VOAL

VOAL

Vendimi për lirimin e Tahirit, reagon sërish Donald Lu

May 28, 2018

Komentet

Drama e eksporteve- Në vitin 2024 u shënua rënia më e fortë në 3 dekada, fasoni drejt falimentit

Zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare kanë bërë që eksportet të shënojnë një rënie me 15.4% në 2024-n, sipas të dhënave të INSTAT.

Në vitin 2024, eksportet në vend kanë shënuar rënien më të madhe të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat më të hershme nga INSTAT. Ky është viti i dytë radhazi me ecuri negative, teksa në 2023, shitjet jashtë vendit ishin tkurrur me 10%, duke pasur një ecuri më negative edhe se periudha e pandemisë në 2020-n (-9%).

Të tre grupet kryesore “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji”, “Materiale Ndërtimi, metale” ka shënuar rënie dyshifrore, teksa të gjitha grupet, përfshirë “Ushqime, pije, duhan” dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, që morën hov vitet e fundit, ishin negative.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 373 mld lekë, duke u ulur me -15,4 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -5,3 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,1 pikë përqindje.

Tkurrja u thellua në dhjetor. Sipas INSTAT, në Dhjetor 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 26 mld lekë, duke u ulur me -31,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë muajit Dhjetor 2024, në uljen e eksporteve prej -31,7 %, kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -18,9 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -6,6 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,8 pikë përqindje etj.

Ndërsa pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me 0,3 pikë përqindje.

Sipas INSTAT, në nëntor 2024 eksportet ishin ulur me -8.5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Trendi u përmirësua në raport me tetorin, kur rënia ishte 15.2%. Në shtator tkurrja ishte 8.5%, në gusht rënia ishte 18%, në korrik tkurrja ishte 12% dhe në qershor ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me -21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me- 29.2%.

Fasoni drejt falimentit

Në dhjetor eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 20%, nga 10.7% që ishte tkurrja për nëntorin. Për gjithë vitin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 105 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17% me bazë vjetore.

Edvin Prençe kryetari i Shoqatës ProEksport Albania tha për Monitor se, “vështirësitë në sektor janë krijuar nga rënia e vazhdueshme e monedhës europiane euro që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Në kahun tjetër ai thotë se kërkesa në Europë është ulur, sidomos në muajt e dimrit rënie e kontratave ndihet më shumë.

“Vështirësitë për sektorin ishin me të forta përgjatë muajit dhjetor. Deri në mars të 2025 trendi do të vijojë të jetë i njëjtë. Rritja e kostove pamundëson shumë drejtues të fabrikave të kenë likuiditet të lartë për investime” tha ai.

Sipas shoqatës nga muaji nëntor i vitit 2023 deri në muajin nëntor 2024, në sektor llogariten mbi 10 mijë vende pune të shkurtuara dhe rreth 50 biznese që kanë mbyllur aktivitetin.

Prençe thotë se, në muajin janar 2025 rënia do të jetë edhe me e fortë, pasi disa klientë priten të mbyllin vitin që të ndërprisnin kontratën në Shqipëri. Sipas tij ky janari do të jetë më i vështiri vitit të fundit.

Minerale, lëndë djegëse rënie 25%

Eksportet në grupin “Minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 32% në dhjetor. Ky grup ndikohet nga ecuria e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 12 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 70 miliardë lekë, me tkurrje 25%.

Materiale ndërtimi dhe metale, mbylla e Kurum ul eksportet me 71% në dhjetor

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi me rënien më të fortë në dhjetor. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend dhe që në gusht mbylli fabrikën për shkak të vështirësive pas rritjes së kostove.

Në nëntor, ky grup ra thellë me 71%, pas tkurrjes me 43%, në nëntor. Për 12 mujorin, sektori është me një rënie prej 22%.

Ushqime, pije e duhan me rritje të lehtë në dhjetor

“Ushqime pije e duhan”, shënuan një rritje të lehtë në dhjetor prej 2%, pas zgjerimit me gati 18% në nëntor. Për 12 mujorin, ky grup ka rënë me -4.3%.

Eksportuesit pohojnë se sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta, ndërsa rënia e muajve të mëparshëm ka qenë e lidhur kryesisht me çmimet e ulëta.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi i rikthehen rënies

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive.

Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në dhjetor grupi ra me 5.9%, pasi ishte zgjeruar me 15% në nëntor.

Për 12 mujorin, grupi është tkurrur me rreth 4%. Përfaqësues të kompanive automotive që prodhojnë fasoneri të thjeshtë në vendin tonë pohojnë se ka një rënie të kërkesës apo shitjeve për shkak të situatës së përgjithshme në tregun e automobilave në Europë.

Sipas tyre kompanitë e mëdha europiane si Stellantis, Renault Group, Volkswagen kanë reflektuar rënie kërkese. Një faktor tjetër është edhe rritja e ofertës dhe konkurrencës nga makinat elektrike të markave kineze.

Rënia e eksporteve dhe rritja e importeve thellojnë ndjeshëm deficitin tregtar

Ndërsa shitjet jashtë vendit kanë rënë, blerjet e mallrave nga importi janë rritur, duke theluar ndjeshëm deficitin tregtar.

Sipas INSTAT, Gjatë vitit 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 373 mld lekë, duke u ulur me -15,4 %, krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 894 mld lekë, duke u rritur me 2,5 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 522 mld lekë, duke u rritur me 20,7 %, krahasuar me vitin 2023./MONITOR

Çfarë përmban marrëveshja 100-vjeçare mes Ukrainës dhe Britanisë?

VOA

Britania dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje 100-vjeçare të enjten, ku Britania zotohet t’i sigurojë Ukrainës 3.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake këtë vit.

Marrëveshja u njoftua gjatë një konference të përbashkët për shtypin në pallatin presidencial në Kiev, ku Kryeministri britanik Keir Starmer iu bashkua Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Zoti Starmer është në udhëtimin e tij të parë në Ukrainë që nga marrja e detyrës.

Kryeministri Starmer e quajti marrëveshjen historike dhe tha se partneriteti i ri “pasqyron lidhjet e forta mes dy vendeve tona”. Partneriteti do të përfshijë bashkëpunimin në fushat e kulturës, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.

Lidhur me ndihmën ushtarake për luftën e saj kundër Rusisë, Kryeministri Starmer tha se Britania ka në plan t’i japë Ukrainës një hua prej mbi 2.6 miliardë dollarësh. Ai tha se kredia “do të paguhet jo nga Ukraina, por nga interesi i fondeve të ngrira ruse”. Zoti Starmer njoftoi gjithashtu se Britania po i siguronte Ukrainës 150 mjete artilerie dhe një sistem të ri të lëvizshëm të mbrojtjes ajrore.

Në komentet e tij, Kryeministri Starmer vlerësoi aleatët e Ukrainës, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për kontributin në suksesin që Ukraina ka patur përballë “agresionit nga Rusia”. Ai tha se donte t’i vlerësonte publikisht Shtetet e Bashkuara për “punën që SHBA ka bërë këtu, mbështetjen që kanë dhënë, sepse ka qenë një komponent jetik i asaj që ka qenë një arritje mjaft e pabesueshme nga Ukraina”.

Komentet vijnë vetëm disa ditë përpara se të marrë detyrën Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që ka kritikuar mbështetjen amerikane për Ukrainën, dhe një ditë pasi i përzgjedhuri nga presidenti i ri për të qenë sekretari amerikan i Shtetit, senatori republikan Marco Rubio, i tha një komisioni të Senatit se lufta duhet të përfundojë.

Duke folur në seancën për konfirmimin e tij, senatori Rubio e quajti konfliktin një “luftë rrënimi” dhe një “ngërç” që duhet t’i jepet fund. Ai tha se hapi i parë duhet të jetë një armëpushim që ndalon luftimet tokësore, të cilat për mbi një vit kanë ndodhur kryesisht në Ukrainën lindore.

Zoti Rubio e quajti shkatërrimin në Ukrainë “të jashtëzakonshëm”, duke thënë se “do të duhet një brez për t’u rindërtuar”.

“E vërteta e çështjes është se në këtë konflikt, nuk ka asnjë mënyrë që Rusia ta marrë të gjithë Ukrainën”, tha zoti Rubio. “Është gjithashtu jo-realiste të besohet se në njëfarë mënyre, një vend me përmasat e Ukrainës… gjithashtu do t’i shtyjë këta njerëz deri atje ku gjendeshin përpara sulmit”.

Por edhe ndërsa ai argumentoi për një zgjidhje të negociuar për t’i dhënë fund luftimeve që filluan me pushtimin e Rusisë në shkurt 2022, senatori Rubio tha se nuk ka gjasa që të ketë shumë ndryshime në vijat aktuale të betejës. Rusia aktualisht mban rreth një të pestën e masës tokësore ukrainase të njohur ndërkombëtarisht.

Demokratët, dhe disa republikanë në komision, vazhduan të shprehin mbështetjen e tyre për më shumë ndihma ushtarake për Ukrainën, duke thënë se ishte e rëndësishme t’i jepej Kievit ndikim bisedimet e ardhshme për paqe me Moskën.

Por zoti Rubio tha se një nga problemet kryesore të Ukrainës nuk ishte mungesa e municioneve apo parave, por paaftësia e saj për të stërvitur dhe rekrutuar forca mjaftueshëm.

Në konferencën për shtyp të së enjtes në Kiev, Presidenti Zelenskyy refuzoi të spekulojë se si do të dukej mbështetja amerikane për Ukrainën me administratën e re Trump.

“Është shumë herët për të folur për detajet, sepse ende nuk kemi patur një bisedë të detajuar me administratën e re amerikane për garancitë e sigurisë”, tha ai.

Presidenti i zgjedhur Trump ka shprehur skepticizëm për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Kievin dhe është zotuar vazhdimisht se do t’i jepte fund luftës kur të marrë presidencën të hënën.

Ditët e fundit, ndihmësit e tij kanë thënë se afati i ri kohor për t’i dhënë fund luftës janë 100 ditët e para të administratës së tij, që do të ishte deri në fund të prillit.

Disa të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, Reuters dhe Agence France-Presse.

Ndërron jetë Sabah Bizi, legjenda e futbollit shqiptar shuhet në moshën 79-vjeçare

Ikona e futbollit shqiptar, Sabah Bizi ndërron jetë në moshën 79 vjeçare. Prej disa muajsh gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndërsa ditën e sotme ka ndërruar jetë.

Bizi do të mbahet mend për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë. Ai ka fituar shumë tituj me Vllazninë dhe Partizanin, ndërsa debutoi në moshën 17-vjeçare në futbollin shqiptar.

Titullar i Vllaznisë që nga viti 1965 deri në vitin 1968, ndërsa në shumë sezone është vlerësuar edhe si një nga më të mirët e vitit.

Bizi ka kontribuar edhe për kombëtaren shqiptare, teksa ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Debutimi i tij me përfaqësuesen daton me 8 prill, të vitit 1967. bw

UGSHPD: ME SE NGROHEN PENSIONISTËT DHE ENERGJIA E RAMËS

 
Nuk ka asnjë të keqe xhentilesa dhe shkëmbimi me “karar” i dhuratave pa u përulur.
Populli mbase e harron shpejt këtë sjellje të kryeministrit pasi ai kur të kthehet nga vapa e Abu Dahabi-it pas “javës së qëndrueshmërisë” dhe zhvillimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, do të ndeshet me sezonin e padritave dhe të ftohtit që pensionistët shqiptarë shohin nga bonuset e herë pas hershme elektorale që Rilindja Socialiste lëshon.
Ishte e kotë ta diskutoje se ky gjest dhe kjo vizitë e Ramës mund të merret në konsideratë se është një reklamë e maskuar elektorale shpjegon autori i skicës LD-NY24.
Nxitja ishte sepse pasi e mbylli një bisedë me Tiranën, prindi pensionist nga ana tjetër e telefonit tha se kishte një batanie krahëve dhe ngjitur kishte kaloriferin që herë pas here e kyçte duke ndjekur ekranin dhe premtmet e fushatës.
Kujtoj se Kryeministri dhe qeveria e uli çmimin e energjisë me 1 Lek. Dhe ky është një gur kilometrik mashtrimesh për mandatin e katërt.
 
15 Janar, 2025

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Raporti global- Nga emigrimi “nga halli” te krimi ekonomik, 5 rreziqet kryesore për Shqipërinë

Konflikti i armatosur, moti ekstrem dhe dezinformimi janë identifikuar si rreziqet kryesore globale për vitin 2025, sipas Raportit të Rreziqeve Globale, të përpiluar nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF).

Pavarësisht gjetjeve në rang global, duket se vendi ynë do të përballet me të tjera rreziqe gjatë këtij viti. Sipas raportit pesë rreziqet kryesore janë:

1.Emigrimi i detyruar

2.Mungesa e punës dhe/ose talentit

3 Krimi dhe veprimtaria ekonomike e paligjshme

4.Shërbime publike dhe mbrojtje sociale të pamjaftueshme

5.Pabarazia (pasuria, të ardhurat).

Emigrimi i detyruar “hall i përbashkët” i rajonit

Emigrimi i pavullnetshëm ( i detyruar) dhe mungesa e fuqisë punëtore apo e talenteve janë dy nga 5 risqet kryesore që mbizotërojnë edhe në Serbi, Maqedoninë e Veriut, dhe Kosovë (Mali i Zi nuk përfshihet në raport).

Rreziqet më të mëdha me të cilat përballet bota tani dhe në 10 vitet e ardhshme

Gati një e katërta (23%) e të anketuarve në “Raportin e Rreziqeve Globale” renditën konfliktin e armatosur me bazë shtetërore si shqetësimin më urgjent për vitin 2025.

Keqinformimi dhe dezinformimi u përmendën si rreziqet kryesore gjatë një horizonti kohor dy-vjeçar për të dytin vit radhazi, ndërsa shqetësimet mjedisore si ngjarjet ekstreme të motit, humbja e biodiversitetit dhe kolapsi i ekosistemit dominuan në renditjen e rrezikut 10-vjeçar.

Ngjarjet ekstreme të motit, të cilat përfshijnë valë të nxehti, tornado dhe përmbytje, u shfaqën dukshëm midis rreziqeve afatshkurtra dhe afatgjata. Kriza klimatike po e bën motin ekstrem më të shpeshtë dhe më intensiv.

Raporti vjen pasi afro 3000 liderë nga më shumë se 130 vende përgatiten të marrin pjesë në takimin vjetor të WEF. Veprimtaria katër-ditore nis të hënën (20 janar) në fshatin malor zviceran të Davos.

“Rritja e tensioneve gjeopolitike, një thyerje e besimit global dhe kriza klimatike po e tensionojnë sistemin global si kurrë më parë.

Në një botë të karakterizuar nga thellimi i ndarjeve dhe rreziqeve të shumta, liderët globalë kanë një zgjedhje: të nxisin bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë, ose të përballen me paqëndrueshmëri të shtuar. Aksionet nuk kanë qenë kurrë më të larta”, tha në një deklaratë Mirek Dušek, drejtor menaxhues në WEF.

Sondazhi merr në konsideratë rreziqet në periudhën afatshkurtër deri në vitin 2025, afatshkurtër dhe afatmesëm deri në vitin 2027 dhe afatgjatë deri në vitin 2035. Më shumë se 900 ekspertë globalë të rreziqeve, politikëbërës dhe udhëheqës të industrisë u anketuan në shtator dhe tetor të vitit të kaluar për të informuar raportin.

“Bota është në një gjendje të rëndë”

WEF tha se konflikti i armatosur u anashkalua si një rrezik kryesor afatshkurtër dy vjet më parë, një zhvillim që reflekton tensionet gjeopolitike në rritje dhe një peizazh global gjithnjë e më të përçarë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka paralajmëruar më parë se bota po përballet me numrin më të madh të konflikteve që nga Lufta e Dytë Botërore, duke përmendur pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, si dhe konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë.

Disa nga rreziqet e tjera afatshkurtra të identifikuara në raportin e fundit të WEF përfshijnë polarizimin shoqëror, spiunazhin kibernetik, ndotjen dhe pabarazinë./ Monitor

Projekti i dhëndrit të presidentit të zgjedhur Trump për Sazanin merr statusin e “investimit strategjik”

Ishulli i Sazanit

 

VOA

Gati 9 muaj pasi u bë publik projekti i sipërmarrësit amerikan Jared Kushner, dhëndri i presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, për realizimin e një projekti turistik në ishullin e Sazanit, në fund të dhjetorit, 21 ditë para rikthimit të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, në Shqipëri, Komiteti i investimeve strategjike, i dha atij statusin e investitorit strategjik, përmes kompanisë “Atlantic Incubation Partners” LLC.

Ishulli i Sazanit, me një sipërfaqe prej 562 hektarësh, është përdorur vetëm si bazë ushtarake. Por me një dekret të firmosur në fillim të muajit dhjetor, nga Presidenti Bajram Begaj, struktura “Rajon stërvitje dhe qitje detare Sazan, Vlorë”, e cila duket se përkon me zonën ku synohet të realizohet projekti, është nxjerrë jashtë Planit të Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura.

Sipas vendimit, vlera e investimit parashikohet të jetë 1.4 miliard euro. Projekti, i cili parashikon “marinë turistike si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike dhe zona shplodhëse me shërbime në funksion të tyre” do të shtrihet në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Sipas një interviste që zoti Kushner pati dhënë në mars të vitit të kaluar për Bloomberg-un, synimi ishte ndërtimi i një eko-resorti luksoz të markës Aman. Ai deklaroi në atë kohë se “ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacënuara dhe unike që kam parë parë kudo në botë”.

Kompanisë së zotit Kushner, i është statusi “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” duke e konsideruar projektin të “një rëndësie strategjike për vendin”. Por sipas vendimit, ky status, që jepet për një periudhë 10 vjeçare është “i kushtëzuar me realizimin e detyrave, planit të veprimit të parashikuar në këtë vendim, si dhe me finalizimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis palëve, të vlefshme miratuar me ligj të veçantë në Kuvend sipas parashikimeve ligjore të zbatueshme”.

Nga ana tjetër vetë kompania ka kërkuar bashkëpjesmarrjen e shtetit, e cila sipas vendimit “do të realizohet nëpëmjet krijimit të një entiteti juridik të përbashkët të përbërë nga Korporata e Investimeve Shqiptare (AIC), Albanian Seaports Development Company sh.a (ASDC), në cilësinë e pales shtet, dhe subjektit investues Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane”. Kompania ASDC, u krijua dy vjet më parë, si përfaqësuese e Shtetit shqiptar, në projektin tjetër në zonën e Durrësit, ku është parashikuar investimi nga sipërmarrësi Mohamed El Alabbar.

Statusi i investitorit strategjik parashikon një sërë masash favorizuese, që nga kryerja me prioritet e procedurave, te mbështetja që autoritetet japin në lidhje me lejet, licencat dhe autorizimet e nevojshme për realizimin e projektit, apo dhe vënia në dispozicion e sipërfaqes ku do të realizohet investimi dhe ndërhyrjet për ta bërë atë të përshtatshme për realizimin e ndërtimeve të parashikuara.

Nuk ka një afat se kur pritet të realizohet projekti, i parashikuar në 3 faza. Për momentin, kompania e zotit Kushner do të duhet të dorëzojë një seri dokumentash të listuara në vendim, “brenda 60 ditëve pune, nga njoftimi i këtij vendimi nga Sekretariati Teknik”.

Në mars të vitit të kaluar, kur bëri publike idenë e tij për projektin në Sazan, zoti Kushner shpjegoi se ajo kishte lindur duke hulumtuar me miqtë e tij Richard Grenell, i cili shërbeu si ambasador i SHBA në Gjermani gjatë administratës Trump, dhe Asher Abehsera, partner i tij biznesi, dhe si ai u tërhoq nga një nga zonat turistike me rritje më të shpejtë në botë.

Zoti Kushner foli dhe për një projekt të dytë në Shqipëri, në zonën e Zvërnecit, pranë Vlorës, duke planifikuar ndërtimin e disa resorteve me afro 10 mijë dhoma hotelesh dhe vila. Por për këtë rast nuk ka të dhëna nëse ka avancuar më tej.

Autoritetet shqiptare e mirëpritën në atë kohë synimin e zotit Kushner për të investuar në Shqipëri. Kryeministri Rama në atë kohë foli për një “ofertë fantastike” e cila sipas tij do e kthente ishullin e Sazanit në “një xhevahir të kurorës së artë të turizmit në Mesdhe”.

Dhëndri i presidentit të zgjedhur Trump, synon të realizojë një projekt dhe në Beograd, për transformimin e tre blloqeve të braktisura, në zemër të kryeqytetit serb, në një hotel luksoz me hapësirë komerciale dhe më shumë se 1,500 rezidenca. Zona historike ka qenë e zbrazët që nga bombardimi i NATO-s në prill 1999 ndaj ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të ish-qeverisë së atëhershme.

Zoti Kushner ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la punën e tij në qeveri, ai krijoi kompaninë Affinity Partners, e cila, sipas Bloomberg-ut, zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh. Kompania pati mbështetjen e investitorëve nga vendet e Lindjes së Mesme, duke përfshirë rreth 2 miliardë dollarë nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

“Krim kundër njerëzimit”- William Walker kthehet për homazhe në Reçak, 26 vite pas masakrës

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, që pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit, sot 26 vjet pas asaj dite ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Ambasadori Wiliam Walker në homazhe është shoqëruar nga anëtarët e Listës për Familjen.

Walker, i cili vjen për homazhe në pothuajse në çdo përvjetor ka thënë se dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani sipas tij ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe “supozoj se ka edhe nga e gjithë bota”.

“Çdo vit, mbetem i mahnitur nga numri i njerëzve që janë këtu nga i gjithë vendi. Dikur ishte kryesisht një shërbim përkujtimor, por tani ka njerëz nga e gjithë Kosova, dhe supozoj se ka edhe nga e gjithë bota. Pra, ju falënderoj që po e pasqyroni këtë, ju uroj të gjithëve një ditë shumë të lumtur dhe i uroj gjithë popullit të Kosovës një Vit të Ri të lumtur”, ka thënë Walker, raporton Ekonomia Online.

Eman Rrahmani nga Lista për Familjen tha se ishte ambasadori Wiliam Walker, ai që shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë.

“Jemi sot këtu me ambasadori Wiliam Walker figurë e cila i shpërfaqi fytyrën e vërtet të gjenocidit të Serbisë, një ambasador i cili ka bërë shumë për çështjen e Kosovës. Jemi në përkujtim të masakrës dhe gjenocidit që ka kryer Serbia këtu në Reçak në familjet shqiptare. Neve na mbete që të angazhohemi që të jemi çdo herë pranë atyre që kanë ndihmuar dhe kanë vepruar për mbrojtjen e familjes, mbrojtjen e vendit dhe tokave shqiptare”, tha Rrahmani. bw

26 vite nga Masakra e Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë

Kosova përkujton sot 26 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin.

Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Me rastin e shënimit të ditës së përkujtimit dhe nderimit të viktimave të masakrës së Reçakut, dita e nesërme (e mërkurë), më 15 janar 2025 shpallet ditë pushimi në Komunën e Shtimes.

Në orën 08:30 do të mbahen homazhe nga niveli komunal në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Molloplc dhe Reçak.

Ndërsa, në orën 10:00 do të ketë homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak.
Ndërkaq, Akademia Përkujtimore në orën 11:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Po ashtu në këtë ditë për shënimin e 26 vjetorit të masakrës së Reçakut, do të mbahet finalja e turnirit memorial “Ditët e Reçakut”, si dhe në orën 17:00, do të mbahet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker”, në Shtëpinë e Kulturës./Kosovapress

Bylykbashi: Asambleja e EPP miratoi amendamentin e PD: Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, detyrim për Shqipërinë!

Nënkryetari i PD, deputeti Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Jorida Tabaku dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ndodhen në Parlamentin Evropian në Bruksel, si pjesë e një aktiviteti dy ditor të organizuar nga EPP dhe ECR.

Bylykbashi shkruan në një postim në rrjetet sociale se, Asambleja Politike e EPP e miratoi me unanimitet amendamentin e PD-së.

Gjatë takimeve me kryetarin e Partive Popullore Manfred Weber dhe deputetë të partive popullore grupi më i madh në Parlamentin Europian, deputetët e PD dhe Mediu i kanë shpjeguar situatën në Shqipëri dhe sipas tij pamundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në takim është diskutuar se, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe vend i cili kërkon të bëhet anëtar i BE.

Postimi i Bylykbashit:

Në Asamblenë Politike të EPP, paraqitëm amendamentin e PD-së në rezolutën e EPP për Mbrojtjen e Demokracisë dhe Forcimin e Qëndrueshmërisë Zgjedhore në Europë.

Amendamenti thekson se keqinformimi dhe propaganda nga vende si Rusia, Kina apo Irani që synojnë minimin e sistemeve demokratike, përforcohen në vendet që synojnë antarësimin në BE nga mungesa e zgjedhjeve demokratike, një shtet i së drejtës i dobët dhe përqendrimi pushtetit në një dorë në dëm të ndarjes së pushtetit.

Gjithashtu amendamenti thekson se korrupsioni i përhapur dhe lidhjet me krimin e organizuar i sigurojnë këtyre aktorëve malinjë korridore të fshehta për të penetruar në institucionet demokratike përmes të zyrtarëve të zgjedhur apo të emëruar, duke përçuar qëndrime që minojnë demokracinë.

Asambleja Politike e EPP e miratoi me unanimitet amendamentin e PD-së

Rezoluta e nëntorit 2024 për Shqipërinë thekson pikërisht mungesën e zgjedhjeve demokratike, kapjen e shtetit nga Kryeministri dhe korrupsionin endemik sidhe lidhjen e elitës së partisë në pushtet me krimin e organizuar. Shqipëria është shembull i rreziqeve që një demokraci e dobët antare e NATO-s dhe kandidate për antare të BE-së, ku krimi dhe korrupsini janë shtruar këmbëkryq, i sjell BE-së dhe NATO-s.

Më 11 maj 2025 është radha jonë, e opozitës bashkë me shqiptarët, të bëjmë ndryshimin. sn

Protestë simbolike nga shqiptarët në Preshevë kundër diskriminimit serb

Shqiptarët në Luginë të Preshevës kanë zhvilluar një aksion simbolik të martën para stacionit policor në Bujanoc dhe para Gjykatës Themelore.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka njoftuar se aksioni u zhvillua kundër diskriminimit të shqiptarëve, që sipas tij, një shqiptar u dënua me gjobë për një koment në Facebook, e një zyrtare policore serbe s’u dënua “pasi na quajti minj”.

“Shqiptarët i shihni me lupë ndërsa për serbët i mbyllni sytë! Sot realizuam aksione simbolike para stacionit policor në Bujanoc dhe para Gjykatës Themelore në Bujanoc. Për një koment në Facebook një shqiptar nga Bujanoci u dënua me qindra mijëra dinarë dhe me një muaj paraburgim, ndërsa ky standard nuk vlejti kur një serb kërkoj zola për ta bombarduar ndërtesën e KKSH. Shqiptari u dënua me pretekstin e Intolerancës kombëtare, ndërsa ky standard nuk vlejti për zyrtaren policore  nga Medvegja e cila na quajti minj. Prandaj, Alo Policia, Alo Prokuroria ishte thirrja jonë sot!”, ka shkruar Lutfiu.

Shqiptarët në Luginë të Preshevës i kanë zhvilluar disa protesta kundër diskriminimit që autoritetet serbe po ua bëjnë atyre. sn

Image

Ukrainasit pajisin dronët me pushkë për të rrëzuar dronët e rusëve – pamjet bëhen virale

Ukrainasit kanë pajisur dronët e tyre me pushkë, me qëllim që të mund të rrëzojnë dronët rusë.

Një video e filmuar nga droni, shfaq momentin kur një fluturake pa pilot e ukrainasve qellon mbi dronët rusë, kurse pamjet janë bërë virale.

Ky moment është filmuar në afërsi të Snkivka dhe Petropavlivka të rajonit Kharkiv, ku shihet droni ukrainas duke rrëzuar tre dronë rusë të tipit Mavics, dhe që më pas shtie me ushtarët rusë që u hedhë gjithashtu edhe granata dore.

Kjo metodë është dëshmuar si tejet efikase në rrëzimin e dronëve rusë që kishin vazhdimisht në shënjestër ushtarët ukrainas.

Me këtë kreativitet ukrainasit edhe një herë po e dëshmojnë se nuk e kanë ndërmend t’i dorëzohen ushtarëve të Vladimir Putinit, të cilët çdo ditë e më shumë po regjistrojnë humbje të mëdha në fushëbetejë.  sn

Pistorius: Aleatët e mëdhej europianë do të zbatojnë me shpejtësi objektivat e reja të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius duke folur gjatë një konference për shtypin pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes të pesë vendeve të NATO-s për të diskutuar koordinimin e planeve të mbrojtjes dhe mbështetjen për Ukrainën. Helenow, Poloni, 13 janar 2025.

 

VOA

Gjermania, Polonia, Britania, Franca dhe Italia do të zbatojnë sa më shpejt që të jetë e mundur objektivat e reja të NATO-s lidhur me armët dhe numrin e trupave, për të cilat Aleanca pritet të bjerë dakord, u zotua të hënën ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius.

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer , i tha më herët agjencisë së lajmeve Reuters NATO synon të marrë një vendim mbi objektivat e reja për armët dhe numrin e trupave këtë verë.

Aleanca ushtarake dhe politike perëndimore ka qenë nën trysni jo vetëm pas sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në vitin 2022, por edhe së brendshmi, mes thirrjeve të Presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të rritur nivelin e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për objektivat e aftësive të reja disa javë përpara se udhëheqësit e tyre të takohen në Hagë më 24-26 qershor, tha për Reuters admirali holandez Rob Bauer.

Në takimin e nivelit të lartë në Hagë do të diskutohet gjithashtu për rritjen e objektivit ekzistues të shpenzimeve ushtarake të NATO-s prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në 3 për qind, I paraqitur nga disa ekspertë si një objektiv i ri i mundshëm. Zoti Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, kohët e fundit kërkoi një objektiv të ri shpenzimesh të mbrojtjes në nivel prej 5 për qind.

Duke folur pas një takimi me 4 homologët e tij në qytezën polake Nowa Wies, zoti Pistorius mirëpriti vendimin e NATO-s për të arritur një marrëveshje për objektivat e reja të aftësive të Aleancës në qershor, dhe jo në tetor, sikurse ishte parashkuar, një lëvizje që siç tha ai ishte nxitur nga Gjermania. “Në këtë mënyrë fitojmë kohë dhe ne mund të fillojmë shumë më herët zbatimin e objektivit,” u tha zoti Pistorius gazetarëve.

Në të njëjtën kohë, ai hodhi poshtë përpjekjet e zotit Trump që vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke argumentuar se kjo do të ishte e barabartë me më shumë se 40 për qind të buxhetit total të Gjermanisë.

“Pyetja thelbësore për mua është: Sa shpejt arrijmë ne … çdo aleat, të përmbushim objektivat e reja të NATO-s? … Sa shpejt jemi plotësisht në gjendje të mbrohemi kur është e nevojshme?” tha zoti Pistorius.

Ministri i Mbrojtjes së Francës, Sebastien Lecornu, tha se buxhetet ushtarake do të vazhdojnë të rriten, por nuk dha një shifër për një objektiv të ri të NATO-s. “Gjendja është më e keqe se sa gjatë Luftës së Ftohtë… Ne mund të mposhtemi pa u pushtuar”, tha ai, duke iu referuar sulmeve kibernetike.

Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se në takimin e ardhshëm të Grupit të Pesë Vendeve në Paris do të diskutohet mbi financimin e Aleancës dhe zhvillimin e industrisë së armëve në Evropë.


Send this to a friend