Ora: 16:07- Një tjetër rast dublimi është shënuar në Shkodër. Mësohet se një qytetar kishte shkuar të votonte, ndërsa rezultoi se ai kishte votuar. Ndërkohë, një tjetër denoncim u bë dhe ndaj vëllai i kandidatit, Zef Hila, Alfred Hila në Vaun e Dejës. Hila akuzohet se ka dashur të përplas me makinë Rrok Hejllin, simpatizant i PS-së. Ka qenë ky i fundit ai që ka bërë denoncimin në polici
KANDIDATËT E PAVARUR PËR BASHKINË E TIRANËS, TAFAJ DHE GURI: PROCES I QETË ZGJEDHOR, PJESËMARRJA E ULËT
Ora:15:58-Të dy kandidatët e pavarur për bashkinë e Tiranës, Sazan Guri dhe Arben Tafaj deklaruan sot për News24 se ky është një proces i qetë zgjedhor.
“Është një proces i qetë dhe do jetë dhe më mirë akoma. Nuk mendoj se do ndodh diçka, edhe pse është e ulët pjesëmarrja. Unë i bëj një mesazh thirrje qytetarëve, që janë duke u shulluar o në gjumë o në det”, tha Guri.
Ndërsa Tafaj pohoi se janë ulur tonet dhe flakët në radhët e politikanëve. “Në ndaj të eksperiencave që kam me votimet, situata është më e qetë. Tonet janë të ulura dhe jo të flakta në radhët e politikës.”, theksoi Tafaj.
AMBASADORI DANEZ DHE NJË PËRFAQËSUES I AMBASADËS SHBA NË VORË
Ora 15:52- Ambasadori danez Jensen ka shkuar për herë të dytë në qendrën e votimit 1555 në Vorë, duke e ndjekur situatën nga afër.
Jensen ka deklaruar se, “Nga vëzhgimet ka disa QV ku ka tensione”. Mësohet se në QV 1555 ka shkuar edhe një përfaqësues i Ambasadës Amerikane.
“VORA”, LUAN RAMA: ME PATOZIN NDËRHYMË PËR TË NORMALIZUAR SITUATËN
Ora 15:40- Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ka reaguar sot për incidentin në Vorë duke sqaruar se ai bashkë me deputetin e PD-së, Astrit Patozi kanë ndërhyrë për të normalizuar situatën.
“Pati një reagim emocional nga simpatizantët. Ishin 5 persona nga Fieri ata që donin të votonin në Vorë. Bashkë me Patozin ndërhymë për të normalizuar situatën. Ne do të shmangim të gjitha incidentet që procesi të jetë normal.
KAVAJË, BLLOKOHET SËRISH PROCESI I VOTIMIT NË QV 2195
Ora:15:35– Është bllokuar sërish procesi i votimeve në qendrën nr.2195 në Kavajë. Mësohet se shkak i ndërprerjes janë bërë listat fiktive të cilat pretendohet nga prefekti i Partisë Demokratikë. Sakaq, bëhet e ditur se pjesëmarrja e deritanishme në këto zgjedhje për Kavajën, është 25 për qind.
PS, XHAÇKA APEL GRAVE: VOTONI, ZGJEDHJET MBAJNË SHENJËN TUAJ!
Ora 15:02- Në një deklaratë për media, deputetja e PS-së Olta Xhaçka, zëdhënëse e fushatës së Partisë Socialiste i bëri thirrje grave dhe vajzave të vendit të votojnë
“Dua t’ju bëj një thirrje të gjitha grave e vajzave, të gjitha zonjave, që ende nuk kanë pasur mundësi të votojnë që t’u drejtohen qendrave të votimit. Si kurrë më parë, këto zgjedhje mbajnë shenjën e grave shqiptare. Sot për herë të parë votohet për këshilla bashkiakë ku 50% e kandidateve janë gra e vajza. Sot më shumë gra e vajza se kurrë kandidojnë për kryetare të bashkive anembanë Shqipërisë. Sot, si kurrë më parë po konkurrohet me programe që në fokus të tyre kanë problemet e grave, nënave, kryefamiljareve, grave sipërmarrëse, vajzave të reja”,- tha ajo.
“Këto zgjedhje prekin drejtpërdrejtë jetën e secilës prej nesh. Nga vota jonë do të varet cilësia e jetesës në çdo qytet, fshat, lagje e komunitet. Nga vota jonë do të varet sa hapësira të gjelbëra do të ketë, si do të jenë kopshtet, çerdhet e shkollat e fëmijëve tanë, çfarë mundësish do të kemi ne, familjet e fëmijët tanë për një jetë më të mirë. Pavarësisht se për kë votoni, gratë dhe vajzat duhet të votojnë për mundësinë që u jepet për të qenë të përfaqësuara. Pavarësisht se për kë votojmë, ne, gratë dhe vajzat duhet të tregojmë se jemi vendimmarrëse dhe nëpërmjet votës tonë të fuqizojmë të gjitha ato gra e vajza që do të jenë përfaqësueset tona në këshilla bashkiake. Prandaj ju ftoj të votoni, sa më shumë, në mënyrë sa më masive. E rëndësishme është që mos të rrimë indiferente në këto zgjedhje që si kurrë më parë do të varen nga ne, gratë shqiptare”,-përfundon deklarata.
POLICIA E SHTETIT NË GATISHMËRI: DERI NË 14:00 NUK KA PASUR PROBLEME
Ora 15:50- Policia e Shtetit në të gjithë vendin është në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave që ligji i ngarkon në kuadër të procesit zgjedhor dhe për garantimin e rendit e të sigurisë publike.
Situata në të gjithë vendin paraqitet e qetë. Deri në orën 14:00 nuk janë evidentuar probleme lidhur me qëndrimin e policisë gjatë procesit zgjedhor.
Ndërkohë nga KQV-të gjatë kësaj periudhe është kërkuar ndërhyrja e policisë me vendim sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative vetëm në 1 rast, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe ka kryer detyrën për rivendosjen e gjendjes. Konkretisht:
- Në KZAZ Nr. 6, Qendra e Votimit Nr. 142, në orën 10:30, në Shkollën 9 – Vjeçare Koman, me Vendimin 7, datë 21. 06. 2015, Komisioni i QV, ka vendosur të kërkojë ndihmën e policisë për ndërhyrje në QV, pasi ka pasur një fluks shumë të madh të qytetarëve për të votuar. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për rivendosjen e rregullit dhe pas normalizimit të situatës janë larguar me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.
Gjatë procesit zgjedhor strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe për disa incidente të vogla për të cilat Policia është thërritur nga Komisionet përkatëse të qendrave të votimit por që kanë gjetur zgjidhje pa ndërhyrjen e forcave të policisë dhe nuk është kërkuar më me vendim nga komisionet ndërhyrja e policisë.
Siç ju kemi bërë me dije në komunikimin e mëparshëm, me fillimin e punës nga Komisionet e Qendrave të Votimit punonjësit e Policisë së Shtetit sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative janë larguar nga të gjitha Qendrat e Votimit, të cilat ishin marrë në ruajtje gjatë natës së mbrëmshme.
Policia e Shtetit është duke ndjekur në vazhdimësi procesin zgjedhor dhe është në gatishmëri të plotë për përmbushjen e detyrave për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor në respekt të plotë të ligjit.
VLORË, LESKAJ: ZGJEDHJET JANË ZHVILLUAR QETËSISHT, KA NJË FLUKS TË SHTUAR PËR KËTO 2 ORË
Ora 14:30- Deputetja socialiste e qarkut të Vlorës, Valentina Leskaj e ftuar në studion e Neës24 në Vlorë, tha se zgjedhjet në Vlorë janë zhvilluar qetësisht. Lidhur me pjesëmarrjen prej 24%, Leskaj deklaroi se nuk ka ndonjë diferencë të madhe me zgjedhjet e tjera, duke theksuar se këto 2 orët e fundit ka një fluks të shtuar.
“Këto zgjedhje janë zgjedhje për Bashkinë e re të Vlorës, deri tani janë zhvilluar qetësisht. Qytetarët e Vlorës kanë demonstruar qytetari, kulturë. Pjesëmarrja 24%, nuk ka diferencë të madhe nga zgjedhjet e tjera. Pak më e lartë në zgjedhjet e 2013. Ka një fluks të shtuar për këto 2 orë”, tha Leskaj.
KRUJË, NDËRPRITET VOTIMI RRETH NJË ORË NË QV 1266
Ora 14:25- Në Krujë, ndërpritet votimi rreth një orë në QV 1266, kjo për shkak se kreu i KZAZ dhe policia morën 150 fletë votimi, duke deklaruar se këto fletë votimi do t’u jepeshin të burgosurve.
BERAT, BLLOKOHET VOTIMI NË NJË QV, NJË SHTETASE FOTOGRAFOI VOTËN
Ora 14:20- Është bllokuar procesi i votimit në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, kjo pasi shtetasja me iniciale A.D. është kapur duke fotografuar votën. Në këtë qendër kanë shkuar përfaqësues të KZAZ-së së Beratit për të verifikuar
FRESSH APEL TË RINJVE: VOTONI, KËTO JNË ZGJEDHJET TONA
Ora 14:10- Në një deklaratë për shtyp nga selia e Partisë Socialiste, nënkryetarja e FRESSH Maria Myridinasi i bëri thirrje të rinjve që të votojnë.
“Dua t’ju bëj një thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të mi, të gjithë të rinjve e të rejave, në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Fier, Lushnje e kudo në 61 bashkitë anembanë Shqipërisë që të dalin të votojnë. Dita është akoma mjaftueshëm e gjatë që secili prej jush, të marrë me vete një shok a një shoqe, të kapë përdore një të afërm a një mik e t’i drejtohet qendrës së votimit. Këto janë zgjedhjet tona si kurrë më parë. Sot vendoset jo vetëm për komunitetet ku ne jetojmë, jo vetëm për familjet e prindërit tanë, por edhe për çështjet që prekin drejtpërdrejtë çdo të ri. Vota juaj sot është një votë që do të vendosë se çfarë mundësish do të ofrojnë nesër për të rinjtë bashkitë e reja. Vota juaj sot është një votë për gjithë ata të rinj që kandidojnë për bashkitë e reja e për këshillat bashkiake e që nesër do të jenë përfaqësuesit tuaj.
“Njerëzit që do të luftojnë për interesat e rinisë, për të vendosur sa kënde sportive, sa qendra rinore, sa mbështetje për sipërmarrjen rinore e për projektet e të rinjve do të ketë nesër. Prandaj votoni, votoni, votoni miqtë e mi. Mos e humbisni këtë rast. Ne jemi shumë dhe sa më shumë prej nesh të votojnë aq më e fortë do të jetë kauza jonë”.
LUKOVË, NXIRRET ME DHUNË FREDI BELERI NGA NJË QENDER VOTIM
Ora: 14:08- Një incident është regjistruar në Lukovë, ku kandidati i PBDNJ-së në Himarë, Fredi Beleri është nxjerr me dhunë nga një qendër votimi. Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur konkretisht. Bejleri ishte shoqëruar nga disa persona, duke ushtruar presion në qendrat e votimit. Në rastin konkret ka bërë dhe presion dhe në Himare, Mësohet se komisionet nuk kanë reaguar, ndonëse u kërkuar që ai të largohen nga ambientet e qendrës së Votimit. Por vetëm Në Lukovë, u arrit që kandidati të largohej, me kërkesë të forcave politike.
GAIANI VËZHGON ZGJEDHJET NË TIRANË: VOTA SHPREHJE THEMELORE E DEMOKRACISË
Ora 14:06- Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani po vëzhgon procesin e votimit në Tiranë, Yzberisht, Vorë, Mëzez dhe Durrës.
“Jemi afër qytetarëve shqiptarë në një moment të rëndësishëm. Vota është një nga shprehjet themelore të demokracise. Zgjedhje të mbara”, ka deklaruar diplomati italian.
Ndërsa Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, ashtu sikurse e kishte paralajmëruar, së bashku me ekipin i saj janë ndalur në qendrat e votimit në Vorë, Durrës dhe Kavajë.
“Procesi i votimit duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm”, është shprehur Znj. Vlahutin vëzhgimit në një qendër votimi në Vorë. Më pas ajo ka udhëtuar drejt Durrësit dhe Kavajës.
Ndërsa Ambasada Amerikane e ka përqëndruar vëmëndjen e saj, jo vetëm në Vorë por edhe në Lexhë. Qëndrat e votimit në lexzhë po vazhdohen nga Zv.ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Henry V. Jardine.
KSHH PUBLIKON RAPORTIN: RRETH 50% E QV-VE JANË HAPUR ME 15-40 MINUTA VONESË
Ora:13:58-Komiteti Shqiptar i Helsinkit po monitoron ecurinë e procesit zgjedhor për Zgjedhjet vendore në 9 qarqe të vendit si Tirana, Durrësi, Kukësi, Shkodra, Elbasani, Fieri, Vlora, Korça dhe Gjirokastra.
“Kemi konstatuar se në rreth 50% te Qendrave të Votimit të monitoruara, procesi i votimit ka filluar me një vonesë nga 15 – 40 minuta. Arsyet janë te ndryshme si, mungesa e komisionereve, mungesa në bazën materiale, etj;”, citohet në njoftimin e KSHH.
MANGËSITË:
Janë vërejtur mangësi dhe probleme me materialet e votimit;
Janë vërtetuar tre raste të votimit familjar, në Bashkinë Tiranë QV 2041/1 dhe në një QV pranë Shkollës ”Bajram Curri” dhe një rast në QV nr. 4278, Bashkia Gjirokastër;
Janë vërejtur simbole të subjekteve politike në afërsi të QV si pranë Shkollës ”Bajram Curri”, Bashkia Tiranë;
Ka patur raste të vendosjes në kundërshtim me ligjin të gabuar të dhomës së fshehtësisë në dy QV në Bashkinë Tirane, konkretisht në QV nr. 1890 dhe QV nr. 1883/1;
Janë manifestuar sjellje në kundërshtim me ligjin nga anëtare të QV-ve, si p.sh në QV1853/1 ose anëtari i KQV nr. 4507/2, qarku Gjirokastër që mbante veshje me simbole partiake.
Janë konstatuar dy sjellje joligjore të votuesve në Tirane, një votues në QV nr. 1757 tentoi të marrë me vetë fletën e votimit dhe një votues tjetër që fotografoi votën e tij ne QV nr. 1728, Bashkia Tiranë.
PD, TABAKU: PARREGULLSI NË ZGJEDHJE, MINISTRA E DEPUTETË E KANË THYER KODIN
Ora 13:54- Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat tha se gjatë procesit të zgjedhjeve ka pasur parregullsi. Ajo tha se, “Përgjegjësit do mbajnë përgjegjësi. Kanë thyer kodin deputetë, ministra, sidomos të LSI. Janë futur në qendra votimi. I kemi të gjitha provat, me video dhe foto”.
Tabaku ndër të tjera bëri thirrje që qytetarët të votojnë. “Votoni, dita e votimit është dita e fuqisë sovrane”
INCIDENT NË VORË, NUK LEJOHEN TË VOTOJNË DY PERSONA, KONFLIKTOHEN MILITANTËT E LSI-PD
Ora 13:50- Në Qendrën e Votimit 1555 janë paraqitur dy persona me kartë identiteti, por nuk janë lejuar nga komisionerët e majtë, pasi nuk janë banorë të zonës. Por janë sjellë muajt e fundit. Për këtë arsye është krijuar tension. Jashtë QV militantët e LSI-së dhe PD-së kanë bërë debat, duke sjellë rritje të tensionit. Dy personat nuk kanë votuar. Komisioni pretendon se nuk mund të votonin në Vorë. Pas debateve, të gjitha palët kanë pranuar këtë propozim, tensioni është shuar. Ka një prani të madhe të forcave të policisë.
LUZI: PJESËMARRJA PËR 711 QENDRA VOTIMI 27,09%
Ora 13:48- Kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi njoftoi për pjesëmarrjen e votuesve në rang vendi dhe qarqesh deri në orën 13:00.
Sipas saj deri në orën 13:00 janë llogaritur vetëm 711 qendra votimi, ndërkohë që theksoi se tani janë hapur të gjitha qendrat e votimit dhe votimi po shkon normalisht. Në rang vendi kanë votuar 27,09%.
“Shifrat janë relative, ndryshon nga momenti në moment”,tha Luzi ndër të tjera.
QARKU DIBËR 30,89%
QARKU DURRËS 24,94%
QARKU ELBASAN 28%
QARKU FIER 25,4%
QARKU GJIROKASTËR 29%
QARKU KORCË 23%
QARKU KUKËS 34%
QARKU SHKODËR 24%
QARKU TIRANË 28%
QARKU VLORË 24%
VLORË, ZHBLLOKOHET SITUATA NË ZONËN E DUKATIT
Ora: 13:43- Është zhbllokuar situata në zonën e Dukatit. Procesi ishte bllokuar për të paktën 1 orë. Kjo situatë erdhi për shkak se banorët nuk po gjenin emrat e tyre në listë.
VORË, PJESËMARRJA NË VORTIME 35-40%
Ora 13:40- Në Vorë shënohet edhe pjesëmarrja më e lartë ndoshta në rang vendi, ku kanë votuar rreth 35-40% e zgjedhësve. Sipas gazetares Klodiana Lala, fluksi është normal dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë incident.
NGJARJET NË FINIQ, PBDNJ: KEQARDHJE PËR NDËRHYRJEN JO KOMODE TË DEPUTETIT MARTO
Ora:13:37- Ka reaguar sërish PBDNJ në lidhje me incidentin e ndodhur në Finiq. Kjo forcë ka shprehur keqardhje për atë që ata e quajnë ‘ndërhyrjen aspak komode, jashtë etikës dhe kuadrit ligjor të procesit të votimit të deputetit të PS-së, Andrea Marto. ‘.
“Zgjedhjet nuk fitohen me sajesa. Referenca tek personi I cili është sot në gjykimin e votës së sovranit përbën shkelje të kodit elektoral duke synuar ndikimin e votës.
Nuk është në traditën e popullit të zonës dhe në veçanti të elektoratit të PBDNJ-OMONIA, akuzë të cilën ngarkon deputeti në fjalë. Keqardhje e thellë që në defiçitin e tij elektoral tenton të stigmatizojë organizatën e cila e promovoi politikisht.”, citohet në reagimin e PBDNJ-së.
PS, XHAÇKA: KOMISIONERËT E QV-VE TË ZGJIDHIN PROBLEMET SIPAS LIGJIT, MBARËVAJTJA E PROCESIT MË SHUMË RËNDËSI SE REZULTATI
Ora 13:35- Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka në një deklaratë për mediat ka falënderuar qytetarët që kanë votuar dhe komisionerët që janë angazhuar në procesin zgjedhor. Ajo ka apeluar për zgjidhjen e problemeve sipas ligjit, duke e vënë theksin në rëndësinë e procesit dhe jo të rezultatit.
“Falenderojmë të gjithë qytetarët shqiptarë anembanë vendit që kanë votuar deri në këtë moment. Falenderojmë të gjithë komisionerët dhe të gjithë ata burra e gra që janë angazhuar për të mundësuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Falë punës dhe ndjenjës së tyre të përgjegjësisë procesi deri tani ka ecur mirë dhe pa probleme të theksuara.
E po ashtu, një falenderim i shkon dhe të gjithë strukturave të shtetit për sjelljen e tyre profesionale e në respekt të ligjit.
Shfrytëzojmë këtë moment për të ftuar të gjithë komisionerët e qendrave të votimit në ato vende ku janë vënë re problematika sporadike e të izoluara, që t’i zgjidhin ato duke respektuar rreptësishtë ligjin dhe duke mbajtur parasysh se në këtë ushtrim të demokracisë, mbarëvajtja e procesit ka shumë më tepër rëndësi sesa rezultati. Është ky parim themelor që duhet të udhëheqë punën e tyre në çdo moment të procesit të zgjedhjeve. Dëshirojmë t’u bëjmë një thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, që në këto orë që kanë mbetur të dalin e t’u drejtohen qendrave të tyre të votimit, të ftojnë familjarët, miqtë e kolegët e tyre që të bëjnë të njëjtën gjë. Vota është jo vetëm një e drejtë themelore e çdo qytetari në një demokraci, por edhe një përgjegjësi e madhe që çdo qytetar ka ndaj vetes dhe komunitetit ku jeton. Në këto zgjedhje kjo është më e vërtetë se kurrë pasi ato prekin në mënyrën më të drejtpërdrejtë jetën dhe të ardhmen e gjithsecilit prej tyre, të çdo familje, të çdo rruge e rrugice, të çdo lagje”, tha Xhaçka.
TENSIONE NË NJË KZAZ NË RROGOZHINË
Ora: 13:30- Shënohen tensione në një KZAZ në Rrogozhinë. Mësohet se anëtarët e komisionit të PD dhe PS janë konfliktuar mes tyre pasi nuk kanë rënë dakord për hapjen e qendrës së votimit në ambientet e burgut të këtij qyteti.
Sipas anëtarëve , materialet zgjedhore janë me mungesë, mungojnë proces-verbali, dhe dokumentet e nevojshëm. 4 anëtarët e PD nuk kanë firmosur që të hapin qendrën e votimit në burgun e Rrogozhinës, ndërsa kërkojnë ndërhyrjen e KQZ-së. Anëtarët e PS-së kanë shkuar në ambientet e burgut dhe kanë nisur nga puna për hapjen e qendrës së votimit.
PBDNJ: PROBLEME NË DISA QENDRA VOTIMI
Ora:13:24- PBDNJ ka denoncuar sot një disa incidente të ndodhura sot në disa qendra të votimit. “Sot në datën 21.06.2015 me hapjen e qendrave te votimit fatkeqësisht u konstatuan shume problem serioze të cilat ndikojnë negativisht për zvillimin normal të procesit zgjedhor njëkohësisht me këto veprime bëhen përpjekje të vazhdueshme për manipulimin e rezultatit në favor te kandidatit te Partisë Socialiste, Jorgo Goro.”, citohet në reagimin e PBDNJ-së.
RASTET E SHKELJEVE SIPAS PBDNJ-SË:
Ora 07:10
Ne Q.V. N 4594 (Kallarat) nuk jane paraqitur komisioneret si rezultat nuk eshte hapur qendra e votimit.
Ora 07:20
Jonian Duni ne Q.V. 4584 (Gjilek) vezhgues I P.B.D.NJnuk lejohet te hyje ne kete Q.V. per te kryer detyren edhe pse ka autorizim e KZΑZ
Ora 07:30
Ne Q.V. 4581/1 (Qeparo Fushe)mbyllen kutit e votimit duke u ndryshuar ka paket e kutive.
Ora 07:35
Ne Q.V. 4600dhe 4599 (Kuc) nuk jane paraqitur komisioneret e koalicionit te djathte.
Ora 07:45
Ne Q.V. 4592 (Vranisht) nuk lejohet te hyje ne Q.V.vezhguesi I P.B.D.NJ me gιthese disponon nga autorizimi e KZΑZ
Ora 08:10
Ne Q.V. 4591 (Himare) nuk e janë paraqitur komisioneret e koalicionit te djathte dhe nuk pafilluar procesi zgjedhor
Ora 08:15
Ne Q.V. 4594 (Bolene) jane ngatërruar kapaket e kutive nje koheshit dhe vulat e mbylljes e kutive.
Ora 08:30
Ne Q.V. 4588/1 (Himare Fshat) fletet e votimit vulose jashtë kuadratit perkates ne menyre te per dalluese
Ora 09:25
Ne Q.V. 4588 dhe 4588/1 (Himare Fshat) punonjesi I Bashkise dhe militant I A.SH.E Arqile Bollano po shoqeron ne menyre te perseritur te dhunshem te moshuarit per te votuar. Veprim qe nuk lejohet nga Komisionii Q.V.
Ne Q.V. 4590 (Himare Shkolle) militant I A.SH.E Artan Duka nuk lejonte moshuareti shoqeroje per tevotuar personin e përzgjedhur nga vet imoshuari.
Ora 09:30
Ne Q.V. 4591 (Himare Kopesht) militantja e A.SH.E Mirka Gjicali pengon te moshuarit te shoqerohen nga njerzit e perzgjethur prej tyre per te votuar. Ne te njejten Q.V. Irini Lloi dhe Ersida Nini militan te te A.SH.E lejohen ne menyre te perseritur te shoqërojnë te moshuar.
Ora 09:30
Ne Q.V. 4584 dhe 4584/1 (Gjilek) punonjesit e BashkiseThodhori Beja Sekretari Bashkise dhe Jerasimo Bashi Drejtor I Kadastres kercenojnë njerëzit jashte Q.V. dhe i orientojnë dhunshem duke i shoqeruar per te votuar.
Ora 10:00
Ne Q.V. 4592 (Vranisht) u konstatua rast qe komisioni Q.V. i jep votuesit fletëvotimi te plotesuar. Qytetari nuk pranonte mare flete votimit e plotësuar dhe kërkon flete te pa plotësuar, komisioni nuk i jep.
Ora 10:25
Ne Q.V. 4591 (Himare Kopesht) lista përfundimtare qe disponon komisioni nuk janë te plota duke u krahasuar me listën përfundimtare të afishuar jashtë qendrës së votimit.
Ora 10:30
Ne Q.V. 4591 (Himare Kopesht)militantja e ASHE Mirka Gjicali vazhdon te pengoj shoqeruesit e personave te moshuar nga njerezit e familjes per votimin,kjo me kundershtim me nenin 108 te kodit zgjedhor.
DURRËS, QYTETARI: MË KANË VJEDHUR VOTËN, DUA TË VOTOJ
13:08- Një qytetar i moshuar dhe invalid i lagjes 18 në Durrës ka denoncuar në Neës24, vjedhjen e votës. Ai nuk ka mundur të votojë, pasi në emrin e tij kishte votuar dikush tjetër.
“Në orën 9 me gjithë bashkëshorten shkova tek QV 1440 tek shkolla “Naim Frashëri”, paraqes kartën e identitetit kur shikoj tek lista emërore në emrin tim ishte firmosur jo firma ime. Numri i kartës nuk ishte ai i imi. Kërkova nga komisioni sqarime. Më thanë që është bërë një gabim. më thanë do paraqitesh pas dy orësh që të rregullojmë gabimin. Shkova pas dy orësh nuk ishte bërë asgjë. Prita sërish, dhe sërish asgjë. Pretendoj se vota ime është vjedhur. E kam verifikuar emrin. Para dy javësh edhe tek lagjja edhe nëpërmjet internetit. U informuam edhe për vendin e Qendrës së Votimit.
Kërkoj të votoj që vota ime të mos vidhet”, ka thënë Shabani. bw
Komentet