Nuk ndodh shpesh që të jesh pranë ngjarjesh dramatike të njerëzve të shquar, aq më tepër edhe i përfshirë prej tyre! Personalisht më ka qëlluar të jem pjesë e historisë së dramave që kanë patur dy banesat e gjeniut të letrave shqipe Kadaresë, njëra në Gjirokastër dhe tjetra në Tirane!
Kështu në vitin 1998, kur isha Kryetar Bashkie banesa e tij në Gjirokastër u shkrumbua nga flakët duke tronditur gjithë botën gjirokastrite! Ndërsa vite më vonë, kur kryeja funksionin e Këshilltarit të Kryeministrit, si për dreq para pallatit të tij në Tiranë një tjetër ndërtim fare pranë dritares së tij do ti bllokonte pamjen shkrimtarit të njohur!
Me Ismailin kontaktin e parë e kam patur në netët e makthit kur Gjirokastra po shkrumbohej nga flakët e rrokopujës së vitit 1997. Bie zile e telefonit dhe nga ana tjetër dëgjoj zërin Kadaresë: Përshëndetje Ylli , jam Ismaili, më thuaj çfare po ndodh në Gjirokastër, Jam shumë i shqetësuar. Pasi i dhashë shpjegime ai më kërkoi; Më thuaj çfarë mund të bëj për qytetin tim?
Sjellja e tij njerëzore dhe gjesti i tij më prekën jashtëzakonisht! Në mendje kisha disa projekte ku ndihma e tij ishte e domosdoshme. Kisha filluar përpjekjet me UNESKON dhe po punoja për rikthimin e Festivalit Folklorik… Por në botë nuk mendoja që projektin e parë së bashku me Kadarenë do ta fillonim pikërisht me ringritjen kulturore të banesës së tij!
Djegja e shtëpisë vite më parë e kishte goditur në shpirt, por nuk e përkuli! Dhe për më tepër ishin shkrumbuar nëpër të dhe disa valixhe kujtimesh me antikuare e sende të fëminisë me vlere të pallogaritshme shpirtërore. Kjo e kishte lënduar pa masë…!
Por jo vetëm ai, ashtu kishte shtangur gjithë qyteti. Dukej se një dorë e padukshme po rrëmbente një kurorë të lavdisë së tij. Pavarësisht se shkak ishte thjesht një pakujdesi. Një fond emergjence nga qeveria Meta ishte ndërprerë me po atë shpejtësi që u akordua.nga Kryeministri Majko që që e pasoi…
Kontaktova me Ismailin. i tregova maketin e posa përfunduar. Një maket shumë i bukur i projektuar nga arkitekti monumenteve Latif Lazimi. Projekt i cili do të pasohej me një tjetër më të plotë dhe gjithëpërfshirës të arkitektit gjirokastrit Agron Doraci.
Në bisedë me Ismailin i shpreha idenë dhe vullnetin tim dhe bashkisë për ta ringritur banesën! E vetmja kërkesë ishte që pronarët Kadare tja falnin bashkisë dhe të jepnin lejen për të operuar në pronënë e tyre. Ndërkohë bashkia kishte marrë vendim të ndërtonte aty Bujtinën Etnografike dhe Letrare Gjirokastrite. Një qendër multidimensionale kulturore e letrare që do të shërbente në të ardhmen si një atraksion per turistët dhe miqtë e shumtë të qytetit. I pelqeu shumë kjo ide, dhe deklaroi në emër të familjes Kadare, se pas këtij gjesti bashkiak banesa do të falej qytetit për këtë destinacion që i shërbente të gjithëve.
Tani pas kaq vitesh, kur kjo ëndër ka përfunduar ndjehem i lumtur që bëmë të mundur të bënim dicka për qytetin dhe për atë që i fali Botën Gjirokastrës sonë…
Rri mendoj shpesh në këtë epilog peripecitë dhe vështirësitë që kemi kaluar të gjithë bashkë për ta realizuar… dhe përsëris shprehjen, “ E mundëm Lekë Dukagjinin, por sytë çna panë!
Përmasat e Kadaresë tërheqin shumë miq, ithtarë e dashamirës, por zgjojnë shpesh edhe mosdakortësinë e një pjese me këndvështrim të ndryshëm filozofik dhe sidomos ithtarëve të diktatorit. Kështu rindërtimi banesës u shndrua në një makth më vete. Filloi në 2006 për të përfunduar pas 10 vjetësh. … Një kalvar i vërtetë që sipas miteve ballkanike nuk mund të ndodhte ndryshe.
Vite me rradhë, me debate, me ndërtime, prishje, gjyqe pa fund, kujtime, pleksje personazhezh të veprës së tij me ato të kohës së sotme, ndërthurje interesash meskine, shpronësime, VKM, pretendimet e fqinjëve, fallsifikatorë, dashuri e urrejtje nga politika. Perplasje opinionesh dhe përkrahësish. Betejë me pasuesit e diktatorit në emërtimin e rrugës para sokakut që të çon në banesë. Ta quajmë Kadare apo Enver Hoxha…!!
Në fakt i kishim llogaritur të gjitha, madje edhe se do të vinte një ditë që me këtë ndërtim do të lëvdoheshin ata që ndofta e kishin penguar!
Në fund ja ku jemi. Tashmë shtëpia është ringritur. E hijshme dhe nga më të bukurat. Pikërisht në lartësinë e një ansambli multifunksional të etnokulturës gjirokastrite.
Suksesi sot është i prekshëm. Dhjetramijë turistë në vit po e vizitojnë dhe shkëmbejnë prej aty mesazhe kulturore në gjithë kontinente!
Në këtë sukses vlen të vlerësohet vizioni, qytetaria dhe disponimi i ishkryeministrit Berisha për të gjitha fondet e akorduara dhe shpronësimet e nevojshme pa të cilat do të ishte i pamundur realizimi i veprës. Nuk ishin pak, por rreth 500 mijë dollarë… Në fazën e parë qeveria e tij akordoi dy apartamente për ta liruar nga qiramarrësit Qiqi dhe Ura, dhe pas 2005 akordoi dhe 6,4 milion lekë për ta liruar nga bashkëpronari tjetër Familja Vasho, si dhe finalizuar me 360 mije $ të ofruara me shumë dashamirësi për rindërtimin e Shtëpisë.
Asnjëherë protogonizmi i disa personazheve pa lidhje me banesën Kadare nuk na ka shqetësuar! Ne që dikur mbartëm idenë dhe peshën e ringritjes së saj, jemi thjesht të lehtësuar nga një obligim që kishim para kulturës shqiptare, qytetarëve dhe Kadaresë!
Në fakt ndjehesha mirë e i sigurtë edhe se Kryeministri Berisha ishte iniciuesi dhe në një akord shpirtëror dhe kulturor me idenë e vlerësimit të gjeniut gjirokastrit.
Jam ndodhur shpesh midis atij dhe Kadaresë në ndarjen e opinioneve, akordeve dhe këndvështrimeve disi të ndryshme.
Kështu ndodhi edhe me problemin e banesës në Tirane të familjes Kadare!
Z. Ismail i kishte shkruar me shqetësim Kryeministrit dhe i kërkonte të ndalonte një ndërtim shumë pranë pallatit të tij, të cilin e konsideronte të paligjshëm dhe për më tepër i pengonte sfondin piktoresk para tij.
E kisha ndjekur situatën dhe përpjekjet e Z. Berisha për ta ndalur këtë përplasje! Kryeministri pasi e studjoi letrën më tha ta takoja dhe ti përcillja në mënyrë të përmbledhur se:
Së pari se ai ka konsumuar cdo kompetencë dhe detyrim ligjor duke bllokuar ndërtimin në fjalë për shumë vite edhe pse Kongresi Autoriteteve Lokale të KE e pengonte të ndërhynte në vendimet e qeverisë lokale;
Së dyti meqënëse dhënia e lejeve të ndërtimit ka qenë kompetencë e qeverisë vendore , ai i ka kërkuar disa herë me shkrim Bashkisë së Tiranës për të anuluar dhe bllokuar ndërtimin;
Së treti, vendimin final për vazhdimin e ndërtimit e ka marrë Gjykata Ndërkombëtare Strasburgut! Në bazë të këtij vendimi qeveria shqiptare dënohej me 13 milion euro nëse nuk do te lejonte pronarët e tokës të zhvillonin pronën e tyre.
Së katërti në pamundësi reale për të shkelur vendimet e Gjykatës së Strasburgut qeveria është e gatshme të ofrojë zgjidhje alternative në përshtatje me pëlqimin e familjes Kadare.
Nga ana ime i shtova Ismailit bindjen se Berisha kishte dëshmuar me prova edhe më parë gjithë përgjegjshmërinë institucionale dhe dashamirësinë intelektuale ndaj veprës dhe mbarëvajtjes së familjes Kadare… Vite me pare me nje VKM, Berisha i kishte falur ne emer te shtetit shqiptar 4000 mije m2 truall per ndërtimin e banesës verore në plazhin e Golemit, si një obligim para një personaliteti të kulturës dhe identitetit kombëtar, nje gjeniu letrar por edhe të një intelektuali me vision të njëjtë për të ardhmen evropiane!
Së fundi, edhe kur e kam takuar më vonë Ismailin i kam shprehur një merak, i cili lidhet me Kryeministrin aktual, dhe që nuk kam arritur ta shtjelloj asnjëherë! Si ka mundësi të inaguroje me festë banesen Kadare ne Gjirokaster dhe mos thote nje falenderim per kontribuesit realë edhe pse ky i fundit eshte kundershtari tij politik, dhe së dyti si mund të vazhdojë të lëshojë ende lotë mediatik ai, i cili ishte autori i vërtetë i lejimit dhe mosbllokimit të pallatit që shqetësoi me të drejtë familjen e nderuar Kadare!!
Ti japim Cezarit atë që i përket Cezarit!
Kështu nuk do të ishte e drejtë që unë të mos përmendja në këto rreshta kontributin e ministrave Bashkim Fino, Bujar Leskaj, Ylli Pango, Aldo Bumci, Visar Zhiti, Drejtorit rajonal Spartak Drasa, Prof. Apolon Baces, Arkitekt Latif Lazimi të Institutit të Monumenteve të Kulturës, teknikut Mufit Kurti. Do të vlerësoja në vecanti disponimin e stafeve dhe drejtuesve në vite të Bashkisë Gjirokastër për finalizim dhe këndvështrimin perspektiv.
Do te kujtoja me shume nderim edhe fushaten e furishme mediatike te gazetareve te shquar gjirokastrite Ilir Babaramo, Aleksander Cipa, Ilir Lluri, Engjellush Serjani, Rajmond Kola, Hysni Cani, Telnis Skuqi etj!
Dhe në vecanti pasionin, talentin, këmbënguljen dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të projektuesit Ark. Agron Doraci i cili me këtë vepër ndërtoi edhe historinë e suksesit të tij më të madh!