Nëna i tha Hansit:
– Nga po shkon, o bir?
Hansi u përgjigj:
– Jam nisur për te Greta.
– Mirë, por mos harro të sillesh urtë me atë, Hans!
– Oh, po. Do të sillem siç më thua ti. Mirupafshim, nënë!
– Mirupafshim , bir!
Hansi vajti te Greta.
– Mirëdita! – e përshëndeti.
– Mirëdita, Hans! Ç’gjë të mirë më ke prurë?
– Asgjë. Erdha vetëm që të më japësh ti ndonjë send.
Greta i dha një gjilpërë.
Hansi e mori gjilpërën dhe e futi në kashtën e ngarkuar në karrocë dhe u kthye në shtëpi.
– Mirëmbrëma, nënë!
– Mirëmbrëma, bir! Ku ishe deri tani?
– Te Greta isha.
– Çfarë i çove asaj?
– Asgjë.
– Po ajo çfarë të dha?
– Një gjilpërë.
– Ku e ke gjilpërën?
– E kam futur në kashtë.
– Ke bërë marrëzi, Hans! Duhej ta kishe mbërthyer në mëngë.
– Nuk më shkoi ndër mend. Herën tjetër do të bëj siç më thua ti.
– Nga po vete, bir?
– Te shtëpia e Gretës, nënë.
– Sillu urtë atje, Hans!
– Po, do të sillem urtë. Mirupafshim!
Hansi vajti te Greta.
– Mirëdita! – i tha.
– Mirëdita, Hans! Ç’më ke sjellë?
– Asgjë. Ti ç’do të më japësh?
Ajo i dha një thikë.
Ai e mori thikën dhe e mbërtheu në mëngë.
Sa u kthye në shtëpi, përshëndeti nënën:
– Mirëmbrëma, nënë!
– Mirëmbrëma, bir! Ku ishe gjer tani?
– Me Gretën.
– Çfarë i fale asaj?
– Asgjë. Ajo më dha një thikë.
– Ku e ke, Hans?
– E kam mbërthyer në mëngë.
– Ke bërë prapë marrëzi! Duhej ta kishe vënë në xhep.
– Mirë, herën tjetër do të bëj siç po më thua.
– Nga po shkon tani, o bir?
– Te Greta, nënë. Mirupafshim!
– Mirupafshim, bir, dhe sillu me mend!
– Po, po.
Hansi mbërriti te Greta.
– Mirëdita! – i tha.
– Mirëdita, Hans! Hë, më ke sjellë ndonjë gjë?
– Jo. Ti çfarë do të më dhurosh?
– Merre këtë kec dhe mirupafshim, Hans!
– Mirupafshim, Greta!
Hansi e mori kecin, ia lidhi këmbët dhe e rrasi në xhep. Kur arriti në shtëpi, keci kishte ngordhur.
– Mirëmbrëma, nënë!
– Mirëmbrëma, bir!
– Ku ishe gjer tani?
– Te Greta.
– Çfarë i çove?
– Kurgjë. Ajo më dha një kec.
– Ku e ke kecin?
– Në xhep.
– Ke bërë sërish marrëzi. Duhej ta sillje të lidhur me litar rreth qafës.
– S’më ra ndër mend. Herën tjetër do të bëj siç më thua.
– Nga po shkon, o bir?
– Për te Greta, nënë.
– Sillu me mend, Hans!
– Po, nënë. Mirupafshim!
– Mirupafshim, bir!
Hansi shkoi te Greta.
– Mirëdita! – i tha.
– Mirëdita, Hans! Ç’gjë të mirë më ke prurë?
– Asgjë. Ti ç’do të më japësh?
Greta i dha një copë proshutë derri.
– Mirupafshim, Hans!
– Mirupafshim, Greta!
Hansi e lidhi proshutën me litar dhe e tërhoqi zvarrë. Udhës iu sulën qentë dhe ia përlanë. Hansi mbërriti në shtëpi vetëm me litarin në dorë.
– Nga po vjen, biri im?
– Nga Greta, nënë.
– Ç’dhuratë i dhe?
– Asgjë. Ajo më dha një copë proshutë derri.
– Pa ta shoh proshutën, Hans!
– E lidha me litar dhe e tërhoqa zvarrë, por ma rrëmbyen qentë udhës.
– Shiko, shiko, prapë me marrëzira ti!? Duhej ta mbartje mbi shpinë.
– S’ma preu mendja. S’e bej më tjetër herë.
– Ku po shkon, Hans?
– Te Greta.
– Sillu mirë me të!
– Po, nënë.
– Mirupafshim, bir!
– Mirupafshim, nënë!
Me të mbërritur Hansi, i tha Gretës:
– Mirëdita!
– Mirëdita, Hans! – ia ktheu ajo. – Ç’më ke sjellë?
– Asgjë. Ti çfarë do të më japësh?
Greta i dha një viç. Mirupafshim, Hans!
– Mirupafshim, Greta!
Hansi e hodhi viçin mbi shpinë! Udhës deri në shtëpi viçi e goditi disa herë me shkelma.
– Mirëmbrëma, nënë!
– Mirëmbrëma, bir! Ku ishe deri tani?
– Te Greta.
– Ç’i dhe asaj?
– Asgjë. Ajo më fali një viç.
– Ku është viçi, Hans?
– E mbarta mbi shpinë siç më the ti, por ai më shembi me shkelma dhe u zhduk.
– O, ç’marrëzi! Ti duhej ta tërhiqje me ndonjë rrip pas vetes dhe ta mbyllje në stallë.
– S’më vajti ndër mend. Herën tjetër do të bëj ashtu.
– Nga po shkon, Hans?
– Te Greta.
– Sillu siç duhet me Gretën dëgjon?
– Po, po, nënë!
Arriti Hansi te Greta e i tha:
– Mirëdita!
– Mirëdita, Hans! Ç’më ke sjellë?
– Asgjë. Ti ç’do të më japësh?
– Këtë herë do të vij me ty.
Hansi e lidhi Gretën me një rrip rreth qafës, e tërhoqi pas vetes drejt shtëpisë, i hodhi bar për të ngrënë te një stallë, e mbylli atje dhe shkoi te nëna e i tha:
– Mirëmbrëma, nënë!
– Mirëmbrëma, bir! Nga ishe deri tani?
– Te Greta.
– Çfarë i dhe?
– Asgjë.
– Po ajo?
– Kërkoi të vinte me mua. Unë e lidha me rrip rreth qafës dhe e prura gjer këtu.
– O, ç’paske bërë! Ku është Greta tani?
– E kam mbyllur në stallë.
– Popo, çfarë marrëzie! Ti atë duhej ta trajtoje me dashamirësi! Shko shpejt nxirre jashtë dhe sille këtu!
Hansi vrapoi, hapi stallën e iu afrua Gretës, por ajo ishte fort e zemëruar. U shkëput nga litari, vrapoi për në shtëpinë e saj dhe s’u bë kurrë nuse e Hansit.