SAM-Samedin ASLLANI është një piktor zviceran i lindur në vitin 1969 në Mitrovicë (Kosovë).
Diku pas vitit 1993 ai zbarkoi në brigjet e Liqenit të Gjenevës në Lozanë.
Që në moshë shumë të re, i pajisur me një prirje të vërtetë artistike, Asllani ishte i mahnitur nga bota e vizatimit.
Në shkollë, fletorja e tij e shkrimit ishte e mbushur me skica që për temë kishin mjedisin që e rrethonte.
Ai u dallua shumë herët për talentin e tij si vizatues: skicat dhe satirat e tij u botuan rregullisht në gazetat kryesore ditore të vendit.
Sapo u fut në botën e Arteve të Bukura, Asllani braktisi karikaturën për t’iu përkushtuar tërësisht pikturës.
I frymëzuar nga surrealizmi, vepra e tij shtrihet midis vizioneve, universeve dhe delireve ëndërrimtare.
Pëlhurat e tij do të rikthejnë në jetë një botë të harruar, atë të përrallave, miteve dhe legjendave popullore.
Depërtues përmes reflektimeve të thella artistike dhe morisë së ndjenjave të ekzaltuara bën që çdo pikturë e tij të jetë si një pikë kulmore, një ndalje momentale e rrjedhjes së kohës.
Çdo pikturë është një psherëtimë e thellë gëzimi, zemërimi ose trishtimi.
Saktësia dhe rregullsia e vijës së tij të zezë zbulon në mënyrë delikate dritë-hijen e pikturave të tij. Pena e tij përvijon njëkohësisht dhe bukur fuqinë e një peizazhi ashtu edhe butësinë e formave të një gruaje.
Kur Asllani prek pafundësisht imtësitë, ai sjellë në rezonancë gjurmët e së kaluarës.
Tablot e mëdha akrilike me ngjyra të shndritshme, të pasuruara me një mori arabeskash me ngjyrë të zezë, e karakterizojnë këtë evolucion. Peizazhet ndonjëherë të trazuara apo personazhet dhe objektet e përshkruara në mënyrë realiste ose alegorike përmes shumëllojshmërisë së subjekteve të paraqitura ngjallin emocione të mëdha te shikuesit .
Gjithnjë i udhëhequr nga ndjenjat e tij, periudhat e ndryshme të jetës së tij janë paraqitur në pëlhurë. Rrethanat e jetës në rininë e tij ndikuan në paraqitjen e hijeve të errëta dhe të ftohta në veprën e tij, por që me kalimin e kohës vijnë duke u bërë më të kthjellëta, për të na dhënë edhe piktura më të lehta dhe të ndritshme, por gjithnjë me filigran, një stil krejtësisht të njohur.
Vepra e tij është ekspozuar në galeri të shumta në Zvicër, e poashtu në Itali, Francë, Luksemburg, Gjermani dhe USA.
Kritikët e artit e përshkruajnë Sam – Samedin ASLLANIN si një piktor „me stil unikal“.