Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë shpalosur sërish në sallën e Kuvendit pankartën me mbishkrimin, “Drejtësi për Astritin”.
Tre deputetë të këtij subjekti politik, po mbajnë pankartën në duart e tyre para foltores së Kuvendit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kontestuar sërish rezultatet e autopsisë të prezantuara nga Prokuroria, sipas të cilave Astrit Dehari është vëtëvrarë dhe se vdekja erdhi si pasjoë e asfiksisë (bllokimit të organeve të frymëmarrjes).
Konjufca ka kërkuar dorëheqjet e ministrave të Drejtësisë dhe atij të Punëve të Brendshme si dhe përgjegjësi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Vetëvendosje ka kërkuar debat në Kuvend për rastin Dehari, por nuk ka arritur t’i mbledh 40 nënshkrimet e nevojshme. Si alternativë, Konjufca tha se duhet të merret parasysh peticioni i qytetarëve me mbi 23 mijë nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se nuk janë plotësuar procedurat që seanca të thirret. Po ashtu, edhe organizatorët e peticionit, sipas tij nuk e kanë adresuar kërkesën e tyre konform rregullores për seancë të jashtëzakonshme.
Veseli ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për formën e saj të sjelljes në Kuvend. Ai tha se përgjegjësi duhet të jap edhe Vetëvendosja, si subjekt politik që ka nxitur një të ri në veprime që kanë çuar qoftë në vrasje apo vetëvrasje.
Kërkesa e Vetëvendosjes që debati për rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, të vihet për debat në Kuvend është mbështetur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma, por jo edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Votimi ka sjellë si rezultat dështimin e kërkesës së Vetëvendosjes, e cila ka marrë vetëm 26 vota për.
Seanca ka vazhduar punimet me pikat tjera të rendit të ditës, por në ballë të sallës kanë qëndruar deputetët e Vetëvendosjes me pankratën në duart e tyre “Drejtësi për Astritin”. (REL)
Komentet