DITET KANE EMRIN TEND
-mbesës sime-
.
Të gjitha ditët kanë emrin tënd:
Ket-lin, Ket-lin, Ket-lin…
Agim i kthjellët është kurmi yt
Që ditës i jep aq shumë besim…
.
Mbrëmjes hëna sulet pa u dukur
Çan errësirën e pa fund
Dhe vjen te shtrati yt i bukur
Endërrën tënde ta përkund…
.
Fërfërijnë erërat te dritarja
Nxitojnë ty të të përshëndesin,
Melodira si shkumë ujvarash
Luajnë me fyellin e hareshëm…
.
Zogjtë nga qiejt fluturojnë
Te xhamat shikojnë me guxim
Veç për ty me gas këndojnë
Oh, Ke-tlin, Ke-tlin, Ke-tlin!
.
Te koka e djepit ëngjëj mbrojtës
Mami dhe babi rrijnë ndryrë,
Eh, ç’vajzë të bukur që shohin
Në dy syçkat e tua- pasqyrë!…
.
VDEKJE S’KAM NGA SYTË E TU
.
Çfarë vështrime plot hir gazmor,
Si pasqyrim i hënës mbi Jonin blu!
Më kot përpiqen qerpikët me zor –
Magjinë e syve ta fshehin ashtu!
.
Si dy kupëza lulesh të përkryera
Pak lotë në skaje – vesë e shi
Në kopshte të kaltra të pa përlyera
Me këngë bilbilat të bëhen fli…
.
Pasqyrë flakësh, e hollë-ujvarë,
Bebëza rebele shndrit plot jetë;
Dhe atij që ëndërrat iu bënë bar
Zemra i pëshpërit me zë sekret.
.
Mrekullitë fshehur në sytë e tu
Si kërkues thesaresh eksploroj,
Ca ëndërra të fjetura atje-këtu
Si zambakë nën ujë atje zbuloj!
.
Ç’vështrime të befta plot ngashnjim
Si pasqyrim i hënës mbi Jonin blu!
Provokuese janë… nuk ka dyshim…
Po vdekje s’kam nga sytë e tu…
.
NJE LEXUESEJE
.
Ju më pyesni, zonjë, për jetën intime,
Atë do ta gjeni nëpër vargjet e mia,
Atje jam i tëri me ndjenja e mendime,
Shpirti dhe zemra gjetiu janë të dyja;
.
Në librin e parë, si rëndom, autobiografik,
Me titullin e thjeshtë siç është edhe fati,
U ndiet ndoshta papritmas skeptike,
Kur lexuat: “Ç’doni t’ju bie nga fshati?”
.
Gjithësesi, ju thatë, fshatar ka mbetur,
I palatuar në jetë, i pagdhendur në vargje.
Strofat me gjalmë të trashë i ka qepur
Siç qepin opingat këpucarët në lagje;
.
Dhe thoni se shkruaj për fshatin natyral,
Për vajza të virgjëra e ara të mbjella,
Për livadhet e dëlira e burimet kristal,
Për hamshorët hergjele e pelat e pjella;
.
Vargje të rëndomta me figura pa grin,
Me strofa klasike, pa thyerje, pa sharm,
Pa shampanja promovimesh, gati anonim,
Mes poetësh VIP-a ngjaj si sharlatan;
.
Se nuk lëvroj poezinë moderne, qytetare,
Thelbin koncentrik të jetës sociale,
Në vargje ndihet trishtimi i hënës mbi varre,
Por jo drithërimat nga prekjet sensuale…
.
S’ka gjë se nuk shkëlqej në takime galante,
Në se zemra ime gënjeshtrën s’e njeh,
Por thellë në të ju s’i shihni ylberet brilante
Dhe dashurinë si dyzim prej poeti ma sheh…
.
S’ka gjë në se s’ia zbus dot zemrën një zonje,
Shpirtin e saj të krimbur nga paraja …
Asnjë mëngjes prilli me rreze pranverore
Nuk e zgjon dot blerimin te Saharaja…