me të drejtë në përmirësimin e sjelljeve të atyre individëve që mbahen në qendrat korrektuese gjatë vuajtjes së dënimit”, tha ajo.
Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se Kosova me këtë dokument bën një hap para në linjë me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.
“Kurrikula për trajnimin e profesionistëve në ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje në Kosovë, lufton dhunën nga një aspekt i ri, duke e trajtuar shkaktarin që është sjellja e dhunshme. Derisa kryesit e dhunës duhet padyshim të mbahen përgjegjës dhe të dënohen për veprat e tyre, është gjithashtu thelbësore që këtu të përfshihet edhe një programi i trajtimit të tyre i cili luan rol shumë të rëndësishëm në dënimin e tyre”, tha ai.
Një nga autoret e këtij dokumenti, Adelina Badivuku, tha se ai përfshin disa shkallë të trajtimit dhe se ndër të tjera programi synon ndërprerjen të rasteve të përsëritshme të dhunës.
“Niveli i parë ku do të bëhet vlerësimi, identifikohet modeli i motivimit që e ka një burrë për të ndryshuar sjellje dhe punohet me të që ai të motivohet dhe të fillojë të marrë përgjegjësi për sjelljen e tij. Niveli i dytë i intervenimit kalohet në grupe, pra seanca grupore në të cilat mund të kemi deri në 12 burra dhe të cilat ndërmjetësohen nga dy trajnues të gjinive të ndryshme, që të modelojmë barazinë gjinore para tyre dhe të kenë rastin të dëgjojnë mendimet e një gruaje dhe një burri trajnues”, tha ajo.
Të dhënat e policisë tregojnë se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.
Komentet