Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare, motivuan piktorin Xhevdet Spahija, që përmes penelit dhe vajërave, ti hedh në pëlhurë motivet më të bukura të kësaj pasurie kombëtare. Veshje këto që shfaqin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën botën ndër vite.
Ekspozita personale titulluar, :” Veshjet popullore shqiptare në pikturë” është hapur në ambientet e bibliotekës kombëtare “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
Artëdashësit patën rastin të shijojnë artin e bukur, veshjet tona të cilat i mbajmë me krenari e sidomos aty vërehet xhubleta shqiptare, veshja 4 mijë vjeçare, e cila tashmë është marrë nën mbrojtje nga UNESCO-Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
Xhevdet Spahija piktor, u lind në Pejë (Kosovë) më 1950. 1971 kreu shkollën e teknikëve të artit figurativ – Pejë. Në vitin 1982 u diplomua në akademinë e arteve në Prishtinë – dega e artit figurativ. 2005 kreu studimet pasdiplomike dhe mori grandën Mr. i pikturës.
Përgjatë viteve ka marrë pjesë në një mori ekspozitash kolektive e personale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, Poloni, Kroaci, Suedi, e vende të tjera. Xhevdet Spahija ka marrë pjesë po ashtu edhe në ekspozitat e qershorit “DITA E PRISHTINËS” si dhe në festat e nëntorit që organizohen në kryeqytet. Bienalet ndërkombëtare “Raciborz 2000 dhe 2002” në Poloni dhe kolonitë artistike “Jedretina 2001” në Zarë të Kroacisë.
Kemi të bëjmë me një piktor i cili kreativitetin e tij në artin pamor e ka zhvilluar ndër vite duke sjellur te artëdashësit shpirtin e tij krijues.
Për piktorin Spahija të shumë janë kritikët që e kanë vlerësuar krijimtarinë e tij, por në hapje të kësaj ekspozite ishte Prof. Hivzi Muharremi-kritik arti, i cili ka thënë se opusi krijues, përkatësisht veprat e realizuara dhe të ekspozuara janë dëshmi e punës vetmohuese të autorit i cili vlerëson çdo motiv që vendos ta hedh në vepër.
“ Autori tërësisht është liruar nga ana përmbajtësore dhe figurative që ka hedhur në veprat e tij. Është një qasje kur autori të bukurën orvatet ta paraqesë si një idilë të fshehur në magmën e shpirtit të vet, në imagjinatën e shprehjes së tij artistike duke sjellur para nesh portrete e figura që janë të mbushura me jetë, ngjyra e domethënie”, ka thënë Muharremi.
Ndërsa shkrimtari Kadrush Radogoshi enkas për këtë ekspozitë është shprehur se piktorin akademik shqiptar Xhevdet Spahija, shikuesi ka mundësinë ta shijojë në një numër të konsiderueshëm pikturash me motive të etnografisë, mitologjisë, historisë dhe arkiktekturës tradicionale nga tërë areali shqiptar si trashëgimtar i arealit antik iliro -pellazg.
“Autori i këtyre pikturave gjatë aktit krijues në pikturë udhëhiqet nga parimi I shprehur në aforizmin e romakëve të vjetër “Istroria est magistra vitae”(Historia është mësuese e jetës), por duke e zgjeruar kuptimin e termit histori edhe me entografinë, arkitekturën dhe mitologjinë. Pjesa më e madhe e pikturave të kësaj ekspozite I janë kushtuar etnografisë shqiptare, motivet, format dhe ngjyrat e së cilës e lidhin bashkëkohësin me lashtësinë historike dhe mitologjike iliro shqiptare. Piktura ”Xhubleta’, me të cilën hapet ky katalog dhe e pasuar nga piktura ”Gjyshja e Nanës Terezë”, na e sjellin parasysh veshjen apo petkun e femrave shqiptare, të vjetër më shumë se 3000 e të zbuluar në varrezat ilire në Bosnje, në Kroaci dhe në tërë arealin e sotëm shqiptar. Kjo veshje ilire është ruajtur deri në ditët e sotme në zonat veriore shqiptare konkretisht në Malësinë e Mbishkodrës dhe të Dukagjinit në Shqipëri”, ka thënë Radogoshi.
Një vështrim ka sjellur edhe prof. dr. Edmond Muço, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Shkodër.
“Piktori Xhevdet Spahija vjen në këtë ekspozitë me tematikë nga etnologjia, historia dhe mitologjia, titulluar ”Veshjet popullore shqiptare në pikturë”. Ai na prezanton kronologjikisht periudhat më të rëndësishme historike, përmes personaliteteve më të njohura dhe më të ndritshme të kombit tonëtë cilët kanë vepruar dhe kontribuar në çështjen tonë kombëtare. Në këtë ekspozitë piktori thekson veçanërisht veshjet popullore shqiptare në periudha të ndryshme historike. Në këto vepra artistike të autorit ato flasin dhe janë dëshmi të autoktonisë sonë që nga etnogjeneza iliro-pellazge e deri më sot në vijimësi pa u ndërprerë. Në tablotë kompozicionale autori shpalos karakteristika të trashëginmisë kulturore shqiptare, ku populli ynë krijoi një kulturë të veçantë në të gjitha trevat shqiptare dhe lanë gjurmë të pashlyeshme për brezat pasardhëse ku piktori synimin kryesor e ka t’i tregojë botës mbarë se stërgjyshërit ilir janë të parët tanë”, është shprehur ai.
Vet autori ka thënë se motivet i ka marrë kryesisht nga veshjet e krahinave të ndryshme të shqiptarëve.
“Motivet që i kam marrë janë kryesisht veshjet nga krahina të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Preshevës dhe kryesisht të Shqipërisë. Mund të them se “Xhubleta” është kryevepra e kësaj ekspozite, mandej Atlantidat shqiptare që edhe sot e kësaj dite në zonën e Mirëditës përdoren këto veshje”, ka thënë Spahija, duke shtuar se ka vite që ishte duke punuar për këtë ekspozitë.
Kjo ekspozitë me rreth 30 vepra, kohë më parë është hapur edhe në Zagreb të Kroacisë me rastin e festës së 28 nëntorit pak ditë para se xhubleta të hyjë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Autori po planifikon që këtë ekspozitë ta hap edhe në disa qytete të Shqipërisë, natyrisht nëse arrinë të sigurojë mbështetje financiare, është shprehur ai.
Hapja e ekspozitës është shoqëruar nga tingujt e kitarës së kitaristit të shquar profesor, Luan Sapunxhiu.
Iliriana Pylla
10 maj Prishtinë