Tokë, qaj, Tokë, rënko, Tokë gjëmo si egërsira –
se mbrëmë ka vdekur një katundar i fshatit tim
me duar të çara dhe fytyrë të vrarë nga lia
dhe me rininë e humbur në brazdat e jetës…
Do ta çojnë mbi katër krih,
do ta çojnë mbi katër zemra,
do ta çojnë mbi katër dëshira,
si ai – kur i ka çuar,
kur vetë i ka rritur
n’ara të bleruara.
E, ai – mbrëmë ka vdekur…
*
Tokë, qaj, Tokë, rënko, Tokë gjëmo si egërsira –
se sot në krahrorin tënd do të shtrëngosh
katundarin e ri të fshatit tim.
O, ai ty kurrë nuk t’ka ndarë prej zemrës,
– një zemër të heshtur,
atë – që në pranverë ka qenë i etshëm për blerimin tënd;
atë – që në verë të ka ledhatuar plot dashuri;
atë – prej së cilës i kanë gufuar
urimet për ty;
– të falem o Dhe
– të falem o Dhe!
E, ai – mbrëmë ka vdekur…
O, a po e dëgjon damarin e lutjes?
O, a po e dëgjon tingullin e ofshës së lodhur?
O, a po e dëgjon vajin e dëshirave?
që po veniten pa frymë…
Eh,kush ishte I dashur,si ai,si Faredin Gunga,e myti dashuria e madhe per Kosoven,e mytem vuajtjet e Kosoves nen thundren Serbe !