Nuri Seferi nuk ka rritur të bëjë të tijin gjerdanin e titullit Europian WBO të peshës kruizer, pasi është mundur me pikë nga boksieri me origjine turke, Firat Arslan, i cili shkaktoi shqiptarit humbjen e tij të 8 në karrierë.
Raundet e para të duelit ishin shumë të balancuar, me Seferin dhe Arslan që shkëmbenin grushte me njëri-tjetrin. Pas raundit të katërt, Seferi vendosi t’i bënte presion psikologjik kundërshtarit, duke qëndruar i hapur, ndërsa kundërshtari e godiste.
Raundi i pestë dhe i gjashtë ishin të gjithë për boksierin shqiptar, i cili u hodh në sulm të furishëm duke kërkuar të hidhte poshtë kundërshtarin e tij me një breshëri grushtesh, ndërsa e vuri disa herë në vështirësi 45 vjeçarin. Arslan u përpoq të kundërpërgjigjej në të 7-in, ndërsa Seferi administroi forcat për të tentuar sulmin e fundit ndërsa i afrohej mbylljes së këtij dueli prej 12 raundesh.
Megjithatë, Arslan filloi të mbrohej mirë duke kundërsulmuar rrezikshëm dhe filloi të impononte ritmin e tij në raundin e 9 të duelit. Seferi tentoi të ndryshonte fatin e ndeshjes, duke kuptuar se nuk kishte një avantazh ndaj rivalit. Por pavarësisht sulmeve të pareshtura në dy raundet e fundit, nuk arriti ta shtrinte në tokë Arslan.
Ndaj për të përcaktuar fituesin e këtij dueli u desh të pritej vendimi i gjyqtarëve, ku me vendim unanim, Firat Arslan u shpall kampion Europe i WBO në peshën kruizer.
Ndërkaq, vëllai i tij i vogël, Sefer Seferi është mundur në duelin e tij për titullin Ndërkontinental WBA të peshave të rënda përballë gjermanit Manuel Sharr, në duelin e zhvilluar po në Gëpingen të Gjermanisë. Për 37-vjeçarin shqiptar kjo ishte humbja e parë e karrierës si profesionist, ku deri tani kishte siguruar 21 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.
Seferi e nisi takimin në sulm, duke kërkuar që të kompensonte mangësitë fizike në krahasim me Sharr, i cili ishte më shtatlartë dhe kontrollonte më mirë situatën në ring. Por ky vrull zgjati vetëm në katër raundet e para, pasi boksieri shqiptar pak nga pak uli ritmin e tij, i gjetur disa herë në furinë e grushteve të kundërshtarit të tij.
Pas raundit të 8, diferenca mes dy boksierëve u bë shumë e dukshme, aq sa në raundet e fundit, Seferi mendoi vetëm të mbyllte ndeshje pa KO teknik. Boksieri shqiptar përfundoi në tapet në raundin e parafundit, por gjithsesi arriti të rezistonte deri në mbylljen sfidës, të cilën gjithsesi e humbi me pikë me vendim unanim, ndërsa Sarr bënte shqiponjën me dy duar për të respektuar tifozët e shumtë shqiptarë që ndoqën këtë duel në sallë.
Komentet