Shkrimtarë, gazetarë, aktivistë dhe shumë të tjerë në mbarë botën kanë shprehur ngushëllimet e tyre për vdekjen e shkrimtares dhe aktivistes ukrainase, Viktoria Amelina.
Amelina vdiq gjatë fundjavës nga plagët e marra gjatë një sulmi të javës së kaluar me raketa ruse në një restorant në Kramatorsk të Ukrainës.
37-vjeçarja Amelina gjendej në restorantin Ria Lounge në Kramatorsk me një delegacion shkrimtarësh dhe gazetarësh nga Kolumbia në kohën e një sulmi ajror rus më 27 qershor. Ajo vdiq më 1 korrik, pas plagëve të marra gjatë atij sulmi.
Gjithsej 13 persona, përfshirë tre fëmijë, u vranë dhe të paktën 60 u plagosën në atë sulm.
“Mikja jonë më e dashur dhe shkrimtarja e aktivistja e shkëlqyer ukrainase, si dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Victoria Amelina ndërroi jetë”, shkroi në Twitter presidenti i klubit ukrainas PEN, Volodymyr Yermolenko. “E vrarë nga një raketë ruse”.
Që nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Amelina, 37 vjeçe, kishte dokumentuar krimet e supozuara të forcave ruse për organizatën joqeveritare të të drejtave të njeriut, Truth Hounds.
Ajo u shqua për zbulimin e ditarit të shkrimtarit Volodymyr Vakulenko, i cili u arrestua dhe u vra nga forcat ruse në qytetin Izjum në fillim të luftës në Ukrainë. Ditari, i cili ishte groposur në kopshtin e tij, përshkruante mizoritë e supozuara ruse gjatë pushtimit të Izjumit.
Udhëheqësja në mërgim e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, shkroi se i ishte “thyer zemra” nga lajmi për vdekjen e Amelinës.
“Ajo ia kushtoi jetën dokumentimit të krimeve të luftës në Ukrainë dhe tragjikisht u bë viktimë e një sulmi burracak rus ndaj civilëve”, shkroi Tsikhanouskaya në Twitter.
Avokatja ukrainase e të drejtave të njeriut, Kateryna Busol, shkroi se Amelina kishte “një zemër që ndiente, shihte, kërkonte dhe fliste, përplot integritet, kujdes, hir dhe vërtetësi”.
Katerina Sergatskova, një gazetare dhe aktiviste ukrainase, e quajti Amelinën “person brilant, ëndërrimtare dhe shkrimtare e kthyer në hetuese të krimeve të luftës”.
“Nuk ka fjalë për të përshkruar se sa e padrejtë është [vdekja e saj]”, shtoi ajo.
Në kohën e vdekjes së saj, Amelina po punonte për një libër në anglisht të titulluar “Ditari i Luftës dhe Drejtësisë: Një shikim i gruas që shikon luftën”.
Një ditë pas sulmit ajror rus, autoritetet ukrainase arrestuan një burrë dhe e akuzuan atë se e kishte ndihmuar Rusinë ta kryejë atë sulm.
Amelina kishte lindur në Lviv më 1 janar të vitit 1986. Ajo kishte diplomuar në nivelin master për Teknologji kompjuterike nga Universiteti Politeknik i Lvivit.
Romani i saj i parë, “Sindroma e Nëntorit”, u botua më 2014 dhe u përfshi në listën e ngushtë për çmimin “Valeriy Shevchuk”. Romani i saj i dytë, “Mbretëria e ëndrrave të Domit”, u botua në vitin 2021 dhe ishte finalist për Çmimin Evropian për Letërsi. Ajo fitoi çmimin letrar Joseph Conrad më 2021.