[ ngjitur: Henry S. Mowbray (1858-1928) – Fati (ose Endëset e Fatit), 1896 ]
Dhe vetëm titulli sot, pa lexuar asnjë fjalë tutje, mos pyet, mozomokeq. Sidoqoftë, shkrimi ynë është “mision” fisnik, në shërbim të vetë shkrimit dhe të vërtetësisë, jo për t’hutuar lexues dhe as për t’mbledhur “lajkash” në Facebook : )
Fundin e jetës ne “vdekatarët” me gjuhën tonë të thjeshtë e quajmë “vdekje”, mjaft bukur e kemi ruajtur simplistikën fataliste. Dhe aq logjike kjo, pse të vështirësohen gjërat që s’dimë gjë për to, ashtu-kështu gjëra të pakuptueshme. Le që s’i kuptojmë, por madje dhe na frikësojnë, asfare s’na pëlqejnë.
S’e kemi fjalën për frikën ndaj vdekjes në kuptimin ekstrem, sidomos jo për thanatofobinë, frikë e madhe kjo nga vdekja, frikë ekstreme. Anise e natyrshme të kihet frikë nga vdekja, mirëpo thanatofobia është ankth i tmerrshëm, në statdin si fobi vërtet diç ekstreme. Thanatofobia shkakton sulme paniku, mirëqenia emocionale e personit përkeqësohet skajshmërisht, pothuaj paralizohet aftësia për t’funksionuar në jetën e përditshme.
Jo, s’e kemi fjalën medoemos për frikën, ndoshta më shumë për dhimbjen, për dhimbshurinë e zemrave, sepse afërmendsh, na dhimbset jeta.
Në rregull, doli tashmë në pah, qëlllimi ynë sot është të shkruajmë për vdekjen. Temë mozomokeq kjo, askujt s’i pëlqen të lexojë dhe as ta lodhë mendjen me shkrimet rreth vdekjes. Zor t’ketë ndonjë lexues që e kapërcen as dhe rreshtin e parë, pa ku do jetë fundi i shkrimit tonë, i cili gjatë tërë kohës do e rrahë të njëjtin subjekt famëkeq.
Mbase dhe lehtë e kuptueshme, fare e justifikueshme, s’do t’ia dijë kush për vdekjen, s’i pëlqen kujt as t’ia përmendësh, pa le t’i detyrosh lexuesit të lexojnë për të. Madje, me ta përmendur si “fjalë”, sakaq na shkon mendja tek dhimbja, automatikisht sikur na e sjell dhimbjen. Kuptohet, njeriu vetiu largohet, trembet po aq sa nga e vërteta, sa më larg fjalëve të dhimbjes, është pothuaj diç si “instinkt” i yni. Është pothuaj e ngjashme siç pati shkruar Ciceroni për dhimbjen, mençuri e lashtë, e para erës sonë, 2000 e kusur vjet më përpara, “askush s’e do dhimbjen, s’ka dëshirë ta ketë, sepse është dhimbje…”.
I mençur Ciceroni, e qartë, dhimbja dhimbje, vdekja asocionon dhimbjen, secila fjalë që na e kujton dhimbjen, sa më larg saj. Seneka i mençur pati provuar ta neutralizonte, “dhimbja nuk është as e patolerueshme dhe as e përjetshme, nëse e përballon me guxim dhe mençuri” – në rregull, Seneka dhe mund t’ketë patur të drejtë, ai mund ta ketë testuar dhe në praktikë, mbase mençuria e tij e “neutralizuaka” dhimbjen.
Mirëpo problemi ynë shumë më i madh, në fakt s’e kishim fjalën për dhimbjen, por për diç shumë më të tmerrshme si “fjalë”. Për fat të keq s’ka asnjë urtësi filozofike, asnjë thënie ciceronike, as të lashtë as moderne që do ta “neutralizonte vdekjen, si fjalë”. Prandaj as “librat e vdekjes”, ato rregulloret funerare të egjiptasve të lashtë s’kishin lexues, sepse shkrime të shëmtuara që ngjallnin dhimbje, vdekja gjithkaje ia jep shëmtinë. Ashtu-kështu librat funerarë mund t’i kuptonin vetëm zotat, gjatë ceremonisë së “zemrave”, gjatë atyre gjykimeve të perëndeshës Mat.
Për fat të keq, edhe shkrimi ynë sot njësoj, s’mund të bëhet asgjë në këtë drejtim. S’ka si hijeshohet shkrimi që e ka si tematikë “vdekjen”, është diç si zezonë vetiu, sepse ka t’bëjë me vdekjen, s’bëhet e bukur vdekja. Ka ca artistë me brushat e tyre gjoja i zbukurojnë kafkat me lule, i quajnë pastaj kafkash akuarelike-kolorifike.
Ka ca poetë gjoja pyesin “vdekje, si të të bëjmë të bukur”, shpikin lloj-lloj dioramash poetike, i përdorin figurat e metaforat për t’i ndenjur besnikë gjuhës, strukturës poetike, por s’e kanë idenë mirëfilli si zbukurohet vdekja poetikisht. Mund të lamentojnë, të derdhin lotë germatikë, t’i quajnë vaje elegjiake etj etj. 1 milion etj. por këto, siç dihet, janë tema tjera, fare diç tjetër.
Apo ka ca skulptorë i gdhendin sarkofagët aq mjeshtërisht, pothuaj i “qajnë” artistikisht, ngjashëm por shpesh dhe më bukur se Mikolanxhelo, i pajisin me figura relievike, me lloj-lloj engjëjsh të bardhë prej mermeri… edhe pse e dinë fort mirë që e pamundur. Sado artistikisht t’i qasesh sarkofagut, natyrisht se do zbukurohet objekti, qoftë i gurt, i drunjtë a i fildishtë. Mirëpo thelbi i argumentit tonë, dimensioni i gjoja “estetizimit” artistik të vdekjes, thjesht ngelet i paarritshëm.
Madje as vetë perënditë e mitologjisë s’e kishin këtë privilegj. Shembulli i autoritetit të perëndeshës Lakezia, kur e pati plotësuar kërkesën e Zeusit (i cili ishte duke ia plotësuar dëshirën Eosit, perëndeshës së Agimit, për t’ia falur pavdekshmërinë të dashurit të saj, Titonusit, i dashur i perëndeshës por vdekatar i zakonshëm nga Troja, njësoj siç ishte dhe i dashuri i Afërditës, bariu trojan Ankhise) e vërteton faktin që dhe vetë perënditë duhej të operonin brenda “kornizës së rregullave kozmike”, të paracaktuara nga Moiradat.
Lakezia e pati “zgjatur perin e jetës së Titonusit deri në pafundësi”, në akord me kërkesën e Zeusit, do kishte jetë të përjetshme, mirëpo për fat të keq, Titonusi nuk do e kishte dhe rininë. Pati ndodhur diç si një gabim tragjik, Eosi në ngutje e sipër duke iu lutur Zeusit, krahas pavdekshmërisë për të dashurin pati harruar t’ia kërkonte dhe ruajtjen e rinisë. Dhe kështu, Titonusi do e kishte pavdekshmërinë por do mplakej e do bëhej shëmtaraçi më i madh i universit. Për ca kohë do ishin të lumtur, mirëpo aspekti fizik i jetës së Titonusit do tjetërsohej tmerrshëm. Teknikisht i gjallë, shpirtërisht gjallë, e kishte dhe mbamendjen, inteligjencën të pacenueshme, por fizikisht në fakt mund t’quhej i “vdekur”.
Dhe perëndeshës së ngratë mund t’i ketë rrjedhur ndonjë lot, jo vetëm sepse pati qenë “lëshim-gabim” i saj por sepse e donte jashtëzakonisht shumë (shi për këtë dhe kishte dëshirë t’ishte e tij, ta kalonin jetën së bashku përjetësisht, prandaj dhe e pati lutur Zeusin). Eosit do i jetë këputur shpirti dhe do i dhimbsej, por e pati “lënë”. Vendim i rëndë por trupi i Titonusit (duke ngelur i “lidhur me konditat” e dikurshme të vdekatarëve) qe prishur jashtë mase. As Eosi si perëndeshë as vetë Zeusi s’mund ta riparonin këtë lëshim aksidental. Ndërhyrja e tyre e pamundur, por dhe sikur ta kishin mundësinë e riparimit, akti i tyre do ishte në kundërshti me “kushtetutën kozmike”. Nga dhimbja, ashtu zemërkëputur perëndesha e pati kthyer të dashurin e vet në një insekt.
Dhe siç e patëm fjalën më lart, afërmendsh se mund të zbukurohen shumë gjëra rreth-e-rrotull vdekjes, mund të zbukurohet varri, e qartë kjo, mund t’i ngjajë dhe një tempulli madhështor, mund t’ua kalojë dhe tempujve të vetë Apollonit, madje dhe lulet mund t’i gdhendësh si floriada të mermerta, t’i bësh të përjetshme, por nuk “zbukurohet” vdekja. Mund t’i zbukurosh ceremonitë mortore, mund t’i bësh përcjellje madhështore, funerale perandorake, ceremoni mbretërore, por nuk “zbukurohet” vdekja.
Nuk zbukurohet as shkrimi ynë sot, sepse tërë kohën vërtitet rreth fjalës “vdekje”, një fjalë e vetme dhe aty për aty na ngjallë dhimbje, na e përkujton dhe frikën. Religjionet e mbarë botës madje e “eksploatojnë” pikërisht frikën tonë të “vdekjes”, na bëjnë të mirë me “zor”, tërë jetën na mbajnë në ankth se mos eventualisht gabojmë ndonjë gjë, dhe pastaj mos pyet, shpirtrat në skëterrën e kaosit, përjetësisht.
Ndoshta pikërisht për shkak të “vdekjes”, për t’ia ofruar vetes ndonjë diç si ngushëllim, që nga lashtësia njeriu filloi t’i kultivonte mitet e legjendat. Vdekja padyshim është shkaku dhe zanafilla e të gjitha miteve, e të gjitha legjendave, i të gjitha besimeve dhe feve. Sepse njeriut i nevojitej një “pasqyrim filozofik” rreth përfundimit të gjallimit, rreth fundit të jetës. Nevojitej inkurajimi i vlerësimit më të thellë për kuptimin e veprimeve tona (dmth. sa jemi gjallë) dhe për trashëgiminë që zgjedhim të lëmë pas.
Sidomos ky aspekti i “trashëgimisë” fort i rëndësishëm, pothuaj sikur të gjithë pa përjashtime, bazuar në madhështinë tonë sa ishim gjallë, aspirojmë ta kemi ndonjë monument madhështor, ndonjë lapidar, përmendore, ndonjë “tyrbe”, Xhaxhi-Hoxha dikur madje si vetë Faraon-Keopsi pati pretenduar një piramidë, në qendër të vetë qendrës, e donte aso prej xhamash, prej kristalesh, të përthyhej drita, të luminizoheshin kthinat, apo ku ta dimë… etj. etj. Ka lloj-lloj këso ambicjesh tona, sepse janë simptoma të frikës. Piramidën sa më të lartë, sa më i madh pas vdekjes, sa më i pasur e glamuroz, sa më i denjë si “faraon”, padyshim në akord me madhështinë tonë na “trajton” dhe vdekja, andej në jetëpërtejmën.
Sikur njeriu t’mos i frikësohej vdekjes, atëherë padyshim as mitet s’do e kishin peshën e mirëfilltë, s’po themi se nuk do ekzistonin, por do ishin pothuaj nihilistike, do ishin ekzistente sa për sy e faqe, mite fare qesharake. Do përcilleshin ndër gjenerata ca gojëdhëna e legjenda në formën e humorit, në teatrot-kabaretike do përmendeshin ca zotër qesharakë sa për të qeshur e për t’u argëtuar. Mitologjia do ishte kryekëput diç si “entertainment”, si argëtim i mirëfilltë. S’do ishte nevoja për lutje, për kërkimfalje, askush s’do binte në gjunjë, përveç kur të shkokëloheshin duke qeshur. S’do kishte perëndi as perëndeshë që mbjell frikë, s’do ekzistonte asnjë zot që ka nevojë për adhurim – madje dhe zotat si “personazhe fiktive” to komedive do zverdhshin duke qeshur.
Mirëpo jo, siç e dimë nuk është ashtu, ekzistenca është skajshmërisht serioze, në fakt për shkak të “vdekjes” vlen absolutisht e kundërta. Mitologjitë e gjithë botës na thonë se njeriu u frikësohej zotave, ndërtoheshin tempujt, adhuroheshin lloj-lloj hyjnorësh, ofroheshin sakrificat, administrohej adhurimi, në rastet më të avancuara ky adhurim dhe “institucionalizohej”… të gjitha sepse njeriu i frikësohej vdekjes. Frika nga “vdekja” është çelës-simbolika e gjithçkaje që e përmendëm deri tani.
***
Për lexuesit e vertetë, që s’kanë frikë ta shkapuritin të vërtetën thellë (që s’i frikësohen dhe aq fjalës “vdekje”), për eksploruesit dhe zbuluesit e misterit fundimtar të jetës, më e frikshmja perëndeshë e Trinitetit të Moiradave, padyshim do jetë Atroposa. Fuqia hyjnore, forca e paepur që i përfundon ose u jep fund të gjitha udhëtimeve jetësore, autoriteti hyjnor që i jep fund gjithçkaje me vdekje.
Dmth. perëndeshë jashtëzakonisht e fuqishme, duke qenë rojtare e vetë fund-kufirit të jetës së vdekatarëve, në psikologjisjen njerëzore Atroposa e formësonte kuptimin ciklik të jetë-vdekjes. Si gjithçka e mitologjisë, e sidomos kur bëhet fjalë për hyjnorët e zanafillores, edhe Atroposa ka ngelur prore e mbështjellur me vellon e lashtësisë dhe të misterit. Thuhet se Atroposa më e vjetra nga tri Moiradat, dhe se ajo e komandon aktin vendimtar të këputjes apo të ndërprerjes së jetës, me të cilin akt në mënyrë të pashmangshme përballen të gjitha qeniet.
Roli i madh dhe ndikues i perëndeshës Atroposa në kuadër të mitologjisë së Tri Fateve (Moiradave) i kuptueshëm, por dhe shpesh e keqkuptuar si perëndeshë. Ndoshta dhe logjik i gjithë keqkuptimi, ehuuu sepse tekefundit perëndeshë që i jepte fund gjithçkaje, perëndeshë e vdekjes. I keqkuptushëm dhe Hadesi, keqkuptim deri në kulm, anise Hadesi pothuaj nga më të mirët e Olimpit. Zot i të vdekurve, zot i nëntokës por panumër herë më i mirë se Zeusi, më i mirë se Poseidoni.
Emri i saj Atroposa do t’thotë pakashumë “e pandryshueshme”, duke nënkuptuar rolin e saj të pakompromis, siç e cekëm disa herë tashmë, në mbarimin e pakthyeshëm të jetës së qenieve, me prerjen e fillit të jetës. Pra e qartë, roli i perëndeshës Atroposa rol tejet vendimtar në strukturën komplekse të ekzistencës. Me gërshërët e saj të mprehta Atroposa simbolizon përfundimin e fatit jetësor. Këputja nga ajo e perit të jetës, sipas konditave hyjnore, nuk është ndonjë “akt mizor”, por akt i nevojshëm për përfundimin e ciklit jetësor, i cili qe përcaktuar nga grand-dizajni hyjnor zanafillor.
Akti i saj është i nevojshëm për ta mundësuar ripërtrirjen e jetës, rilindjen, kontinuitetin e jetës. Atroposa është kujtesë e fuqishme e ndërveprimit delikat dhe shpesh tragjik mes veprimeve njerëzore dhe “rregullave kozmike” (rregullores së pandryshueshme). Veprimi mitologjik i nënës Altea, duke shkaktuar vdekjen e të birit dhe kështusoj duke e plotësuar profesinë e Moiradave, e cila nënë ishte thyer në dysh mes dashurisë së saj për të birin dhe mes pikëllimit e zemërimit për vrasjen e vëllezërve të saj nga i biri, është metaforë e fuqishme për natyrën e paracaktuar dhe të pandryshueshme të fatit njerëzor.
Sipas besimit të lashtësisë, me çdo jetë që Atroposa i jep fund, perëndesha na e mëson rëndësinë e të jetuarit plotësisht dhe me kuptim (brenda kohës që na është caktuar). Prania e saj ndër përsiatjet tona si qenie të vdekshme, s’do duhej t’na sjell frikë, por na e përkujton faktin se, ndërsa s’mund t’i shpëtojmë fundit tonë, ne megjithatë mund të ndikojmë në rrugëtimin tonë. Derisa duke gjalluar, duke “udhëtuar” drejt fundit mund ta jetojmë një jetë sa më përmbushëse, sa më të pasur shpirtërisht, ndjeshmërisht dhe emocionalisht, sa më satisfaksionale, sa më kuptimplote. Sa më shumë ndjenja dhe shpirtësi, padyshim kjo na bën më human, na kalit si “njerëzor”, inteligjencën ashtu-kështu e kemi suprematike. Sepse pa ndjenjat dhe shpirtëroren, pa një spektër më të thellë ndjesor, ashtu padyshim do ishim më “afër” kafshëve, ndoshta pikërisht ndjenjat na bëjnë të “dallueshëm” si njerëz.
Dorën në zemër (s’duhet shmangur nga e vërteta) vdekja s’do na përlqejë kurrë, madje as vetëm si ide, kurrë, kurrë dhe kurrë : ) mirëpo bazuar në konceptin mitologjik, Atroposa sikur na ndihmon në “zbutjen” e perceptimit tonë rreth vdekshmërisë. Sepse na sfidon të reflektojmë mbi trashëgiminë tonë dhe për gjithçka që do lëmë pas (kur filli i jetës sonë t’jetë këputur). Tërthorazi, duke qenë të vetëdijshëm për fundin e pashmangshëm, besonin ata të lashtësisë se Atroposa na frymëzon ta jetojmë një jetë sa më të pasur me qëllime dinjitoze dhe të virtytshme, ta ndjekim një jetë veprimesh dhe kujtimesh që do mbijetojnë përtej ekzistencës sonë fizike.
Tërthorazi, Atroposa na motivon të vlerësojmë çdosecilin moment të frymës sonë, e saktë që ajo i mban gërshërët, mund ta “shohim” dhe si kërcënim por dhe si frymëzim, sepse jemi ne qeniet e kësobotshme që e “qullim” fillin e jetës sonë në ngjyrat dhe varietetet, që ia japim dashurinë dhe kuptimin. Pashmangshmëria e gërshërve të perëndeshës Atroposa ndoshta na frymëzon të jetojmë me plot pasion dhe duke synuar përnaltësimin shpirtëror.
Sipas besimit të lashtësisë, duke ditur që Atroposa na pret andej me gërshërët e veta, padyshim kjo ndikon dhe orientohemi vetëdijshëm, jo të përhumbur nga paniku por fare kthjellët drejt udhë-fundit tonë. Trashëgimia që ngelet spontanisht, apo që e krijojmë dhe kemi në plan ta lëmë pas, jo patjetër trashëgimi materiale por virtuozitet moral, ndonjë bëmë heroike, frymëzim shpirtëror, frymëzim ideatik, diç intelektuale etj. padyshim do jetë kujtim i një udhëtimi të përmbushur ndershmërisht.