Dhe ajo që m’u duk mua e përhershme shkoj e vate
Vate jeta ime vate, më la vetëm një kujtim
S’di, i ziu, ç’është kujtimi: Vetëm shkrep si vetëtimë
e më ndrit e më tregon gjurmëzat e zotëris’ sate
Thonë lindi me këmishë, për atë që paske fate’
meqë unë të dua ty, paskam lindur me këmishë
s’di, i mjeri ç’është këmisha, vetëm ish ashtu si ish
midis mishit dhe këmishës futej dor’ e zotëris’ sate
Thonë paska paraisë, gjith’ lulishte e pallate
tufa, tufa me hyjrira, vargje vargje me humrira
s’di, i ziu, ç’është hyrija, por hyrirat më të mira
s’mund te ken’, t’u bëfsha unë, atë zjarr të zemrës sate
Paska vende gji-ergjend e pallate me shtatë kate
ku ka defe, ku ka qefe, ku ka çupa me kaçupa
s’di, dhe s’di, se ç’është kaçupi, më pëlqen më tepër kupa
kur ma mbush e kur ma jep, ajo dorë pa mëkate
Dy të tretat e një kohe, të një shekulli që vate
vate jeta ime vate, me ‘të bashke van’ dhe fatet
s’di, i ziu, se ku vanë, vetëm jeta s’mund të matet
veç me ditët që kalova, në prani të zotëris’ sate
Komentet