PRISHTINE – “Vetëvendosje” kërkon vullnetarë, për të ‘mbrojtur’ Republikën e Kosovës, që sipas tyre është në rrezik. Sipas “Vetëvendosje”, “shteti është kapur nga njerëzit e korruptuar, që për të ruajtur pushtetin e tyre po e shesin vendin; që për t’i pasuruar familjet e tyre, po e varfërojnë popullin”.
“Ata premtuan qindra mijëra vende të reja pune, kurse në vend të kësaj detyruan qindra mijëra të rinj e të reja ta lëshojnë Kosovën. Ata premtuan zhvillim ekonomik, sovranitet e demokraci, kurse në vend të kësaj po na e sjellin ‘Zajednicën’ që e pamundëson zhvillimin, e redukton sovranitetin dhe e ndan etnikisht vendin. Po na sjellin marrëveshje demarkacioni që mbi 8,000 hektarë të Kosovës ia fal Malit të Zi”, thuhet në thirrjen e “Vetëvendosjes” për vullnetarë.
“Republika është në rrezik, kurse qytetarët janë të vetmit që mund ta mbrojnë atë. Prandaj, bëjmë thirrje për mobilizim të përgjithshëm për ta mbrojtur Republikën tonë”, thuhet në njoftimin e VV-së.
“Thërrasim për vullnetare e vullnetarë që janë të gatshëm të na ndihmojnë në organizimet tona të përditshme siç janë aksionet simbolike, tubimet me qytetarë, peticioni, organizimi i protestave, punë administrative, organizimi i takimeve të ndryshme, punët logjistike, ndihma në punën dhe kontaktin me media dhe qytetarë, etj”,- thuhet në fund të kësaj thirrjen e “Vetëvendosje”.
Komentet