Jam në rrugë e sipër, midis Parisit dhe Montpeljesë, kur më vjen një sms nga Tirana. Më kanë thirrur për të kaluar një konkurs për një post pedagogeje në Konservatorin e Montpeljesë. Prej disa vitesh, që kur ika për herë të dytë nga Shqipëria dhe e mblodha që ishte pa kthim, hedh hera-herës ndonjë kandidaturë për të kërkuar punë në jug të Francës, ku klima dhe drita janë të ngjashme me ato të Tiranës. Grija e Parisit nuk më prin, jam e pangushëlluar që nuk munda ta bëj jetën në atdheun tim, dhe ja kërkoj pak Shqipëri në Francë. Ora është rreth 11 dhe mikja ime E.D. më shkruan në sms: “Më në fund në teatër” dhe një foto ku duket bashkë me një tjetër qëndresëtare. Ka aq shumë përhumbje në fytyrat e tyre, aq shumë trishtim. “Ç’do me thënë?” e pyes. Një foto tjetër: goja e dashur e skenës së Teatrit Kombëtar! Të fotografuar me shpinë, disa rreshta poltronësh të mbushur me njerëz. “Jemi brenda në teatër”, është sms-ja e fundit. Pyetja ime “A jeni shumë?” mbetet pa përgjigje.
Si ndërthuren historitë: Teatri, Atdheu, konkursi në dhé të huaj për të mësuar të rinjtë e botës…
Nuk ka asgjë denigruese të konkurrosh midis plot francezëve të tjerë, me kushte krejt të barabarta, për një post. Por ndjehesh keq që, ti je atje sepse, në vendin tënd raca e aktorëve po trajtohet si egjëri që e djegin me acid nga karagjozë të cilët duan t’i luajnë të gjitha rolet vetë, madje edhe atë të popullit. A nuk u përpoq Kryekaragjozi të rikuperonte protestën e studentëve duke luajtur rolin e Kryeprotestuesit? A nuk përpiqet ERTV të luajë rolin e Kryetelevizionit? A nuk luan Kryekaragjozi rolin e Kryegaleristit në ekspozitat që organizon në Kryeministri? E Kryeagjentit për artistë duke ftuar ne Pallatin mbretëror të përzgjedhurit e tij, artistët jashtë atdheut, me shpresën se ata mund ti duhen për t’i bërë publicitet në rast se pranojnë t’i shërbejnë ? E Kryehumoristit duke treguar barcaleta cak e anë nëpër Shqipëri, përpara turmave të mbledhura me urdhër ?
Mendjen e zemrën e kam në Teatrin Kombëtar ndërsa filloj sprovën e parë, “vënie në situatë”. Më japin dy studentë, një orë kohë pune me një tekst të cilin studentët e dinë përmendësh e unë për fat e njoh. Ata janë zbathur, mbi planshet, zbathem edhe unë po ashtu. Një orë rresht punojmë me ngulm. Është “Propozimi për martesë” i Çehovit: i them djalit të shpikë diçka nga vetja për ta joshur vajzën, për ta çarmatosur, për të gjetur portëzën nga ku hyn për të rrezuar rezistencën e saj. Kur pas një ore ata luajnë skenën para jurisë, aktori i ri fillon ta luajë një copëz të tekstit në Rap, më shpëton një e qeshur, jurisë po ashtu.
Para se të largohem takoj studentët, i falënderoj, u uroj suksese. Edhe ata mua. Djaloshi ma merr dorën me të dyja duart dhe ma shtrëngon fort, si të më thotë diçka më shumë, si të më thotë që ka njohur tek unë dikë që është e familjes ku ai do të hyjë, asaj të teatrit. Ky gjest human, i thjeshtë, vëllazëror, më bën të më rrjedhin lotët e mbajtur me zor, që në orën 11. Nuk e di se ç’bëhet ndërkohë në Teatrin Kombëtar me të mijtë. Të rinjtë janë të gozhduar nga lotët e mi. Kush e di se ç’mendojnë. Ata e dinë që unë jam atje për të kërkuar punë, mbase mendojnë se jam në ankth për vazhdimësinë e kësaj kandidature. Nuk është rasti, në Paris jo vetëm që kam punë, por nuk paguaj as qira, kam shtëpinë time. Kërkoj këtu diellin, kërkoj ngjashmërinë me Tiranën, me atë Tiranën e dikurshme, të pa shpersonalizuar, ku nuk më dukej vetja si në një mulli, si tani, kur vij.
Ky shtrëngim i dorës që më nxori lotët më bën të mendoj se ku duhet të isha, në qëndresë në Teatrin Kombëtar, dorëpërdorë zinxhir me qëndresëtarët, për ta mbrojtur atë me trupat tanë. Më kujton dorën e atyre që nuk e dhanë, dorën e artistëve të Turbinës, atyre që pranuan zgjidhje tjetër. Nietzche amerikan, Henry Lois Mencken, thotë se njerëzit mediokër parapëlqejnë sigurinë dhe jo lirinë. Por artistëve nuk u falet të tregohen mediokër si njerëz. Është në natyrën e tyre të jenë prekursorë në revoltë e të mos jenë tolerantë me të patolerueshmen.
Ky gjest i studentit francez më kujton një tjetër: atë të një studenti shqiptar kur u ktheva para disa vitesh në Universitetin e Arteve, me programin Brain Gain, për të dhënë përsëri mësim. Studentët nuk vinin, i kishin mungesat legjion, nuk bënim dot prova, as punë kolektive. I pata thënë një studenti se do ngelej në klasë, se unë nuk isha e korruptueshme, kisha tjetër kulturë pune. Ai më pat kapur për faqe, në mënyrë kërcënuese, si një vajzë të vogël e, duke më parë drejt e në sy, me tallje më thoshte: “Nuk më heq dot, ka më të forte se ty këtu”. “Nuk jam unë e fortë, i pata thënë, është ligji”! Ai pati qeshur me lot nga kjo fjalë: “Shkollën e kam të mbaruar. Të paguar. Harroje!” Dhe sigurisht u bë siç tha ai, megjithëse unë bëra çmos për të zbatuar ligjin. Titullarët ku paraqisja shqetësimin më thoshin: “E dinim që je e çmendur, por jo kaq! Çfarë mësimi do të bësh? Pi ca gota me ne, merr ato para dhe ik rehat!”
I kujtoj të gjitha këto.
Për të më reshtur lotët e çuditshëm studentja franceze i thotë djalit: “Këndoja edhe njëherë Rap-in”. “Duhet të më këndoje ‘Gijotinën permanente’ që të më sillje zemrën në vend”, i them me shaka. Nuk ma merr mendja që mund ta dinë: ç’punë kanë këta njëzetvjeçarë, të rritur në lulen e demokracisë, me shpikjen e famshme të zotit Guillautin. Por në çast ata fillojnë që të dy ta këndojnë këngën që po bëhet 230-vjeçare. Po ta kërkoni ne YouTube, “Guillotine permanente”, do të gjeni sa e sa versione të këngës e cila, sado makabre të duket, sado e papajtueshme me funksionin e muzikës, vazhdon të rimerret, të këndohet, me ngulm, edhe sot e kësaj dite.
Mendoj se, sado e diskutueshme, antihumane të ketë qenë gijotina në Revolucionin makabër ku shkoi i njomi me të thatin, ku u qëruan sa e sa të pafajshëm bashkë me ata që e kishin bërë hak, gjithsesi, për fat të keq, ajo ka luajtur rolin e saj të rëndësishëm. Ajo ka peshën e vet në faktin që francezët gëzojnë sot – edhe pse demokracia tek ata është zbythur ndjeshëm – disa të drejta themelore të cilat ne i lakmojmë dhe i kërkojmë duke përsëritur thirrjen që është vjetruar tashmë: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.
“Si ka mundësi që e dini?” pyes dhe qesh tani me të vërtetë. “E kemi mësuar në protestat e jelekverdhëve”: më thonë dhe, hop, tokje tjetër duarsh: edhe një pikë tjetër e përbashkët përveç Teatrit, edhe unë atje e kam mësuar.
Nuk e di se ç’bëhet në sheshin e Teatrit. Do të mësoja më pas dhunën ndaj atyre që përbëjnë qelizat më të shëndetshme të mbetura në zemrën e Shqipërisë, në mes të infeksionit që ka e pushtuar atë, si një peshk të qelbur nga koka. Do të shihja fotot me krahët e policëve në fyt të deli djalit Bert Budina, foto si një pështymë në surratin e Edi Ramës, të Lleshit etj., që e kanë çuar zullumin atje ku nuk mban më.
Do ta doje vërtet një gijotinë në oborrin e Teatrit? e pyes veten më pas me qetësi. Do të kënaqeshe t’i shihje kokat e Ramës, të Plehrit e të tjerë plehrave me radhë të rrotulloheshin përdhe, në mes të halave të pishave që mbajnë emrat e artistëve të ikur? Ta shihje Lleshin të mbyllur në një WC të Teatrit ku të ishte lëshuar gaz? Rrëqethem vetëm kur mendoj se ka ardhur një ditë kur këtë pyetje ia bëj vetes seriozisht, unë që nuk e kam pas ditur, deri para disa vjetësh, se ç’është urrejtja. Revolta sigurisht, përbuzja gjithashtu, por edhe në rastin më të keq, e përzier me një mëshirë, një keqardhje, duke u përpjekur të kuptoj se ç’mund ta ketë detyruar personin e përbuzur të jetë katandisur në një qenie të tillë. Por jo urrejtje për një person që e njoh.
Urrejtjen ma mësoi Edi Rama, ma mësoi Erion Veliaj, ma mësoi numri i deputetëve që votojnë si bagëti pocaqitë e tyre. Kjo urrejtje e mbjellë është gjëja më e pafalshme që kanë arritur ata me taktikën e ndyrë të përçarjes dhe të sundimit.
Ndër konkurruesit për postin e pedagogut në konservator është edhe një pedagoge me origjinë siriane. Flasim të dyja për vendet tona, ajo më tregon se sa e paimagjinueshme ishte, në vendin e saj, ajo luftë që plasi, qoftë edhe disa ditë përpara. Që mendohej se do zgjaste vetëm disa ditë, disa javë, ja dhe muaj… Por që tani vendi i saj i mrekullueshëm ka marrë fund. Fund me të tëra. A jemi ne në rrezik?
Nuk ia fal Edi Ramës që më mësoi urrejtjen. Unë nuk kisha iluzione për të, jo vetëm që nuk e kam votuar, – kam bërë gabime të tjera por këtë jo, – por as edhe një klasë fëmijësh nuk do t’i besoja atij për t’u dhënë mësim. Nga disa rrethana, burime, njerëz e fakte, e dija prej shumë kohësh rrezikun që përfaqësonte ai. Por ai i kaloi të gjitha limitet e zhgënjimit. Më pas do të mësoja tipologjinë së cilës ai i përket, të cilës ia ka të gjitha karakteristikat: Pervers narcisik, atë që konsiderohet sot nga studiuesit si ekuivalent i djallit.
Dhe problemi është se personi nuk e di që është i tillë, nuk e pranon dhe nuk e kupton. Pra, në një farë mënyre, është i pafajshëm, është tërësisht i paaftë ta vërë veten në pikëpyetje. E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga një njeri i tillë është ta abandonosh, ndërsa ai nuk ju abandonon kurrë, sepse nuk mund të jetojë pa manipuluar. Për të mos folur për të tjera patologji… Por, a do të doja, sinqerisht, ta shihja të kaluar, një të sëmurë, një “të pafajshëm” (kartelat e fshehura një ditë dalin në dritë lehtë) në gijotinë ?
Po. Më mirë një i pafajshëm kurban sesa populli i tërë. Po. Që të mos guxonte më njeri të sillej siç është sjellë ai me atdheun. Që barku që e polli, jo ai i nënës biologjike por i despotizmit, i diktaturës, të tkurrej e të mos pillte, në seri, një tjetër Ramë nesër, sepse rreziku është krejt i mundshëm. Po. Që të mos bëhej permanent ky sistem që i pjell këto mostra, jo vetëm te ne, por si mësim dhe si rikujtim edhe për vendet e tjera, edhe për Europën. E di që mund t’ju duket e tmerrshme kjo që them, por ju siguroj që e tmerrshme më duket edhe mua vetë të parës. Këtë tmerr nuk fal dot.
Miqtë e mi të Teatrit Kombëtar nuk e meritojnë dhunën që pësuan dhe që janë gati të pësojnë ende. Nuk duhet të jenë ata kurbani. Kurban duhen bërë përgjegjësit e kësaj tragjedie, jo vlerat e kombit, të cilët po i lidhin kërthizën së ardhmes në sheshin e Teatrin Kombëtar. Kërthizën: jo më të Rilindjes, emër që e vodhi, e përdhunoi dhe e ndyu Edi Rama, por atë të Paktit, të Aleancës së më të mirëve.
Studentët francezë për aktorë, sado të rinj, e dinë këngën e “Gijotinës”. Do të duhej ta mësonin edhe tanët. Janë disa pika mbi “i” që janë lënë pa vënë, disa gjyqe që janë lënë pa bërë, në historinë tonë shqiptare.
Ndërsa largohem pa e ditur në do të kthehem më në këtë vend, më kujtohet historia e Stalinit, kur pas një kohe të gjatë, shkon të shikojë nënën e vet, Keke Gelatzenë, të sëmurë rëndë, të cilën sipas gjasave ai nuk kishte pasur kohë e ndoshta as dëshirë ta takonte. Ka mbetur ai dialog si skenë teatri midis tyre:
“Kekeja: Çfarë pune bën tani, Josif?
Stalini: A të kujtohet Cari?
Kekeja : Po.
Stalini : E po, jam si Cari.
Kekeja : Më mirë të ishe bërë prift…”.
Komentet