Na ishte një plak shumë i moshuar. Me sytë e dobësuar shikonte turbull. Veshët thuajse e kishin lënë. Gjunjët mezi e mbanin në këmbë. Kur ulej e hante drekën, apo darkën, lugën e kapte me vështirësi, ndërsa supën e derdhte shpesh mbi mbulesën e tryezës. I biri me nusen u mërzitën nga plaku, e larguan nga tryeza e përbashkët. I gjetën një vend në qoshe, prapa stufës. Ushqimin që tashmë ia jepnin në poçe balte, ia pakësuan. Njëherë, meqë i dridheshin duart, plakut i ra poçja përtokë e iu thye. Nusja e të birit u zemërua fort dhe e shau plakun rëndë. Por ai s’i ktheu asnjë fjalë dhe as psherëtiu. Atëherë i blenë një tas druri.
Një ditë, kur djali me nusen po rrinin jashtë, vunë re birin e tyre të vogël, katër vjeç, tek mblidhte copëra dërrasash nëpër tokë.
– Ç’i do ato dërrasa, zemra ime? – e pyeti i ati.
– Dua të bëj një koritë të vogël, që kur të plakeni ti e mami, t’jua hedh te kjo ushqimin! – iu përgjigj djali i vogël.
I ati dhe e ëma e djalit e vështruan njëri – tjetrin në sy dhe, pas pak, u përlotën të penduar. Që prej asaj dite, e morën gjyshin e nipit të hante bashkë me ta në tryezë. Dhe nuk ndiheshin më, nëse gjatë drekës, apo darkës, ai e derdhte supën, ose kur padashur i ndodhte diçka tjetër.