Sopranoja shqiptare e përmasave ndërkombëtare Inva Mula vizitoi selinë e Federatës Vatra.
Ajo ka ardhur në një nga kryeqendrat e botës së artit disa herë dhe është mirëpritur nga publiku artdashës në skenat e njohura si Metropolitan Opera dhe Carnegie Hall të Nju Jorkut, por kjo ishte hera e parë që hynte në dyert e Vatrës. Dritan Mishto, Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikes Vatra e përshendeti dhe uroi mirëseardhjen sopranos Inva Mula si edhe violinistit Olen Çezari. Me pak humor, ai vërejti se për dallim nga vizitat e autoriteteve e mysafirëve të nderuar, në pritjen për Inva Mulën në Vatër kishte prani të dukshme të gjinisë femërore.
“Nuk e kam ditur që këtu është një shoqatë që të pret me krahët dhe dyert hapur,” iu tha artisja të gjithë pjesëmarrësve në takimin e mbrëmjes së ditës së merkurë. Duke buzëqeshur ajo shtoi se përpara kësaj vizite nuk e dinte që njihte prej kohe shumë anëtarë e funksionarë të Federatës Vatra, si Ambasadorin Mal Berisha, Anëtaren e Kryesisë Marjana Bulku, Koordinatorin e Aktiviteteve Frederik Ndoci e shumë Vatranë të tjerë.
Spektakli i quajtur “Around the World with Music” u konceptua vetvetiu pasi tre artistët, Inva, Oleni dhe Genc Tukiçi ishin gjendur bashkë në shfaqje të paraqitura nga organizatorë të ndryshëm. Sopranoja me status botëror Inva Mula dhe dy instrumentistët e mirënjohur Genc Tukiçi dhe Olen Çezari kishin afinitet dhe komunikim aq të mirë sa ideja e spektaklit lindi natyrshëm, tha artistja.
Ata e filluan turneun në Kanada me koncertet në Ottawa, Toronto dhe Montreal. Emocionet e përcjella nga salla ndaj ekzekutimit të një repertori ‘fluid’ që i përgjigjet emocioneve të momentit, sipas përshkrimit të violinistit Olen Çezari, janë të pastra dhe të papërsëritshme. Artisja Inva Mula tregoi se një nga momentet më prekëse të shfaqjes në Toronto ishte ‘ritakimi në sallë’ me mësuesen e saj të Liceut Artistik Jordan Misja në Tiranë, znj. Paparisto.
Aty për aty ajo kujtoi dhe këndoi së bashku me të pikërisht këngën e mësuar në kanto “Kenke nur’ i bukurisë’ gati tri dekada më parë. Nga Kanadaja, turneu udhëtoi në Miçigan, ku prezantoi një spektakël të suksesshëm.
Krahas me përshkrimin e turneut, sopranoja tregonte për përjetimet e saj në takimet me komunitetin shqiptar. Për Detroitin, ajo u shpreh se ishte ‘parathënia’ e vizitës në selinë e Vatrës sepse takimi me drejtuesit e Degës së Vatrës aty kishte qenë shumë mbresëlënës. Për spektaktin në Nju Jork, organizatorja Dëshira Ahmeti Kërliu dhe bashkëshorti i saj Arian Kërliu duan të kenë rastin të kënaqin sa më shumë spektatorë në sallën gjigante të stilit Viktorian të ndërtuar në fund të shekullit 19. Spektakti jepet ditën e shtunë me datë 5 tetor në Grand Prospect Hall në Bruklin.
Mbyllja e vizitës u shoqërua me një potpuri të këngëve të njohura të interpretuara në duet nga artisja Inva Mula dhe Frederik Ndoci dhe pastaj me shoqërim të gjithë të pranishmëve në sallën e mbushur të selisë së Vatrës.


Komentet