Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Portrete bashkëvuajtësish-
(1945-1991)
- Tre ministra të Arsimit vdesin në burg…!
Tre ministra të Arsimit: Mirash Ivanaj, Xhevat Korça dhe Gjergj Kokoshi, vdiqën në burgjet enveriste. Ata ishin ajka e elitës intelektuale shqiptare. Sakrifikuan çdo gjë, për ta bërë Shqipërinë, një vend të përparuar. Ishin arsimuar në universitete më të mira të Evropës. Në karrigen e ministrit të Arsimit, me punën e tyre titanike, e bënë shkollën shqiptare, të barasvlershme me shkollat evropiane. Ata përgatitën një plejadë intelektualësh të rinj për shtetin shqiptar. Studentët shqiptarë të asaj kohe, shkonin ballëlart në çdo universitet të Evropës.
Diktatori Hoxha, e futi në burg Mirash Ivanajn, për t’u hakmarrë se i kishte prerë bursën. Birbua i Gjirokastrës, në vend që të ulte kokën mbi libra, bridhte kabareve të Francës. Ivanaj, u largua nga Shqipëria më 7 prill 1939, ditën e pushtimit fashist dhe mori rrugën e mërgimit. Dashuria për atdhe, e solli përsëri në Shqipëri më 1945. Ai mund të jetonte fare mirë në Kajro, Jeruzalem dhe Stamboll.
Diktatori komunist, urdhëroi ta mbyllnin në burg, derisa të vdiste, korifeun e shkollës shqipe. Njerëz si Ivanaj, duhet të vdisnin në burg dhe të mos kishin varre. Edhe Ivani i tmerrshëm, “armiqtë” e tij, mbasi i vriste i hidhte në Vollgë, që të mos kishin varre. Varri është simbol dhe diktatori, tmerrohej nga simbolet. Ai urdhëroi, të hidhej në erë varri i Nënës Mbretëreshë. Ai urdhëroi, prishjen e varrit të Gjergj Fishtës dhe kockat i hodhi në lumin e Bunës.
Kështu veproi edhe me Xhevat Korçën, luftëtarin e çetave të lirisë, njeriun e penës dhe të dyfekut. E dënoi me burgim të përjetshëm më 1945 dhe e mbylli në burgun ferr të Burrelit. Xhevat Korça, mbrojti diplomën në Universitetin e Vjenës, me bëmat e Heroit tonë kombëtar. Temës së tij iu referua Fan Noli, për të bërë veprën madhore “Historia e Skënderbeut”. Mbas disa vjetësh vuajtjesh dhe torturash, Xhevat Korça, vendosi ta linte plot dinjitet atë jetë të ferrit komunist dhe shpalli grevën e urisë. Ai bëri atë, që shumë intelektualë të burgosur, nuk guxuan ta bënin.
Emri i tij, u kthye në simbol, në analet gojore të burgjeve. Në “frontojën” e Burrelit, mbylli sytë përgjithmonë edhe Gergj Kokoshi, ish-ministër i Arsimit, si Ivanaj dhe Korça. Më 1946, ai u bashkua me deputetët opozitarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës. U qëndroi stoikisht torturave dhe mbeti i pathyer deri në fund të jetës së tij. Vuante nga tuberkulozi dhe u tret si qiriri. Mbas 15 vjet vuajtjesh, vdiq dhe e hodhën në gropën e përbashkët. Ai do të ketë ndonjë vend në botë, ku të kenë vdekur në burg, për një periudhë kohe 10-vjeçare, tre ministra të Arsimit?!
- Familja Agolli, nga Nishaveci i Pogradecit
Shoku im Xhevat Agolli nga Nishaveci i Pogradecit më tregonte: “Babai im Sulejman Agolli, ka luftuar me armë në dorë përkrah Mihal Gramenos dhe Gani Butkës, kundër pushtuesve turq, shovinistëve sllavë dhe andartëve grekë. Një vëlla i tij, u vra në këto luftime, kurse tjetri u zu rob dhe u pushkatua në Selanik. Shtëpia jonë gjatë pushtimit fashist, u bë bazë e rëndësishme e Luftës kundër okupatorëve. Italianët në fillim të 1942-shit më arrestuan së bashku me babanë. Fashistët nuk kursyen torturat edhe ndaj timeti të moshuar. Klithmat e tij në qelitë e karabinierisë, nuk mund t’i duroja dhe çdo akuzë, që i behej atij, e mora unë përsipër. Gjykata ushtarake më dënoi me pesë vjet burgim dhe u liruam kur kapitulloi Italia.
Pushteti komunist, i ra mohit, kontributit të familjes tonë, në luftë për çlirimin e vendit. U tatuam me taksa të jashtëzakonshme dhe na u muar pa shpërblim, bagëtia, veglat bujqësore dhe toka. Mua më dënuan me 5 vjet burgim dhe pjesëtarët e tjerë të familjes i shpallën kulakë. Kur dola nga burgu, m’u krijua një situatë e padurueshme. U arratisa në Jugosllavi më 1951, por dhe atje më prisnin burgu dhe torturat. Me siguri do të kisha vdekur në qelitë e UDB-së, po të mos isha arratisur nga burgu, me ndihmën e një polici kosovar, i cili u vra në përpjekje me forcat ndjekëse jugosllave.
I ndjekur këmba-këmbës, u dorëzova në postën kufitare shqiptare të Tushemishtit, ku menjëherë m’u vunë prangat dhe më nisën në Degën e P. të Brendshme të Korçës. Për 22 muaj, mbi mua u eksperimentuan të gjitha torturat nga sadistët Nevzat Haznedari dhe Nuçi Tira. Ata urdhëruan internimin e vëllait tim në kampin e Tepelenës dhe në kampet e tjera, ku vuajti të zitë e ullirit, për 40 vjet me radhë. Unë u dënova për herë të dytë me 7 vjet burgim dhe u dërgova në kampin shfarosës të Maliqit. Po në këtë vit, gjithë familjen time prej 25 vetash e internuan në Gorishovë të Mallakastrës.
Në internimin, ju jepnin vetëm nga 200 gr. miell misri për frymë. Nga uria dhe vuajtjet më 1952, më vdiq babai dhe një nip i vogël. Operativi i Sigurimit dhe sektari i Partisë urdhëron fshatarët të mos i jepnin familjes time kazma dhe lopata, për hapjen e varrit të babait. Ata thonin se; armiqtë s’duhet të kenë varre dhe kufomat e tyre të bëhen ushqim për korbat dhe sorrat. Dy ditë mbeti pa u varrosur, ish-luftëtari i pavarësisë Sulejman Agolli! Natën e ditës së tretë, dy fshatarë kurajoz mallakastriotë: Haki Begaj dhe Isuf Hoxha, sollën fshehurazi veglat për të hapur varrin.
Mbasi mbarova dënimin e dytë, më çuan në internim dhe mbas dy vjetësh më arrestuan përsëri. Më dënuan me 10 vjet burgim, për agjitacion e propagandë. I bëra kokërr më kokërr. Gjithsej kam vuajtur 22 vjet burgim dhe 24 vjet internim, kurse gjithë familja ka vuajtur 300 vjet burgim dhe internim. Na është grabitur pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme, e vënë me djersë dhe mund nga të parët tanë. Kemi mbetur pa shtëpi dhe katandi. Fëmijët tanë kanë mbetur të pa arsimuar dhe kanë marrë rrugët e Greqisë, për të nxjerrë bukën e gojës.
Ishim agallarë dhe na kthyen në shërbëtorë. Rrethi Pogradecit u godit rëndë nga diktatura komuniste. Me mijëra u burgosën dhe u internuan, me qindra u pushkatuan dhe u arratisën jashtë shtetit. Më ka ardhur keq, që ju e keni harruar dhe s’e keni renditur në “Mandelët e Shqipërisë”; Haki Isufin Slatinën. Hakiu është i biri i Murat Isufit, luftëtar i pavarësisë në krahinën e Mokrës, Ai vuajti 36 vjet burg dhe s’njohu as rini, as familje. Asnjëherë nuk u ankua për fatin e tij të zi, por gjithmonë buzagaz dhe i dashur. Sot jeton i vetmuar, i mplakur dhe me një koleksion sëmundjesh, në qytetin e Pogradecit”
Më 1946, në Shqipëri u ligjërua puna e detyruar. Çdo i dënuar, qoftë “armik” ose ordiner, ishte i detyruar të punonte si skllav i antikitetit. Të pakta janë ato vepra, që s’mbajnë vulën e djersës dhe të gjakut të të dënuarve. Kanalizimet, tharja e kënetave, nxjerrja e mineraleve, ndërtimi i aeroporteve e të tjera, janë ndërtuar nga skllevër të shekullit të XX-të, me kamxhikun e policëve mbi kokë. Vetëm divat mund r’i realizonin normat aq të larta, që kërkoheshin. Të shumtë kanë qenë rastet kur të burgosurit i kanë mbytur në llumin e kënetave, pse s’plotësonin normat.
Edhe ata që veniteshin nga puna dhe humbisnin ndjenjat, i priste i njëjti fat. Mjerë kush rrëzohej! Ata i mbulonin me disa lopata dheu, atje ku binin. Në Maliq, në Vlashuk, në Gjadër, po të kërkohen, do të zbulohen me dhjetëra skelete të burgosurish, të groposur gjysmë të gjallë dhe gjysmë të vdekur. Askush nuk pyeste për ata. Familjet e merrnin vesh të fundit vdekjen e tyre. Ata që mbijetonin, tjetërsoheshin aq shumë, sa dhe njerëzit e tyre më të afërt nuk i njihnin. Kaloritë e shpenzuara në punë ishin dhjetëfishi i atyre, që merrnin nga lëtyrat e burgut.
Një tregtar delvinjot brenda disa muajsh, humbi në Vlashuk gjysmën e peshës së trupit. Të shëndoshët shndërroheshin në marsupialë, të dobëtit në skelete. Puna deri në venitje, i trans-figuronte të dënuarit. Të rinjtë rrudheshin dhe dukeshin si pleq. Nga të moshuarit, mbijetonin ata që kishin një farë ndihme nga familjet. Uria ishte e pranishme vazhdimisht. Një gazetar i diplomuar në Sorbonë të Francës, hëngri si i marrë të vjellat e një të dënuari të porsa ardhur, në kampin e Maliqit.
Një farmacist, dikur simbol bukurie, duroi goditjet e shkopinjve të policëve, sepse kafshonte një rrepkë të baltosur, të gjetur në tokë. Pesë të burgosur mbajtën në qeli për ditë me radhë një shokun e tyre të vdekur, vetëm për të përfituar 100 gram bukë misri. Ndodhira të tilla s’kanë të numëruar. Uria ishte gjuha e vdekjes, që lëpinte çdo ditë të burgosurit. Shumë prej tyre sfiduan vdekjen dhe mbetën gjallë, si dëshmitarë të atyre bëmave mizore.
- Gratë shqiptare në burgjet e diktaturës komuniste
Një nga njollat të krimeve të diktaturës enveriane është ekzekutimi i 450 grave dhe dënimi me burgime të rënda dhe internime, i 23.000 grave, për motive politike. Disa qindra prej tyre, pësuan trauma psikike të pashërueshme. Midis tyre ka pasur malësore trimëresha, gra të thjeshta fshatare dhe qytetare, intelektuale të mirëfillta, diplomuar në universitetet e Evropës Perëndimore, deri te adoleshente, që u torturuan mizorisht, në qelitë e errëta të Sigurimit komunist.
Me mijëra gra të tjera, kanë ndjekur nëpër burgje dhe kampe me punë të detyruar, bijtë, vëllezërit, burrat dhe baballarët, duke shkrirë jetën e tyre për të mbajtur gjallë të afërmit, që të mos vdisnin urie. Një meritë të veçantë, kanë zonjat, Fatbardha Saraçi (Mulleti) dhe Maria Medicina që me shkrimet e tyre, kanë nxjerrë në pah vuajtjet dhe persekutimet e grave martire shqiptare, nga komunizmi mizor.
- Marie Tuci, e masakruara nga ish zv/Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu
Kush ishte Marie Nikollë Tuci? Ishte një vajzë fshatare e varfër nga fshati Ndërfanë i Mirditës. Prindërit e plotësuan dëshirën e zjarrtë të vajzës, për t’u bërë mësuese dhe bënë si bënë dhe arritën që ta çonin në shkollën “Stigmatine” në Shkodër.
Maria e vazhdoi këtë shkollë, gjer në mbylljen e saj në vitin 1946, se komunistët nuk e duronin dot një shkollë së cilës i binte era Evropë. Për shkollat e sapo ngritura në vitin 1947, nevojat për mësues ishin të ethshme dhe Maria e filloi mësuesinë në Ndërfanë. Veçse me daljen e mësuesve të tjerë, e transferuan në Gojan e, më vonë në Sang të Fanit.
Por erdhi edhe gushti i zi për Mirditën, me vrasjen e Bardhok Bibës. Pushkatime pa gjyq. Internime të pambaruara. U arrestua edhe i vëllai i Maries, bashkë me të motrën. Por vëllait iu bë një gjyq, në të cilin katër dënime ishin me vdekje, në litar, dhe dënime të tjera me vdekje (pushkatim) përveç dënimeve të tjera të rënda.
Marien e mbajtën disa ditë në burgun e Mirditës dhe pastaj e rrasën në auto-burgun që do t’i çonte të arrestuarit në Shkodër. Polici, Selami Kajani, ia shtrëngon aq fort hekurat, sa gishtat filluan t’i paralizoheshin vajzës. Ndërkaq, u duk afër auto-burgut Mehmet Shehu dhe iu dha të shihte brenda.
Mehmet Shehu, i shau viktimat dhe iu drejtua Maries. Ia kontrolloi hekurat dhe i dha edhe një shtrëngim të fortë shtesë. Kockat filluan të kërcisnin, por Maria u mundua të mos lëshohej. Pastaj Mehmeti, iu drejtua polic Selamit dhe i tha, që ta bënte mirë detyrën: “Ja si shtrëngohen duart, e armiqve të popullit!”
Ndërkaq Maria, shtrëngonte dhembët që të mos ndiheshin shumë psherëtimat. Në birucën e burgut të Shkodrës, Maries ia hoqën hekurat: ndërkaq duart iu varën dhe gishtat nuk lëviznin dot. Drita Kosturi, Marie Zorba dhe Ana Ndoja, ia fërkuan duart, por nuk i mbetej veçse t’ia lanin me lot. Duart i kishin humbur jetën.
Të tri shoqet e saj, kanë treguar për torturat e tyre dhe të Maries. Polici u kishte hedhur nga një bukë të ftohtë misri në dysheme. Maria, nuk mund ta merrte në dorë. Ishte tepër e uritur dhe e molisur. U mundua ta kapte me dhëmbë, por qe e pamundur. Shoqet u munduan ta ushqenin, duke ia vënë në gojë.
Në çast u hap dera e birucës dhe ulërima e policit i largoi gratë nga njëra-tjetra. Kur u mbyll porta, Maria nuk pranoi të ushqehej më: “Më mirë të vdes sa më shpejt, sesa të zgjas edhe ca ditë vuajtjet e mia”. “Ne na varën në çengela në mur” – vazhdon rrëfimi i dëshmitarëve – “Nuk përjashtuan edhe Marien, që ishte gjysëm e vdekur”.