Federata Panshqiptare Vatra mbetet pa dyshim institucioni me historinë më jetëgjatë në historinë shqiptare dhe kjo lidhet ngushtë me faktin që ajo lindi në tokën e lirë amerikane. I takon të shkuarës tashmë roli i saj vendimtar në ruajtjen e tërësisë territoriale shqiptare nga tjetërsimi. Iu afrova Vatrës në majin e vitit 2013 në një prej promovimeve më dinjitoze organizuar prej saj : “Jeta e Jashtzakonshme e Charls Telford Ericksonit për Shqipërinë dhe Shqiptarët “ me autor ish -ambasadorin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar zotin Mal Berisha. Nuk kishe se si të mos afektoheshe nga ai mjedis prej patriotësh që takimet me librin i konsideronin si të përzemërta e mes miqsh .
Por mbetet e shkuar tashmë kjo lloj historie. Vizita e parë në vatër ishte po aq historike dhe e paharruar ; artistja e Popullit Tinka Kurti do të recitonte vargjet e nënë Terezës, pa kamera, pa skenar , por e prekur thellësisht nga rrënjët e një historie të shkuar varur mureve të një godine që duket se ende thërret për ringjallje.
Nëntoret shqiptare në Nju Jork kanë ngjyrat e flamujve të vatrave tona që mblidheshin rreth Vatrës historike sa herë që i thêrriste i Gjoni, Agimi, Idrizi, Dalipi, Nazo, Asllani …po çfarë rëndësie kanë emrat kur thirrjet bëhen me zemër e dashamirësi dhe ato që të gjithë mblidheshin aty për një qëllim , për të mbajtur gjallë atë frymë që i dha jetë kombit në ditët e tij më të vështira. Nuk dua t’ja pohoj vetes se edhe këto lloj thirrje vllaznore i përket një historie të shkuar tashmë edhe pse me bindje mund të them se Vatra sot është tkurrur prej preferencialitetit, lakmive të çuditëshme për emër, ambicie enigmatike ,etj etj . Kisha filluar të besoj se Vatra është një lloj fryme që mbahet gjallë nga njerëz të penës dhe mendjes që i japin emër asaj .
Dhe kjo bindje m’ u përforcua kur Frank Shkreli promovonte veprën “ Demokracia nuk pret” . Kur Visar Zhiti nuk i ikte kurrë Nju Jorkut pa ndaluar në Vatër, kur Diplomati Mal Berisha e ftonte Vatrën në Institute kërkimore historike amerikane e ku vyrtytet shqiptare si ;besa, mirnjohja dhe besnikëria do të ishin pasaporta më e mirë për një popull të vogël si ne ,në një truall të huaj e shumëkombësh siç është Amerika.
Kur Vatrës i afroheshin fëmijët shqiptarë që fjalët e para të shqipes i shkruanin përbri portreteve të mjeshtrave të fjalës dhe mendimit si Noli e Konica që i dhanë jetë Vatrës dhe Dijes ,vërtet besoja se ajo lloj fryme nuk do të ndalonte kurrë. Një ditë të ftohtë janari në Vatër do të këndonte për herë të parë tenori Riad Ymeri , një artist i ri që ndau me të pranishmit mesazhe dhe ide që iu përshtatën aq bukur Herman Bernstein , ish -ambasadorit amerikan në Shqipërinë e viteve 30, një studim historik i diplomatit Mal Berisha anëtar Nderi i dhe nderues sistematik Vatrës .
Një promovim mbresëlënës ku pata rastin të njoh drejtuesin dhe strategun e Vatrës ing Agim Karagjozin. Kisha dëgjuar aq shumë për të por në atë ngricë janari kristalizova mendimin se patriotët e vërtetë japin nga vetja edhe kur nuk kanë . Aty kuptova se dashuria e tij për Vatrën është si fryma që vdes bashkë me trupin. Ishin ditët e fundit të jetës së tij dhe mbahej me zor krahëve nga i biri e megjithatë as të ftohtët dhe as mosha nuk e kishin penguar ti jepte jetë këtij momenti jetik për Vatrën .
Në komunikimet televizive me ish -gazetarin Gjek Gjonlekaj kisha dëgjuar përkufizimin e tij unik për Vatrën “ Vatra është gjaku i ri në shishe të vjetër”-siç shprehej ai. E yshtur nga përmbajtja përtej kontekstit besoja vërtet se risitë në vatër janë ndërveprimi me të shkuarën, historinë tonë , nevojat e saj, korrekimet, rishkrimet,perspektivat…
Besoja se risi në vatêr janë jo vetëm moshat por edhe mentalitetet e reja ku konvergojnë mendime e ide që përmes debatesh perfeksionohen e maturohen.
Kam filluar vërtet të besoj se Vatra është një histori e shkuar, madje sa herë që miq nga Shqipëria interesohen për fakte arkivore unë i drejtohem Z. Idriz Lamaj pasi përfundimisht kuptova se Kjo histori e shkuar e Vatrës arriti të prodhonte individualitete dinjitoze që do të mbeten vlera dhe vepra muzeale në memorien tonë sepse ata e deshën Vatrën pa kushte, e mbajtën gjithmonë hapur atë portë patriotizmi me pendë , mendim dhe u qeshnin sytë dhe zemra sa herë kur trokiste dikush , hynte dikush. Nuk ndalova kurrë së shkruari për Vatrën sepse ndjeja se aty takoheshin dy kohë, dy botë, qindra ëndrra të cilat pas dhunës absurde të diktaturës që ndau dhe përçau shqiptarët për 50 -vjet do t’ja nderonin liritë njëra-tjetrës…
Por edhe kjo mbetet një Histori e të shkuarës dhe mjaft e bukur për ta besuar sepse ka në thelb liri !
“E ardhmja , së largu na përqesh.
Dhe ne, që as me kujtimet tona s’arrijmë të ngjajmë .
E as te pranohemi sic jemi ,s’guxojme” ( Lord Byron )