Në moshën e fëmijërisë, deri kur ra diktatura, unë kam jetuar në një fshat të nënshkodrës, Berdicë e Madhe. Me berdicianët unë kam kaluar vite të bukura dhe histori të mrekullueshme. Një ndër këto mrekullitë që fali Zoti, ishte edhe vdekja e diktatorit. Atë ditë, meqë isha në vitin e fundit të tetëvjeçares dhe iknim nganjëherë nga mësimi, kishte rreth dy orë që me Matinë, Mondin, Nadirin dhe disa të tjerë po luanim penallti me 50-leksha në fushën e futbollit ngjitur me oborrin e shkollës, ku dikur zhvilloheshin sportakiada. Rreth orës 11, shohim që të gjithë nxënësit e shkollës po dilnin jashtë. Mendova një herë se mos ishte pushimi i madh, po nxënësit në vend që të shpërndaheshin në fushat e volejbollit, basketbollit apo në këndin e paraleve, u rreshtuan në oborr. Ashtu në rresht për dy, u nisën në një varg të gjatë përgjatë fushës së futbollit ku ne po luanim. Ne, me gjithë kuriozin që kishim, prapë vazhduam lojën derisa pashë që po na afrohej mësuesi i historisë (dritë pastë).
“Hajër e baftë Zoti”, thashë me vehte.
“Po ju ça bani ktu?”, thotë msuesi.
Pa lujm penallti”, i thashë.
“Ju luni penallti me lek, po a e dini ça ka ndodhë, shpejt në rresht”, shpërtheu mësuesi.
“Hajt mar msus, se ska dekë kush”, i thashe unë, ndërsa nxorra nga xhepi disa fara lulediellit, që në atë kohë i kishim të përditshme .
“Ça flet mar, ka dekë shoku Enver”.
Mua, ngaqë nuk mu besua, i thashë: “hajt mar me gjithë té”, dhe fryva nga goja një levozhgë luledielli. Era e kthen levozhgën dhe ajo i ngjitet në faqe afër hundës së mësuesit. Nuk e kuptova nëse ishte ajo çfarë i thashë apo lëvozhga e lulediellit, por mbaj mend që fytyra e mësuesit mori një pamje të llahtarshme, dhe më shtrëngohet me një shpullë, që gjysma e saj më doli tepër. “Mirë, mirë”, i thashë, “mbaje mend” dhe u futëm edhe ne në rreshtin e gjatë që në heshtje shkonte drejt Shtëpisë së Kulturës.
Shtëpia e Kulturës në Berdicë, ishte një ndërtesë e madhe dhe e lartë, që dikur kishte qenë Kishë që vendasit thonin se kishte pasur një çati të bukur dhe tavan druri me gdhendje dhe ornamente të rradha. Komunistët u munduan që ta prishnin komplet por mbasi muret që ishin ndërtuar me hekur dhe beton, nuk arritën që ta shembnin por i vunë çati të re dhe e kthyen në shtëpi kulture. Të them të drejtën kjo shtëpi kulture, në atë kohë ishte kthyer vërtet në një qendër të kulturës me koncerte muzikore, filma artistikë apo shfaqje humoristike të estradës së famshme të Shkodrës etj.
Kur nuk kishim mbërritur akoma në Shtëpinë e Kulturës, mbaj mend një berdician që ndalon biçikletën dhe më thotë: ” Ça ka ndodhë malcur”, se kështu më thërisnin disa nga që isha malësor jabanxhi në atë vend.
“Ka vdekë Enveri”, i thashë
“Ashtu, po i hangërt shpirti mut”, më tha dhe i dha biçikletës dhe iku.
Kur u futëm brenda, salla ishtë pothuajse plot dhe vinte era djersë. Dukshëm që puntorët i kishin marrë nga puna dhe sjellë aty. Kishte një qetësi absolute dhe aty këtu dëgjoheshin dënesa të qarash. Njerezit ishin ulur me kokën të mbështetur mbi grushta mbi mbështetësen e stolave, e vetmja trashëgimi nga ajo që dikur kishte qenë Kishë.
Pashë që dikush solli një radio, të cilën e lidhën me autoparlantët e mëdhenj në dyja anët e skenës. Të gjithë prisnin me mërzi lajmin e tmerrshën në emisionin e lajmeve të ores 12. The ora erdhi:
“Ju flet radio Tirana, sot, mbas një sëmundje të gjatë dhe të pashërueshme vdiq heroi i lavdishëm i partisë dhe i popullit shqiptar, shoku Enver Hoxha”.
Emocionet shpërthyen, te qarat u shtuan, vajtimet po ashtu….ëëëëë….hhëëë! Shoh një burrë që u ngrit në këmbë dhe me duart lart nga tavani thoshte “pse mar Zat, pse mar Zat”. Nuk e kuptoja se kujt ja thoshte, Zoti nuk ishte më aty.
Të tjerët mbanin kokën ulur, tamam sikur gjatë një meshe kur çohet kungimi, që dukej sikur luteshin, por nuk luteshin. Te them të drejtën nuk e kuptoja nëse ishin se të mërzitur vërtet, apo bënin sikur. Ndërsa shikoja sallën, ndenjur dhe me trupin drejt, ndjeva një dorë mbi kokë dhe një zë tek veshi: “malcur, ulu ndejt dhe ule kryt”.
I thashë: “po une ndejt jam”. Ndoshta, ngaqë isha i gjatë dhe hollak, dukesha sikur të isha në këmbë. Ula kokën me mërzi për një 100 lekësh që kisha humbur atë ditë në penallti dhe për topin e llastikut që kishte mbetur tek fusha. “Po sikur të mos e gjej topin” mendova, “I thonë të humb edhe 100 lek të tjera për sherr të Enverit”. Mbas pak dolëm jashtë dhe u shpërndamë, shumë prej nesh menduam se Enveri mori të keqen me vehte, por që më vonë e kuptuam se ai të keqen e kishte mbjedhur ndër ne përpara se të shkonte në xhehnem.
Komentet