Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së nuk ka arritur të dalë me një qëndrim të unifikuar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tashmë duket e qartë se takimi në Luksemburg nuk arriti të sheshojë mosmarrëveshjet mes palëve, e veçanërisht ndaj atyre vendeve skeptike si Franca të cilat kanë kundërshtuar dhënien e një drite jeshile për inicimin e negociatave.
Gjithçka tashmë do të kalojë në Bruksel, atje ku liderët e BE-së do të mblidhen për të dhënë verdiktin final, një vendim i cili duhet të jetë i unifikuar.
Pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ministrja finlandeze për çështjet evropiane Tyttti Tuppurainen tha se një shtet ishte kundër hapjes së negociatave për Tiranën dhe Shkupin. Pavarësisht se diplomatja nuk e tha emrin, tashmë është e ditur që Franca mban pozicionin kundër.
“Fatkeqësisht kishte disa vende që ishin hezituese. Një vend ishte kundër. Pra kërkohet unanimitet për një vendim. U munduam të gjenim të gjitha mundësitë për të dërguar një mesazh në Ballkan, por kjo nuk ishte e suksesshme. E vetmja që që mundëm të arrijmë është që Këshilli i BE-së do t’i kthehet kësaj çështje dhe shpresoj që do të merret një vendim pozitiv. Liderët e BE-së do të kenë një shans për të diskutuar këtë çështje do ta diskutojnë në një kontekst më të gjerë. Shumica e vendeve anëtare ishin mbështetësve për hapjen e negociatave jo se ishte në interesin tonë por populli në Shqipëri dhe Maqedoni e duan këtë gjë. Shpresoj të jemi të suksesshëm më datë 18”, tha diplomatja finlandeze.
Tuppurainen, deklaroi gjithashtu se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut.
“Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, tha ministrja finlandeze.
Në konferencën për shtyp i pranishëm ishte dhe komisioneri për zgjerim Johannes Hahn, i cili ka nga ana e tij theksoi se nuk ishte një moment lavdie.
“Nuk është një moment lavdie. Kam luftuar për ta bërë të mundur dhe nuk do të ndalojmë. Shpresoj të bindim të tjerët sepse po flasim për diçka jetësore ku unë personalisht nuk kam asnjë ndjenjë negative por siç e thatë edhe ju procesi është i bazuar në meritë dhe ata kanë plotësuar kushtet. Edhe ne duhet të plotësojmë kushtet tona por nuk e bëmë këtë. 25 vende janë në favor të integrimit.”, theksoi Hahn.
Komentet