Ylli Prebibaj
“…Anë e kand, në Shqypni shtypi e intelektualt
janë shpërvjelë për t’iu ba gati së kremtes plot kujtime e hare,
25 vjetorit të pamvarsis, edhe kanë arsye.
Kjo nuk asht vetëm nji e drejtë e nji detyre,
kjo asht edhe nji nevojë…”
(Hylli i Dritës, 1937)
Qeveria Shqiptare e vitit 1937, mori një vendim të rëndësishëm sa i takon kremtimit të 25 vjetorit të pavarësisë, për këtë qëllim u ngrit një komision i posaçëm, i cili e shtriu veprimtarinë e tij në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet ngritjes së komisioneve sipas njësive administrative. Detyra e komisioneve zonale ishte dërgimi i propozimeve zyrtare në adresë të komisionit në kryeqytet për veteranët e lëvizjes kombëtare, një nga këto komisione ishte edhe ai i Malësisë së Gjakovës.
Shtypi i kohës i kushtoi vëmendje këtij përvjetori. Hylli i Dritës në publikimet e tij më 1937, botonte artikuj me përmbajtje historike që evokonin periudhën e lëvizjes kombëtare, si: “Turgut Pasha hin në Shkodër”, “Krue, Deqiq, Vlonë”, “Tue kujtue 25 vjetorin shqyptar”. Shkrime me trajtesa historike u publikuan në shumicën e organeve të shtypit, kurse në fletoren zyrtare u botuan dokumente të karakterit zyrtar që kishin të bënin me kremtimin e 25 vjetorit.
Njëkohësisht pati edhe botime serioze siç ishte libri: ‘Shqipwnia me 1937, Veprimi Shtetnor gjat njëzet e pesë vjeteve të parë të vetëqeverimit” në dy vëllime, (Shtypshkronja “Kristo Luarasi”, Tiranë 1937). Në të dy vëllimet paraqitej një tablo e kushtetutshmërisë së shtetit shqiptar, pushtetit ekzekutiv, strukturës shtetërore, evoluimit të institucioneve shtetërore nga 1912 e në vijim dhe dokumente të tjera të karakterit historik.
.

Vendimi Nr. 1, datë 21. VII. 1937, mbi veteranët e propozuar për Krasniqen
I – Veprimtaria e Komisioneve të Tropojës dhe Krasniqes
Në kuadër të kremtimit të 25 vjetorit, komisionet e ngritura në Malësinë e Gjakovës, evidentuan dhe i dërguan “Komisjonit të Kremtimeve të 25 Vjetorit të Vetqeverimit” propozimet e tyre, për veteranët e krahinës. Komisioni i Tropojës nëpërmjet Vendimit Nr. 2, datë 17 korrik 1937, dërgoi emrat e veteranëve të rrethit dhe biografitë përkatëse.
1.Halil Ibrahimi, Bajraktari i Gashit
2.Abdullah Sadik Hoxha, prej Parisë së Gashit
4.Zenel Ibrahimi i Babinës
5.Arif Delija i Myhejanit
Vendimi mban nënshkrimin anëtarëve të komisionit, kryetarit dhe nënprefektit Sami Tërshana, (AQSH F. 170 F. D. 55).
Praktika dokumentare vijon me vendimin e Komisionit të posaçëm të Komunës Krasniqe, (Vendimi Nr.1, datë 21. VII. 1937), ku ndër të tjera shkruhet “Komisioni i posaçëm i Komunës Krasniqe i formuem nën kryesinë e Zv. Kryetarit të Komunës z. Safet Topçiu me anëtarët legalë z.Sali Mani, Avdyl Qerimi, Zenun Alija, Shpend Balija, Maxhun Nimani e Rexhep Shpendi”, mori në shqyrtim telegramin e Prefekturës së Kosovës, ku kërkohet përgatitja e biografive dhe dokumenteve të veteranëve të këtij rajoni. Komisioni në fjalë propozonte për veteranë:
1.Shaban Binaku, i lindur në Bujan të Krasniqes në 1877, komisioni vlerësonte se Shaban Binaku ka qenë pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet e Kosovës dhe ka krijuar lëvizjen kundër ushtrisë turke. Ai kishte drejtuar një fuqi civile prej më shumë se 500 vetë kundër Turgut Pashës dhe me bashkëpunëtorët e tij Zeqir Aliu e Niman Syla kishin injoruar aktet dhe vulën e Shoqërisë së Xhonturqve (Xhemejeti Itejat). Kundërshtimet e tij ndaj xhonturqve krijuan shqetësime serioze te autoritetet turke, të cilat e burgosën dhe më pas e varën në tregun e Gjakovës.
2.Niman Syla nga Bujani, i lindur në vitin 1865, i cili vlerësohet si një veprimtar i lëvizjes kombëtare shqiptare.
3.Bajraktari i Krasniqes Bajram Mani prej Bujani dhe Bajram Nimani prej Kolmekshajve të Krasniqes.
Njëkohësisht Komisioni i Tropojës merr vendimin që disa shkolla të marrin emrat e mëposhtëm:
1.Shkolla e Katundit Tropojë të marrë emrin e veteranit Halil Ibrahimi
2.Shkolla e Katundit Kovaç të marrë emrin e veteranit Abdullah Hoxha
3.Shkolla e Katundit Shipshan të marrë emrin e veteranit Ali Ibra.
.

Vendimi Nr. 1, datë 21. VII. 1937, mbi veteranët e propozuar për Krasniqen
II – Komisioni i 25 vjetorit të Kremtimit të Pavarësisë së Komunës Nikaj-Mërtur.
Me interes historik është korrespondenca e komisionit të Nikaj-Mërturit. Komisioni drejtohej nga kryetari i Komunës Hito Zaçe Golemi dhe përbëhej nga antarët: P. Silvestër Hila, Shaqir Hoti, Fet Sadiku, Kolë Ndou dhe Murrec Sadrija. Në përfundim të punës ata konkludojnë se: “…si mbas hetimeve të bamuna me sa ka qënë e mundun, komisjoni mbasi bisedoi çështjen hollësisht vendosi qi të shënohen si veteranë personat e poshtëshënuem:
1.Sokol Basha, Bajraktari i Nikajve, i lindur në Peraj më 1860, i biri i të ndjerëve Bash e Hanë
2. Shytan Brahimi, Krye në Nikaj, i lindur në Gjonpepaj më 1864, i biri i Brahimit dhe Mrikës
3.Dedë Trimi, Krye në Mertur, i lindur në Shëngjergj më 1868, i biri i Trimit dhe Kade Bardhecit
4.Sadik Gjergji, Krye në Palç, i lindur më 1869, i biri i Gjergjit dhe Prendë Ukes
5. Prelë Tuli, Krye në Salcë të Merturit, i lindur në Salcë më 1870, i biri i Tul dhe i Shkurte Hasës
6. Bek Selimi, Krye në Lekbibaj, i lindur më 1867, i biri i Selimit dhe Raze Zenelit.
Komisioni evidenton se veteranët e lartpërmendur më 1910 kanë luftuar duke u bërë ballë ushtrive turke të komanduara nga Turgut Pasha në Qafën e Kolçit e Qafën e Agrit, (Vendimi Nr. 1 i datës 22 korrik 1937), (AQSH, F. 170, V. 1937, D. 53).
.

Vendimi Nr. 3, datë 17.7.937
Një vendim tjetër ishte ai i datës 22 korrik 1937, ku u dërguan për ditën e kremtimit në Tiranë një djalë e një vajzë mbi 12 vjeç të veshur me petka të moçme të vendit. Të rinjtë nikajmërtuaras që u caktuan për të shkuar në Tiranë ishin Lulash Oruqi nga Perajt, i lindur më 1921, i biri i Zefit dhe Zojë Bushatja nga Lekbibaj e lindur më 1924, e bija e Shabanit dhe Prendës. Me këtë vendimmarrje, e cila dëshmon njëherazi edhe kujdesin e drejtuesve të kremtimeve, për të prezantuar në kryeqytet edhe ansamblin e veshjeve kombëtare mbyllet edhe puna e Komisionit të Nikaj-Mërturit.

Vendimi Nr. 3, datë 17.7.937
Veprimtaria e “Komisjonit të Kremtimeve të 25 Vjetorit të Vetqeverimit 1912-1937”, dëshmon një vetëdije shtetërore në kuadrin e përkujtimit dhe dokumentimit të së kaluarës historike. Njëherazi ishte përpjekja më serioze institucionale, pas shpalljes së pavarësisë më 1912, për t’i paraqitur opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar kalvarin e mundimshëm të shqiptarëve në lëvizjen e tyre për pavarësi, ndaj një sunduesi që u privoi atyre çdo të drejtë kombëtare.
Nga ana tjetër evidencat historike të nxjerra nga puna e komisioneve të Malësisë së Gjakovës, që i trajtuam në këtë artikull ishin padyshim një kontribut me rëndësi, pasi për herë të parë ndiqen disa kritere bazë në evidentimin e figurave historike. Korrespondenca dokumentare rreth kësaj tematike i dëshmoi opinionit shqiptar kontributin e madh që krahina e Malësisë së Gjakovës kishte dhënë në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Zyrtarë të Malësisë së Gjakovës më 1937
Nga shqyrtimet e dokumentacionit nuk mund të themi se puna e kryer ishte shterruese në evidentimin e të gjitha figurave, kjo konsideratë ka të bëjë me mungesën e disa personaliteteve në listat e propozimeve. Me siguri në disa raste kanë ndikuar; përplasjet politike fenomeni më negativ që e vuan ende sot e kësaj dite disiplina historike, koha e shkurtër e funksionimit të komisioneve të punës dhe pa diskutim mungesa e informacioneve të detajuara rreth figurave të caktuara, siç pohohet edhe në dokumente.
Sidoqoftë në kushtet e sotme me shtimin e ekspertëve të specializuar në fushën e historisë dhe sidomos nga kontaktet me arkivat, janë shtuar mundësitë për pasqyrimin objektiv e shkencor të rolit që kanë luajtur në të kaluarën figurat historike. Sfidë mbetet ende ndarja e historisë nga mendësia folklorike dhe fantazia letrare, në mënyrë që historia faktike të fitojë të drejtën e qytetarisë ndër ne.
Komentet