Eqerem Canaj në 80 vjetorin e ditëlindjes, 50 vjet me penë
Më datë 05.02.2024, në ambientet e muzeut “Kosova”, Vlorë Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” së bashku me Shoqatën e Shkrimtarëve e Artistëve “Petro Marko” organizuan datëlindjen e 80-të të shkrimtarit vlonjat Eqerem Canaj.
Në këtë aktivitet morën pjesë intelektualë e shkrimtarë vlonjatë, familjarë e dashamirës të shkrimtarit Canaj, të cilët uruan ditën e tij të lindjes dhe shprehën mirënjohje për punën e z. Eqerem Canaj, si shkrimtar e poet i Vlorës.
Në këtë aktivitet, me rastin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit vlonjat Eqerem Canaj, mbajtën fjalën e tyre: Dr. Albert Habazaj, znj. Laureta Petoshati, dr. Ermir Xhindi, znj. Iltana Koleka, z. Ardi Stefa, z. Kristo Çipa, znj. Enerieta Sina, z. Çlirim Hoxha, dr. Lekë Skëndaj, z. Xhevdet Nuraj, z. Remzi Gjika, z. Agim Ruka.
Në fjalën e tij, deputeti i Vlorës dr. Bujar Leskaj shprehu mirënjohje për punën e palodhur të z. Eqerem Canaj, për përkushtimin e tij ndaj shkrimit e prodhimit të një numri të konsiderueshëm veprash, të cilat numërohen 44 të tilla, si romane, poezi e novela: (“Bisha e thinjur”, “Disku i Artë”, “Qiej të çarë”, “Njeriu me nofulla të hekurta”, “Liria”, “Ombrella e thyer”, “Sfida”, “Misteri”, “Apoteoza” etj). Leskaj u shpreh se romanet e tij janë artistikisht të ndërtuara mirë, sikurse japin mesazhe kuptimplota. Në fund, ai falënderoi folësit për kumtesat e mbajtura. Kjo veprimtari e bukur, serioze dhe mbresëlënëse u transmentua nga televizionet e qytetit.
Shkrimtarit Eqerem Canaj, për 80-vjetorin e lindjes, i organizuam në festë letrare të merituar, duke u takuar me njeri – tjetrin, duke i uruar mikut tonë të penës shëndet e begati fizike, begati letrare dhe financiare! Folëm, diskutuam, po edhe ndonjë debat letrar e bëmë miqësisht, për të mirën e letërsisë vlonjate, për shëndetin tonë letrar.
Miq të dashur! Sot, shkrimtari Eqerem Canaj ka dy festa: 80 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e botimit të parë në shpypin e kohës në gazetën lokale “Zëri i Vlorës”.
Ndërsa, tek trajtojmë letërsinë e autorit, kujtojmë që Eqeremi ka filluar të botojë tek revista “Nëntori” në vitin 1977, sot i bëhet 43 vepra letrare dhe…problemi është se ai s’di të ndalet, nuk i njeh digat…
Botimi i parë letrar i autorit është “Labi i vogël” një poezi e gjatë botuar në revistën “Nëntori” 6/1977, kushtuar Halim Xhelos, që vijon me poezinë “Trimi i kësaj toke” kushtuar Heroit Zigur Lelo, po tek “Nëntori”, prill 1978. Kujtojmë që revista Nëntori ishte organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipësisë, e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike. Ndërsa poema “Mesapliku në luginë”, që u botua në gazetën “Zëri i rinisë” 1980, me paraqitje të Naum Priftit, u mirëprit nga lexuesit dhe u pëlqye nga kritika.
Nga opusi letrar i Canajt, mund të themi se letërsia e tij e jep dukshëm ndihmesën në të dy kategoritë kryesore: në poezi dhe në prozë. Ajo rrok të tre gjinitë letrare: epike, lirike dhe dramatike, po shpesh herë në shkrimtarinë e tij këto gjini futen natyrshëm në kufijtë e njëra-tjetrës, duke depërtuar dhe në thellësi, duke lëvruar me sukses 7 lloje letrare dhe konkretisht: poezinë – me 11 vëllime, (ndër to, 3 haiku); në prozë: tregime dhe novela – 4 vëllime; përsëri në prozë me romanin – 14 vëllime; kritikë letrare – 5 vëllime; dedikatë (kushtime) – 4 vëllime; monografi – 3 (si autor dhe bashkautor) dhe antologji të hartuara prej tij dhe bashkëhartues – 2 vëllime.
Nga kolana e tij prej 43 veprash letrare të botuara, vërtet që është e vështirë të përzgjedhës më të spikaturat, por unë do të veçoj (nga proza e gjatë) “Njeriu me nofulla të hekurta”, (ai që bëri më shumë zhurmë në kohë, apo zhurmuesi, si e quan autori, që e mbajti në magje plot 21 vjet, roman që i mori aq punë letrare nga viti 1980 -2001. Po ashtu ndër romanet më të mira të tij, për mendimin tim, janë “Rebeli”, “Bisha e thinjur”, “Ethet e gjakut”, “Metastazë në blu”, ndërsa në poezi “Apoteoza”, “Liri me litar në grykë” etj.
Duke u përqëndruar pak tek romani “Rebeli”, mendoj si ky libër i Eqerem Canaj, është i pari i këtij lloji, kur një shkrimtar shkruan për një shkrimtar tjetër dhe vjen si diamant letrar e homazh për kalorësin rebel të lirisë Petro Marko.
Profili letrar i shkrimtarit Eqerem Canaj ravijëzon një përmasë tjetër më të bukur, më të mirë, më të dobishme. Është përmasa humane, e cila shkëlqen nëpërmjet altruizmit burimor, faqe pas faqeve, në romanin “Rebeli” Vlorë, Triptik, 2015, në 128 f., që pa dritën e botimit ato ditë të arta e të zjarrta të vjeshtës së tretë, në nderim të 100 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madhërishëm, Petro Marko, atdhetarit të flaktë, idhullit të tij, idhullit tonë, idhullit të banorëve të Labërisë së Jashtme, Labërisë së Brendshme, të mbarë shqiptarëve, të Nderit të Kombit të shqiptarëve në botë.
Nga autorë të njohur shqiptarë kam lexuar monografi të bukura për personalitete të ndryshme të vendit, por letërsi artistike në formën e prozës së gjatë, kushtuar figurave të shquara, nuk kam vënë re.
Romani “Rebeli” i shkrimtarit Eqerem Canaj do të kujtohet në vijim, sepse mund të jetë i pari autor jo vetëm në Vlorë, por në mbarë letrat shqipe, që përdor daltën e shpirtit në faqet e një romani, kushtuar një shkrimtari, i pari në Shqipëri që shkruan për të madhin Petro Marko.
Duke lexuar me dëshirë librin e autorit E. Canaj, më kaluan ndërmend, në fraksion të sekondës, tre autorë të huaj, që kanë botuar romane për idhujt e tyre të kalibrit botëror: Gledis Shmit, shkrimtare amerikane, që shkroi romanin “Rembrandti” dhe shkrimtari gjerman Lion Fojhtvanger me romanin “Rruga e mundimshme drejt njohjes”, kushtuar Francisko Gojës, si dhe shkrimtari tjetër amerikan Inving Stoun me romanin “Etja për jetë” rrëfim për Vinsent Van Gogun.
Më duket a më pëlqen të shprehem se, shkrimtari ynë E. Canaj, për realizimin e romanit “Rebeli” ka ngjyer shpirtin artistik në kosheren me mjaltë artistik të autorëve të njohur botërorë që përmenda, duke u zbukuruar më tepër estetikisht, si një rruazë drite me diamantë altruizmi.
Sprova romanore “Rebeli” i Canajt është një provë e kaluar me sukses, duke qenë romani i parë shqiptar kushtuar Petro Markos dhe, që rrjedh e lexohet me një frymë, ku ndërthuren ngjarje e personazhe interesante e të papritur. Penelatat, si në pikturë, në përshkrimin e mjediseve, dokeve, në portretizimin e personazheve dhe, mbi të gjitha, në zbërthimin e botës shpirtërore e psikologjike të atyre figurave, që lëvizin në roman, shtojnë epërsitë e vlerta që ka, në tërësi, proza e gjatë e autorit. Autori i “Rebelit”, na shpalos një mikrobotë kozmike, ku vertikalisht, me optikën letrare, operon në hapësirën Dhërmi – Tiranë (me aksesorët Shkodër, Spaç, Mesaplik, Lushnjë etj.) në kohën, në dukje, segmentare, 1945-1991, por në thelb mbetet drejtëz, jo që nga lufta e lirisë së Spanjës e “Rebelit” tonë, por ndoshta, përtej stërgjyshit Gjin Bue Shpata, deri në kahun tjetër vijues, në përjetësimin e merituar të heroit P. M., të cilin, tjetërkush e tjetërkund e ka përjetuar. Fillimvitet, ku P.M dhe biondina elegante “Tirana”, rebelonin kombëtarisht për liri e dinjitet, jepen të ngjeshura, të qarta, me detaje imtësore, që vërtetojnë sigurinë e njohjes së jetës, pas fasadës shqiptare të importuar, si dhe saktësinë e paraqitjes dhe të interpretimit të saj nga skaneri special i shkrimtarit Eqerem Canaj.
Romani është i ndërtuar me raporte: Dhimitri i Thoma Bregasit dhe Fotinisë me idhullin e tij, shkrimtarin e Bregut, P. M., si dhe praktikat, konceptet dhe realitetet kohore shqiptare me insinuatat infektuese të asaj fare, që s’mund ta rriste kjo tokë. Dhimitri niset me trenin e kujtesës drejt idhullit të tij, me valixhen e vjetër. Këta janë dhe personazhet në qendër të romanit, që mbajnë të gjallë lëndën, lëvizin personazhe periferikë në roman, qofshin këta realë apo të trilluar, historikë apo artistikë. Metamorfoza dokesore e Hasan Lumit ishte rrëqethëse, gati e pabesueshme. Skalitja e personazheve, si: Evanthia (Eva), hetuesi, drejtori Kuqo, profesori i matematikës, Ballkameni, shok i P.M, situata e Qytetit të Nxënësve etj., janë produkt letrar i suksesshëm i përvojës së pasur artistike të autorit.
Karpentieria e ndërtesës së bukur shkrimore “Rebeli” përbëhet nga tri buqeta me lule nderimi që quhen: “Parafjala”, “Kundërfjala”, “Plaku i detit”, rrëfim në trajtë poezie, të cilat autori i jep, si simbol homazhi, kur “Dora e padukshme” vendos lule mbi varrin e heroit të librit. Ngrihen katet strukturore me “shpëtimtarin”, ku me gjuhë të thjeshtë, me lakonizëm të admirueshëm, shpalos virtytet shqiptare të trashëguara brezash, me aktin e Dhimitrit jugor që shpëtoi një djalë të panjohur nga Veriu, tek mbytej në liqen. Ngrihet “Koha” si trazim ndjesor e truror, simbolika e lartë e “Kostumit blu”, me gravatën e kuqe, që P.M. e Safo i dhurojnë labit të vogël nga Dhërmiu, Dhimitrit. “Krisa”, “Kurbani”, “Zvetnimi” (P. M. Në vendlindje), “Dosja me njolla të murrme” me sinjalet e përjashtimit nga shkolla, me shenjat paralajmëruese të burgimit, “Valixhja e vjetër” dhe vetë “Rebeli” janë një masë e pandashme, e fortë, që s’mund të funksionojë e shkëputur, janë forca që mban të bashkuara fort molekulat e trupit të romanit. Këtë kohezion ka arritur ta figurojë talenti, njohja, përvoja dhe mjeshtëria artistike e shkrimtarit të njohur Eqerem Canaj, i cili më duket se flet, në roman, dhe nëpërmjet Dhimitrit. I shkon Bregasit përgëzimi i P.M: “Ke nderuar Himarën, tërë Labërinë, bir!”.
Njihet kontributi fjalëformues i E. Canajt, ndër letrat shqipe, i cili, fatmirësisht buron natyrshëm, i pasforcueshëm. E folura lokale i jep një ngjyrim të veçantë trajtesës moderne, si një rrëke që derdhet në përroin psikologjik letrar të kohës. Pa mëdyshje, shprehemi se konturimit modern të prozës së Canajt po i jep trajtë të shëndetshme lëngu i traditës, që i zoti ia hedh në rrënjë pemës së tij letrare, jo vetëm me figurat stilistike në forma krahasimesh, metaforash, kontrastesh, similitudash, sinekdokash, antitezash, grotesku e paradoksesh etj. Përzierja jo pak herë, e narracionit të prozës së gjatë sociale me trajtesa filozofike, e bën më të pjekur, më të hapshëm dhe të përfillshëm, sidomos për grupmoshat e reja lëndën letrare të artistit.
Shkrimtari Eqerem Canaj është emancipues i fjalës trimërore artistike në rrafshin që, si zotërues i mjeshtërisë shkrimore letrare, guxon të shënojë mbi padrejtësitë sociale të kohës, në sy e ballazi: ai qëllon mbi ligësitë e fëlliqura të Hasanëve deri te Gert Alia dhe, me vërtetësi artistike, nderon njeriun e mirë, rebelin e lirisë njerëzore.
Duke i uruar shkrimtarit Eqerem Canaj 80 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e botimit të parë në shpypin e kohës, ju njoftoj se Eqeremit sapo iu shtua edhe një fëmijë letrar, e kam fjalën për librin “Quando fioriscondo i gigli” = “Kur lulëzojnë zamkakët”, botuar në Romë, në dy gjuhë: italisht dhe shqip Pra iu bënë 44, por është kot të mbashë statistikë për botimet e autorit, se ato shtohen shtohen, në sasi dhe cilësi artistike.