Im atë më sinjalizoi disa ditë më parë që kishte lexuar një shkrim nga Fatos Tarifa me titull “Aleancat e dështuara” (Gazeta Dita, 11 Maj: https://gazetadita.al/aleancat-e-deshtuara-kunder-tiranes/). E kërkova dhe e gjeta dhe e lexova.
Në përvjetorin e shembjes së Teatrit, për mua si aktiviste e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (deri në 2021) ky lexim është shumë i rëndësishëm.
Fatos Tarifa shkruan për katër aleanca të dështuara që i paskan zënë rrugën zhvillimit të qytetit, Aleancën për Stadiumin, Aleancën për Parkun, Aleancën për Teatrin dhe Aleancën për Astirin. Gjen kurajon të tallet dhe të hedhë baltë mbi secilën prej tyre.
Sigurisht që vrulli i vonuar disavjeçar për ta bërë këtë shkrim kuptohet që ka lidhje vetëm me një gjë, protestat legjitime të qytetarëve dhe këshilltarëve bashkiake të opozitës para hyrjes së bllokuar të bashkisë. Fatos Tarifa i ka dalë zot kullifikimit të Tiranës qysh me një shkrim të vitit 2022 ku fliste për një kryeqytet për brezat e rinj të shqiptarëve që po pengohej nga kullofobët (Shih JavaNews.al, 28.12.2022: https://javanews.al/veliaj-kullofobet-dhe-nje-kryeqytet-per-brezat-e-rinj-te-shqiptareve/)
Madje ai i ka dalë zot edhe shembjes së Teatrit, me zë e figurë dhe me disa shkrime në favor të shembjes pikërisht në ditët më të vështira për qeverinë dhe kryetarin e bashkisë, para dhe pas shembjes në maj 2020, me një zekth që mund ta ketë vetëm një person drejtpërdrejt përfitues nga zhvillimet shkatërruese, kamufluar si transformuese të qytetit tonë. Ja disa prej këtyre gjurmëve:
16 Maj 2020: FATOS TARIFA: E DUAM SHQIPËRINË SI E GJITHË EUROPA, POR NUK DUAM TË MËSOJMË PREJ SAJ – https://realstory.al/fatos-tarifa-e-duam-shqiperine-si-e-gjithe-europa-por-nuk-duam-te-mesojme-prej-saj/
21 Maj 2020: Ish-ambasadori Tarifa: Edhe në Hagë u shemb Teatri dhe u bë i ri!
https://tiranapost.al/aktualitet/ish-ambasadori-tarifa-edhe-ne-hage-u-shemb-teatri-dhe-u-be-i-ri-133
20 Maj 2020: Tarifa: Teatri nuk është ndërtesa, nuk jam kundër ndërtimit të kullave, zhvillimi është i pandashëm https://www.youtube.com/watch?v=zLhHZk-K_-gSi përcjellës i denjë i motos “Shemb të vjetrën, ndërto të renë!” që shërbeu si lajtmotiv i regjimit komunist në Shqipëri, Fatos Tarifa kuptohet qartë që nuk ka ndonjë ndjesi ndaj trashëgimisë kulturore të Tiranës mbi 100 vjet kryeqytet. Stadiumi nuk i ka dhembur, Teatri nuk i ka dhembur, Parku nuk i ka dhembur. Ndaj pyetja është e thjeshtë, pse i dhembka ndërtesa e bashkisë? Apo se brenda është beniamini Veliaj, që ai e ka në listën e trashëgimisë partiake apo vetiake për ta mbrojtur?
Si studiues i shkencave sociale Fatos Tarifa duhet ta dijë që lëvizjet qytetare lindin për një arsye, rriten, maturohen, shemben me dhunë ose vetëzhbëhen se iu kalon koha. Kështu kanë lindur edhe lëvizjet që ai tall me shkrimin e tij. Se pse ato dështuan, sipas perceptimit të tij të dështimit, është e kuptueshme. Ato u shembën me dhunë dhe nuk u vetëzhbënë. Stadiumi u shemb nga qeveria. Pas një qëndrese disamujore, parku u betonizua nga bashkia. Astiri u pushtua nga policia e armatosur dhe u shemb nga bashkia. Dhe më domethënësi prej tyre, pikërisht për shkak se ishte teatër, Teatri u sulmua nga policia e armatosur dhe u shemb kur ende kishte njerëz brenda tij. Por në ndryshim nga aleancat e tjera, kjo e fundit, e Teatrit, pati jetë edhe pas “vdekjes”, pavarësisht capërlimit që pësoi për shkak të divergjencave brenda grupit.
Por Fatos Tarifa nuk ka sy për lëvizje shoqërore qytetare, as t’i kuptojë e aq më pak t’i mbështesë. Ai qartaz ka pranuar të mbrojë një tjetër lëvizje antiqytetare, Aleancën e Kullave Antitrashëgimi, dhe me këtë rast të vetëdemaskohet përfundimisht. Vetëm se lëvizjet qytetare kur përkojnë me interesat madhore të shtetit marrin përpara edhe më diktatorialin e pushteteve. Historia e ka dëshmuar këtë.