Ditët e fundit u hap një diskutim shumë i rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë shqiptar. E konsideroj të rëndësishëm këtë hap, sepse ai është një reflektim ndaj një realiteti të hidhur demografik të dekadës së fundit, i cili ka cuar në pakësimin drastik të grupmoshës 15-35 vjeç. Për rrjedhojë po zbrazen me shpejtësi shkollat dhe universitetet e vendit, jo vetëm në rrethe, por edhe në Tiranë.
Përvec largimit nga vendi, në këto 12 vite është ulur me 8% (nga 94% në vitin 2013 sot është 84-85%) përqindja e nxënësve që vijojnë arsimin e mesëm, një regres ky për një vend që synon të pranohet në familjen e vendeve të BE. Kjo ulje lidhet me rritjen e varfërisë dhe ka prekur shtresën më të varfër dhe zonat më të varfëra të vendit. Për një vend si Shqipëria që synon të antarësohet sa më shpejt në BE dhe familjen e vendeve të zhvilluara cdo i ri dhe e re në moshën 18-19 vjec duhet të këtë përfunduar arsimin e mesëm ose atë profesional, pra arsimi i mesëm duhet të jetë i detyrueshëm.
Ky diskutim publik është i rëndësishëm për shfrytëzimin e kapaciteteve të konsiderueshme njerëzore dhe infrastrukturore të krijuara në sistemin e arsimit të lartë, të cilët përbëjnë një pasuri të madhe kombëtare e kërcënuar nga nënshfrytëzimi i saj në dobi të zhvillimit të vendit, cka do të ishte një humbje e madhe për vendin.
Qasja e këtij diskutimi mendoj se është e jo e plotë, sepse i mëshon vetëm anës së dobisë që i sjell vendit tërheqja e studentëve të huaj, dhe shumë më pak anës tjetër, madje më të rëndësishme, si dhe kur bëhet tërheqës një universitet shqiptar për studentët, më së pari shqiptarë, pastaj për ata të huaj.
Unë po japë disa mendime modeste pikërisht për këtë aspekt, pra cfarë ndryshimesh duhet të ndodhin në universitete, në mënyrë që ato të bëhen tërheqëse për studentët tanë dhe të huaj.
Megjithëse prirjet e studentëve në përzgjedhjen e universiteve dhe programeve janë ende jo aq të konsoliduara, mund të vecojmë disa prej tyre. Vihet re se maturantët tanë më të mirë kërkojnë universitete dhe programe me cilësi të nivelit internacional. Prandaj shumica e tyre zgjedhin universitetet prestigjioze në vendet e tjera. Grupi tjetër i maturantëve të mirë ose mbimesatar orientohen në programe studimi për profesione që i kërkon edhe tregu internacional i punës (profesionet e shëndetësisë, IT dhe ato inxhinierike). Grupi i tretë i maturantëve me rezultate afër mesatares dhe nënmesatare janë të zhgënjyer me veten, pa besim në vetvete, pa ambicie për formim solid universitar, dhe, për rrjedhojë, më pak të orientuar në përzgjedhjen e programeve. Shpesh maturantët e këtij grupi përzgjedhjen e programeve të studimit ia besojnë shokëve të tyre të klasës me rezultate të larta, prindërve ose mësuesve. Ndërsa maturantët me rezultate të ulta përgjithësisht vijojnë studimet e larta pa ambicie, pa orientim për tu punësuar në atë fushë, madje, fatkeqësisht, edhe për status social (“të kem shkollë të lartë”) në familje dhe rrethin e tyre shoqëror. Ndërsa dy grupet e para të maturantëve kërkojnë cilësi dhe nxitin rritjen e nivelit të universitetit, këto dy grupet e fundit të studentëve nuk e nxitin rritjen e cilësisë së universitetit. Me këtë risk ballafaqohen sot jo vetëm programet jo universitare profesionale 2 vjecare, por edhe shumë programe Bachelor dhe Master që kanë studentë të nivelit nënmesatar.
Por universiteti zhvillohet dhe është konkurues edhe në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë kur ka si objektiv madhor ofrimin e programeve dhe diplomave cilësore që kërkojnë studentët e interesuar për formim solid universitar, i cili i përgatitë/armatos ata me dije, kompetenca dhe aftësi për jetën dhe për garën e fortë në tregun e punës, të vendit dhe atë internacional. Ky është objektivi madhor i një universiteti. Këtë nivel internacional të universitetit e kërkojnë studentët cilësorë, shqiptarë dhe të huaj.
Studentët e huaj kur zgjedhin një universitet të huaj për të studjuar, nisen, më së pari, nga fakti nëse universiteti dhe programi kanë akreditim internacional ose të njohur në shkallë internacionale; nga vendi ku është rankuar universiteti në rankimet e njohura internacionale të universiteteve, njohja internacionale e programit në fjalë, cilësia, si dhe kompetencat/aftësitë që fiton studenti. Sigurisht, për të rinjtë studentë ka rëndësi edhe cilësia e jetës studentore që afron vendi ku ata do të studjojnë, si dhe mundësitë e punësimit pas përfundimit të studimeve universitare. Shqipëria është në Europë, ka një pozicion të mirë gjeografik (brenda 3-4 orëve arrin me avion në cdo kryeqytet të Europës), klimë shumë të mirë, mundësi të mira punësimi për studentët gjatë kohës së studimeve, por, fatkeqësisht, është bërë një vend me kosto të lartë të jetesës për studentët.
Pyetja është shumë e thjesht, pse një student i huaj duhet të zgjedhë të studjojë në një universitet shqiptar dhe jo në universitetet e Zagrebit, Ljubljanës, Beogradit apo Novisadit, kur këto universitete janë brenda 1000 universiteteve më të mira të botës, ndërkohë që akoma asnjë universitet shqiptar nuk klasifikohet brenda 1000 universiteteve më të mira të botës?
Pa hyrë në kritere dhe standarte të tjera, mjaftojnë këto që përmendëm me lart për të kuptuar se pse universitetet tona kanë shumë për të bërë/përmirësuar, për të arritur standarte ndërkombëtare të cilësisë, në mënyrë që ato të bëhen tërheqëse për studentët cilësorë shqiptarë dhe sidomos ata të huaj. Por ky ndryshim nuk mund të bëhet vetëm nga universitetet. Duhet një politikë qeveritare e arsimit të lartë, përmes së cilës universitetet mbështeten fuqimisht për të bërë një hop cilësor për ndërkombëtarizimin e diplomave dhe të veprimtarisë së kërkimit shkencor.
Për të përbushur këtë objektiv, është e domosdoshme një reformë e vërtetë dhe tërësore e sistemit të arsimit të lartë. Kjo reformë kërkon të paktën dyfishimim e investimit buxhetor dhe privat dhe duhet të ketë objektiva e prioritete të vecanta/diferencuara sipas statusit të institucioneve të arsimit të lartë (IAL), do të thotë të universiteteve, kolegjeve universitare, akademive dhe kolegjeve të larta profesionale.
Prioriteti kyc për IAL me status “universitet” duhet të jetë transformimi i tyre real në “Research-based university”, cka kërkon jo vetëm një mbështetje të madhe financiare, por edhe një reformim të thellë të brendshëm të universitetit në të tre shtyllat e misionit të tyre, mësimi, kërkimi, transferimi i njohurive e inovacionit, si dhe në modelin e vetqeverisjes e të manaxhimit të tyre. Për IAL me statusin e kolegjeve universitare dhe akademive duhen përcaktuar prioritete të tjera që synojnë kryesisht internacionalizimin e programeve të studimeve.
Kjo iniciativë duhet mbështetur përmes një politike qeveritare të mirëstudjuar, investimeve të rritura si dhe me asistencë internacionale. Mendoj se gatishmëria e Bankës Botërore (BB) për të afruar asistencë për reformimin e sistemit të arsimit të lartë për dekadën tjetër duhet shfrytëzuar, pasi BB zotëron një expertizë të nivelit shumë të lartë në reformimin e arsimit të lartë dhe shkencës.
Kuadri ligjor dhe nënligjor aktual për sistemin e arsimit të lartë nuk krijon hapësirë të plotë për një reformë të tillë. Ai duhet ndryshuar dhe modernizuar, sipas përvojës së vendit tonë por edhe asaj të vendeve të zhvilluara.
Por detyra më e parë i takon qeverisë, për të rritur me shpejtësi investimin për kërkimin shkencor, në mënyrë që të intensifikohet dhe të rritet cilësia e kërkimit shkencor, si rruga kryesore për të rritur cilësinë e programeve të studimeve e të diplomave. Vetëm universitetet me një kërkim shkencor të fuqishëm mund të tërheqin studentët shqiptarë dhe të huaj dhe të rinj të talentuar për karrierë akademike si pedagogë dhe kërkues, si dhe mund të bindin për t‘u kthyer dhe punësuar në universitetet tona të rinj të talentuar shqiptarë, të cilët kanë kryer studimet e masterit e të doktoratës në universitetet e huaja. Në këtë kontekst, rritja e pagave të pedagogëve dhe kërkuesve në sistemin e arsimit të lartë është parakusht kryesor. Me pedagogë dhe kërkues që detyrohen të bëjnë dy ose tre punë, për të mbajtur familjet e tyre, nuk mund të pretendohet as për cilësi të lartë të mësimit e të kërkimit shkencor, as për ndërkombëtarizim të universiteteve dhe as për t’u bërë tërheqës për studentët cilësorë, shqiptarë ose të huaj.
Universitetet jo publike, që synojnë vërtetë të bëhen të suksesshëm në rrugën e ndërkombëtarizimit, i kanë të gjitha hapësirat ligjore për të ndërmarrë hapa të shpejta dhe investime reale për të rekrutuar mendjet më të mira akademike shqiptare, për të reformuar ofertën akademike sipas standarteve internacionale, si dhe për të intensifikuar kërkimin shkencor, cka do t‘i ndihmonte ato për të hyrë në akreditimet dhe rankimet internacionale, si rruga me efikase për të tërhequr studentë të huaj cilësorë. Sigurisht, është e domosdoshme edhe për universitetet jo publike mbështetja buxhetore për projekte kërkimore të pedagogëve të tyre mbi bazën e garës me projekte kërkimore. Kjo është alpha e lirisë së kërkimit shkencor për cdo pedagog dhe kërkues shqiptar pavarësisht se ku është i punësuar. Ato pengesa burokratike që hasen në mobilitetin e studentëve të huaj janë të kapërcyeshme me ndryshime në kuadrin regullator, sipas përvojës së vendeve të tjera edhe të rajonit tonë.