Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët nesër do të kthehen në punimet e Kuvendit të Kosovës, nuk do të bëjnë ndonjë përpjekje për të penguar seancën e cila fillon nga ora 10:00, përveç nëse futen në votim dy marrëveshjet, demarkacioni dhe asociacioni.
Kjo parti bënë të ditur se në Kuvend kthehet për të bërë opozitën dhe për të mos lejuar që koalicioni qeverisës PDK-LDK të mos procedojë ligje të dëmshme për vendin.
Frashër Krasniqi, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për lajmi.net se ata kthehen në Kuvend për të mos lejuar që koalicioni në qeveri të procedojë ligje të dëmshme dhe pa vërejtje.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë që mos të tentojë t’i sjell në Kuvend dy marrëveshjet që ata i vlerësojnë të dëmshme, atë për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në të kundërtën siç ka thënë ai, situata mund të përshkallëzohet.
“Mendojmë se mungesa jonë në Kuvend i krijon lehtësi pozitës që të kalojë ligje potencialisht të dëmshme për Republikën, pa asnjë vërejtje apo kritikë. Në të njëjtën kohë ne do të jemi aty për të dhënë alternativat tona ndaj gabimeve të pushtetit”.
“Ne nuk do të pengojmë seancën e nesërme dhe i bëjmë thirrje Qeverisë që të mos provojë ta sjell për ratifikim demarkacionin që ia humb mbi 8000 hektarë territorit të Kosovës si dhe statutin e “Zajednicës” që e cenon sovranitetin shtetëror. Në të kundërtën, situata në vend mund të përkeqësohet sërish”, ka thënë ai për lajmi.net.
Ndryshe deputetët e Vetëvendosjes së bashku me ata të dy partive tjera opozitare, AAK dhe Nisma, kanë braktisur punimet e Kuvendit që nga muaji mars si shënjë kundërshtimi të dy marrëveshjeve të lartëpërmenduara.
Vetëvendosje ka marrë vendim që të kthehet në Kuvend, ndërsa dy partitë tjera opozitare, AAK dhe Nisma ende vazhdojnë të bojkotojnë punimet e Kuvendit.
Komentet