Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
“Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se: kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë.
Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë, ne e pyetëm se si ishte puna? Babai, na mblodhi dhe na tha: ‘Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëherë do më ketë mbirë bari në sy! Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh, automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.
Kështu thuhet në mes të tjerash në një dokument tepër sekret të Sigurimit të Shtetit që mban datën 3 mars të vitit 1987, ku është e zbardhur e gjithë biseda e djalit të dytë të Kadri Hazbiut, Agronit, me një shokun e tij të punës në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, ku ndodheshin të dy të internuar dhe e gjitha ajo bisedë mes tyre, i është dërguar më pas Ramiz Alisë.
Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, (tashmë pjesë e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, përveç bisedave të bëra të Agron Hazbiut me shokun e tij (A.M.), i cili i’a ka deklaruar të gjitha dhe me detaje të hollësishme Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Mirditës, pjesë dosjes voluminoze, janë edhe shumë raporte e informacione sekrete me denoncime dhe përgjime ndaj familjes Hazbiu, të cilat fillojnë që në tetorin e vitit 1982, dhe mbarojnë në fillimin e vitit 1991.
Lufta e bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Enverit në udhëheqjen e lartë të partisë dhe shtetit të asaj kohe, veç të tjerash, bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që po publikojmë sot në pjesën e parë të këtij dossieri (që do zgjasë në dhjetë numra), ku Agron Hazbiu, apo siç është njohur ndryshe si Agron Dautaj, (ish-futbollisti i ekipit “Dinamo”, i’a ka pohuar shokët të tij të ngushtë, A.M., lidhur me fejesën e prishur ndërmjet, vëllait të tij, Petrit Hazbiu (i diplomuar si arkitekt) dhe të bijës së Enverit (po arkitekte), që në fillimin e viteve ’70-të, gjë e cila erdhi pas ndërhyrjes së Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.
Si për t’i “kompensuar” krushqinë e refuzuar në fillimin e viteve ’70-të, për besnikërinë që kishte treguar ndaj Partisë, menjëherë pas eliminimit të Mehmet Shehut, në fillimin e vitit 1982, Enver Hoxha, i ofroi Kadri Hazbiut, postin e kryeministrit, gjë të cilën, Hazbiu nuk e pranoi, duke sugjeruar se: “atë gjë mund ta bënte më mirë, shoku Adil Çarçani”.
Kjo është e njohur edhe nëpërmjet dokumenteve arkivore (proces-verbali i mbledhjes) të publikuara në shtyp pas viteve ’90-të, por nga burime brenda familjes Hoxha, bëhet e ditur se, pas asaj mbledhje, Ramiz Alia, i ka thënë Nexhmijes për Kadriun: “Ai, synon më lart…”! Duke i bërë të ditur asaj, se Hazbiu, synonte vendin e Enverit. Dhe pas kësaj, me nxitjen e Ramizit dhe Nexhmijes, Enveri menjëherë, filloi goditjen ndaj Hazbiut, deri sa e arrestoi pas disa muajsh.
Dhe vetëm 15 muaj më vonë, Agron Hazbiu, u gjet i vdekur në minierën e bakrit në Kurbnesh, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte bërë vetëvrasje, duke lidhur dinamit në trup. Por ishte vërtetë ajo një vetëvrasje, apo Sigurimi i Shtetit, kishte zbatuar porosinë e Ramiz Alisë, (të shkruar me dorën e tij: “…Të veprohet”), duke pasur frikë nga i biri i Kadri Hazbiut, i cili përveçse dikur në vitin 1982, kishte dashur të kapte automatikun, në mbrojtje të babait të tij, por edhe në internim, në një moment zemërimi, ishte shprehur edhe për hedhje dinamiti ndaj dikujt…!
Lidhur me këtë dhe të tjera, do njihemi nga një numër dokumentesh arkivore të nxjerrë nga dosja voluminoze në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut dhe familjes së tij, të cilat do publikohen nga Memorie.al.
Dokumenti sekret me deklaratën e të internuarit A.M. të dhënë pranë Degës së Brendshme të Rrëshenit, lidhur me bisedat e bëra me Agron Hazbiun dhe vëllain e tij, Petritin
D E K L A R A T Ë
Unë i nënshkruari A. M. i biri i N. dhe i B., lindur më 1963 në qytetin e Tiranës, dhe aktualisht me banim e me punë në qytetin e Kurbneshit të rrethit të Mirditës, me arsim 8 vjeçar, me profesion punëtor në minierën e bakrit Kurbnesh, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me origjinë shtresë e varfër fshatare dhe gjendje shoqërore punëtor, i paorganizuar, i pamartuar, i pa dënuar, aktualisht me masë internimi për pesë vjet kohë, paraqitem në organet e Punëve të Brendshme për të dëshmuar si më poshtë:
Në muajin prill të vitit 1986, kam ardhur familjarisht me masë internimi në qytetin e Kurbneshit, si në vendin e banimit, ashtu dhe në vendin e punës në minierë, jam njohur dhe me Agron Kadri Hazbiun. Me të, kam bërë fillimisht biseda, rreth punës dhe jetës personale. Në fund të muajit gusht 1986, unë kam qenë së bashku me Agronin, ulur në një stol në lulishten përballë pallatit dhe Agroni filloj të më tregojë për jetën e tij, duke më thënë: “…Unë kam shumë shokë dhe bënim shumë për njëri tjetrin. Kur ishim jashtë shtetit si futbollistë, bënim qejf, andej bëhej një jetë tjetër, jetë luksoze, unë më me qejf kisha pijen dhe në një rast kam vjedhur një arkë me pije, që unë mendoja se ishte wiski, por kur e provova nuk më pëlqeu, se ishte pije tjetër”. Me këtë rast, Agroni më nxori disa fotografi me pamje qytetesh dhe hotelesh, ku kanë qëndruar dhe fjetur, duke thënë:
“…Ja si është andej jashtë shtetit, haje mirë sa të doje, dhe sipas rastit, edhe nuk paguaje, atje liheshin lekët vetë pa pasur njeri. Në mapo, kur shiteshin sendet me vlerë, si orët, magnetofonat e të tjera send me vlerë, po të vidhje, në dalje kapeshe se kishte kamera që i fiksonin, por ne, unë dhe shokët futbollistë, vidhnim në dyqanet private dhe bënim një organizim të tillë, që sendet e vjedhura, i kalonim dorë më dorë.
Më të vështirë, e kishte ai që mbante sendin e vjedhur, që në më të shumtën e rasteve e mbaja unë dhe shokët që më mbronin, që edhe unë t’i mbroja ata kur të vinte koha, por se edhe se mua nuk më bënin gjë se, isha i biri i Kadri Hazbiut. Shokët më të ngushtë të mi, janë: Ilir Përnaska, Shyqëri Ballgjini, Vasillaq Zëri, Kuqi dhe veçanërisht, Muhedin Targaj, etj.
Në një rast kur ishim duke shkuar për një ndeshje, ndaluam në një hotel (shteti nuk më kujtohet), përballë dhomës sonë tha Agroni, ishin dy femra të huaja dhe meqenëse shoku imë, (emrin nuk ma tregoi) dinte italishte, u thirri dhe ato erdhën në dhomën tonë, ku pimë dhe bëmë qejf. Ato femrat na thanë se ju shqiptarët, jeni qejfli femrash dhe të zotë për marrëdhënieje seksuale, në këtë kohë na erdhi një shok duke na thënë se; jeni bërë problem, ju kërkon trajneri, ne i fshehëm femrat, dhe kur u ndamë, e lamë që të takoheshim prapë, por ne u larguam na ai vend”.
Në një rast tjetër, data nuk më kujtohet, në muajin tetor 1986, Agron Hazbiut i kishin ardhur drutë dhe më tha që ta ndihmoja. Kur unë shkova për ta ndihmuar, Agroni më tha që të shkoja pak dhe të merrja litarin tek një komshi që ishte i internuar, duke më porositur: “Të kesh kujdes se këtu në Kurbnesh nuk na kanë sjellë kot, por për të na zbërthyer, se ky popull është 10 spiunë dhe një i mirë.
Në fillim ne kemi qenë në një zonë tjetër dhe kemi pasur zonë më të gjerë veprimi, por me të ardhur ju dhe familje të tjera të internuara, rrethi u ngushtua. Edhe në pallatin e të internuarve, kanë vendosur disa njerëz të besuar të tyre dhe aparatura të futura në mure. Kështu në një rast kur ne hodhëm ujë në një mur të çarë, ku ne dyshonim se kishte aparate përgjimi, uji shkoi poshtë te një familje, ku ata erdhën të revoltuar, duke na thënë se kush ka hedhur ujë?! Prandaj ta them se të dua të mirën, mos flisni në shtëpi se aparatet bëjnë punën e tyre dhe muret kanë veshë”.
Më vonë në një rast tjetër, Agroni më tha se; tek ti kam besim se ti më ke pëlqyer si tip dhe prandaj të hapem”. Një ditë duke ndenjur ulur në një stol, Agroni më tha: “Aparatet e incizimit, duke ditur se vinim ne, i vendosën një natë para ose disa orë para”, duke parë një plak që rrinte afër nesh, tha: “Megjithëse është plak, veshët i ka pipëz”. Në vazhdim, Agroni, duke më folur për jetën jashtë shtetit, bënte krahasime me jetën tek ne, duke thënë: “…Jashtë shtetit kishte demokraci dhe në rrugë bëje dashuri, askush nuk bëhej kurioz se çfarë beje, kurse këtu tek ne, është e kundërta.
Këtu edhe të vrasin për çështje femrash. Sa herë grumbulloheshim, sidomos kur bënim ndeshje me skuadra të jashtme, na bënin trajtime dhe nuk na linin të dilnim, por unë kisha një dashnore të cilën e ngjisja me litar, ose zbrisja vetë poshtë, kjo më vonë vrau dashnorin që ka qenë sportist, si dhe vetën, tek bunkerët në fushën e aviacionit në Tiranë”.
Nuk më kujtohet, por ka qenë verë kur unë isha duke pushuar mbrapa kinemasë së bashkë me Agronin, na pa nga dritarja vëllai i tij, Petrit Kadri Hazbiu dhe më bëri përshtypje se, megjithëse ishte paradite dhe nuk kishte program televizori, Petriti e thirri Agronin dhe i tha: “Hajde se filloi”. Kjo për ta ndarë nga unë. Po kështu ka qenë verë kur unë dhe Agroni ishim duke ndenjur përballë stacionit të autobusit, unë e pyeta nëse kishte magnetofon dhe kur ai më tha se kam, unë i thashë; po pse nuk e hapni?!
Agroni më tha: “Ne mbajmë zi për babanë’ dhe duke qarë vazhdoi se – babait tim (Kadri Hazbiu), ja kanë futur kot, e kanë akuzuar me të padrejtë, sepse babai im, shkonte mirë me Themeluesin e Partisë, dhe udhëheqësi i tanishëm i Partisë dhe gruaja e Themeluesit të Partisë, e kishin inat dhe e akuzuan se ishte bashkëpunëtor i Mehmet Shehut, këtë e bënë që, të mos dilte në krye pas vdekjes së themeluesit të Partisë”.
“Vëllai im, Petriti, donte vajzën e Themeluesit të Partisë, por në një kohë kur Themeluesi i Partisë, nuk ishte mirë më shëndet, udhëheqësi i tanishëm i Partisë, nxiti gruan e Themeluesit të Partisë, që kjo fejesë të mos bëhej dhe kjo i tha babait tim se; kjo fejesë nuk mund të bëhej se, do flasë populli. Babai im, e thirri Petritin dhe i tha: Harroje këtë muhabet! Këtë gjë, udhëheqësi i Partisë e bëri, se po të bëhej kjo fejesë, do të forcohej miqësia dhe pas vdekjes, karrigen e Themeluesit të Partisë, do ta merrte babai im. Gruaja e Themeluesit të Partisë, për problemet e fëmijëve, nuk e pyeste themeluesin e Partisë”.
Në vazhdim, Agroni më tha se: “Kur u shkarkua babai im dhe me të vazhdonte hetuesia e lirë, në shtëpinë tonë ishim mbledhur të gjithë dhe ne e pyetëm se si ishte puna? Babai im, na mblodhi dhe na tha: “Unë kam punuar me ndershmëri, por kështu e shikon të arsyeshme Partia. E vërteta do dali një ditë në shesh, por mua atëhere do më ketë mbirë bari në sy”! Gjithashtu na tha se: “Ndaj jush do të merren masa, por ju kërkoni që të jeni bashkë, punoni mirë që edhe Partia të mendojë për ju.
Mua veçanërisht më tha se; ty Goni, ta kam frikën se je i nxituar, pastaj hoqi mënjanë Elenën (motrën e madhe) si më e madhe që ishte dhe bisedoi veçanërisht. Nga padrejtësitë që i bënin babait tim, mua më hipi gjaku në kokë dhe desha të merrja në bagazh automatikun dhe të mos lejoja ta merrnin babain, por babai më tha: Jo kështu Agron, se unë nuk vë pushkë kundër Themeluesit të Partisë”.
Më pas, Agroni vazhdoi duke thënë se; nga këto që ndodhën, edhe Zbulimi ynë jashtë, nuk punon më si ka punuar më parë, pasi nuk ka besim tek Partia”. Në muajin dhjetor, Agroni më tha se: “Kam pasur një shok në lagjen afër stacionit të trenit dhe shkoja shpesh andej, por aty u shkruan disa parulla dhe qysh atëherë nuk shkoja më”. Në muajin shkurt të këtij viti, data nuk më kujtohet, por ishte ora 15 e 30 që po dilja nga puna dhe Agroni që po hynte më tha:
“Kur të marrësh leje për në Tiranë, më njofto se do të jap një letër për nusen dhe shokët, me adresë: Shkolla “Sami Frashëri”, me mbiemër Tabaku, letrën që do ta jap për të fejuarën, do t’ja japësh shokëve dhe ata do t’ia japin asaj. (A.S.). Unë me Tabakët, kam pasur shoqëri, bile me njërin prej tyre, flasim me pseudonime, pse kemi lënë një muhabet përgjysmë, dhe ti, nuk do flasësh me emër, por me pseudonim dhe ai do të besojë”.
Agroni më tha pseudonimin (parullën) megjithëse nuk e mbaj mënd mirë, më kujtohet sikur tha: “Çakmaku”, por kjo nuk është e sigurt. “Unë para se të internohesha, – vazhdoi Agroni, – kasetat e magnetofonit, ato të këqijat me këngë të jashtme e të tjera ja dhashë nuses sime, A., dhe i thashë se; kur të vijnë shokët, t’ua japësh. Këtu në Kurbnesh, kam një shofer, ndërlidhës, Martin Lleshi, me targë makine 70-74, me të cilin lidhem me djalin e tezes”. Agroni më tha se; “Këtu në Kurbnesh, më ka ardhur tezja e cila pruri ilaçet e nënës, dhe për këtë gjë ndaj saj, u muarrën masa duke e shkarkuar nga përgjegjësia. Unë letrat i shkruaj në banjë, sepse nuk dua të bie në sy të njerëzve të shtëpisë”.
Siç thashë më lart, Agroni ka dashur të më japë një letër, por meqenëse i kishte ardhur djali i vogël i Lenës (Elena Hazbiut), i quajtur Arjan Medin Çollaku, më tha se; meqenëse ka ardhur Arjani dhe se ty të ndjekin, se je i internuar dhe leje nuk të japin, se është mbledhja e Kuvendit, letrën po ja jap Arjanit. Dhe mos prit leje tani.
Se këta sa herë që ka festa, spiunët i dërgojnë që të ruajnë udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit dhe nuk kanë aq shumë spiunë, të të ndjekim edhe ty”. Arjani më solli një top që ma kishte dërguar Mujo (Muhedin Targaj), dhe i kishte thënë Arjanit se; kur të prishet, të ma sjelli për ta ndërruar. Unë Arjanit në letrën që i dhashë, u thosha shokëve që, të më dërgojnë edhe një palë këpucë”.
Më datën 2.3.1987, kur m’u komunikua leja për në Tiranë, unë e takova Agronin dhe i thashë se do të nisesha me leje, ai nuk më dha ndonjë porosi dhe unë nuk i kërkova që të më jepte. Tjetër gjë nuk kam për të thënë, por theksoj se, një pjesë të muhabeteve që kam bërë me Agronin, ua kam thënë nënës dhe dy vëllezërve B dhe Sh. M., dhe ata më kanë thënë se këto muhabete, thuaja operativit të zonës.
Për sa thashë më sipër, janë të vërteta dhe i firmos për vërejtje. /Memorie.al/
Dt.3.3.1987 DEKLARUESI
A.M.
Punëtori Operativ
Nuri Manoku