“Askush nuk e bën historinë, historia nuk shihet siç nuk shihet bari në rritje e sipër».
Leon Tolstoi
__________________________________
VITTORIO STRADA

Pasternak (i dyti nga e majta) me miqtë: Lilya Brik, Eisenstein (i treti nga e majta) dhe Majakovski (në mes).
_____________________________________________________________________
Antagonistë dhe kundërshtarë të së kaluarës dhe aktualitetit të
letërsisë apo të mitologjisë. Shkrimtarë të famshëm dhe gazetarë
vizitojnë sërish në formë tregimi kontrastet e mëdha të lindura nga
jeta reale ose përfytyrimi popullor.
______________________________________________________________________
Kur dy vetëdije takohen, është statuti i secilës prej tyre që të vendosë ekuilibrin ose çekuilibrin e marrëdhënieve të tyre. Në rastin që do të analizohet, ai që çka lidh dy poetët rusë me famë të zhurmshme si Vladimir Majakovskin dhe Boris Pasternakun, ka një të dhënë biografike që, para çdo konsiderate tjetër më substanciale, përcakton “asimetrinë” e qëndrimit të njeri përkundër tjetrit. Pak vlen fakti që Pasternaku është tre vjeç më i madh se Maiakovski (i pari, u lind më 1890 dhe i dyti, më 1893): më shumë ka rëndësi fakti që Pasternaku vdiq tridhjetë vjet më pas Majakovskit (respektivisht më 1960 dhe 1930) dhe se këto tri dekada nuk kanë qenë thjesht shenja e një jetëgjatësie të lumtur e të parit, por pikëzohen nga të tilla ngjarje sa duken si kalim epokash. Për këtë edhe lloji i vdekjes së dy poetëve nuk është i parëndësishëm: vetëvrasja e Maiakovskit (ta lemë mënjanë tani çdo dyshim rreth pandehmës së vrasjes së tij të maskuar si vetëvrasje), ka një kuptim krejt të veçantë në misteriozitetin e saj, vlerën e një pohimi të skajshëm për të ndërtuar vdekjen e tij me të njëjtin vendosmëri me të cilin ai kishte dashur të ndërtonte jetën e vet; ndërsa fundi i Pasternakut, kaq dramatik në pamjen e jashtme në lidhje me persekutimin e tij nga një pushtet arrogant, pati vlerën e shuarjes organike të një energjie jetësore që kishte arritur shterimin, rezultat i një ekzistence jo të paramenduar e as të projektuar, por të gëzuar vetvetiu, si një dhuratë. Sidoqoftë kjo ndryshon raportin e vështrimeve përkatëse të të dyve, të horizonteve të tyre reciproke të vëmendjes, duke i bërë ata asimetrikë. Dhe kjo që nga “fillimi i njohjes së tyre, kur të dy, duke qenë djalërisht të pavetëdijshëm për fatet personale dhe të përgjithshme të së ardhmes, zbuluan veten e tyre si jashtëzakonisht të ngjashëm dhe individualisht të ndryshëm. Qe Pasternaku që e bëri menjëherë Majakovskin një nga qendrat e gravitetit të universit të tij personal, duke filluar një itinerar të gjatë jete dhe poezie që do ta çonte gjithmonë të maste përsëri vetveten me metrin maiakovskian, gjer sa të bënte shokun e tij të kundërt, stimulim për një figurë të veprës së tij kulmore Doktor Zhivagon. Maiakovski, përkundrazi, ishte tepër egocentrik dhe egolatrik që të mund të përqendronte energjinë e tij kaotike jetësore mbi çfarëdo personi, qoftë ai aq i admiruar dhe e dashur e Pastërnakut; dhe, nga ana tjetër, ai endej në një makrokozmos fantastik, kaq të pakufishëm sa brenda gjerësisë së tij humbiste mikrokozmosi i përsosur i poezisë pasternakiane. Është pra, syri i Pasternakut, syri fizik dhe shpirtëror që sheh Maiakovskin, trupin e tij më parë në jetë dhe më pas në vdekje e, mbi të gjitha përfytyrimi i tij metrotrupor që jehons në poezinë e tij dhe në fatin e tij, në rolin tragjik që Majakovski luajti në skenën e historisë, ku gjaku i derdhur është ai i vërteti i cili rrjedh nga venat e prera ose nga zemrat e shpuara. Asnjë teatër tjetër i botës, asnjë histori tjetër e kohës sonë nuk ka pasur aktorë të tillë kaq të mëdhenj dhe ngjarje kaq të mahnitshme si spektakli i ofruar nga Rusia, gjatë të cilave poetët u bënë emblema të pakrahasueshme të një tragjedie korale. Kush më mirë se Maiakovski ka mishëruar kataklizmin revolucionare? E kush më mirë se Pasternaku ka jetuar shpresën e ringjalljes? Trupi i Maiakovskit. Një trup, tashmë, i pajetë. Ja se si e sheh Pasternaku kufomën e vetëvrasësit: “Ai ishte i shtrirë në brinjë, me fytyrë të kthyer nga muri, i zymtë, i madh, nën një çarçaf i tërhequr deri në mjekër, me gojën gjysmë të hapur si ai që është duke fjetur. Duke ua kthyer me krenari shpatullat të gjithëve, ai, edhe kështu i shtrirë deri edhe në këtë gjumë hidhej me kryeneçësi kushedi ku e, kushedi se ku shkonte. Fytyra të çonte në atë kohë kur ai e kishte quajtur veten të bukur, njëzetedyvjeçar, pasi vdekja i kishte ngrirë mimikën që, gati, kurrë s’ia doli ta kapte në kthetrat e saj. Ishte shprehja me të cilën nis jeta, jo ajo, me të cilën mbaron. Ishte i zymtë dhe i zemëruar».Por, pranë Maiakovskit dhe pa jetë dhe prapë, jo i shpërbërë nga vdekja, sillet për rreth një personazh misterioz, praninë e fshehtë të të cilit Pasternaku e ndjen, kur viziton përsëri Maiakovskin të vendosur tashmë në arkivol: më poshtë, në rrugë, i duket se dallon në pritje «Shtetin tone, të padëgjuar, të padurueshmin Shtet që shpërthen në shekuj e gjithmonë pranohet prej tyre. Qëndronte atje poshtë, mund ta thërrisje e ta merrje për dore. Në veçantinë e tij reale ai ngjante në diçka me të ndjerin. Lidhja mes tyre ishte aq e qartë sa ata dukeshin si binjakë» Kjo figurë edhe trupore dhe prej fantazme futet në mes të dy poetëve, një figurë që Pasternaku e quan«Shtet» si një personifikim simbolik i historisë dhe, në veçanti, shfaqja e saj Konkrete, asaj që ishte atëherë në Rusi, Revolucioni mishërohet në themel të pushtetit. Në këtë Shtet– Revolucion autoritar dominues total, Maiakovski ishte një qytetar vullnetar, në shërbim të tij, në rolin e poetit revolucionar, tepër i ndërgjegjshëm, ndonëse e mbante mend si tepër pavarësinë e tij rebele të kaluar për t’u bërë përkrahës i thjeshtë dhe që të mos e ndjenin, pothuaj si një të huaj. Përkundrazi, Pasternaku, përkundrazi, në lirinë e tij të shqetësuar, qëndronte buzë armatës në marshim, drejt një të ardhmeje të vetëquajtur e shkëlqyer, edhe pse së pari, ai provoi me një ndjenjë inferioriteti, vetminë e tij të mbyllur, futjen e tij, jo në histori, por në Kozmosin e krijimit dhe me një frymë, natyrisht, kristiane. Atëherë Pasternaku kërkoi të ecte me hapin, lëvizjen historike të kohës, pikërisht, kur Maiakovski u shkëput prej saj me njëvetëvrasje të diktuar nga lodhja, hutimi dhe zhgënjimi. Pasternaku kërkoi në fillim të viteve tridhjetë, të fliste si poet me «njeriun e Kremlinit» ashtu si një tjetër shpirt i lirë e i dëshpëruar, Mikhail Bulgakovi, autori i romanit Mjeshtri dhe Margarita, besoi atëherë të hynte në një lloj kontakti magjik me Stalinin, aq e madhe ishte, për të gjithë në atë kohë, forca hipnotizuese e “Shtetit” që Pasternaku kishte parë përbri kufomës së Maiakovskit. Por për Pasternakun, si dhe për Bulgakovin, erdhi shpejt çasti i zhgënjimit dhe i tmerrit, i çlirimit nga mirazhi i një të Ardhmeje të imagjinuar dhe të mistifikuar, i burgosuri më i madh i së cilës, mbase, kishte qenë Majakovski. Pasternaku, në të kundërtën, u përcaktua si «peng i përjetësisë në burgun e kohës». ” Por duke u larguar përherë e më shumë nga Majakovski militant i një Shteti vigan-revolucionar, ai nuk e mohoi Majakovskin, nga madhështia e pakrahasueshme e të cilit ishte hipnotizuar që nga takimi i parë, nga ana tjetër, as hoqi dorë nga meditimi mbi epokën e tyre të përbashkët dhe nga dhënia e një dëshmie të vërtetë për të. Ja si i qe shfaqur Majakovski Pasternakut në vitin 1914, në një Rusi tashmë të mbarsur me luftë dhe revolucion, por ende e lirë. Majakovski, futurist me një akt provokues klouni vishte një «bluzë të verdhë» e bërë pastaj e famshme në gardërobën e «avangardave»; ishte anarkist i tërbuar, nihilist dhe «shkatërrimtar», diametralisht antipodi i «konstruktivizmit» vazhdues revolucionar me të cilin, si me një parzmore, kërkoi të përmbante goditjet shkatërruese dhe asgjësuese të shpirtit të vet. Jo «Shteti» u shfaq atëherë pranë të riut Majakovski në përfytyrimin pasternakian, por një tjetër figurë enigmatike, ajo e Dostojevskit: «Menjëherë pamja e tij e vendosur dhe kreshta e tij e çrregullt që ai e shpupuriste me gjithë pëllëmbën e dorës, më kujtuan imazhin përmbledhës të një të riu komplotist terrorist të Dostojevskit një nga personazhet e tij të vegjël të provincës». Majakovski si një hero Dostojevskian. Mos vallë Raskolnikovi i romanit Krii e ndëshkim, ndoshta? Por edhe Pasternaku gjen në romanet e Dostojevskit një pararendës të vet. Pastërnaku si princi Mishkin i romanit Idioti? Pse të mos e shohim krahasimin midis dy poetëve në dritën e dy figurave kaq të ndryshme, të dy romaneve të kundërt të një krijuesi të vetëm? Në shkrimin e një romani të vet, poeti Pasternak synoi gjithmonë të arrinte te të shkruarit e një romani të vet dhe më në fund e arriti në muzg të jetës, duke e afruar fundin e vet me stuhinë e papritur që shkaktoi romani dhe persekutimin që «Shteti ynë, i padëgjuari, i padurueshmi Shteti ynë», nisi kundër tij. Një roman, Doktor Zhivago i cili nuk i detyrohet pak edhe Dostojevskit dhe, tërthorazi, më shumë i detyrohet Majakovskit. Dostojevskit për jehonë, ndikim dhe rimarrje motivesh të autorit të romanit Vëllezërit Karamazov, dhe Majakovskit për atë përvojë të revolucionit si një premtim i munguar dhe tragjedisë së konsumuar që, nga çdo tjetër, kishte qenë jetuar nga Majakovski në mënyrë më autentike se nga çdo njeri tjetër. Prania e Maiakovskit te Doktor Zhivago, nuk është e drejtpërdrejtë, si në kujtimet e cituara më parë, të shndërruara në përfytyrim dhe të transferuara në një personazh. Të themi se Antipov-Strelnikov, burri i Larës i cili kurorëzon me vetëvrasje vërtetësinë e një jete të vrerosur, përkushtuar «Shtetit» revolucionar, ka si prototip Majakovskin, do të ishte një thjeshtësim se burimet e kësaj figure janë të ndryshme dhe Majakovski vetëm një prej tyre., edhe sepse janë të ndryshme burimet e kësaj figure dhe Maiakovski formon prej tyre një të vetme. Për Antipov-Strelnikovin i flet Larës Zhivagoja, duke theksuar se «për frymëzuesit e revolucionit, elementi i vërtetë natyror është furia e ndryshimeve dhe e zhvendosjeve dhe, për ta kënaqur na duhet të paktën i gjithë globi tokësor», kaq e pashtershme është lakmia për ta shkatërruar, përmbysur një botë dhe pretendimi për të krijuar një botë të re. Këtij projektimi të mbrapsht, Pasternaku, i kundërvë një vizion tolstoian të historisë: “Askush nuk e bën historinë, historia nuk shihet siç nuk shihet bari në rritje e sipër». Lufta, revolucioni, mbreti, Robespieri, janë nxitësit e saj organikë, tharmi i saj». Një vizioni mekanik dhe inxhinierik i zhvillimit historik i kundërvihet një tjetër, «drungjashëm», bimor, si të thuash, në të cilën rritja e kohës historike, transformon çdo gjë, saldohet me rrjedhën e natyrshme të kohës dhe të kohës së brendshme, kohës së poezisë pasternakiane.
Majakovski jetoi në kohën tragjike të rebelimit nihilist para revolucionit dhe në kohën magjike të utopisë totalitare pas revolucionit, duke këputur me një të shtënë pistolete lidhjen e kohës e të jetës, kur zbrazdësia e priti në humnerën e saj. Pasternaku jetoi edhe në kujtim të shokut të tij të vjetër të poezisë, në një lloj hedonizmi asket, kohën e matur nga Perëndia për të, pa ndonjë nevojë për një shpëtim utopik tokësor, revolucionar, në një gjendje gëzimi françeskan kundrejt botës së krijesave dhe përkushtimi estetik ndaj atij kurorëzimi të kësaj bote që përbëhet nga gruaja dhe nga dashuria, çaste, këto, që, për Majakovskin, përkundrazi, qenë dramatikisht të rënda, nëse jo të paarritshme. I trembur nga skena e historisë, por i shtyrë mbi të me forcë në fund të jetës së tij, i shtyrë drejt një roli heroik që ishte i huaj për të, Pasternaku, me romanin e tij nuk kishte ndërmend të kryente një akt politik, por thjeshtësisht t’u sillte të gjithëve një fjalë autentike dhe të vërtetë mbi kohën e tij dhe të Maiakovskit.Kur Pasternaku vdiq, Maiakovski kishte tridhjetë vjet që ishte tretur, gjatë këtyre tridhjetë viteve ishte transformuar edhe Pasternaku. Tridhjetë vjet të një kërkimi shpirtëror, në të cilin Maiakovski kishte qenë në qendër, paradoksalisht i vendosur pranë atij Rilkeje që Pasternaku e nderonte.Majakovski dhe Pasternaku njëkohësisht, pra. Jo: Majakovski ose Pasternaku, sepse shekulli i tyre i gjatë u luhat në mes dy ekstremeve të tyre, të bashkuar në tensionin dhe në intensitetin e poezisë së tyre.
Boris Pasternaku lindi në Moskë në vitin 1890, në një familje intelektuale me origjinë çifute: babai ishte piktor, kurse nëna, koncertiste.Vladimir Maiakovski lindi në Gjeorgji, në fshatin Bagdad, në vitin 1893. Qe djali i një inspektori pyjesh. Me vdekjen e të atit më 1906, ai u transferua në Moskë, ku më 1908, braktisi studimet për t’u dhënë pas aktivitetit politik. U fut në partinë bolshevike (në atë kohë e paligjshme) dhe u arrestua disa herë.Pasternaku ndërkohë, studionte për kompozicion dhe u diplomua më pas për gjuhësi. Më 1911 Majakovski hyri në shkollën e pikturës, skulpturës dhe arkitekturës, ku ra në kontakt me grupin legjendar të kubofuturistëve. Kësaj periudhë i përkasin poemat Re në pantallona dhe Flaut vertebrash. Pas revolucionit të vitit 1917, midis viteve ’19 dhe ’23, punoi për propagandën dhe krijoi mijëra postera. Edhe Pasternaku është, gjithashtu, për një kohe, afër kubofuturistëve, por u shkëput prej tyre.
për mospranim të cilindo motiv deklamimi. Majakovski në vitet ’24 – “25 shkruan poemën Lenini, lartësim heroik i personazhit. Ardhja e Stalinit dhe historia e hidhur e dashurisë me Lilin, gruan e piktorit Brik, e hedhin në një gjendje dërrmimi të skajshëm që do ta çojë në vetëvrasje më 14 prill 1930.Pasternaku, tërheq vëmendjen e publikut me përmbledhjen e vitit 1922 Motra ime; në vitin ‘31 boton autobiografinë në prozë Leja e qarkullimit. I akuzuar për individualizëm, tërhiqet në daçën e tij në Peredelkino pranë Moskës. Në vitin ’46, filloi të punojë për romanin Doktor Zhivago, roman që u botua për herë të parë në Itali më 1957. E detyrojnë të heqë dorë nga Nobeli në vitin 1958. Vdes vitin1960..
Përktheu : FASLLI HALITI
Boris Pasternak
NË VDEKJEN E MAJAKOVSKIT
S’na besonin. I kujtonin gënjeshtra ç’thoshim.
Por e mësuan në fillim dy, tre, ose të gjithë.
Ecnin të qetë,
në rreshtin e kohës sate u ndalën befas;
shtëpitë e grave të nëpunësve dhe tregtarëve.
Ishte një ditë e jo e dëmshme, më e padëmshme,
si dhjetëditëshi i ditëve të tua të mëparshme.
grumbulloheshin duke u rreshtuar në paradhomë
si të grupuar nga e shtëna jote.
Ti flije.
Shtrirë mbi shtratin e shpifjeve, preheshe.
Dhe sapo u ndal çdo regëtim, ti ishe i qetë,
i bukur, njëzet e dy vjeçar plot,
siç kishe thënë, dikur, në tetratikun tënd vetë.
Ti flije duke shtrënguar mbi jastëk faqen,
flije shtrirë gjërë e gjatë në prehje mortore,
duke u hedhur edhe një herë në sulm
në radhën e legjendave të reja
ti hyre mes tyre me forcën më të madhe,
sepse befas i kishe arritur krejt me një të kërcyer.
E shtëna jote ishte e barabartë me një Etna
në një fushëtirë me frikacakë e frikacake bashkë.
Oh, po të kisha profetizuar unë atëherë,
kur rrezikoja veten në atë debutim
se vargjet me gjak vrasin,
do më të hidheshin në fyt e do më mbysnin.
Do t’ia t’ia ndaloja me ashpërsi vetes
Të mos bëja shaka me një ngatërresë të tillë.
Fillimi ishte kaq larg,
Kaq timid, interesi i parë.
Por pleqëria është një Roman
pa shaka dhe pa gjepura
që s’kërkon prova nga aktori
por një rrënim tërësor të mirëfilltë.
Përktheu: Faslli Haliti
PAGE
PAGE 6
Komentet