Vdiq Antonin Scalia, anëtari i Gjykatës së Lartë amerikane, i cili kishte shërbyer aty më gjatë se cilido nga anëtarët e tjerë.
Gjyqtari Scalia vdiq nga shkaqe natyrore në Cibolo Creek Ranch, një vendpushim i Teksasit.
Konservatori Scalia ishte 79 vjeç dhe ishte emëruar në gjykatën më të lartë të vendit nga Presidenti Ronald Regan në vitin 1986.
Kreu i Gjykatës, John Roberts, duke konfirmuar vdekjen e Scalias, e quajti atë një “individ të jashtëzakonshëm, një jurist, të admiruar dhe të çmuar nga kolegët e tij.”
Guvernatori i Teksasit, Gregg Abbott, i cili ishte i pari që njoftoi vdekjen e Scalias, e quajti atë “një mbrojtës të palëkundur të Kushtetutës së shkruar dhe të sundimit të ligjit, një shkëmb i cili sprapsi aq shumë përpjekje për devijime dhe shtrembërime të Kushtetutës.”
Gjykata e Lartë ka nëntë anëtarë. Do t’i takojë Presidentit për të propozuar gjyqtarin që do të zëvendësojë Scalian, i cili do të duhet të konfirmohet nga Senati. Por, edhe një gjykatë me tetë anëtarë mund të vendosë për çështje të ndryshme.
Komentet