26 Shkurt 2024
Në dy-vjetorin e hedhjes poshtë të Kanunores së Vatrës nga drejtuesit e saj aktualë.
***Ky shkrim është një opinion personal i shoqëruar me një kujtesë historike mbi Kishën dhe Vatrën e Nolit si institucione martirike shqiptare, në formë mbështetjeje ndaj atyre anëtarëve të Federatës Vatra dhe të komunitetit shqiptar, cilët po mundohen ta ruajnë Vatrën nga influencat e mundshme e lobit grek dhe infiltrimit të klerikëve të Patrikanës së Stambollit në këtë organizatë.
Artikullin po e shoqëroj me një video, pjesë nga një fjalim original i Imzot Theofan Noli, ku fjalët e tij janë si testament: “…Kishim në programin tonë një Shqipëri indipendente, e bëmë, kishim në program një Kishë Autoqefale Shqiptare, e bëmë…tani ua lëmë si barrë të tjerëve që ti mirësojnë…”.
Egzistenca jonë kombëtare, tokat, kulturura, besimi dhe gjuha, nuk do të ishin kjo trashëgimi kaq e pasur sot, pa rolin, kontributin dhe sakrificat edhe të klerikëve të kishave tona, në këtë rast të Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare. Patrikana e Stambollit apo kisha greke si një kishë nacionaliste, mendoj se historikisht ka pasur një qasje të kundërt me këtë trashëgimi nëpërmjet influencës së saj në shkombëtarizimin e shqiptarëve nëpërmjet fesë ortodokse.
Opinioni im është se ka një riaktivizim të lobit grek në Amerikë në marrdhënie me shqiptarët. Shenjat janë dhënë dukshëm, pikërisht atje ku s’duhej të ndodhte, në Federatën Vatra. Kryesia e Vatrës pati shpallur fillimisht si drejtues të një dege të re të saj në Boston, atje ku Noli themeloi Vatrën, At Theofanis Koja, një prift ortodoks shqiptar me origjine vllehe, at’herë me detyrë në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston. At Theofanis, pas disa mosmarrëveshjeve aty, qe liruar nga detyra në Katedralen e Shën Gjergjit, por në mënyrë të rrufeshme u emërua nga Patriakana greke e Stambollit, si kryepeshkop në Kishën e Trinisë Shenjte në Boston, për “popullsinë shqipfolëse” të Amerikës dhe Kanadasë, siç shkruhet në vendimin e Patrikanës. Ceremonia e shugurimit të tij u zhvillua në Fanar të Greqisë, aty ku ndodhet koka e prerë e At Stath Melanit, priftit martir të kishës së Nolit. Megjithëse drejtuesit e Vatrës ishin në dijeni të këtye lëvizjeve të tij, Theofanis Koja në mënyrë të jashtëligjshme u emërua anëtar i Këshillit të Vatrës dhe mori pjesë në mbledhjet me Kryesinë e Vatrës.
Më pas, nën presionin e drejtuesve të shoqatës Besa-Besën, vatranëve dhe patriotëve të tjerë shqiptarë, dega e Vatrës në Boston organizoi Kuvendin e saj dhe vatranët atje refuzuan me votë kandidaturën e Theofanis Koja, i cili megjithëse më parë ishte shpallur për të drejtuar degën e Vatrës në Boston, nga votimet mori vetëm 6 vota, prej 68 gjithsej.
Edhe mbas humbjes së thellë të At Theofanis dhe refuzimit të anëtarëve në degën e Bostonit, drejtuesit e Federatës Vatra nuk hoqën dorë për ta bërë Theofanis se-s’bën pjesë të strukturave të Vatrës, tani në një pozitë edhe më të lartë, si nënkryetar i Këshillit të Vatrës. Në bazë të Kanunores së Vatrës, anëtarët e Këshillit duhet që të jenë vatranë me kontribute të shquara në Vatër dhe komunitet, ndërsa At Theofanis nuk kishte asnjë kontribut në Vatër e as ne komunitetin shqiptar. Po ashtu sipas Kanunores, drejtuesit e Këshillit zgjidhen nga vetë Këshilli dhe nuk emërohen nga kryetari i Vatrës, së pari ka konflikt interesi, së dyti, Këshilli është strukturë e pavarur dhe më e lartë se Kryesia e Vatrës.
Po ashtu, nëse marrim si të kryer faktin se nënkryetari i Këshillit të Vatrës, At Theofnis Koja, është i padëshirueshëm në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, me të njëjtën logjikë hamendësoj se as zyrtarët e Kishës Shën Gjergjit nuk do të shkelin më në Vatër, sa të jetë Theofanis njeri nga drejtuesit e saj. Kjo duket si një çarje të thellë apo një ndarje përfundimtare në mes Kishës së Nolit dhe Vatrës së Nolit. Mendoj se kryetari i Vatrës Elmi Berisha duhet të mbajë pergjegjësi për këtë degradim të mardhënieve me Kishën e Nolit në Boston. Ai i detyrohet vatranëve një shpjegim për këtë axhendë të dyshimtë grekofile, pasi ka qenë ai që fillimisht pati filluar negociatat me At Theofanis për involvimin e tij në Vatër. Vakumi intelektual dhe i vlerave, si dhe përçarja e vatranëve, që po ndodh së fundmi në Vatër, po shfrytëzohet më së miri nga agjenturat greke këtu.
Po të shkojmë pak më thellë në histori, një situatë e ngjashme, pothuase identike ka ndodhur në vitin 1949 në kishën e Nolit në Amerikë. Në fundin e viteve 1940, grekët arritën që të përçanin keqas komunitetin shqiptar nga ana politike, duke e vënë në shënjestër dhe sulmuar ashpër Nolin si të majtë. Qëllimi i tyre ishte, që pas përçarjes ndër shqiptarë, për të djathtët të dërgohej një peshkop i ri. Në mënyrë të rrufeshme Patrikana shuguroi meshtar Marko Lipa-n, i cili menjëherë u dërgua me mission në Amerikë si peshkop në krye të ortodoksve shqiptarë, me qëllim rrëzimin e Imzot Fan Nolit. Noli ka qenë në pozita shumë të vështira, sikurse ai shkruante: “…po më luftojnë brenda kishës, element ambiciozë dhe antikombëtarë nga Patrikana greke e Stambollit, e cila ka pregatitur edhe njëfarë Marko Lipa, për ta bërë peshkop të shqiptarëve të Amerikës, në vendin tim”. Imzot Noli qëndroi përpara sulmeve të kishës greke dhe me ndihmën e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, arriti që të mbante kishat e tij në Amerikë pothuaj të bashkuara. Peshkopi i komanduar nga Kisha Greke, Marko Lipa arriti që të shkëpusë Kishën e Trinisë në Boston, aty ku është vendosur sot Theofanis Koja.
Çfarë ngjason si dy pika uji e sotmja me 1949, është përçarja që ka ndodhur aktualisht në mënyrë artificiale dhe politike e Vatrës, ku një numër i madh vatranësh veteranë që kanë dalë në mbrojtje të Vatrës, i kanë veçuar qëllimisht dhe akuzohen për tradhëti kombëtare dhe si mbështetës të një personi ‘non-grata” për Amerikën, pra të Sali Berishës. Them qëllimisht, mbasi ky debat politik nuk ka egzistuar në asnjë moment në Vatër. Një numër i madh vatranësh nga ky grupim, janë përjashtuar në mënyrë të jashtëligjshme nga Vatra. Në të njëjtën kohë, At Theofanis Koja më ngjan identik me Mako Lipën, pasi edhe Theofanis u emërua në mënyrë të rrufeshme nga Patrikana e Stambollit peshkop i shqipfolësve po në Kishën e Shën Trinisë dhe për më tepër u emerua drejtues i një strukture të Varës.
Dikush mund të thotë se gjërat kanë ndryshuar me 1949-ën. Por, në versionin tim, gjërat nuk kanë ndryshuar. Nëse shteti grek mban në fuqi ligjin e luftës më Shqipërinë, nëse në krye të Kishës Autoqefalë Shqiptarë vazhdon të qëndrojë peshkopi grek i Patrikanës, Janullatos dhe kisha greke vazhdon misionin e saj per pushtimin politik dhe kulturor të shqiptarëve nëpërmjet fesë ortodokse në jug të Shqipërisë, atëherë përse Federata Vatra në Amerikë, në kundërshtim me Katedralen e Shën Gjergjit, emëron zyrtar të Vatrës Theofan Kojën, ky i dëbuar nga kjo kishë dhe i katapultuar nga kisha greke?
Në fakt, infiltrimi i Peshkopit grek në Vatër, nuk ndodhi “si rrufe në qiell të hapur”. Nëse nuk gaboj, në shtator 2020, vetëm pak muaj nga zgjedhja e Elmi Berishës kryetar i Vatrës, selinë e Vatrës në New York e pati vizituar, peshkopi i kishës së Shën Trinisë At Ilia Katre, pra paraardhësi i At Theofanit, si hera e parë që një përfaqësues i kishës greke vizitonte Vatrën. Ndërsa nga Kisha e Nolit nuk kemi pare më asnjë klerik të vizitojë Vatrën apo aktivitetet e saj.
A janë të gjitha këto një rastësi? I shkrova këto më sipër për të mbështetur dyshimet e mija se Vatra është nën influencën apo kontrollin e lobit grek në Amerikë.
Tani, ne duhet që të pranojmë se Kisha e Nolit dhe Vatra janë institucione martirike puro shqiptare, të cilat i kanë mbijetuar terrorit të pashembullt të Patrikanës greke. Kisha Autoqefale Shqiptare mbahet mbi gjakun e martirëve të kësaj kishe. Nga ky kënd i vështrimit, drejtuesit aktualë të Federatës Vatra, mendoj se duhet të jenë luajalë ndaj Nolit, themeluesit të Kishës së Pavarur Shqiptare dhe Vatrës njëkohësisht dhe sidomos ndaj gjakut të pastër atdhetar të derdhur për këtë Kishë, për këtë Vatër dhe për gjuhën shqipe.
Besnikëria ndaj Nolit është një kusht i patjetersueshëm për të gjithë drejtuesit e Vatrës, për sa kohë Vatra të egzistojë si entitet shqiptaro-Amerikan për mbrojtjen e interesave të shteteve shqiptare ne Amerikë. Drejtuesit e Vatrës, të cilët për mendimin tim kanë defiçensë të njohurive mbi rrugëtimin e përgjakur të Vatrës dhe të Kishës ortodokse të Nolit. Nëse ata nuk janë në shërbim të qarqeve antishqiptare, ata duhet të njihen me këtë histori të mundimshme të kishës ortodokse shqiptare dhe Vatrës dhe të reflektojnë sa më parë, në mënyrë që historia të mos përsëritet. Kjo histori është e mbushur me fakte dhe të dhëna tronditëse të akteve terroriste të Patrikanës së Stambollit mbi priftërinjtë dhe patriotët shqiptarë, të cilët e mbrojtën me jetët e tyre trashëgiminë tonë arbnore, më të vjetrën në Evropë.
Unë dua të ndalem pak tek priftërinjtë ortodoksë shqiptarë, mbi gjakun e të cilëve, At Theofan Noli, më se 100 vjet më parë ngriti i pari themelet e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe Vatrën. Këto janë institucione martirike dhe këtë konkluzion do ta mbështes me të dhënat rrenqethëse historike të njohura, të cilat unë i kam mbledhur nga libra dhe lexime të ndryshme. Nga këto veçoj:
Në vitin 1805 në Resnjë ë Maqedonisë u vra kleriku dhe mësuesi atdhetar Dhaskal Todhri, nga njerëzit e Patrikanës greke të Stambollit. Dhaskal Dhodri krijoi një alfabet të posaçëm me 53 shkronja për shtypjen e librave të Kishës në gjuhen shqipe. Por Patrikana e Stambollit e cila ishte kundër çdo gjuhe tjetër, sidomos kundër gjuhës shqipe, bëri të mundur vrasjen e Dhaskal Todhri, dhe veprat e tij u dogjën. Dhaskal Dhodri njihet si dëshmori i parë i shkollës shqipe.
Në vitin 1822 u vra nga njerëzit e Patrikanës së Stambollit edhe mësuesi e profesori i njohur Jani Evstrat Vithkuqari, autor një fjalori 2000 fjalësh Anglisht- Greqisht- Shqip.
Në vitin 1854 vdiq i helmuar nga kisha greke, brenda selisë së Patrikanës së Stambollit, Naum Veqilharxhi, ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili më 1844 botoi të parën abetare të shqipes, “Evetarin” me 33 shkronja.
Eliminimi i Veqilharxhit u shoqërua edhe me syrgjynosjen në Kretë të sekretarit të Mitrlopolisë së Korçës, atdhetarit Athanas Paskali, gjyshi i Odhise Paskalit.
Në vitin 1877 u helmua në burgun e Athinës shkrimtari dhe atdhetari Anastas Kullurioti nga agjentë të Patrikananës greke të Stambollit.
Në vitin 1891 u helmua Pandeli Sotiri, drejtori i parë i Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës. Ai u helmua nga gruaja e tij greke në bashkëpunim me Patrikanën greke të Stambollit dhe pas helmimit, trupin e tij e hodhën nga penxherja e katit të 3-të të shtëpisë, ku ai banonte në Stamboll.
Në vitin 1895 u vra barbarisht, pishtari i diturisë e shkronjave shqipe Kostandin (Koto) Hoxhi nga njerëzit e Patrikanës së Stambollit. Koto Hoxhi pati shkruar në shqip “Dasmë në Lunxhëri” e shfaqur në atë kohë në Gjirokastër. Kërkoi që të hapte një shkollë shqipe dhe autoritetet greke e arrestuan dhe e burgosën derisa e vranë në burg.
Më 12 shkurt 1905, u vra barbarisht, me thika, hanxharë e sëpata, nga banditët grekë, Papa Kristo Negovani, kleriku, mësuesi dhe shkrimtari, shenjtori i shkrimit shqip, i cili thoshte: “shkronjat e bëjnë kombin të quhet komb”. Papa Negovani ishte ndër inspiruesit e parë të Kishës Autoqefale Shqiptare që u bë realitet më vonë nga At Noli.
Me 10 shkurt 1905, At Negovani mbajti një shërbesë kishtare shqip në prani të Karavangjelisit, peshkopit grek të Kosturit, i cili duke dalë nga kisha, i tha: “Mos të gjettë viti tjetër ndër të gjallët”. Pas dy ditësh, 12 shkurt1905, fshati u rrethua nga banditë që e detyruan tridhjetëvjeçarin Negovani, të dilte jashtë shtëpisë në mes të natës për ta masakruar pastaj me sëpata dhe thika bashkë me pesë mësues të tjerë të gjuhës shqipe..
Po me 12 shkurt 1905, në Negovan u ther me thika nga njerëzit e Kishës greke, edhe vëllai i Papa Kristos, prifti Papa Theodhosi.
Më 17 gusht 1911 u helmua nga shovinistët grekë në Gostivisht të Kolonjës, Petro Nini Luarasi, martiri i gjuhës shqipe, atdhetari që u dërgoi fjalët e njohura bejlerëve të Qafëzezit: “Vramëni, po mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën e nënës”.
Në vitin 1913 njerëzit e Kishës greke therën kushërirën e Petro Nini Luarasit, Paro Vasil Kita, së bashku me babanë e saj, në Kishën e Shën Thanasit
Më 24 dhjetor 1917, banda nga Fanari, e filogrekut Josif Soropulli, i prenë kokën Stath Melanit, friftit të Fan Nolit, i cili më 1899, u shugurua prift në Kishën e Shën Mërisë së Worçesterit në Massechussets.
At Stath Melani, po atë vit do të kthehej në Shqipëri për të vënë themelet e kishës ortodokse shqiptare. Në një artikull në gazetën “Albania” 14 marsit 1918, At Stathi thoshte: “Djema! Më shihni prift ortodoks, por nuk u linda kësisoj, u linda shqiptar dhe shqiptar dua të vdes. Prandaj kush është për Shqipërinë, unë përpara dhe ju pas meje, të mbrojmë kombin dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”.
Ndërsa në gazetën Dielli të 2 dhjetorit 1914 shkruhet se At Stathin e arrestuan dhe mbasi doli nga burgu me financimin e shoqërisë kishtare të Shën Gjergjit në Boston, nga Vlora kaloi në Bari të Italisë dhe më pas mbërriti në Amerikë.
Në fillim të vitit 1917, At Stathi, nga Amerika u nis përsëri për në Shqipëri. Këshillave për të qëndruar në Amerikë, At Stathi i përgjigjej: “Pasuria e gjithë botës s’janë gjësendi për mua, lumturinë e kësaj bote do ta fitoj kur të kthehem në Shqipëri”, – shkruhet në gazetën “Albania” të 21 marsit 1918.
Pak kohë mbasi arriti në Shqipëri, me 24 dhjetor 1917, banda greke e Josif Soropullit e qëlloi në befasi me një breshëri armësh, pastaj i prenë kokën dhe e çuan në Fanar në Greqi. Fshatarë nga Melani, e morën trupin e tij pa kokë, e mbështollën me flamur shqiptar dhe e çuan në Përmet, ku u prit dhe u varros me nderime të mëdha nga populli në Kishën e Shën Kollit.
Vatra në njërën anë dhe Kisha e Nolit në anën tjetër kanë bërë rezistencë të madhe për mbrojtjen e territoreve dhe gjuhës shqipe në jug të Shqipërisë.
Në gazetën DIELLI të datës 7 korrik 1922, Konica ndër të tjera shkruan se: “Kryeministri i Greqise z. Venizelos tha në Konferencen e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti ne Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra”. Sigurisht kur thuhej Vatra, perfshiheshin edhe klerikët e Nolit atje.
Si përfundim, katapultimi i një kleriku të betuar deri në vdekje të Kishës Greke në krye të strukturave të Vatrës, jo vetëm që nuk bazohet në Kanunore, por më e rëndësishmja, ç’njeh historinë dhe rrugëtimin e përgjakur të Kishës së Nolit dhe Vatrës si pré të Patrikanës së Stambollit. Tani nëse drejtuesit e Vatrës janë naivë, pra nuk e njohin historinë e Kishës dhe Vatrës së Nolit, apo janë nën influencën e Lobit grek në Amerikë, apo të dyja, këto janë pyetje që mund ti përgjigjen vetëm ata.
Valentin Lumaj/Michigan