Kështu më thoshte simboli i rezistencës të Kosovës, Adem Demaçi, në vitin 1991, përgjatë një interviste, që realizova me atë në Gjermani. Shkas i kësaj interviste ishte një letër publike, që unë i dërgova Demaçit, titulluar “Kur ndjenja mund arsyen”, duke reaguar në dy intervistat e dhëna nga ai mediave kroate, duke qenë ende i prangosur, si njëshi i shqiptarëve rezistent, ndaj regjimit komunist jugosllav.
Demaçi, në intervistat e tij, i pyetur për regjimin stalinist të Enver Hoxhës në Shqipëri, ai e vlerësonte, çuditërisht, pozitivisht, edhe pse Hoxha i Tiranës ishte diktatori stalinist i fundit në Evropë, me elemente të bollshme të fashizmit. Edhe pse deklarimet e tij ishin zhgënjyese, si i burgosur politikë, afro tri dekada, falë vuajtjes së tij të gjatë, mungesës të informacionit të nevojshëm, letra ime e gjatë, ishte e matur dhe gjithë respekt për Bacën, por parimore dhe bindshëm e argumentuar. Dhe, demantohej në 10 (dhjetë) lavdërimet e tij paushalle për regjimin hoxhist!
I pyetur nëse qëndron ende pas deklarimeve të dy viteve më parë, duke qenë ende i burgosur, Demaçi u përgjigj prerazi: “Isha në Shqipëri, e pashë, u zhgënjeva dhe u mërzita fort, sepse gjithçka kishte qenë propagandë e rrejshme. Unë jam dialektik dhe mbi bazën e fakteve, ndryshoj mendimin. Sepse, – vetëm budallenjtë dhe të vdekurit nuk ndryshojnë -“. Më qartë dhe më mençurisht nuk ka si të thuhet.
Opozita e sotme PAN-iste, e zhytur në krime dhe tradhti, meritore për të qenë e jashtëligjshme, në mungesë të fakteve, për ta kundërshtuar Albin Kurtin, ia kujton të djeshmen statike, njëkahëshe. Reflektimi i tanishëm i Kurtit, i kushtëzuar nga rrethanat politike aktuale, është i natyrshëm dhe në funksion të proceve politike, por, gjithëherë në mbrojtje të parimeve bazë dhe, mbi të gjitha, në përpjekje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, nga nënshkrimet fatale, të cilat i kanë bërë qeveritarët e inkriminuar, për rrjedhojë, skajshëm të shantazhuar.
Janë, pikërisht, dy çështjet e lëna “peshqesh”, nga qeveritarët paraprak, “Zajednica” dhe Statusi i Kishës Ortodokse Serbe, të cilat kanë bllokuar, për dy vjet radhazi, qeverinë aktuale. Kanë dhënë Debelldenë, Çakorrin, Ujmanin, Veriun e Kosovës, duke e mbikëqyrur boshatisjen e shqiptarëve nga ajo zonë; 24 hektarët tokë të dhëna Manastirit të Deçanit dhe shumë pisllëqe të tjera. Dhe, megjithatë, paturpësisht dhe kriminalisht, ish-ministri Skënder Hyseni, deklaron se “asnjë marrëveshje, e bërë me Serbinë, nuk ka qenë e dëmshme!?”
Akuza e paqëndrueshme se Kurti nuk bëri transparencë, për bisedimet e fundit në Bruksel, nuk qëndron. Ai i ftoi disa herë në takim krerët e opozitës, pikërisht, për t`i informuar ata. Por, ata, qëllimshëm, kalkulonin mes tyre, njëri i përgjigjej ftesës, dy të tjerë mungonin, me aryetimin se “duhet biseduar në Kuvend”, edhe pse e dinin porosinë e Quintit që “aktualisht, të mos zbulohet më shumë në opinion, rreth kornizës franko-gjermane”. Qëllimi ishte dështimi dhe largimi i Kurtit nga pushteti, pa iu interesuar fare fati i Kosovës!
Opozita premtoi, mashtrueshëm, se “Asociacionin do ta dialogojë Kurti me qeverinë e tij”. Por, eksponentët e saj, nxituan, njëri pas tjetrit, në SHBA dhe deklaruan se opozita është e gatshme ta nënshkruajë Asociacionin!” Ishte zyrtari i lartë amerikan, Gabriel Escobar, që i denoncoi opozitarët dhe lansoi deklaratën skandaloze se “kam gjetur partnerë të tjerë, për ta bërë marrëveshjen për Asociacionin, edhe pa Kurtin dhe qeverinë e tij!”
Kjo pabesi e opozitës, e dobësoi, madje dukshëm, pozicionin qendresëtar të kryeministrit Kurti, në përballjen e njëkohëshme me Serbinë dhe ndërmjetësuesit, të cilët vazhdojnë të jenë, – en bloc -, mjerisht, në favor të të fortit, Serbisë! Ndërkohë që, qeveria Thaçi, me kryenegociatoren Edita Tahiri, vite me radhë mashtronte, kinse, me dialog teknik, por e bënte atë politikë. Dhe, opozita e sotme “heshte si peshku!”
Opozita mburret se kishte pushtet në Veriun e Kosovës, ndërsa “Kurti e dorëzoi atë pushtet!” E vërteta është se ai “pushtet” ishte i rrejshëm, fiktiv. Të ashtuquajturin “pushtet” e kishte makro-kontrabanda, me banditërit vendorë serbë, në lidhje të fortë me komandantët e gjithëpushtetshëm shqiptarë, me bandat e tyre anekënd Kosovës. SHBA i denoncoi, publikisht, kontrabandistët serbë, duke i shpallur “Non grata”, por, çuditërisht, ende vazhdon t`i kursejë bashkëpunëtorët e tyre kontrabandistë shqiptarë!
Konformistët e pacipshëm, qofshin ata nga opozita apo pozita, nëse një ditë do të ndëshkohen komandantët kontabandistë nga SHBA, njësoj si sivëllezrit e tyre në Verin e Kosovës, lehaqenët do t`i mbrojnë si “ndëshkim i padrejtë”, ashtu siç bëjnë sot mbrojtjen, apriori, të akuzuarëve nga Gjykata Speciale në Hagë, ende pa e thënë fjalën e saj drejtësia! Me të drejtë thuhet, “kush mbronë krimin, bëhet pjesë e krimit”.
Krimet në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, ku viktimat kanë qenë, kryesisht, shqiptarët, ishin një “e fshehtë publike”, sepse ishin numerike. Pra, as 100 dhe as 200, por disa qindra viktima! Hetimi për krime lufte dhe pas saj, duhej të fillonte në Tiranë, që nga presidenti Rexhep Mejdani, me bandën zyrtare social-komuniste të tij. Sepse, me dijeninë e tij dhe të qeverisë së tij, u instruktuan banditërit nga radhët e LPK-së, nga oficerët e Sigurimit monist, se si duhet marrë pushteti me dhunë e gjak, duke shkelur mbi kufoma, ashtu siç e mori filo-sllavi kryekriminel, Enver Hoxha, duke i vrarë kundërshtarët politikë, gjatë LDB dhe pas luftës me dajak e plumb.
Ekzekutimi i Ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqit dhe të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut, të Ibrahim Rugovës, si dhe të tjerë brenda llojit, në territorin e Shqipërisë, ishte e koordinuar me strukturat e sigurisë vendore. Bardhyl Mahmuti, i ngarkuar për punët e Jashtme të LPK-së, në një takim me pjesëmarrje të madhe të mërgimtarëve në Suedi, tha se “Ahmet Krasniqin do ta vrasim, ditët i ka të numëruara!” Dhe, ashtu ndodhi, Koloneli u ekzekutua, zyrtarisht, madje, në mes të Tiranës.
Pak muaj më parë zotëri Mahmuti, u bë yll në Kosovë, nga njëri televizion në tjetrin dhe askush nuk e pyeti, nga e dinte ai ekzekutimin e pritshëm të Kolonel Krasniqit?! Ai, Ministri, profesionalisht, ngriti bazat ushtarake-ushtrimore, për t`i përgaditur ushtarët për luftën në Kosovë, si në: Qerret të Kavajës, në Tiranë, në Kolsh e Kalimash të Kukësit, në Papaj të Tropojës. A vritet Ministri i Luftës, në kohë të luftës?!?” Një gjeneral kroat, me habi e përlotje, do të pyeste: “A e dinë shqiptarët se kënd kanë vrarë?!”
Aleat me Thaçin, në krime, u bë edhe UNMIK-u, me francezin Bernard Kouchner. Ky i fundit i dinte lidhjet konspirative-agjenturore të Hashimit më dhëndrrin e Serbisë, Damjean Arnaud të Shërbimit DGSE të Francës. Andaj i heshti krimet vrastare serike të kundërshtarëve politikë shqiptarë, të listuar nga SHP të “UÇK-së” dhe të ekzekutuar nga bandat e komandantëve.
Këtu zënë fill dosja kriminale e Hashimit me shokë, prej nga vjen shantazhimi dhe nënshkrimi i marrëveshjeve, me elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare, me të cilat po përballet sot Albin Kurti, qeveria e tij dhe të gjithë shqiptarët e përbotshëm. Këto fakte domëthënëse, duhet të shtrohen në tavolinën e bisedimeve dhe ndërkombëtarët, me UNMIK-un e tyre, janë pjesë e krimeve makabre, sepse bënin “sehir”, arrestonin kriminelët faktikë dhe i lironin “për mungesë faktesh”, ose i dënonin, sikur të kishin vjedhur një lopë fshati! “Ngatërrohet”, qëllimshëm, akuza bazike, reale “komanda e dhënë bandës për ekzekutim të kundërshtarit politik”, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, thjeshtë, për karrierë, pushtet e para, duke e zëvendësuar me “pakujdesi në komandë!”
Për fund, reflektimi i kryeministrit Kurti, nuk është “ngënie e qershive”, por, rrjedhojë logjike, që ai nuk është as “budalla dhe as i vdekur”, për të mos ndryshuar mendimet, kur rrethanat ndryshojnë, siç është rasti “merre ose lëre!” Andaj, nëse korrekton në kahjen pozitive, kjo është dialektike, në rrjedhën konformë politikave të kohës dhe të mundësive, gjithnjë me mendjen dhe shpresën për të mirën e Kosovës.