Menjëherë pas maratonës kur kryeministri Mustafa vendosi të krijojë Qeverinë me PDK-në pata shkruar një shkrim “Lamtumirë LDK” dhe kam qenë i bindur që z. Mustafa përfundimisht i vuri gozhdën e fundit arkivolit dhe varrosi një parti, që edhe ashtu ishte në rënie e sipër.
Kam pasur përshtypjen që në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja nuk do të kalonte as pragun dhe njëkohësisht kam besuar se të gjitha partitë kanë pasur gjasa të përfitojnë prej elektoratit të saj, që ka qenë i zhgënjyer dhe i pakthyeshëm.
Mirëpo, ja që “Vetëvendosja” i prin një opozite me veprime aq absurde saqë e ringjallin LDK-në prej varrit dhe të njëjtën kohë e bëjnë edhe Isa Mustafën të duket mirë. Unë jam i bindur se veprimet, e jo qëndrimet, janë reflektimi më i mirë që arsyetojnë mbetjen e tyre në opozitë.
Si ka mundësi, do të kishte për të pyetur dikush, që “Vetëvendosja” jo vetëm se po dështon të fitojë zgjedhje, por nuk po arrin as të jetë kandidate serioze për marrjen e pushtetit. Shto këtu bindjet se kanë një parti me anëtarë më së paku të pakorruptuar, me plot ide, me planprograme zhvillimore dhe të njëjtën kohë përballen me parti kundërshtare që kanë dëshmuar dështimin e tyre të ofrojnë mirëqenie për qytetarët tash e 15 vjet.
Pra, pyetja është pse nuk po arrijnë t’i bindin qytetarët të marrin timonin qeverisës dhe ku jemi sot? Sot qytetarët janë të dëshpëruar me pozitën, por nuk shohin zgjidhje tek opozita. Qytetarët nuk e duan “Zajednicën,” por kanë frikën t’i bashkohen opozitës për ta kundërshtuar, për shkak se kanë krijuar përshtypjen se veprimet guerile të “Vetëvendosjes” mund të shkaktojnë një destabilizim më të madh se vetë “Zajednica”.
Sot qytetarët nuk pajtohen me qeverisjen që ka sjellë aq pak progres, por kanë frikë “Vetëvendosjen” sepse kjo e fundit nuk e sheh evolucionin si pjesë të natyrshme të ngritjes në pushtet, por të gjitha kundërshtimet i ndërmerr përmes veprimeve revolucionare, që krijojnë panik dhe përçarje. Qeverisja është sikur lojë shahu, ku lojtarët e rinj qeverisin të njëjtën lojë, por me strategji dhe ide të reja, kurse “Vetëvendosja” kërkon politika që prishin lojën e shahut dhe kërkon që gjithçka të fillojë nga fillimi, diçka që askush nuk e dëshiron.
Qytetarët janë të njohur me fuqinë që ka vendi i tyre dhe medoemos besojnë se çfarëdo zgjidhje apo progresi varet nga ndihma e miqve ndërkombëtarë, derisa Lëvizja “Vetëvendosje” vazhdon të mbajë ndërkombëtarët për armiq, duke rënë viktimë e politikave amatore. Kur politikanët në Qeveri futen në marrëveshje, që as vetë nuk i dinë, deklarohen se ka qenë në përputhje me ligjet, por edhe miqtë ndërkombëtarë.
Shpeshherë thonë se ka edhe presione nga “ndërkombëtarët” për politikat apo marrëveshjet e këqija. Dhe këtë e bëjnë me shumë mençuri për shkak se nën një, shpesh shitet më lehtë tek populli, sepse qytetarët më shumë i besojnë amerikanëve e miqve tjerë ndërkombëtarë sesa vetë qeveritarëve tanë në marrëveshje të rëndësishme, dhe e dyta, e bëjnë sepse e dinë mirë që “Vetëvendosja” del me deklarata e veprime radikale që jo vetëm kundërshtojnë Qeverinë, por të njëjtën kohë fajësojnë dhe i shpallin “luftë” edhe ndërkombëtarëve. Kjo strategji e partive në pushtet po dikton veprimet radikale të opozitës dhe njëkohësisht po i garanton komoditet në qeverisje.
Qytetarët janë lodhur nga dhuna dhe kanë pajtuar që të jenë pjesëmarrës në ndryshimin e situatave dhe kanë zgjedhur votën si mjetin e vetëm legjitim dhe ligjor, mirëpo zgjedhja e tyre mbetet status-quo për shkak se kanë frikë nga parti si “Vetëvendosje”, që nuk kursejnë, por edhe arsyetojnë dhunën si mjet për të arritur qëllimin. Pra, për mendimin tim mbaron me kaq.
Qëllimet e mira nuk mjaftojnë kur ato shoqërohen me veprime radikale dhe pa dashur të krijoj një armik më shumë nga ju, jam i bindur se këto veprime, jo vetëm që nuk do t’ju ofrojnë tek qeverisja, po do të garantojnë një komoditet permanente partive në pushtet. Ndoshta jam gabim, sepse nuk mbaj të vërtetën absolute dhe as që posedoj njohje profetike, mirëpo nëse dikush ende di ndryshe, le ta shpjegoj pse tash e sa vjet në politikë ende jeni në opozitë pa ndonjë shpresë për të qeverisur?
Shpjegojeni pse qenkeni të pakorruptuar, të gjithëdijshëm dhe ende nuk gjeni përkrahje tek populli, në emër të të cilit thirreni çdo ditë? Mendoni se populli nuk dëshiron të largojë korrupsionin? Jo! Se populli dëshiron të mbetet i papunë dhe i varfër? As atë jo! Atëherë pse jo me juve? A jeni ndalur të mendoni pse nuk beson se ju jeni zgjidhja e problemeve?
Për fund, para se të vazhdoni të flisni në emër të popullit dhe të kërkoni që ata të reflektojnë para zgjedhjeve tjera, do të kishte qenë e udhës që vetë ju të reflektoni dhe të dëgjoni seriozisht zërat brenda partisë, që thërrasin për ndryshim të këtij avazi.
Veprimet tuaja janë arsyeja për jetëzgjatjen dhe komoditetin e partive në pushtet. Përndryshe, nëse vazhdoni me të njëjtat veprime do të kishte qenë një çmenduri me plotkuptimin e fjalës sepse Albert Einstein thuhet të ketë definuar çmendurinë e një situate kur një i çmendur kryen veprime të njëjta dhe pret rezultate të ndryshme.
Komentet