Lëvizja “Vetëvendosje” ka reaguar ndaj arrestimit të sekretarit organizativ Dardan Molliqajt, duke thënë se “regjimi në largim, nga paniku arrestoi Molliqajn”.
VV-ja në komunikatën për arrestimin e Molliqajt, ka thënë se protesta e djeshme ia ka bërë të qartë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit se ditët e tyre janë të numëruara.
“Prandaj, në panik e sipër ata po përdorin të gjithë aparatin e dhunës si mjeti i fundit për të mbajtur në këmbë regjimin e tyre te delegjitimuar. Nuk ka dhunë që mund ta ndalë frontin e gjerë shoqëror të rezistencës që është ngritur kundër këtij regjimi”, thuhet në komunikatë.
“Vetëvendosje” ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Molliqajt dhe aktivistëve tjerë që po mbahen të burgosur.
“ Deri në lirimin e të gjithë aktivistëve dhe deri në ditën e largimit të këtij regjimi shtypës policor, në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi dhe qetësi”.
Komentet