Diktatori e pa veten
Në një sallë të bardhë… Mbështjellë
Me çarçafë të bardhë. Rrethuar
Nga njerëz me të bardha… Mbi kokë
Abazhurë të mëdhenj e të bardhë kullonin
Dritë të bardhë… Dhe vetveten e pa
Të bardhë si gips: ai pandehu njëherë
Se nuk ishte vetvetja, por busti i tij!…
Befas
Diktatori u shtang: muret e bardha
Të sallës së bardhë filluan
Të djersijnë gjak… Abazhurët e bardhë
U shndërruan në pika të stërmëdha gjaku
Dhe nisën të pikojnë
pik – pik – pik …
Mbi çarçafët, mbi jastëkët, mbi fytyrën
Dhe mbi sytë e tij të zgurdulluar rigonte
Gjak i kuq, i trashë, ngjitës… Ai u përpoq
Të mbyllte sytë: Nuk mundi!
Njerëzit me të bardha rrotull tij
U bënë të kuq, të kuq, të kuq
Në të kuqe të ndezur gjaku… Diktatori
Klithi i tmerruar: “Xhelatët!”
Me një kërcim pantere
Diktatori i përgjaku u hodh në kopsht
Dhe zuri të rendte… Po ku të rendte?!
Në kopsht s’kishte bar, por bajoneta
Të përgjakura… Pemët
Duke kulluar gjak po turreshin drejt tij
Me krahë të hapur, të gjatë, skeletikë… Lulet,
Drithërat, ullinjtë vrushkuj gjaku kullonin,
Drejt tij vraponin… Ai rendte
Si një Tantal i kthyer së prapthi
Të shpëtonte nga lulet, drithërat, ullinjtë
E përgjakur… Nga kopshti u hodh në rrugë.
Ato rrugë ishin dhe s’ishin:
Rrëké gjaku rridhnin… Ai ngecte si në llucë
Në gjakun e tyre… Binte, ngrihej, rendte.
Në llucë gjaku i zhyer… Plagët e qytetit të therur
(ai e kuptoi se ishte Madridi) gjak
Dhe njerëz me çekanë e me pushkë
Nxirrnin pa ndërprerje… Diktatori
Rendi në fushë: atje
Zogj të kuq, dema të kuq, kuaj të kuq
Fluturonin, vraponin, galoponin… Drejt tij
Sulmonin… Diktatori u turr
Drejt maleve: sierrat si gijotina të mprehta.
Përrenj gjaku kullonin… Qafës së tij
I afroheshin! Ai u kthye drejt detit
Të fshihej diku, të shpërlahej
Nga ajo llucë e tmershme… O çudi!
Deti po vërshonte drejt tij: një det i kuq
Me grushtat e fuqishëm të tallazeve
Drejt tij vërsulej…
Diktatori ra në gjunj,
Uluriti me tmerr “O zot, o zot!”… Nga qielli
Mbushur me re si sfungjerë të ngopur me gjak
Shi gjaku skurroi… Deti i gjaktë
I arrit në mes… në grykë… e mbuloi!
Gjaku rreth tij u ngri menjëherë: diktatori
I murosur në atë bllok gjaku të kuq
Humbi në humnerat e detit…
Rrotull tij: mjekët, gjeneralët, spiunët,
Të tmerruar nga frazat përçart
I prekën pulsin: Pulsi
Ishte shuar përjetë!… Në zemrën e tyre
Hyri si një shtizë e gjatë akulli
Të ftohtit e VDEKJES…