Sekretari i Shtetit i Vatikanit, Pietro Parolin, e konfirmoi të mërkurën ekzistencën e një “misioni paqeje” të Vatikanit për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, disa ditë pasi Papa Françesku zbuloi një operacion sekret në të cilin tha se po punohej.
Kardinali Parolin u shpreh i habitur që zyrtarët në Rusi dhe në Ukrainë u shprehën të befasuar lidhur me nismën e Vatikanit, kur u pyetën për komentet e Françeskut. Duke folur gjatë një konference në Vatikan, Parolin tha se të dy vendet ishin informuar më parë, sipas Vatican News.
“Bazuar në njohuritë e mia, ata e dinë. Por ju e dini se si shkojnë këto gjëra, në burokraci mund të ndodhë që komunikimet që supozohet të mbërrijnë nuk mbërrijnë”, citohet të ketë thënë Parolin.
“Këto janë vetëm interpretimet e mia, por e di që të dyja palët ishin të informuara”, shtoi ai.
Françesku zbuloi ekzistencën e një “misioni” të Vatikanit më 30 prill, gjatë një konference shtypi pas vizitës në Hungari.
Gjatë tre ditëve të tij në Budapest, Françesku zhvilloi takime private me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili ka vazhduar të mbajë marrëdhënie me Moskën, si dhe me ish të dërguarin e Kishës Ortodokse Ruse, e cila e ka mbështetur fuqishëm luftën e Rusisë në Ukrainë.
Françesku u pyet gjatë konferencës për shtyp nëse Orban ose Mitropoliti Hilarion i Kishës Ortodokse Ruse mund ta ndihmonin në bisedimet e ndërmjetësuara nga Vatikani për t’i dhënë fund luftës.
“Mund ta imagjinoni që në këtë takim nuk folëm vetëm për Kësulëkuqen, apo jo?” u përgjigj Françesku.
Ai përsëriti gatishmërinë e tij për të bërë gjithçka që duhet për t’i dhënë fund luftës. “Gjithashtu, është një mision që po zhvillohet tani, por ende nuk është publik. Të shohim se si… Kur të jetë publike do të flas për të”, tha ai.
Parolin i konfirmoi komentet e Françeskut. Por, ai foli për një “mision” në të ardhmen, jo për një që tashmë ka qenë duke u zhvilluar.
Komentet e Parolinit erdhën ditën kur Papa Françesku përshëndeti të dërguarin aktual të jashtëm të Kishës Ortodokse Ruse, Metropolitin Anthony, në fund të grumbullimit të përjavshëm në Sheshin e Shën Pjetrit.
Parolin theksoi se Anthony kishte ardhur në Vatikan si pjesë e kontakteve të rregullta midis dy kishave dhe se prania e tij nuk kishte lidhje me misionin e paqes.
Vatikani ka një traditë të neutralitetit diplomatik dhe punës në prapavija për t’u dhënë fund konflikteve. Françesku është përpjekur të mos e antagonizojë Moskën me deklaratat e tij të përsëritura të solidaritetit me popullin ukrainas.
Javën e kaluar, para se Françesku të shkonte në Hungari, kryeministri i Ukrainës i bëri thirrje Papës dhe kërkoi ndihmën e tij në veçanti për të ndihmuar për kthimin e fëmijëve ukrainas të deportuar në Rusi.