Mora vesh me shumë keqardhje e dëshpërim se, para një jave, ministrja e Shëndetësisë e Shqipërisë, në kuadrin e riorganizimit shëndetësor, po e mbyll shërbimin spitalor të Hasit.
Në një vendim të kësaj ministreje, një ndër 11 spitalet që do të shndërrohen në spitale ditore është edhe spitali i Krumës, qendrës së rrethit të Hasit.
Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu e ka përfshirë spitalin e Krumës padrejtësisht në listë me spitalet e tjera që kalojnë në spitale ditore, ku nuk ka specialistë, nuk ka shfrytëzim të shtretërve, ku merren vetëm shërbime të kufizuara ambulante dhe nuk kryhen shërbime kuruese për të sëmurët. Spitali i Krumës, ndryshe nga spitalet e tjera që përfshihen në vendimin e ministres, ka mjekë specialistë dhe ka disa reparte shërbimesh mjekësore si pediatri, gjinekologji, pneumologji, radiologji. Me vendimin e ministres, në këtë spital shkrihen reparti i patologjisë dhe ai i pediatrisë.
Aktualisht në spitalin e Krumës marrin përkujdesje rreth 500 të sëmurë kronikë me sëmundje progresionale dhe të sëmurë post covid. Familjet e tyre do të jenë të shtrënguara tashmë të zhvendosen nga fshatrat ku jetojnë, për ta pasur sa më pranë shërbimin mjekësor të domosdoshëm.
Personeli shëndetësor i këtij spitali i ka përballuar vështirësitë dhe sakrificat gjatë këtyre dekadave të tranzicionit vetëm që t’iu ndodhet sa më pranë dhe t’iu shërbejë sa më mirë qytetarëve të rrethit të tyre. Ai është bërë një ndër faktorët e pakët frenues të shpopullimit të mëtejshëm të zonës.
Bashkia e Hasit është në Republikën e Shqipërisë njëra ndër dy bashkitë që drejtohen nga Partia Demokratike. Kështu që vendimi i Ministres së Shëndetësisë është një revansh primitiv politik kundër popullit të Hasit që ka votuar me shumicë kundër Partisë Socaliste në pushtet. Dihet se mjekësia i bindet vetëm urdhërit të Hipokratit, për ta luftuar sëmundjen tek çdo pacient, kushdo qoftë ai, pa asnjë dallim.
Spitali i Krumës me shërbimet e tij ka mbuluar gjatë këtyre dekadave të tranzicionit edhe zonat e Bytyçit dhe të Berishës (në rrethin e Tropojës), të cilat janë në një rreze deri 30 kilometra larg Krumës, pra e kanë më afër se Bajram Currin.
Dihet se mungesa e shërbimeve shëndetësore dhe largësia e tyre nga qendrat e banimeve është një ndër shkaqet që ka ndikuar në shpopullimin e fshatrave dhe të qytezave në Shqipëri në 34 vitet e fundit, sidomos në 11 vitet e fundit.
Zona verilindore e Republikës së Shqipërisë është ndër më të varfërat dhe të prapambeturat ekonomikisht në këtë vend, por edhe në Ballkanin Perëndimor. Hendeku i trashëguar nga diktatura është thelluar shumë pas rënies së diktaturës, sidomos pas ardhjes në pushtet të Rilindjes Socialiste.
Vendimi i ministres së Shëndetësisë kundër spitalit të Krumës është një vendim kundër popullit demokrat të Hasit, çka e dëshmon edhe një herë se shpopullimi agresiv i Republikës së Shqipërisë, sidomos veriut të vendit, është një strategji e mirëfilltë e regjimit të Rilindjes Socialiste.