Dorëheqja e Donika Kadaj-Bujupit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në të cilin ajo dha kontribut 13-vjeçar, bëri bujë mediale, derisa filloi edhe debati lidhur me atë se ku do ta vazhdojë aktivitetin politik deputetja që deri sot ishte e AAK-së.
Edhe pse dorëheqja e saj mbetet ende e pasqaruar dhe me bazë spekulative lidhur me arsyet që do të mund ta kenë shtyrë Kadaj-Bujupin drejt dorëheqjes nga partia e Ramush Haradinajt, mes saj dhe Vetëvendosjes, për shkak të kauzës opozitare është vërejtur një afërsi në qëndrimet politike dhe në format e rezistencës brenda Kuvendit të Kosovës.
Madje, Kadaj-Bujupi ishte një ndër deputetet e para që hodhi gazin lotsjellës në Kuvend së bashku me deputetët e Vetëvendosjes, të cilët ende kanë proceset e hapura gjyqësore për thyerjen e ligjit në Kuvend.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për KosovaPress tha se ajo kuptoi nga mediat për dorëheqjen e deputetes nga AAK-ja, derisa thotë ato çfarë u transmetua nëpër media se Kadaj-Bujupi ka kaluar në VV janë spekulime, pasi nuk ka asgjë zyrtare deri tani.
Mirëpo, Haxhiu thotë se Vetëvendosje është e hapur për këndo që kundërshton Qeverinë dhe dy marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi, përfshirë edhe Kadaj-Bujupin.
“E dini që Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka thënë se është e hapur për këndo që e kundërshton këtë Qeveri dhe këto marrëveshje të cilat po e rrënojnë Republikën e Kosovës. Mirëpo, i mbetet zonjës Kadaj-Bujupi që ta vlerësojë pozicionin e saj. Duke e njohur zonjën Kadaj-Bujupi ajo do të veprojë siç ka vepruar deri tani, pavarësisht se në cilin subjekt është”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se kjo është më shumë çështje e brendshme e AAK-së, mirëpo ajo e vlerëson kontributin që ka dhënë zonja Kadaj-Bujupi gjatë periudhës 7-mujore në kundërshtim të marrëveshjeve dhe Qeverisë së bashku me opozitën. /KP/
Komentet