PUKE – Pas Kukësit janë pukjanët ata të cilët po vërshojne masivisht në kërkim të një jete me të mirë drejt vendeve të Evropës si Franca, Zvicra e kryesisht Gjermania. Vetëm gjatë javës së fundit nga qyteti i Pukës janë larguar dhjetra familje duke lënë pas dyert e kyçura të banesave ndërsa pjese e këtij eksodi që nisi vrullshëm janë dhe të moshuarit. Largimet masive sa vijnë e po shtohen kjo nisur dhe nga fluksi i dokumentacioneve që po përgatiten ndërsa shume familje po shesin banesat të nxitur dhe nga të afermit e tyre që tashmë kanë arritur në Gjermani e dëshmojne se shteti atje u ka ofruar strehim, ushqim dhe trajtim mujor në të holla.
Vetëm gjatë tre ditëve të fundit nga qyteti i Pukës kanë ikur 14 familje, ndërkohë që dhjetra të tjera po bëhen gati të largohen.
Stak Pjetri është një prej banorve të qytetit të Pukës, i cili tregon se “po mundohem të siguroj të hollat që më duhen për të përballuar rrugën”.
“Sapo ti gjej do të ik bashkë më familjen. Nuk kam çfarë të bëj këtu, rrezikon të mbetesh dhe pa buke”, thotë 55 vjecari, invalid pune, ish-punonjës i Shërbimit Pyjor në Pukë.
Zarie Dizdari është një tjetër banore e qytetit të Pukës, e cila me dhimbje tregon largimin e djalit të vetëm për shkak të mungesës së një pune. “Tashmë edhe pse 75 vjeçe unë duhet të jetoj e vetme. Djali nuk kishte cfarë të bënte më këtu, Puka është qyteti më i varfër i Shqipërisë”.
I të njëjtit mendim është dhe Naim Selimi, i cili tregon se shumë pukjanë kanë nxjerrë banesat në shitje më qëllim për të ikur.
“Nuk mund të mbahet shpirti duke menduar se cfarë duhet të bëj sot për të siguruar buken, Puka nuk ofron më asnjë mundësi”, shprehet ai.
Pukjanët po levizin duke shfrytëzuar disa linja transporti që organizohen kryesisht në qytetin e Shkodrës, ndërsa udhëtimi kryhet me mjete të transportiti deri në shtatë vende. Me fluksin që ka nisur ditet e fundit kryesisht në qytetin e Pukës, nëse vijon kështu, atëherë Puka do të mbetet qyteti vetëm i atyre që sot kane një punë. bw
Komentet